Spanja po përballet me pasoja të mëdha politike pas ndërprerjes më të rëndë të energjisë elektrike në vitet e fundit, e cila shkaktoi kaos në transport, mbylli aeroporte dhe la qytetarë të bllokuar në ashensorë në disa rajone të vendit. Operatorët e rrjetit po punojnë për të identifikuar shkakun, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm qeveritar.
Operatori i rrjetit elektrik, Red Eléctrica Española (REE), mohoi të mërkurën se ndërprerja ishte rezultat i varësisë në rritje nga burimet e rinovueshme si energjia diellore dhe ajo me erë. Kjo deklaratë erdhi në një kohë kur opozita po akuzon qeverinë për mungesë investimesh në infrastrukturën energjetike dhe mbështetje të tepruar tek burimet e ndërprera të energjisë.
Kryeministri Sánchez, nën presion për të shpjeguar krizën, tha se po kërkon përgjigje nga kompanitë private të energjisë që furnizojnë rrjetin kombëtar dhe se nuk përjashton mundësinë e një sulmi kibernetik. Megjithatë, REE – një kompani pjesërisht në pronësi të shtetit, e drejtuar nga ish-ministrja socialiste Beatriz Corredor – e ka mohuar këtë skenar.
Sipas REE, ndërprerja e energjisë ka ardhur si rezultat i dy incidenteve të ndara të humbjes së gjenerimit të energjisë në nënstacione në jugperëndim të Spanjës. Kompania thotë se ende nuk ka identifikuar vendndodhjen e saktë të këtyre problemeve dhe është shumë herët për të përcaktuar shkakun.
Ndërkohë, qeveria spanjolle po përballet edhe me zemërim publik për menaxhimin e përmbytjeve të fundit të rënda në lindje dhe jug të vendit, të cilat kanë lënë mbi 220 viktima, duke shtuar më tej presionin mbi administratën aktuale./abcnews.al
Finlanda ka miratuar legjislacionin për të kufizuar përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera celulare gjatë ditës së shkollës, mes frikës për ndikimin e tyre në mirëqenien dhe të nxënit e nxënësve.
Sipas ndryshimeve, të cilat u miratuan nga parlamenti finlandez të martën dhe do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, pajisjet celulare do të kufizohen shumë gjatë orarit të mësimit, shkruajnë mediat e huaja.
Nxënësve do t’u lejohet t’i përdorin ato vetëm me lejen e mësuesit për qëllime shëndetësore ose mësimore.
Finlanda është vendi i fundit evropian që vendos kufizime ligjore për përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera celulare në shkolla, mes provave në rritje të ndikimit të tyre tek fëmijët dhe të rinjtë.
Më parë këtë vit, Danimarka tha se do të ndalonte telefonat celularë nga të gjitha shkollat.
Kryetari i komisionit të mirëqenies së vendit, Rasmus Meyer, i tha The Guardian se masa ishte e nevojshme për të ndaluar shkollat nga “kolonizimi nga platformat dixhitale” dhe i kërkoi pjesës tjetër të Evropës të ndiqte shembullin.
Komisioni danez zbuloi se 94% e të rinjve në vend kishin një profil në mediat sociale para se të mbushnin 13 vjeç – pavarësisht se kjo është mosha minimale në shumë platforma të mediave sociale – dhe se fëmijët nëntë deri në 14 vjeç kalonin mesatarisht tre orë në ditë në TikTok dhe YouTube.
Vende të tjera që kanë futur kufizime në telefonat celularë përfshijnë Francën, e cila ua ndaloi nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme përdorimin e telefonave të tyre në mjediset e shkollës në vitin 2018 dhe ka qenë duke provuar një “pauzë dixhitale” për fëmijët deri në moshën 15 vjeç, dhe Norvegjinë, e cila kohët e fundit njoftoi një kufi minimal të rreptë moshe prej 15 vjeç në mediat sociale.RTV21
“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri shqiptar Edi Rama.
Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.
“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.
Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.
“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”
Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.
“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”
Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./living.al/
Gjermania i ka kërkuar Ukrainës të mos e pranojë propozimin e fundit të paqes të Donald Trump, duke e quajtur atë të ngjashëm me “kapitullim”.
Trump i ka propozuar Kievit të lëshojë territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ndërsa Ukraina e di se mund të duhet të ndahet nga një pjesë e territorit, ata “nuk duhet të shkojnë aq larg sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ukraina vetë mund të kishte marrë një vit më parë atë që përfshihej në atë propozim, është i ngjashëm me një kapitullim. Nuk mund të dalloj ndonjë vlerë të shtuar”, i tha ai transmetuesit publik gjerman ARD.
E ashtuquajtura “oferta përfundimtare” e Trump përfshin njohjen e Krimesë nga SHBA-ja si pjesë e Rusisë dhe njohjen jozyrtare të kontrollit rus të pothuajse të gjitha zonave të pushtuara që nga pushtimi i vitit 2022, raportoi Axios më parë këtë javë.
Gjithashtu, do ta ndalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga viti 2014.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-të po e shqyrtojnë nëse do të vazhdojnë si ndërmjetës, siç ka thënë Marco Rubio.
Diplomati më i lartë i SHBA-së i tha rrjetit partner amerikan të Sky, NBC News, se “nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse ajo (paqja) nuk do të realizohet”.
Ai tha se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti.
“Java e fundit ka qenë vërtet për të kuptuar se sa afër janë këto palë në të vërtetë dhe a janë ato mjaftueshëm afër saqë kjo meriton një investim të vazhdueshëm të kohës sonë si ndërmjetës”.
Megjithatë, Rubio nuk tha se sa gjatë është e gatshme administrata Trump të presë për një përparim. /Telegrafi/
Pasi pamë një veturë teksa përplaset në një turmë në Vancouver, duke lënë të vdekur 11 persona, po shohim ngjarjet e mëparshme ku automjetet janë përdorur si armë në Evropë.
Të paktën 11 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një burrë përplasi veturën në një turmë njerëzish gjatë një festivali rrugor kanadez në Vancouver, mbrëmjen e së shtunës.
Një burrë 30-vjeçar nga Vancouver u arrestua në vendngjarje, ndërsa policia tha se ai kishte një histori me probleme shëndetësore mendore. Ky burrë është akuzuar për shumë akuza vrasjeje në lidhje me ngjarjen.
Nuk kishte asnjë indikacion të hershëm për motive të sulmit në festivalin Filipino Lapu Lapu Day në Vancouver, por policia tha se nuk ishte një sulm terrorist.
I dyshuari, Kai-Ji Adam Lo, ka “një histori të konsiderueshme interaksionesh me policinë dhe profesionistët e shëndetit në lidhje me çështjet e shëndetit mendor”, tha Shefi i Përkohshëm i Policisë së Vancouverit, Steve Rai.
Këtu shqyrtojmë sulmet e tjera të mëdha ku vetura është përdorur si armë. Disa janë lidhur me terrorizmin dhe ekstremizmin, ndërsa të tjera janë fajësuar për sëmundje mendore.
Gjermania, objektivi më i fundit
Dy persona humbën jetën më 13 shkurt pasi u plagosën në një sulm me veturë gjatë një demonstrate të sindikatave në Munich, shkruan euronews.
Rreth 39 persona u plagosën në sulm dhe policia arrestoi një 24-vjeçar nga Afganistani, i cili kishte ardhur në Gjermani si kërkues azili. Prokurorët thanë se ai kishte një motiv ekstremist islamik.
Më 20 dhjetor 2024, të paktën pesë persona u vranë dhe më shumë se 200 u plagosën kur një veturë u përplas në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg të Gjermanisë lindore.
Policia arrestoi një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i cili kishte hequr dorë nga Islami dhe mbështeste partinë ekstremiste të djathtë AfD.
Në qershor të vitit 2022, burri 29-vjeçar e drejtoi veturën në një turmë njerëzish në Berlin, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Policia e identifikoi drejtuesin si një burrë 29-vjeçar me origjinë gjermano-armene.
2017, një vit i sulmeve me profil të lartë
Siç tregon, përplasja e veturës nuk ishte një metodë e zgjedhur për sulme masive me viktima për disa vite para rritjes së numrit të këtyre sulmeve në Gjermani në vitet e fundit. Megjithatë, periudha midis 2016 dhe 2017 ishte e mbushur me sulme me vetura ndaj këmbësorëve, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Në gusht të vitit 2017, një burrë përplasi një furgon në njerëz në bulevardin e ngarkuar Las Ramblas në Barcelonë, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur të tjerë. Grupi që quhet Shteti Islamik mori përgjegjësinë. Disa anëtarë të të njëjtës celulë realizuan një sulm të ngjashëm në qytetin turistik të afërt Cambrils, duke vrarë një person, transmeton Telegrafi.
Dy sulme ndodhën vetëm disa ditë larg nga njëri-tjetri në qershor 2017 në kryeqytetin britanik. Më 19 qershor, Darren Osborne, një burrë i radikalizuar nga ide të ekstremit të djathtë, e drejtoi një furgon në besimtarët jashtë një xhamie në Finsbury Park, duke vrarë një burrë dhe plagosur 15 persona. Osborne u dënua me burgim të përjetshëm.
Para sulmit të Osbornes, tre sulmues e drejtuan një furgon në këmbësorët në Londër më 3 qershor të të njëjtit vit, para se të godisnin njerëz në Tregun Borough të afërt. Tetë persona u vranë dhe sulmuesit u vranë nga policia.
Më 22 mars të vitit 2017, britaniku Khalid Masood, përplasi një SUV në njerëz mbi Urën Westminster në Londër, duke vrarë katër persona, pastaj goditi për vdekje një oficer policie që ruante Pallatin e Parlamentit. Masood u vra nga policia.
Në Berlin, një sulm tjetër ndodhi në dhjetor të vitit 2016, Anis Amri, një kërkues azili i refuzuar nga Tunizia, përplasi një kamion të rrëmbyer në një treg Krishtlindjesh në kryeqytetin gjerman, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Sulmuesi u vra ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.
Në Francën fqinje, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, një banor francez me origjinë tuniziane, drejtoi një kamion të marrë me qira për rreth 2 kilometra përgjatë një shëtitoreje të mbushur me njerëz në bregdetin e Rivierës Franceze gjatë pushimit të Ditës së Bastilles, më 14 korrik 2016, duke vrarë 86 persona në sulmin më vdekjeprurës të këtij lloji. Ai u vra nga policia, por tetë persona të tjerë u dënuan me burg për ndihmën e dhënë në organizimin e sulmit.
Veçanërisht, sulmi i parë i shkallës së madhe të këtij lloji në dekadat e fundit ndodhi në Holandë: më 28 prill 2009, ish-roja i sigurisë, Karst Tates drejtoi një veturë drejt spektatorëve në një ngjarje në Apeldoorn, në përpjekje për të goditur një autobus të hapur që transportonte anëtarë të familjes mbretërore holandeze. Gjashtë persona u vranë dhe Tates vdiq nga plagët ditën pasardhëse.
“Vetëm ju nevojitet një mjet transporti”
Rand, një ‘think tank’ global politik jofitimprurës, publikoi një raport në vitin 2021 që shqyrton rritjen e sulmeve që përdorin mjete transporti për Komisionin Evropian. “Kjo taktikë kërkon pak ose aspak trajnime, nuk kërkon aftësi të veçanta dhe ka një rrezik relativisht të ulët të zbulimit të hershëm”, thuhet në raport. Sipas Rand, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara përbëjnë pothuajse tre të katërtat e sulmeve.
Bart Schuurman, profesor i terrorizmit dhe dhunës politike në Universitetin e Leiden, tha se thjeshtësia e sulmeve me përplasje veture ishte çelësi në një periudhë të mbikëqyrjes më të rreptë dhe kufizimit të armëve “e gjithë ajo që kërkohet është një mjet transporti”.
Sulmet me vetura janë bërë mënyra kryesore e sulmeve masive me viktima në Evropë, krahas sulmeve me thikë, tha ai. “Kjo është një shenjë se qasja në armë zjarri dhe eksplozivë është bërë shumë e vështirë. Ka pasur një ndryshim të madh pas vitit 2001 – kundër-terrorizmi u bë një prioritet i madh edhe në Evropë, kështu që panë një kalim në metoda më të lehta që nuk shkaktojnë alarm”, shtoi Schuurman.
“Një veturë, një thikë – këto janë objekte të përditshme, shpesh është shumë e paqartë nëse dikush ka qëllime të këqija me to, deri sa të jetë shumë vonë”, shtoi ai.
“Këto sulme mund të jenë shumë vdekjeprurëse, por gjithashtu janë një shenjë e dëshpërimit. Sulmet me bomba dhe armë zjarri janë të prekshme nga infiltrimi, përgjimet. Ne dimë se xhihadistët kanë thënë: mbajeni të thjeshtë, përdorni një mjet transporti, një thikë, thjesht sigurohuni që mund ta kryeni sulmin”, deklaroi profesori.
Schuurman tha se ndonëse mënyra e sulmit ka origjinën tek grupet terroriste islamiste, ajo u “adoptua shumë shpejt” nga ekstremi i djathtë, sidomos me sulmin në Charlottesville të vitit 2016, kur një supremacist i bardhë vrau një person dhe plagosi 35 të tjerë pasi drejtoi veturën e tij në një turmë protestuesish paqësorë.
“Ka shenja të qarta të organizatave që po shikojnë njëra-tjetrën dhe po kopjojnë”, tha ai, duke shtuar se edhe ata që nuk janë “të lidhur ideologjikisht. Ata do ta kenë parë në lajme dhe mund të mendojnë – kjo është e lehtë për t’u realizuar”.
Çfarë mund të bëjnë qeveritë për të parandaluar këto lloj sulmesh? Policia, instalimi i barrierave sigurie për veturat rreth hapësirave publike dhe operacionet e inteligjencës janë të rëndësishme, tha Schuurman, megjithatë ai shtoi se të fundit “vijnë me shqetësime për profilizimin”.
“Ne tashmë bëjmë shumë prej kësaj, dhe ka një numër të konsiderueshëm të individëve që arrestohen para se të mund të realizojnë një sulm të tillë. Por nuk mund të garantojmë siguri 100 për qind”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Me pranimin e marrëveshjes e koalicionit me CDU-në dhe CSU-në, anëtarët e SPD-së hapën rrugën për qeverinë e re nën drejtimin e kancelarit Friedrich Merz.
Anëtarët e partisë social-demokrate SPD votuan pro marrëveshjes së koalicionit me CDU/CSU: Një përqindje e qartë prej 84.6 përqind e anëtarëve votuan për qeverinë e ardhshme të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD.
Kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, do të jetë në qeverinë e re federale zëvendëskancelar dhe ministër i Financave. Presidiumi i SPD-së votoi për këtë njëzëri.
Klingbeil pritet të udhëheqë ekipin qeveritar të social-demokratëve dhe do të paraqesë deri të hënën listën e personelit për koalicionin e ardhshëm.
SPD-ja pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet federale dhe do të përfaqësohet me shtatë ministra në qeverinë e ardhshme.
Me pranimin e marrëveshjes së koalicionit me CDU-në dhe CSU-në anëtarët e SPD-së hapën rrugën për qeverinë e re mes CDU/CSU dhe SPD nën drejtimin e kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz.
Zgjedhja e Merz-it dhe betimi i kabinetit në Bundestag janë planifikuar për të martën e ardhshme. /DW/
Deri në vitin 2023, 359 mijë persona, që përbëjnë rreth 22.6% të popullsisë së Kosovës kanë emigruar. Në raportin e fundit të Institutit GAP, të publikuar të mërkurën theksohet se largimi i popullsisë po krijon sfida serioze për ekonominë.
“Trendi i emigrimit ka sjellë sfida të shumta dhe komplekse, ndër të cilat më e dukshmja është ndryshimi në strukturën e fuqisë punëtore, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës dhe potencialin për rritje ekonomike të vendit”, thuhet në raportin e GAP-it.
Demografia e personave të cilët janë të prirur për të emigruar përfshin kryesisht moshat e reja që janë kyçë për tregun e punës në vend. Sfidë për tregun e punës në Kosovë paraqet edhe emigrimi i personave të kualifikuar të punësuar në sektorë si kujdesi shëndetësor, edukimi, teknologjia e informimit dhe komunikimit dhe të tjera vitale për mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, shtetet e Bashkimit Evropian lëshuan 45,650 leje qëndrimi për shtetasit e Kosovës, me Gjermaninë që përbën 50% të këtij numri. Sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë me shumicë dhe pakicë, gastronomisë, hotelerisë dhe prodhimit janë më të prekurit nga mungesa e fuqisë punëtore.
“Marrëveshje të ndryshme kanë ndikuar që përveç personave nga shtetet e rajonit, në Kosovë të imigrojnë persona nga shtetet e largëta aziatike, për arsye punësim”, thuhet tutje në raport.
Sipas të dhënave më të fundit të MPB-së në Kosovë, numri i personave të huaj të cilët janë pajisur me leje-qëndrime në Kosovë në 2024 ishte 8,293, prej tyre, 4,273 apo rreth gjysma e lejeve janë lëshuar për arsye të punësimit, krahasuar me gjysmën tjetër që kanë për arsye bashkimin familjar, studimet, etj. Shumica e imigrantëve në Kosovë vijnë nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe vendet si Turqia, Bangladeshi dhe shtetet tjera të Azisë.
Po ashtu, raporti thekson se 57% e popullsisë që i takon moshës së punës në Kosovë janë ekonomikisht jo-aktivë, ndërsa pjesa tjetër prej 43% janë aktiv ekonomikisht.
“Analiza e sektorëve ekonomikë sipas numrit të punësuarve tregon se sektori me më së shumti të punësuar është tregtia me shumicë dhe pakicë, ndjekur nga ndërtimtaria, prodhimi dhe arsimi”, thuhet në raport.
Nga gjithsej 613,029 persona jo-aktiv në treg të punës në Kosovë, 402,847 (66%) janë gra, ndërsa 210,182 (34%) janë burra.
Raporti tregon se rreth 78,000 të rinj në Kosovë janë jashtë punësimit, arsimit dhe trajnimit, që përbën 30% të kësaj grupmoshe. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e BE-së (9.9%) dhe më e larta në Ballkanin Perëndimor.
Tutje, raporti identifikon se sektorët që kanë më së shumti kërkesa për punëtorë kanë edhe paga më të ulëta mesatare dhe njëkohësisht kërkojnë më pak shkathtësi pune.
“Sektori i ndërtimtarisë në Kosovë ofron pagë mesatare mujore neto ekuivalent me 511 euro (572 euro bruto), sektori i tregtisë 491 euro (548 euro bruto), sektori i prodhimit 473 euro (527 euro bruto), sektori i hotelerisë dhe gastronomisë 348 euro (384 euro bruto)”, thuhet në raport.
Instituti GAP sugjeron rritjen e përfshirjes në tregun e punës të personave ekonomikisht jo-aktivë për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore. Mes tjerash sugjerohet edhe ofrimi i trajnimeve dhe reformave për të mundësuar përfshirjen më të madhe të fuqisë punëtore vendase në tregun e punës, si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.Topchannel
Burime të besueshme pranë sektorit të transportit ajror në Shqipëri bëjnë me dije për Newsal.de se janë në zhvillim bisedime me investitorë të huaj dhe partnerë lokalë për ndërtimin e tre aeroporteve të reja deri në vitin 2027.
Sipas të njëjtave burime, projektet më të avancuara janë:
✈️ Aeroporti i Vlorës – Në ndërtim të plotë, pritet të jetë gati në vitin 2025 dhe synon të jetë një nyje kryesore për turizmin jugor.
🏖️ Aeroporti i Sarandës – Diskutimet janë në fazë të avancuar dhe ndërtimi mund të nisë brenda vitit të ardhshëm.
🏔️ Një aeroport në Veri të Shqipërisë – Po shqyrtohen Shkodra dhe Kukësi si mundësi strategjike për të përmirësuar lidhjet me Europën Qendrore.
Megjithëse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga autoritetet shtetërore, indiciet dhe veprimet në terren sugjerojnë se qeveria është duke punuar seriozisht në këtë drejtim, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Ekspertët e turizmit e shohin këtë zhvillim si një hap kyç për të trefishuar vizitorët në vend deri në vitin 2030 dhe për të rritur ndjeshëm punësimin në jug dhe veri të vendit.
Newsal.de do të vijojë të ndjekë nga afër këto zhvillime dhe do të informojë komunitetin shqiptar me lajmet më të sakta dhe të konfirmuara.
Shqipëria është pranuar si pjesëmarrëse e asociuar në nismën e “Tri Deteve”, një platformë e përbërë nga shtetet e BE-së që ndodhen midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut.
Gjatë Samitit të “Three Seas Initiative” të mbajtur sot në Poloni, Presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në këtë platformë strategjike.
“Prania jonë brenda Iniciativës së “Tri Deteve” do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj iniciative dhe do të shtonte rolin e saj në perspektivën strategjike, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit për siguri, qëndrueshmërisë demokratike dhe koordinimit transatlantik”, – deklaroi Presidenti Begaj para liderëve të vendeve anëtareve dhe partnerëve strategjikë të nismës.
Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe në negociata të frytshme për anëtarësim në BE, me praninë e saj i garanton Iniciativës së Tri Deteve konsolidim dhe sjell përparim të përbashkët.
Presidentit Begaj theksoi edhe një herë rolin e Shqipërisë si kontribuese e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe një urë lidhëse midis Evropës Juglindore dhe hapësirës Euroatlantike.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij në samitin, Presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria është e qartë dhe e vendosur për të qenë pjesë e Iniciativës së Tri Deteve, pasi beson fort në vlerat themelore të këtij projekti dhe një aspiratë e tillë bazohet në bindje dhe kontribut.
Ndërsa e cilësoi Iniciativën e Tri Deteve si një shtyllë të domosdoshme për qëndrueshmërinë kontinentale përballë pasigurive gjeopolitike, Presidenti i Republikës shprehu besimin se
Ne besojmë se kjo platformë ofron mundësi konkrete për përparim të përbashkët dhe po ashtu jemi më se të bindur se Shqipëria do të ishte një vlerë e shtuar për iniciativën, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”.
Kreu i Shtetit renditi hapat e fundit të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke rikonfirmuar vullnetin e Shqipërisë për mbylljen e tyre brenda dy viteve dhe anëtarësimin e plotë në Union në vitin 2030.
Duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes përmes projekteve, Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria është e angazhuar në zhvillimin e infrastrukturës në sektorët e energjisë, transportit dhe digjitalizimit.
Presidenti Begaj e shfrytëzoi këtë samit për të patur takime dy palëshe me homologë të tij si edhe me personalitete të larta të vendeve pjesëmarrëse.
Pas takimit të përbashkët mes përfaqësuesve te tre subjektve politike të Koalicionit VLEN, Izet Mexhiti tha se votuesit shqiptarë në zgjedhje lokale do të votojnë mes dy taboreve politike – VLEN-it dhe Frontit Europian, raporton Televizioni 21.
Vazhdon procesi i shkrirjes së subjekteve në një subjekt të vetëm të VLEN-it me qëllim që shqiptarët, votuesit do të kenë dy tabore – VLEN-in dhe Frontin Europian”, tha Mexhiti.
Më tej ai foli edhe për Arben Taravarin. Tha se porosia e të gjithë partnerëve të Qeverisë është “që edhe në Qeveri edhe me BDI-në nuk ka mundësi.
Porosia nga të gjithë partnerët në Qeveri është që çdokush që e ndihmon dhe bashkëpunon me BDI-në, duhet të mos turpërohet, ta nxjerrë para opinionit dhe lirisht mund të shkojë të bëhet bashkë me BDI-në. Por, edhe në Qeveri edhe me BDI-në nuk ka mundësi. Kjo është deklaruar nga të gjithë partnerët në Qeveri, tha më tej Mexhiti.