Mbi 500 të lënduar nga një shpërthim në Iran

Mbi 500 të lënduar nga një shpërthim në Iran

Të paktën 516 njerëz janë lënduar si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në qytetin port të Iranit, Bandar Abbas, të shtunën, sipas televizionit shtetëror iranian.

Dogana e Iranit tha se shpërthimi ndodhi në terminalin e kontejnerëve Sina, që është i lidhur me Organizatën e Porteve dhe Transportit Detar.

Shërbimet e emergjencës dhe ekipet e ndihmës së parë iraniane ndodhen në vendngjarje dhe numri i të plagosurve është rritur me kalimin e orëve pas shpërthimit.

Autoritetet nuk kanë treguar ende shkaktarin e shpërthimit. Mehrdad Hasanzadeh, zyrtar për menaxhimin e fatkeqësive, i tha televizionit shtetëror iranian se shpërthimi erdhi nga kontejnerët në portin Rajaei të qytetit.

Video të tjera treguan dëme në ndërtesa dhe automjete. Disa persona u panë gjithashtu në zonë duke ndihmuar të plagosurit dhe duke kontrolluar dëmet në pronat e tyre.

Porti Rajaei është kryesisht vend i trafikut të kontejnerëve, por gjithashtu ka rezervuarë nafte dhe objekte të tjera petrokimike.

Porti Rajaei ndodhet rreth 1.050 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran, në ngushticën e Hormuzit, gryka e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon 20 për qind e gjithë naftës që tregtohet globalisht.

Izraeli ishte akuzuar për kryerjen e një sulmi të madh kibernetik ndaj të njëjtit port në maj të vitit 2020, duke shkaktuar kaos në transport për disa ditë pas rrëzimit të sistemit kompjuterik të portit.(REL)

VV-ja nuk ndryshon qëndrim, propozon përsëri Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Ndonëse për katër herë nuk mori përkrahjen e shumicës, Albulena Haxhiu do të propozohet sërish nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare.

Kështu ka konfirmuar, deputeti i kësaj partie, Artan Abrashi.

I njëjti akuzon opozitën për bllokim të qëllimshëm të situatës në Kuvend.

“Ndodhemi në situatën e bllokimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Aryejet që opozita i jep janë plotësisht të paqëndrueshme besoj dhe jam i bindur që janë në plotni të dhe njohuri sa i përket se kujt i takon i takon e drejta për propozim të kryeparlamentarit e dijnë që kjo çështje e rregulluar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë diskutim dhe as mundësi për të përzgjedhë ashtu sic po dojnë ata sipas tekeve dhe dëshirave të tyre për një person që ju përshtat”, tha Abrashi për Tëvë1.

Sipas tij, Haxhiu ka përvojën e duhur për të qenë kryetare Kuvendi.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë propozimin për kryetare të Kuvendit, ajo është zonja Albulena Haxhiu e cila e ka legjitimitetin e plotë politik, besimin tonë të plotë dhe përvojën e mjaftueshme për të qenë një kryeparlamentare e denjë ashtu siç i ka hije dhe sic ka nevojë Kuvendi i Republikës së Kosovës, tha ai.

E nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Armend Zemaj nga kjo parti thotë se vota e tyre kundër, nuk lidhet me individin, por me subjektin politik.

“Për LDK-në nuk është asnjë problem emri i përveshëm, për Lidhjen Demokratike të Kosovës është Lëvizja Vetëvendosje sjellja e saj por edhe veprimet e saj konform rezultatit zgjedhor ose konform bashkëpunimit reciprok që duhet të kishte në suazat demokratike”, tha Zemaj.

Zemaj thotë se nëse ftohen për takim konsultativ rreth kësaj teme, përgjigja do të jetë negative.

“Për konstituimin e Kuvendit as nuk kemi pranua thirrje, vota jonë është kundër, kjo është konsistencë, dhe është veprim dhe është vendim politik i organeve të LDK-së”.

Media ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku konsideron se në këtë moment, duhet konsensus politik për të dalë nga kjo situatë.

“Ajo që është e rekomandueshme aktualisht, është që palët të ulën dhe të kuptojnë që pa një marrëveshje politike nuk bëhen gjërat në forma të ndryshme, për arsyeje se numrat janë si janë, ata janë kokëfortë dhe këtyre numrave duhet t’i japin formë dhe përmbajtje. Për rrjedhojë, marrëveshja politike mes akterëve do ishte momentum kthese për ndryshimin e kësaj situate”, tha Maloku.

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 10:00.Botasot

​Studentët bëjnë thirrje për protestë para Qeverisë së Serbisë më 1 maj

Pesë sindikata kombëtare dhe studentët në bllokadë po bëjnë thirrje për festimin e 1 Majit – Ditës së Punës përpara ndërtesës së Qeverisë së Serbisë.

“Më 1 maj, shënojmë gjashtë muaj që nga rënia e tendës në Novi Sad. Nga ky moment e tutje, lufta jonë hyn në fazën tjetër. Ne nuk qëndrojmë më vetëm në bllokada. Ky është një hap drejt radikalizimit që do të mundësojë forma të reja presioni”, thuhet në një deklaratë në Instagram.

Është deklaruar se Ligji për Grevën dhe Ligji për Punën janë themelet e sistemit të shfrytëzimit.

“Ata mbrojnë qeverinë, jo punëtorin. Këto ligje duhet të ndryshojnë – një ndalesë masive e punës. Ne po luftojmë për të drejtën për të jetuar pa frikë. Për punëtorët, për studentët, për të gjithë ne. Shihemi më 1 maj në orën 12:00”, thanë studentët.

Kujtojmë, protestat në Serbi filluan pas shembjes së një strehe të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor. Në këtë incident, 16 persona humbën jetën.Rtv21

Bota i dha lamtumirën Papa Françeskut, CNN: Çfarë të presim në ditët në vijim?

Me përfundimin e shërbimeve të varrimit të Papa Françeskut, nuk ka një afat kohor konkret për zgjedhjen e një Pape të ri, të njohur si konklavë, dhe shumë mistere rrethojnë që do të shërbejë si pasardhës i Françeskut.

Kjo konklavë do të jetë vendimtare për të vendosur drejtimin e Kishës Katolike Romake dhe fusha e kandidatëve është e hapur falë reformave të Françeskut, të cilat e bënë organin përgjegjës për zgjedhjet më përfaqësuese të kishës mbarëbotërore, shkruan CNN.

Konklava nuk pritet të fillojë më herët se 15 ditë dhe as më vonë se 20 ditë pas vdekjes së Papës, me gjasë duke e vendosur atë diku në fillim të majit.

Procesi është një kombinim i traditës së lashtë, ritualit fetar dhe politikës. Votimi zhvillohet me dyer të mbyllura dhe vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç – pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm – kanë një vendim në vendim.

Pasi 135 anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve mblidhen në Romë, ata takohen në Kapelën Sistine për të filluar procesin e vendimmarrjes.

Konklavat vazhdojnë për aq kohë sa duhet që një prej kardinalëve të marrë dy të tretat e votave. Gjatë shekujve, u deshën orë, ditë, javë dhe madje vite që të zgjidhej një Papë i ri.Botasot

Zelensky do ta refuzojë propozimin e SHBA-së për njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë

Zyrtarët evropianë dhe ukrainas në takimin në Londër të mërkurën do të përballen me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta njohur aneksimin ilegal të Krimesë nga Rusia dhe ngrirjen e linjave të frontit si pjesë e një marrëveshjeje të paqes, sipas disa burimeve, ka raportuar “The Washington Post”. Aleatët e Ukrainës po shpresojnë të fitojnë garanci të sigurisë dhe programe rindërtimi për vendin e shkatërruar nga lufta në këmbim të lëshimeve të tilla territoriale.

Propozimet e SHBA-së, të cilat i janë prezantuar Ukrainës në Paris javën e kaluar, përfshinë që SHBA-ja ta njohë formalisht Krimenë e aneksuar si territor rus dhe eventualisht t’i largohen sanksionet kundër Rusisë në një marrëveshje në të ardhmen, sipas tri burimeve të informuar me çështjen. Në këmbim, Moska do të përfundonte sulmet në Ukrainë derisa shijon momentum favorizues dhe avantazhe të dukshme në fuqi të trupave dhe armë. Një këshilltarë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se propozimet amerikane përfshinë disa ide që Kievi pajtohet me to dhe disa që nuk pajtohet. Një zyrtar perëndimor tha se sasia e presionit që i është vendosur Ukraina është i jashtëzakonshëm. Si të tjerët, ata folën në kushte anonimiteti.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit minimizoi idenë se Washingtoni po i paraqiste një fakt të kryer Kievit, por zhgënjimet gjithnjë e më të mëdha publike të administratës së Donald Trumpit me ritmin e bisedimeve e kanë lënë Kievin të frikësuar nga një rënie tjetër në marrëdhëniet me Washingtonin. E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar idenë që ta njohë Krimenë si territor rus.

“Krimea është territor i yni, territor i popullit të Ukrainës. Ne nuk kemi asgjë për të biseduar për këtë temë – është jashta Kushtetutës sonë”, tha Zelensky për mediumin ukrainas “Suspilne”. “Në momentin kur ne fillojmë të bisedojmë për Krimenë, për territoret tona sovrane, atëherë futemi në një format të zgjatjes së luftës. Kjo është ajo që do Rusia”. Rusia e ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. /tv21

10 punët më të kërkuara për shqiptarët në Gjermani në vitin 2025

10 punët më të kërkuara për shqiptarët në Gjermani në vitin 2025

Gjermania vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara për shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë dhe një punë të qëndrueshme. Me mungesë të fuqisë punëtore në shumë sektorë, tregu gjerman ofron mundësi të shumta. Ja cilat janë 10 profesionet më të kërkuara për shqiptarët në vitin 2025:

  1. Infermierë dhe kujdestarë për të moshuar
    Një nga profesionet me më shumë kërkesë. Nevojiten kualifikime dhe njohuri të gjuhës gjermane në nivel B1/B2.
  2. Punëtorë ndërtimi (muratorë, saldatorë, betonierë)
    Ndërtimi është gjithmonë aktiv në Gjermani. Përvojat praktike janë të vlerësuara edhe pa diplomë.
  3. Shoferë kamioni
    Një nga profesionet që kërkohet vazhdimisht. Nevojiten patentë C ose CE dhe certifikatë për transport mallrash.
  4. Punonjës në sektorin e gastronomisë (kuzhinierë, kamarierë, ndihmës kuzhine)
    Restorantet dhe hotelet kërkojnë punëtorë të përkushtuar, veçanërisht në qytete turistike.
  5. Teknikë elektrikë dhe instalues
    Një sektor shumë i kërkuar për shkak të zhvillimeve të shpejta në teknologji dhe ndërtim.
  6. Mekanikë dhe punëtorë në industrinë e automjeteve
    Gjermania është zemra e industrisë së makinave dhe kërkon gjithmonë specialistë.
  7. IT dhe zhvillues softuerësh
    Nëse ke eksperiencë në programim, IT, apo rrjete kompjuterike, mundësitë janë të shumta – edhe me punë nga distanca.
  8. Kujdestarë fëmijësh (Erzieher)
    Nëse keni arsim për edukim fëmijësh dhe gjuhë të mirë, ky është një profesion me shumë kërkesa.
  9. Punonjës prodhimi në fabrika
    Shumë kompani gjermane punësojnë punëtorë për linjat e prodhimit – trajnimi shpesh jepet në vend.
  10. Pastrues profesionalë në kompani apo hotele
    Edhe pse konsiderohet punë fizike, ka paga të rregullta dhe stabilitet në punë.

Këshillë: Para se të aplikoni për ndonjë nga këto punë, sigurohuni të keni CV-në në format gjerman (Lebenslauf), një letër motivimi dhe dokumentet e përkthyera në gjermanisht.

5 gjëra që çdo shqiptar duhet të dijë para se të vijë në Gjermani

  1. Gjuha gjermane është thelbësore
    Edhe pse shumë gjermanë flasin anglisht, njohja e gjuhës gjermane është kyçe për punësim, integrim dhe jetesë të përditshme. Fillimi i kurseve të gjermanishtes që nga Shqipëria ose Kosova është një hap shumë i zgjuar.
  2. Rregulli dhe saktësia janë vlera bazë në Gjermani
    Gjermanët i japin shumë rëndësi rregullit, pastërtisë dhe respektimit të orarit. Qoftë për një takim pune apo një vizitë te mjeku, të qenurit në kohë është shenjë respekti.
  3. Dokumentacioni është shumë i rëndësishëm
    Për të jetuar dhe punuar ligjërisht në Gjermani, duhet të kesh dokumentet e duhura: vizë, kontratë pune (nëse vjen për punë), sigurim shëndetësor dhe regjistrim në adresë. Çdo gjë duhet të jetë në rregull dhe e organizuar.
  4. Kostoja e jetesës është më e lartë se në vendet tona
    Qiraja, sigurimet dhe ushqimet kanë çmime më të larta. Është mirë të planifikosh mirë financiarisht për muajt e parë dhe të kesh një buxhet fillestar për të përballuar shpenzimet.
  5. Gjermania ofron shumë mundësi, por kërkon durim dhe përkushtim
    Integrimi nuk ndodh brenda natës. Me përkushtim, respekt për ligjet dhe vullnet për të mësuar, çdo shqiptar mund të ndërtojë një jetë të mirë në Gjermani.