
Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituive. Por, në këtë seancë është propozuar që votimi për kryepalamentar të bëhet në formë të fshehtë, çka u kundërshtua ashpër nga partitë e tjera, të cilat nuk morën pjesë në votim.
Pas tetë dështimesh radhazi për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, duke votuar me ngritje dore, një ide tjetër për të kaluar këtë ngërç, u propozua sot në tentimin e nëntë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se pas dështimeve për të votuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, kanë zgjedhur të ndryshojnë formën e votimit, duke mos votuar në mënyrë të hapur.
“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, që parasheh edhe votimin e fshehtë dhe me qëllim të hapjes rrugë të zhbllokimit të procesit besoj se forma e duhur që mund t’i hap rrugë është votimi i fshehtë me fletëvotime fizike. E ftoj administratën që të bëjë përgatitjen e nevojshme për realizimin e këtij procesi të votimit”, ka thënë Dehari.
Por, kjo mënyrë e votimit u kundërshtua nga të gjitha partitë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partia Demokratike turke e Kosovës.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së tha se ky vendim është i papranueshëm duke treguar se nuk do të marrin pjesë në votim.
“Kjo është e paprecedent nuk ka ndodhur sikur të kishit vendosur ndoshta edhe do të ishte e pranueshme, kjo nuk është e pranueshme iu ftoj të mos e thelloni krizën, por të dilni nga kriza sepse iu takon ta propozoni dikë që njëmend i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë. Andaj mos e thelloni krizën, zhbllokojeni, sepse nuk meritojnë qytetarët e Kosovës për shkak të tekeve tuaja me kthye Kuvendin në cirk. Nëse doni ta thelloni, e thelloni tutje, e dini që po kërkoni precedent antikushtetues, e dini që në rastin pamundshëm që e keni me rrëzua, iu rrëzohet në të ardhmen. Ne nuk marrim pjesë në një votim të tillë imponues as nuk propozojmë komision, ne do t’iu vëzhgojmë dhe do t’iu shohim dhe do të bëhemi dëshmitarë”, ka thënë Krasniqi.
Arbitrar e të paprecedent e vlerësuan edhe nga LDK-ja, të cilët paralajmëruan se nëse ndodh një gjë e tillë, do t’i adresohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo që po bëni është arbitrare, shkelje e Kushtetutës dhe rregullores. Ndryshimi i mënyrës së otimit në proces nuk ka ndodhur asnjë herë dhe ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve të juaja. Është e vërtet se rregullorja nuk lejon debat në seancë konstituive, por gjithashtu në asnjë pikë të rregullores nuk thuhet se mundesh me ndryshu mënyrën e votimit kur je në proces. Nëse ju do të procedoni kjo lëndë do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Bajrami.
Cirk politik situatën e krijuar, e ka quajtur Time Kadrijaj e cila edhe e riktheu në vëmendje një bisedë të Mimoza Kusarit me Milan Radoiciqin, tashmë i kërkuar edhe për krime lufte e sulmin në Banjskë.
“Kjo që po ndodh këtu është për keqardhje. Aleanca ka dhënë alternativa dhe ju nuk i keni marrë parasysh ato. Andaj ne nuk do të bëhemi pjesë e cirkut të juaj. Sa për buzëqeshje të juaja po iu rikujtoj zdarvo Mimoza”, ka thëën Kadrijaj.
Vazhdimi i nëntë i seancës është përmbyllur pas dështimit të votimit për formim të komisionit për votim të fshehtë, për t’u rikthyer deputetët në vazhdim të seancës pas 48 orësh ose të shtunën në orën 10.Dukagjini