Një i vdekur e tre të lënduar në vetaksidentin në Gjakovë

Një shtetas i Shqipërisë ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur në orët e para të së dielës në Vogovë të Gjakovës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ndërkaq nga ky aksident sipas Elezajt kanë mbetur të lënduar tre persona.

“Me datën 27.04.2025, rreth orës 02:05, jemi njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Vogovë – Gjakovë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore, ku dyshohet se shoferi i një automjeti, gjatë lëvizjes, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është vet-aksidentuar. Si pasojë e aksidentit, një person (mashkull, shtetas i Shqipërisë) ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, tha Elezaj. /21Media

Prekëse/ Pas ekzekutimit të 58-vjeçarit në Vlorë, qeni i tij e kërkon nëpër lagje (VIDEO)

Mëngjesin e sotëm, një 58-vjeçar është ekzekutuar  më tre plumba, në afërsi të banesës së tij. Viktimë mbeti Renato Hoxhaj, ndërsa ende nuk dihet shkaku apo autori/ët.

Ai u gjet i pajetë nga bashkëjetuesja e tij në rrugë, e cila më pas njoftoi dhe policinë.

Në një video të siguruar nga korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, shihet qeni i viktimës që pas ngjarjes sillet përreth lagjes, dhe kafeneve pranë, duke kërkuar të zotin.Albeu

Kurti i shmanget sërish përgjigjies për emrin e Haxhiut për kryeparlamentare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që Albulena Haxhiu të propozohet sërish për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Gjatë një vizite në fshatin Rogovë të Hasit, ku u përurua një urë e re, Kurti u pyet nga KosovaPress për kandidaturën e Haxhiut, por ai nuk dha një përgjigje konkrete, transmeton klankosova.tv.

Në vend të kësaj, ai u shpreh:

”Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës ndërtojnë tokën, e shiu është për bereqet”.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur procesi për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit vazhdon të ngecë. Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tentimin e tretë për të seancës së pestë të seancës konstituive – duke marrë 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu refuzoi të komentojë edhe për kallëzimin penal të paralajmëruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Seanca konstituive pritet të vazhdojë të premten, në orën 10:00, ndërsa mbetet e paqartë nëse LVV do të rikandidojë Haxhiun apo do të propozojë një emër të ri.Tetovasot

Nëntë të vrarë nga sulmi në Vankuver të Kanadasë

Të paktën nëntë persona janë vrarë pasi një makinë u përplas me turmën në një festival rrugor në Vankuver, ka konfirmuar policia e vendit për BBC.

Autoritetet në qytetin perëndimor kanadez thanë se shumë të tjerë u lënduan gjatë incidentit.

Policia tha se një i dyshuar mashkull 30-vjeçar ishte arrestuar.

Policia tha se i dyshuari kishte përplasur këmbësorët në festivalin vjetor Lapu Lapu, i cili feston kulturën filipinase, në East 43rd Avenue dhe Fraser, në jug të Vankuverit.Reporteri

Osmani kujton masakrën e Mejës: Çdo person i vrarë dhe i zhdukur, është betim i yni për drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit, thotë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.

“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”Botasot