Vatikani do ta ndërpresë sinjalin telefonik gjatë konklavës më 7 maj

Vatikani ka njoftuar se do ta ndërpresë sinjalin telefonik brenda qytetit-shtet të vogël, gjatë konklavës për ta zgjedhur papën e ri – por, kjo nuk do të prekë edhe Sheshin e Shën Pjetrit, raporton “The Guardian”.

Nga Vatikani është njoftuar se “të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikimit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e Shtetit të Vatikanit…do të çaktivizohen” nga ora 15:00 më 7 maj.

“Sinjali do të rikthehet pas njoftimit për zgjedhjen e papës së ri”, thuhet në deklaratë.

Një total prej 133 kardinalësh nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine të Vatikanit të mërkurën për ta filluar votimin për një kryesues të ri të 1.4 miliardë katolikëve të botës. Papa Françesku vdiq më 21 prill.

Zgjedhjet do të kryhen në fshehtësi të plotë dhe kardinalëve do t’u kërkohet të lënë telefonat e tyre celularë kur të hyjnë në konklavë, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni./Reporteri

Sudan, shpërthen një zjarr masiv në depon më të madhe të karburantit në vend

Një zjarr masiv ka shpërthyer në depon më të madhe të karburantit të Sudanit, përkatësisht në kryeqytetin e përkohshëm administrativ Port Sudan, pas një sulmi të dyshuar terrorist.

Ministria e Energjisë dhe Naftës njoftoi se zjarri filloi në një rezervuar të ruajtjes së vajgurit dhe u përhap në kontejnerë të tjerë të karburantit në objektin strategjik në Sudanin lindor.

Ministria sudaneze tha se përpjekjet e zjarrfikësve janë duke punuar për të vënë flakët nën kontroll, duke theksuar se deri më tani nuk janë raportuar viktima.

Ministria gjithashtu dënoi sulmin, duke theksuar se ishte pjesë e një serie sulmesh që shënjestronin infrastrukturën civile dhe shërbimet publike të Sudanit.

“Akte të tilla rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve sudanezë dhe shtojnë të dhënat kriminale të atyre që synojnë të destabilizojnë vendin”, tha ministria./Lajmpress

Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai./RadioEvropaeLirë

26 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

Sot bëhen 26 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 19 vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi./RTV21

Flasin nga QKUK-ja për gjendjen e 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se u ther me thikë nga babai i saj

Mëngjesin e së martës një shtetas turk dyshohet se ka vrarë me thikë vajzën e tij 15-vjeçare dhe ka plagosur tjetrën, një 10-vjeçare e cila ndodhet në QKUK.

Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.

“Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla për Reporteri.net.

Rasti ka ndodhur në Prizren rreth orës 05:58 në rrugën “Shotë Galica”.

Zëdhënësi i policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi tha për Reporteri.net se bëhet fjalë për një familje turke por me banim në Prizren.

Ai shtoi se i dyshuari është arrestuar, por i njëjti ka lënduar edhe veten dhe ndodhet në spitalin rajonal të Prizrenit./Syri.net

Franca e dënon ashpër planin e Izraelit për pushtimin e Gazës

Ministri i Jashtëm i Francës tha të martën se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ushtria izraelite tha se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj, pasi kabineti i sigurisë i vendit miratoi një plan që, sipas një zyrtari izraelit, do të përfshijë “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”.

“Është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është “në shkelje të ligjit humanitar”.

Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite.

Pothuajse të gjithë 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës, e cila nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit mbi Izraelin në tetor 2023 raporton AFP./RadioEvropaeLirë

Sulmi ukrainas me dronë mbyll aeroportet e Moskës

Autoritetet ruse kanë njoftuar të martën se një sulm ukrainas me dronë ka shënjestruar Moskën për natën e dytë me radhë. 

Të katër aeroportet e mëdha të kryeqytetit rus janë mbyllur për disa orë për shkaqe të sigurisë, ndonëse u rihapën më vonë, ka raportuar BBC.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobianin, ka shkruar në rrjete sociale se të paktën 19 dronë ukrainas janë shkatërruar para se të arrinin qytetin. 

Kievi zyrtar ende nuk ka komentuar rreth këtij sulmi të pretenduar. 

Nga ana tjetër, kryetari i Harkivit, ka bërë të ditur se Rusia gjithashtu ka ndërmarrë sulme me dronë në drejtim të Ukrainës, ndërkaq sulme janë raportuar edhe në zonën afër Kievit. 

Është nata e dytë radhazi që Rusia ka kumtuar për sulme me dronë nga Ukraina. 

Të hënën, ministria ruse e Mbrojtjes pati njoftuar se kishte shkatërruar 26 dronë ukrainas brenda natës./Koha.net

Sot zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë

Marrëveshja e koalicionit është nënshkruar, kancelari Scholz u largua me nderime ushtarake. Sot Friedrich Merz pritet të zgjidhet kancelar dhe kabineti i ri gjerman të betohet.

Nga Bundestagu në rezidencën presidenciale Bellevue – e pastaj nga Bellevue në Bundestag: këto janë stacionet në zgjedhjen e kancelarit gjerman sot dhe fillimin nga puna të kabinetit të ri qeveritar pas betimit.

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, marrin fund sot gjashtë muaj ngërç politik në Gjermani. Pikërisht gjysmë viti pas prishjes së koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve (koalicioni i njohur si semafor) do të niste punën sot koalicioni i pestë i Unionit konservator dhe socialdemokratëve, (zi-kuq).

Në rast se kreu i CDU-së Friedrich Merz sot merr numrin e nevojshëm të votave në Bundestag do të veprohet kështu:

Në orën 09:00 mblidhet Bundestag për zgjedhjen e kancelarit, hapja e seancës bëhet nga presidentja e tij, Julia Klöckner dhe nuk ka fjalime. Friedrich Merz ka nevojë për miratimin e shumicës së anëtarëve të Bundestagut, 316 vota. Në Bundestag ka 328 deputetë nga CDU/CSU dhe SPD. Pavarësisht se diferenca e numrave nuk është e madhe, zgjedhja në raundin e parë konsiderohet si mjaft e sigurtë. Më pas kancelari i zgjedhur (10:30) merr emërimin nga presidenti Steinmeier.

Merz kthehet më pas në Bundestag, ku në orën 12:00 do duhet të bëhet betimi. Betimi përmban këtë deklaratë: “Betohem se do t’i kushtoj forcën time mirëqenies së popullit gjerman, do të shtoj përfitimet e tij, do të shmang dëmin, do të respektoj dhe mbroj Ligjin Themelor Kushtetues dhe ligjet e Federatës, do t’i përmbush me ndërgjegje detyrat e mia dhe do të veproj me drejtësi ndaj të gjithëve. Me ndihmën e Zotit.” Referenca për Zotin mund të hiqet, siç bëri Olaf Scholz në 2021.

Më vonë bëhet emërimi i ministrave. Merz kthehet sërish në Pallatin Bellevue tek Steinmeier – këtë herë së bashku me kabinetin e tij. Ministrat tani do të marrin certifikatat e tyre të emërimit nga Presidenti Federal. Steinmeier mban një fjalim të shkurtër, ku me gjasë i përmend qeverisë së re detyrat që ka përpara dhe pritshmëritë ndaj saj.

Në 13:30 pastaj sërish kthim në Bundestag: Me këtë bëhet i ditur formimi i qeverisë së re federale dhe ministrat bëjnë betimin. Në orën 15:00 kancelari Scholz zyrtarisht në zyrën e kancelarit ia dorëzon detyrën pasuesit, Merz. Në orët e pasdites dorëzimin e detyrës e bëjnë edhe ministrat.

Vizitat e para

Nëse zhvillimet ecin sipas planifikimit, që të mërkurën, ditën e parë të plotë si kancelar i ri, Merz do të vizitojë fillimisht Francën dhe më pas Poloninë. Ministri i tij i Jashtëm,  Johann Wadephul mendohet ta shoqërojë atë. Të premten, Merz planifikon të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte./DW.com

Gjenden dy granata dore gjatë rrënimit të një shtëpie në Han të Elezit

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy granata dore në një qese plastike janë gjetur të hënën në Han të Elezit.

Mjetet shpërthyese janë gjetur gjatë rrënimit të një shtëpie, ka njoftuar një person, derisa në vendin e ngjarjes ka dalë njësia për deminim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mjetet shpërthyese janë tërhequr në mënyrë të sigurt.

Rasti është iniciuar si “gjetje e mjetit të pashpërthyer”.

“Është raportuar se gjatë rrënimit të shtëpisë së ankuesit mashkull kosovar është hasur në një qese plastike në të cilën dyshohet se ndodheshin 2 granata dore-mjete të pashpërthyera. Njësia për deminim e FSK-së ka ndal dhe ka bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të sigurt”, thuhet në njoftimin policor./Dukagjini.com

Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit qeverisës në Gjermani

Udhëheqësi i Partisë CDU, Friedrich Merz, i vendosur të betohej si kancelari i ri i Gjermanisë, u zotua se të tre palët do të “do të shkonin me forcë në punë”.

Bashkimi politik konservator i Gjermanisë CDU/CSU dhe Social Demokratët e Qendrës së Majtë (SPD) janë nënshkruar në një marrëveshje koalicioni në Berlin, e cila hap rrugën që një qeveri e re të betohet të martën.

Udhëheqësi i Partisë CDU, Friedrich Merz, i vendosur të betohej si kancelari i ri i Gjermanisë, u zotua se të tre palët do të “do të shkonin me forcë në punë”.

“Ne e dimë se është detyrimi ynë pothuajse historik ta çojmë këtë koalicion drejt suksesit. Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë së bashku”, tha ai përpara nënshkrimit.

Motoja e marrëveshjes së koalicionit 144-faqesh është “përgjegjësi për Gjermaninë”, transmeton Telegrafi.

“Gjermania mund të zotërojë me sukses çdo detyrë më vete dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe miqtë tanë në botë”, thuhet në dokument.

Marrëveshja rinovon “premtimin e ekonomisë së tregut social – mundësi dhe prosperitet për të gjithë” dhe thotë se qeveria e re do të forcojë aftësitë e mbrojtjes së Gjermanisë për të mbrojtur lirinë dhe paqen.

Shërbimeve të Inteligjencës dhe Policisë do t’u jepen kompetenca të zgjatura dhe në rastin e disa veprave penale, shërbimeve të sigurisë do të lejohen të përdorin inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat e arritshme për publikun.

Partitë e koalicionit kanë njoftuar gjithashtu një “qasje të re, më të qëndrueshme ndaj politikës së migracionit”.

Plani është të pezullojë programet e pranimit vullnetar dhe ribashkimin e familjes. Për më tepër, azilkërkuesit duhet të largohen në kufi “në koordinim me partnerët evropianë”.

Një ligj i ri është planifikuar për policinë federale i cili do të bëjë të mundur aplikimin për ndalim në pritje të dëbimit për të huajt, që janë të detyruar të largohen nga vendi.

Legalizimi i pjesshëm i kanabisit i iniciuar nga qeveria e mëparshme do të “rishikohet hapur” në vjeshtë.

Në parathënien e marrëveshjes, palët riafirmojnë angazhimin e tyre për ekonominë e tregut social me qëllim krijimin e “mundësive dhe prosperitetit për të gjithë”.

Masat janë planifikuar për të zvogëluar kostot e energjisë, duke shpejtuar proceset e autorizimit dhe duke lehtësuar disa nga ngarkesat për themeluesit e kompanisë.

Në mes të periudhës legjislative, koalicioni po planifikon të lehtësojë barrën për të ardhura të vogla dhe të mesme duke zvogëluar taksën e të ardhurave.

Për më tepër, stimulimet tatimore duhet të krijohen për orë më të gjata pune. Një rivendosje e nivelit të zvogëluar të TVSH -së prej 7% për sektorin e hotelierisë është planifikuar nga viti 2026.

Dokumenti thotë se koalicioni është i angazhuar në Marrëveshjen e Klimës në Paris, dhe qëllimin për ta bërë klimën e Gjermanisë neutrale deri në vitin 2045.

Koalicioni gjithashtu po planifikon të shfuqizojë të ashtuquajturin Aktin e Ngrohjes, i cili u prezantua nën qeverinë e mëparshme, dhe ta zëvendësojë atë me një Akt të ri të Energjisë së Ndërtimit.

Kjo do të jetë më e hapur për teknologjinë, më fleksibël dhe më miqësore për përdoruesit, me fokus në uljen në mënyrë efektive të emetimeve të CO2. /Telegrafi/