
Një përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi ashpër vendimin e qeverisë gjermane për t’i dhënë kompetenca të zgjeruara agjencisë së inteligjencës së brendshme, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
“Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të spiunazhit fuqi të reja për të survejuar opozitën. Kjo nuk është demokraci—është tirani e maskuar”, deklaroi Rubio në një postim në rrjetet sociale.Telegrafi
Ai shtoi më tej “ajo që është vërtet ekstremiste nuk është AfD-ja popullore—e cila zuri vendin e dytë në zgjedhjet e fundit—por politikat vdekjeprurëse të emigracionit me kufij të hapur të elitave, që AfD-ja i kundërshton”.
Reagimi i Rubios hasi në përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër nga autoritetet gjermane. Ministria e Jashtme e Gjermanisë theksoi se vendimi për zgjerimin e kompetencave të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) është në përputhje me parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

“Kjo është demokracia. Ky vendim është rezultat i një hetimi të plotë dhe të pavarur për të mbrojtur Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Janë gjykatat e pavarura ato që do të japin fjalën e fundit. Ne kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i djathtë duhet ndalur”, thuhej në reagimin zyrtar.
Deklaratat e forta vijnë në një kohë kur një gjykatë gjermane konfirmoi klasifikimin e AfD-së si një organizatë e dyshuar ekstremiste, duke i dhënë autoritet BfV-së për të ndërmarrë masa të zgjatura vëzhgimi ndaj saj. Autoritetet gjermane shprehen të shqetësuara për prirjet antidemokratike të disa segmenteve brenda partisë.
Mbrojtja publike që Rubio i bëri AfD-së, një parti e djathtë e njohur për qëndrimet kundër emigracionit dhe euroskepticizmin, shihet si ndërhyrje e paprecedentë e një diplomati të lartë amerikan në çështjet e brendshme të Gjermanisë. Kjo ndërhyrje rrezikon të acarojë marrëdhëniet transatlantike, të cilat kanë qenë në tension të përhershëm sa i përket çështjeve të politikës së brendshme dhe vlerave demokratike.
Analistët paralajmërojnë se ky shkëmbim i ashpër mund të shënojë një ndarje gjithnjë e më të thellë ideologjike mes Uashingtonit dhe Berlinit përballë sfidave të populizmit dhe të ekstremit të djathtë në Evropë. /Telegrafi/
