Rusia e pranon se përdor ushtarë koreanoveriorë në luftë kundër Ukrainës

Rusia e ka pranuar për herë të parë se ka dërguar ushtarë të Koresë së Veriut në betejën për t’i zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pasi ushtria ukrainase kreu një inkursion të papritur matanë kufirit me Rusinë verën e kaluar.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se e njeh “kontributin e rëndësishëm” të ushtarëve koreanoveriorë në përpjekjet ushtarake të Moskës.

Duke cituar Traktatin për Partneritetin Strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nga 4 dhjetori i vitit 2024, Ministria tha se “një faqe e re është shkruar në analet e lavdishme të vëllazërisë ushtarake të popujve rus dhe korean”.

“Ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë… luftuan krah për krah, në të njëjtën llogore, dhe derdhën gjak me ushtarët dhe oficerët tanë në rajonin e Kurskut dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e tokës ruse nga armiku pushtues”, tha ajo.

Gjenerali Valery Gerasimov, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, i tha presidentit Vladimir Putin në një video-konferencë se ushtarët koreanoveriorë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit nga ushtarët ukrainas.

Me këtë Rusia e pranoi atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë thënë prej kohësh: se Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar përkrah forcat ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili tani është në vitin e tij të katërt.

Zyrtarët amerikanë thanë se më shumë se 11.000 ushtarë koreanoveriorë morën pjesë në luftë dhe pësuan humbje të mëdha.

Gerasimov tha se misioni korean ishte në përputhje me marrëveshjen e partneritetit midis dy vendeve.

Rusia thotë se i ka zmbrapsur forcat ukrainase nga shumica e Kurskut, megjithatë Kievi thotë se forcat e tij po qëndrojnë ende në rajonin rus.

Ka pasur shqetësime ndërkombëtare se Rusia po i ofron Koresë së Veriut teknologji për dronë në këmbim të ndihmës të konsiderueshme ushtarake.

Gjithashtu ka pasur një forcim të madh të marrëdhënieve midis Moskës dhe Phenianit që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut e ka furnizuar Moskën gjithashtu edhe raketa me rreze të shkurtër, artileri të automjeteve dhe raketahedhës, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut./REL

Kosova drejt implementimit të terapisë moderne për sëmundjen e rrallë

Akondroplazia është një sëmundje e rrallë gjenetike që ndikon në rritjen normale të trupit dhe mund të diagnostikohet që në javën e 24-t të shtatzënisë. Mjekët theksojnë se trajtimi i hershëm ndihmon jo vetëm zhvillimin fizik, por edhe integrimin social dhe emocional të pacientëve.

Akondroplazia, një ndër sëmundjet e rralla gjenetike që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e individëve të  prekur e. Përveç ndikimit fizik, kjo sëmundje përbën një barrë emocionale dhe sociale për ata që jetojnë me të.

Mjeku Laurent Kollçaku, , thekson se Akondroplazia shkaktohet kryesisht nga mutacione të reja në ADN rreth 80% e rasteve, ndërsa 20% kanë bazë familjare.

Sipas tij, diagnoza e sëmundjes vendoset që në javën e 24-t të shtatzënisë, dhe janë mjekët ata që udhëheqin vendimmarrjen për vazhdimin ose ndërprerjen e shtatzënisë.

“ Aktualisht prej vitit 2021 qoftë në SHBA qoftë në BE është miratuar një medicament I cili vepron në patologjinë e kësaj sëmundjeje duke I lejuar këtyre fëmijëve që të kenë një rritje staturale të shëndetshme dhe në saj të këtij mjekimi këto fëmijë arrijnë të shmangun shumicën e këtyre komplikacioneve dhe të kenë një stature më të gjatë sesa moshatasrët e tyre të pamjekuar dhe të përafërt me moshatarët normal dhe nga ana tjetër të kenë një cilësi jete dhe të bëjnë një jetë funksionale e të pavarur nga të tjerët.”

Në këtë drejtim, pediatrja Shqipe Spahiu Konjusha, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës,

 shpreh optimizëm se së shpejti edhe në Kosovë do të bëhen hapa konkretë për të sjellë këtë terapi, e cila konsiderohet një ndër përparimet më të rëndësishme në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“ Kemi hartuar një koncept dokument për sëmundjet e rralla I cili është mjaft voluminoz dhe përfshin shumë barna për shumë sëmundje të rralla. Shumë shpejt, brenda këtij viti shpresojmë se do e fusim edhe terapinë për Akondroplazian

Sipas specialistëve, ofrimi i terapisë në kohë jo vetëm që përmirëson funksionet fizike por ndihmon edhe në integrimin social dhe psikologjik të këtyre individëve.

https://youtu.be/41sbrrLdzAE

Shkoi në 52.243 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 52.243 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori i vitit 2023, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria tha se 51 persona janë vrarë në sulmet izraelite në enklavë në 24 orët e fundit, ndërsa 115 të tjerë janë plagosur, duke e çuar numrin e të plagosurve në 117.639.

“Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë”, shtoi ajo.

Ministria tha se emrat e 697 personave janë shtuar gjithashtu në regjistër pasi të dhënat e tyre janë plotësuar dhe miratuar.

Ushtria izraelite rifilloi ofensivën e saj vdekjeprurëse në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 2.151 palestinezë dhe ka plagosur 5.598 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

Numri i shqiptarëve në Gjermani rritet ndjeshëm: Mundësi të reja dhe sfida integrimi

Komuniteti shqiptar në Gjermani po rritet me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 5% më shumë shqiptarë të rinj që kanë ardhur për studime, punësim dhe bashkim familjar.

Qytetet me përqendrimin më të madh të shqiptarëve mbeten Berlini, Hamburgu, Düsseldorfi dhe Münichu. Shumë prej tyre po kontribuojnë në sektorë si ndërtimi, teknologjia e informacionit, infermieria dhe gastronomia, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë gjermane.

Megjithatë, sfidat për integrimin e plotë vazhdojnë. Njohja e gjuhës gjermane, njohja e diplomave dhe gjetja e strehimit mbeten ndër pengesat kryesore për shqiptarët e rinj. Organizatat shqiptare në Gjermani po luajnë një rol kyç, duke ofruar kurse gjuhe, këshillim juridik dhe aktivitete kulturore për të ndihmuar në këtë proces.

Në të njëjtën kohë, suksese të shumta individuale tregojnë shembuj frymëzues të integrimit dhe arritjes, duke ndihmuar në forcimin e imazhit të komunitetit shqiptar në shoqërinë gjermane.

Pamje kur makina përplaset me turmën e njerëzve në festivalin e Vankuverit në Kanada

Disa persona kanë vdekur dhe të tjerë janë në Vankuver të Kanadasë, pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në një festival.

Sipas policisë së Vankuverit, drejtuesi i makinës është arrestuar. Nuk dihet asgjë për motivet e autorit apo nëse ka qenë aksident.

Incidenti ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale, kur qytetarët ishin në festivalin vjetor Lapu Lapu që nderon kulturën filipinase. 

Ende nuk dihet numri i saktë i të vdekurve dhe të plagosurve. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ekipet e shpëtimit dhe forcat e forta të policisë që nxitojnë në vendngjarje, ndërsa disa persona shtrihen në tokë, të plagosur.Syri.net

Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve – dhe numri mund të jetë më i madh

Mjeku gjerman, Johannes M i kujdesit paliativ është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve të tij duke përdorur një koktej drogash vdekjeprurëse.

Prokurorët në Berlin kanë akuzuar 40-vjeçarin se i ka vënë zjarrin shtëpive të disa prej viktimave të tij të dyshuara për të mbuluar gjurmët, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai dyshohet se vrau 12 gra dhe tre burra midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024, megjithëse prokurorët kanë thënë se besojnë se totali mund të rritet.

Mjeku, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për shkak të ligjeve të rrepta të privatësisë në Gjermani, nuk i ka pranuar akuzat, thanë prokurorët.

Ai akuzohet se u ka dhënë një anestezi dhe një relaksues muskulor pacientëve të tij pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

Relaksuesi “paralizoi muskujt e frymëmarrjes, duke çuar në ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje brenda pak minutash”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

Ai ka punuar në disa rajone dhe moshat e tyre – rastet e të cilëve po trajtohen si të dyshimta – po variojnë nga 25 deri në 94 vjeç.

I dyshuari akuzohet për vrasjen e dy pacientëve në një ditë të vetme në korrik 2024 – një burrë 75-vjeçar në shtëpinë e tij në qendër të Berlinit dhe një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje “disa orë më vonë”.

Mjeku fillimisht dyshohej se kishte vrarë katër persona nën kujdesin e tij kur u arrestua në gusht 2024, por hetimet kanë zbuluar vdekje të tjera të dyshimta, me më shumë zhvarrosje të viktimave të mundshme. /Telegrafi/

Vërshimi i kokainës në Gjermani dhe Evropë

Ka pasur një rritje të ndjeshme të qarkullimit të kokainës në Gjermani dhe në mbarë Evropën.

Sipas Holger Münch, kreut të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA), kjo situatë është përshkruar si një “përmbytje” e kokainës.

Kjo rritje lidhet me ngopjen e tregut në Amerikën e Veriut dhe me një fokus të shtuar të trafikantëve drejt Evropës. Rrjetet kriminale nga Amerika e Jugut, të pajisura me burime të mëdha financiare, po përdorin rrugë alternative për trafikimin e drogës, duke përfshirë itinerare përmes Afrikës.

Në të njëjtën kohë, ka një rënie të furnizimit me heroinë nga Afganistani, për shkak të ndalimeve të vendosura nga talebanët ndaj kultivimit të opiumit. Kjo ka çuar në një mungesë të heroinës në treg dhe në një rritje të përdorimit të substancave sintetike, të cilat shpesh janë më të rrezikshme për përdoruesit, shkruan dw.

Rritja e disponueshmërisë së kokainës ka ndikuar edhe në çmimet e saj në tregun e zi. Ndërsa më parë një gram kokainë e pastër mund të kushtonte deri në 90 euro, tani çmimet janë më të paqarta, pasi dilerët ofrojnë zbritje dhe madje edhe shpërndarje në shtëpi për të tërhequr klientët.

Për më tepër, droga sintetike si “kamen” (crack) shitet për rreth pesë euro, një çmim i krahasueshëm me një birrë në një kafene .

Policia gjermane ka vërejtur një rritje të veprave penale të lidhura me narkotikët, me një rritje prej rreth pesë për qind për kokainën krahasuar me vitin e kaluar, dhe një rritje edhe më të madhe për drogat sintetike, të cilat shpesh prodhohen në laboratorë ilegalë brenda Evropës. /Telegrafi/

A mund të frenohen falimentimet e kompanive gjermane?

Kompania Meeth në Wittlich në perëndim të Gjermanisë ka fituar besimin e klientëve të saj për gati 40 vjet me dritare dhe korniza dritaresh cilësore. Këtu kanë punuar edhe nëntëdhjetë bashkëpunëtorë, por tani puna ka mbaruar.

Ajo shpalli falimentimin dhe tani kompania drejtohet nga administratori i falimentimit dhe avokati Alexander Jüchser. Kompania kërkoi më kot një investitor të ri. Ndërkohë punonjësve u janë dorëzuar dokumentet për ndërprerjen e punës.

“Sektori i ndërtimit është në krizë këtë vit. Për të pestin vit radhazi ka një rënie për shkak të rritjes së çmimeve të punimeve të ndërtimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe numrit më të vogël të lejeve të ndërtimit. E kur ndërtohet më pak, porositen më pak edhe dritare dhe dyer”, përmbledh administratori i falimentimit. Kjo po ndodh në të gjithë Gjermaninë dhe jo vetëm në landin Rheinland Pfalz, ku ndodhet fabrika.

Shumë falimentime, pak kompani të reja

Numri i falimentimeve të kompanive gjermane është në rritje të vazhdueshme prej dy vitesh. Vitin e kaluar kane falimentuar gati 22 mijë kompani, më së shumti që nga viti 2015. Kështu vazhdon edhe këtë vit. Në mars ka pasur 1459, 2% më shumë falimentime se në shkurt, raporton Instituti për Kërkime Ekonomike Leibniz në Halle (IWH).

Numri i falimentimeve nuk ka qenë aq i lartë që nga fundi i krizës financiare në vitin 2009, në të gjitha degët e ekonomisë – në industri, ndërtimtari dhe në tregti. Ndërkohë që numri i kompanive që po themelohen është tepër i vogël, shkruan dw.

Tobias Wahl është një avokat falimentimi dhe ristrukturimi në firmën ligjore Anchor. 57-vjeçari vepron në Mannheim dhe prej një çerek shekulli është në kërkim të investitorëve pas falimentimit të ndonjë kompanie.

“Për momentin po shohim një rritje të ndjeshme të falimentimeve. Por situata nuk është aq dramatike sa duket në shikim të parë. Në kohën e koronës, shumë kompani nuk kanë punuar por e kanë mbijetuar falë mbështetjes së shtetit. Ajo që po shohim tani është në një farë mënyre manifestim i të së kaluarës”, shpjegon Wahl.

Por Gjermania po përballet edhe me një krizë strukturore. “Ju mund ta shihni këtë, për shembull, me prodhuesit e pjesëve për industrinë e automobilave dhe fabrikat që kërkojnë shumë energji për prodhim, të gjithë janë të prekur fuqishëm. Ndërkohë që në politik dhe treg ka një pasiguri të madhe”, thotë eksperti i falimentimit.

Më pas vijnë edhe çmimet më të larta të lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e kostove të fuqisë punëtore, normat më të larta të interesit të kredive etjerë. “Mendoj se unë dhe kolegët e mi do të kemi shumë punë për të bërë edhe vitin e ardhshëm”, mendon ai.

Zhgënjim me planet e koalicionit të ri

Në fillim të muajit prill, Shoqata Gjermane e Industrisë BDI publikoi një apel të më shumë se 100 shoqatave tregtare drejtuar politikanëve që po zhvillojnë negociatat për një koalicion të ri në Berlin. Pritshmëritë nga marrëveshja e kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve ishin të mëdha, por marrëveshja e koalicionit i zhgënjeu.

“Kur bëhet fjalë për taksat, qëllimet e koalicionit janë larg asaj që është e nevojshme. Këtu duhet të përdoret çdo hapësirë për të lehtësuar barrën e kompanive dhe që barra tatimore të bëhet shpejt konkurruese në shkallë ndërkombëtare”, pohon kreu i Shoqatës BönDI.

“Marrëveshja me të drejtë synon një plan ambicioz për të modernizuar si shtetin ashtu edhe administratën shtetërore, por tani duhet të zbatohet me vendosmëri. Në përgjithësi, qeveria gjermane do të matet nëse do ta bëjë shtetin më efikas dhe modern”.

Pas falimentimit dhe rehabilitimit të dështuar vjen puna për Jürgen Philippi. Ai është drejtues i autorizuar i gjykatës në ankand dhe ekspert në procedurat e falimentimit. Edhe ai ka 30 vjet që merret me këtë biznes, por ka përshtypjen se situata po rëndohet.

“Në krizën e 2008-ës dhe menjëherë më pas, situata ishte e keqe por tani është edhe më keqe. Gjithnjë e më shumë sektorë po preken nga kjo gjendje. Unë nuk e kam përjetuar ende një gjë të tillë, në kohën sa punoj këtë punë”, thotë ai.

Falimentimet e shumta

Pothuajse çdo ditë gjykata i ofron atij një çështje të re, por përveç falimentimeve, një frenim të madh ka edhe në ankandet e pajisjeve dhe mbetjeve të kompanive të dështuara. “Gjithashtu, shoh gjithnjë e më shpesh drejtorë të kompanive të cilët nuk kanë më vullnet për të drejtuar kompanitë, edhe atëherë kur ende kanë disa perspektiva në treg. Dëgjoj herë pas here: taksat janë shumë të larta, ka shumë burokraci, mungojnë punëtorët e kualifikuar. “Mua më kanë konsumuar në tërësi, dëgjoj shpesh”, thotë Philippi.

Edhe ai mendon se situata do të jetë edhe më e keqe: “Industria e automobilave dhe sektori i ndërtimit janë goditur më së shumti për momentin. Tani gjendja e keqe po përhapet në sektorë të lidhur me këto industri. Nëse nuk ndërtoj një shtëpi, nuk kam nevojë për pllaka, nuk kam nevojë për çati, nuk kam nevojë për grila, apo për transport, e kështu me radhë. Kriza në një sektor është si domino që shihet në sektorë të tjerë”, thotë ai.

Philippi shprehet i zhgënjyer edhe me planin e koalicionit të ri gjerman: “Nuk kam asnjë shpresë nga ky program, nuk ka reforma themelore apo besim në ekonomi. Kam frikë se kriza do të thellohet edhe më shumë. Me këtë program as koalicioni i ri nuk do të ketë një mandat të plotë”.

Presioni i Trump, Abbas largohet nga Autoriteti Palestinez

Autoriteti Palestinez ka hyrë në një fazë të re ndryshimesh. Takimet e delegacioneve të Hamasit dhe Izraelit në Kajro dhe presioni i Donald Trump për paqe në këtë rajon. Presidenti i Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas emëroi të besuarin e ngushtë Hussein al-Sheikh si zëvendës dhe pasardhës të mundshëm të tij. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, një hap që shihet gjerësisht si i nevojshëm për të qetësuar dyshimet ndërkombëtare mbi udhëheqjen palestineze.

Abbas, 89 vjeç, ka drejtuar Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Autoritetin Palestinez (PA) që nga vdekja e liderit veteran Yasser Arafat në vitin 2004, por ai për vite me radhë i kishte rezistuar reformave të brendshme duke përfshirë emërimin e një pasuesi.

Hussein al-Sheikh, i lindur në vitin 1960, është një veteran i krahut islamik të Fatahut, fraksionit kryesor të PLO, i cili u themelua nga Arafat dhe tani drejtohet nga Abbas. Ai shihet gjerësisht si një pragmatist me lidhje shumë të ngushta me Izraelin. Ai u emërua nënkryetar i PLO pasi komiteti ekzekutiv i organizatës miratoi emërimin e tij nga Abbas.

Reforma e Autoritetit Palestinez, e cila ushtron autonomi të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ka qenë një prioritet për Shtetet e Bashkuara dhe monarkitë e Gjirit duke shpresuar se trupi mund të luajë një rol qendror në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Presioni për reforma është intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza, ku rivali kryesor palestinez i PLO-së, Hamasi, ka luftuar me Izraelin për më shumë se 18 muaj, duke e lënë territorin e vogël dhe të mbushur me njerëz në gërmadha.

Shtetet e Bashkuara kanë promovuar idenë e një PA të reformuar që do të qeverisë në Gaza pas luftës. Monarkitë e Gjirit, të cilat shihen si burimi më i mundshëm i financimit për rindërtimin e Gazës pas luftës, duan gjithashtu reforma të mëdha të organit.Tetovasot

Shpërthim i fuqishëm në Iran, 25 të vrarë e 800 të plagosur

Në Iran, një shpërthim masiv ka shkaktuar vdekjen e të paktën 25 personave dhe plagosjen e 800 të tjerëve në portin kryesor të Iranit.

Shpërthimi, i ndodhur të shtunën në mëngjes, ka shkatërruar dritaret dhe çatitë e ndërtesave përreth, deri në 50 km larg nga vendi i ngjarjes. Disa persona rezultojnë ende të humbur. Dëshmitarët kanë treguar se shpërthimi u pasua nga një zjarr masiv dhe pamje kaotike u publikuan në rrjet me njerëz që po mundoheshin te shpëtonin.

Sipas autoriteteve, zjarri kishte shpërthyer për shkak të një trajtimi të gabuar të një ngarkese me karburant për raketa ballistike. Raportet sugjerojnë se ngarkesat mund të ishin të lidhura me raketa të importuara nga Kina. Një hetim i mëtejshëm ka treguar se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një depo me materiale kimike dhe të rrezikshme. autoritetet iraniane kanë pranuar se kishin lëshuar paralajmërime për sigurinë në magazinimin e kimikateve në këtë port, por ngjarja ka ndodhur për shkak të mospërfilljes së masave të sigurisë.Syri.net