Universiteti i Tetovës e përkujtoi sakrificën e dëshmorëve

Me rastin e 5 Majit – Ditës Kombëtare të Dëshmorëve, drejtuesit e Universitetit të Tetovës
bënë homazhe pranë Flakadanit të Kujtesës në shenjë nderimi për dëshmorët që flijuan jetën për
lirinë dhe të ardhmen e kombit.

Kjo ditë përkujton me respekt të thellë sakrificën sublime të të gjithë atyre që, me guxim dhe
përkushtim, i dolën zot Atdheut në momentet më të vështira të historisë sonë. Flakadani i Kujtesës,
si simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe qëndresës, përkujton mundin dhe gjakun e derdhur të
dëshmorëve që idealin për liri e vunë mbi gjithçka tjetër.
Universiteti i Tetovës, si institucion arsimor dhe kombëtar, mbetet i përkushtuar në ruajtjen
e kujtesës historike dhe në edukimin e brezave të rinj me ndjenjën e respektit ndaj veprës së tyre
madhore.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!/Tetovasot

620-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

620 vjet më parë, më 6 maj të vitit 1405 lindi Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjergji lindi në familjen fisnike dibrane të Gjon Kastriotit dhe Vojsavës.

Kur lindi Skënderbeu, Gjoni ishte sundimtar i një treve që përfshinte Krujën, Mirditën e më gjerë.

Emri i Gjergj Kastriotit personifikon një epokë të tërë të historisë tonë kombëtare, e cila mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.

Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti popullin shqiptar por edhe pengoi shtrirjen e osmanëve drejt Evropës.

Ndërsa me Kuvendin e Lezhës, 2 mars 1444, nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeut për herë të parë u arrit një bashkim politik i princërve shqiptarë, duke vënë themelet e një shteti arbëror të organizuar.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Vdekja e Skënderbeut solli rënien nën pushtimin 5-shekullor nga Perandoria Osmane deri në krijimin e shtetit të pavarur më 1912.

Kruja, që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, i rezistoi vetëm një rrethimi tjetër pa prijësin e saj, i cili u konsiderua nga shumë vende si heroi që pengoi Perandorinë Osmane të pushtonte Evropën Perëndimore.

Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj dhe burim frymëzimi për brezat. /rtvora/

28 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Sot bëhen 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës./Syri.net

LDK-ja ende pa përgjigje zyrtare për ftesën e Kurtit për koalicion

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një letre të dërguar në drejtim të Lumir Abdixhikut ka kërkuar që të bëjë koalicion me partinë që ai drejton, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në letrën e Kurtit, për tu takuar e për të folur si “politikanë të pjekur”, ai i thotë Abdixhikut se votuesit e tij do të preferonin një koalicion me VV-në, si dhe ata të VV-së një me LDK-në, shkruan Reporteri.net.

Kurti, i cili ditën e zgjedhjeve i quajti “hajvanat”, e gjatë fushatës nuk i konsideronte si të duhur për koalicion LDK-në, duke qenë se kishin qenë bashkë për 51 ditë në Kurti 1, në letër i kishte thënë Kryetarit të LDK-së se me të s’kishte pasur probleme në bashkëpunimin që kishin pasur, por problemi kishin qenë disa të tjerë që tani s’janë në pozitat e asaj kohe.

Gjithashtu, ai i përmend atij koalicionet e pasluftës.

LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK. Në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq me LVV”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

“Pse mos ta bëjmë?”, e pyet mes tjerash Kurti, Abdixhikun.

Por, për krejt këtë letër, kryetari i VV-së ende s’ka marrë një përgjigje nga Lumir Abdixhiku i LDK-së. Letra u publikuar të hënën, menjëherë pas dështimit të seancës konstituive, dhe i pyetur nga gazetarët, Abdixhiku tha se ende nuk e kishte parë, dhe se duhet trajtuar kjo çështje pa arrogancë.

Në një deklarim të dytë, të shkurtër para gazetarëve, ai theksoi se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, por që paralajmëroi se do ketë një deklarim zyrtar së shpejti.

Se ende s’i janë përgjigjur letrës së Kurtit, e tha të hënën mbrëma edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për të cilin me këtë letër është krijuar një rrethanë e re politike.

Por, pavarësisht kësaj, ai e cilësoi atë edhe si një goditje, me përmendjen që Kurti ka bërë për koalicionet.

“Duhet me prit që LDK me qenë e gatshme me reagu meqëm si çdoherë. Ne as nuk ngutemi, e as nuk vonohemi. Jemi duke e trajtu me seriozitet. LDK nuk vonohet, sepse kjo është situatë e ndjeshme”, deklaroi mbrëmë Haziri.

/Reporteri.net/

Rihanna konfirmon shtatzëninë e tretë me Asap Rocky në Met Gala 2025

Këngëtarja dhe ikona e modës Rihanna ka konfirmuar se është në pritje të fëmijës së saj të tretë, gjatë paraqitjes së saj në Met Gala, ngjarjen më të madhe të modës që mbahet çdo vit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York.

E veshur me një fustan elegant të errët, 37-vjeçarja tërhoqi vëmendjen teksa përqafoi barkun e rrumbullakosur dhe buzëqeshi para kamerave në tapetin e kuq.

Partneri i saj, reperi i njohur ASAP Rocky (emri i vërtetë Rakim Mayers), shoqëroi Rihannën në event dhe falënderoi gazetarët për urimet, shkruan BBC.

Rihanna/Met Gala 2025

“Është koha t’u tregojmë njerëzve se çfarë po përgatisnim”, tha ai me humor, ndërsa shtoi: “Jam i lumtur që të gjithë janë të lumtur për ne, sepse ne jemi padyshim të lumtur”.

Çifti tashmë ka dy djem: RZA, i lindur në maj 2022, dhe Riot, i lindur në gusht 2023.

Ky është një tjetër moment publik ku Rihanna zgjedh të ndajë një lajm të madh në mënyrë të veçantë – ajo kishte zbuluar shtatzëninë e saj të parë me një set fotografik në Harlem në vitin 2022 dhe të dytën gjatë performancës në Super Bowl 2023.

Met Gala e këtij viti kishte për temë “Superfine: Tailoring Black Style”, duke vënë në qendër të vëmendjes modën mashkullore dhe ndikimin e saj.

Rihanna ishte ndër personazhet e fundit që mbërriti në tapetin e kuq, por padyshim ndër më të komentuarat e mbrëmjes. /Telegrafi/

Moti sot në Gjermani

Lajm për motin në Gjermani – E martë, 6 maj 2025.

Sot, më 6 maj 2025, Gjermania po përjeton një ditë pranverore me temperatura të buta dhe kushte të qëndrueshme atmosferike në shumicën e rajoneve.

Temperaturat mesatare në vend variojnë nga 14°C deri në 19°C gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje zbresin në 8–9°C. Shumica e rajoneve po shijojnë mot të thatë dhe me diell, me reshje të pakta ose aspak. Në Berlin, temperaturat arrijnë deri në 18.9°C, ndërsa në Mynih rreth 17.7°C .

Në Këln, temperaturat ditore arrijnë rreth 19°C, me 6 orë diell në ditë dhe reshje të lehta të shpërndara gjatë muajit . Në Bon, kushtet janë të ngjashme, me temperatura maksimale prej 19°C dhe reshje mesatare mujore prej 65 mm