Moti sot në Kosovë

Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) parashihen edhe shkarkime rrufesh nëpër disa zona të kufizuara.

Sipas parashikimit temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-20 gradë Celsius. 

Parashihet të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s./Koha.net

12 dështime, përpjekje e re sot për konstitutimin e Kuvendit

Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.

Dehari i LVV-së kërkoi nga partitë politike të propozojnë emrat për formimin e komisionit verifikues por partitë e tjera nuk iu përgjigjen pozitivisht kësaj.

Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë.

Seanca u ndërpre në mungesë të kourumit për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në formë të fshehtë.

Për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit kanë votuar vetëm 56 deputetë, një votë kundër, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim fare.

Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 9 maj.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu./RTV21

Sot shënohet Dita e Evropës

Viti 2025 shënon 75-vjetorin e Deklaratës së Shumanit, e cila hodhi themelet për Bashkimin Evropian dhe hapi rrugën për një epokë të paprecedentë prosperiteti, paqeje, demokracie, solidariteti dhe bashkëpunimi në Evropë.

Për të shënuar këtë rast, shumë ngjarje do të zhvillohen në vendet anëtare të BE-së dhe në mbarë botën, duke bashkuar qytetarë nga të gjitha sferat e jetës.

Institucionet e BE-së do të hapin dyert e tyre dhe do të ftojnë qytetarët të vizitojnë ambientet e tyre, të zbulojnë punën e tyre dhe të përfshihen në një gamë të gjerë aktivitetesh edukative dhe argëtuese.

Ndërtesat dhe monumentet historike në të gjithë globin do të ndriçohen me ngjyrat e BE-së, ndërsa një program i veçantë i Ditës së Evropës është planifikuar për Expo 2025 në Osaka, Japoni.

Në kohët e pasigurisë globale, Evropa mbetet një spirancë e stabilitetit – një vend mundësie dhe mbrojtjeje për qytetarët e saj.

BE-ja dhe institucionet e saj po punojnë drejt qëllimit të përbashkët për të garantuar prosperitet dhe konkurrencë, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen tonë, duke mbështetur vlerat themelore për të cilat interesohen evropianët.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos më 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë festohet edhe në Kosovë./AlsatM