Kina ka vendosur të hapë tregun e saj për produktet amerikane, pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë, deklaroi Donald Trump nga Arabia Saudite, duke theksuar megjithatë se mbeten ende disa detaje për t’u finalizuar.
“Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në negociatat me Kinën. Kina ka rënë dakord të hapë tregun e saj për Shtetet e Bashkuara. Thjesht duhet të rregullojmë detajet,” tha Trump në një forum investimesh në Riad.
Kina dhe SHBA njoftuan dje një armëpushim në luftën tregtare mes tyre, pas bisedimeve të zhvilluara të dielën në Gjenevë, gjatë të cilave u ra dakord që të pezullohet zbatimi i shumicës së tarifave ndëshkuese dhe masave të tjera që kanë vendosur ndaj njëra-tjetrës deri të mërkurën.
Sipas marrëveshjes, SHBA do të ulë tarifat shtesë që kishte vendosur këtë vit ndaj Kinës nga 145% në 30%, dhe në përgjigje, Pekini do të ulë tarifat ndaj produkteve amerikane nga 125% në 10%.
Kina gjithashtu është zotuar të pezullojë masa të tjera kundërpërgjigjëse që kishte ndërmarrë ndaj SHBA pas datës 2 prill, megjithëse nuk është ende e qartë se si do të zbatohet kjo./Panorama.com
JUST IN: 🇺🇸🇨🇳 President Trump says "China has agreed to open up to the United States for trade and everything else."
Rusia është fajtorja për rrëzimin e avionit MH17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në korrik të 2014, sipas një njoftimi nga agjencia e aviacionit e Kombeve të Bashkuara, siç raportoi BBC.
298 pasagjerët e bordit humbën jetën kur avioni u godit nga një raketë prodhuar në Rusi. Kremlini ka mohuar gjithmonë këto akuza.
Të hënën, Këshilli i OKB-së për Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) votoi që Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjeve ndërkombëtare të aviacionit, të cilat kërkojnë që shtetet të “përmbahen nga përdorimi i armëve kundër aeroplanëve civilë gjatë fluturimit.”
Avioni MH17 i Malaysia Airlines, në udhëtimin e tij nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, u godit mbi rajonin e Donbasit në Ukrainë, gjatë luftës mes forcave ukrainase dhe rebelëve mbështetur nga Rusia.
Shumica e pasagjerëve dhe ekuipazhit, 196 njerëz, ishin nga Holanda. Po ashtu, kishte 38 pasagjerë nga Australia, 10 nga Britania, si dhe shtetas belgë dhe malajzianë.
Kjo çështje u paraqit në OKB në vitin 2022 nga qeveritë e Australisë dhe Holandës, të cilat e kanë mirëpritur vendimin e ICAO-s.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të përballet më në fund me përgjegjësinë për këtë akt të tmerrshëm dhune dhe të paguajë dëmshpërblimet për dëmin e shkaktuar,” deklaroi ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Uong.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së së vërtetës dhe drejt arritjes së drejtësisë dhe llogaridhënies./Botasot
Për të shmangur një kontroll nga policia, një burrë 40-vjeçar në Këln, thuhet se ka bërë rezistencë aq të fortë, saqë i ka kafshuar pjesërisht veshin e djathtë një policeje 26-vjeçare.
Edhe pse ajo u dërgua menjëherë në klinikën universitare në Këln dhe iu nënshtrua një operacioni, pjesa e kafshuar e veshit nuk mundi të rikthehej më, raportojnë mediat gjermane.
40-vjeçari po qëndron para gjykatës dhe që nga e hëna, ai është duke u gjykuar për lëndim të rëndë trupor, së bashku me sulm dhe kundërshtim ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit./Botasot
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar udhëtimin në Turqi gjatë kësaj jave, ndërsa ka këmbëngulur për një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Lideri ukrainas tha për mediat se kjo do të jetë një provë e drejtpërdrejt, nëse kreu i Kremlinit e do apo jo përfundimin e luftës.
“Nëse Putini nuk mbërrin dhe luan lojëra,” tha Zelensky, “kjo është pika e fundit që ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës.”
I pyetur për takimin, zëdhënësi i Kremlinit nuk mohoi as konfirmoi një gjë të tillë, por tha se sapo të merret vendimi, ai do të bëhet i ditur./vizionplus.tv
Liridon Masurica (33-vjeçar) nga Gjilani i njohur si “@blackdb” më 9 maj është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si administrator kryesor i “BlackDB.cc” – tregu kriminal online. Ndaj tij rëndojnë akuzat për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve. Ai doli para gjyqit për herë të parë më 12 maj (dje).
Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në paraqitjen e parë para gjyqit gjatë ditës së djeshme, Masuricës iu shqiptua masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg./Koha.net
Ekipet e FSK-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur ta gjejnë të gjallë personin e zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, pas një operacioni kërkim-shpëtimi në zonën malore të fshatit Kokaj.
Njoftimi:
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e ekipeve të FSK-së për operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe K9 të Gardës Kombëtare të FSK-së, FSK-ja ka marrë të gjitha masat dhe ka angazhuar ekipet në operacionin e kërkimit të personit të zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, Komuna e Kllokotit, i nacionalitetit serb, dhe ka arritur që, pas disa orësh kërkimi, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të gjejë personin e gjallë në fshatin Kokaj.
“Pas përfundimit të operacionit, personi i është dorëzuar Policisë së Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm”, njofton FSK./Botasot
Pasi braktisi VLEN-nin, Arben Taravari po largohet edhe nga qeveria. ASH-ja ende pa i mbushur një vit në qeveri, vendosi të shkoj në opozitë. Këtë e vendosën mbrëmjen e së hënës pas mbledhjes së kryesisë qëndrore.
“Sollëm vendim që ASH të shkoj në opozitë. ASH krenarisht tregon se vitin e kaluar së bashku me partitë e VLEN-it arritëm që ta sjellim ndryshimin apo rotacionin politik te shqiptarët, por konstatimi ynë është që ky ndryshim fatkeqësisht nuk është ajo që e premtuam por vetëm një zëvendësim.”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Nga Koalicioni VLEN, pjesë e së cilës ishte edhe ASH në pushtet, thonë se ai doli në kundërshtim me veten. Nënkryetar i Lëvizjes BESA Blerim Sejdiu tha se ai ka pasur hisen më të madhe në koalicion.
“Ti je ministër i një qeverie që sot e kundërshton vetveten. Ke ardh në qeveri për të kundërshtuar vetveten dhe ky vërtetë është një fenomen dhe një talenti i rrallë. Për të ardh në qeveri që ta kundërshtosh vetveten është një talent i rrallë. Ti duhet të jesh i përmbajtur kur e thua se nuk është ajo që është pritur, sepse në takimet tona në VLEN ka kërkuar më shumë se gjithë hisen politike.”, shtoi Blermi Sejdiu, Nënkryetar i Lëvizjes BESA.
Ndërkaq, kreu i LD-së Izet Mexhiti i drejtohet Taravarit si zhgënjim i aktivistëve dhe gjithë shqiptarëve. Mexhiti iu bëri thirrje kuadrove dhe elektoratit të ASH-së që të kalojnë tek partia e sapoformuar VLEN.
“- Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin.
– Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë.
– Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhëtove Qeverinë.
– Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASh-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASh-së.
– Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari… “, tha Izet Mexhiti, Kryetar i LD-së.
ASH vendimin për ta braktisur Qeverinë e morri një ditë pasi kryeministri Mickoski deklaroi se këtë javë do ta pijë kafen e fundit me Taravarin. Ndryshe partnerët e koalicionit qeverisës i dolën kundër Taravarit, që në momentin kur ai pranoi se ka kanale komunikimi me BDI-në./RTV21
Përfaqësues të partive politike kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen ftesës së presidentes Vjosa Osmani, për takimet me të cilat synohet t’i jepet zgjidhje ngërçit politik. Por shprehën pikëpamje të ndryshme nëse brenda Presidencës do të mund të gjetet zgjidhje.
Pozitivisht i janë përgjigjur përfaqësuesit e partive politike ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takime, me synimin për ta zhbllokuar seancën konstituive.
Deputetja Mimoza Kusari Lila konfirmoi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim. Por, nuk shprehu pritje për marrëveshje në institucionin më të lartë të shtetit.
“Kryeministri Kurti dhe kryetari i LVV-së ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Nënkuptohet se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, pasi nuk mundet që Zyra e Presidencës të përdoret, siç nuk është përdorur, për marrëveshja politike. Ato bëhen mes grupeve apo mes partive politike”, ka thënë deputetja Kusari-Lila, pas dështimit të 15-të të konstituimit të Kuvendit.
Më pas ajo ka përsëritur se Kurti është përfaqësues i LVV-së në këtë takim, dhe ka akuzuar partitë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë se duke mos e votuar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shprehu pritjen se në takim Vetëvendosja të reflektojë për situatën në Kuvend.
“Më vjen mirë që presidentja Osmani ka pranuar propozimin për të thirrur një takim të të gjitha partive politike, për çka shpresoj që të gjithë t’i përgjigjen pozitivisht për të shkuar dhe për të shprehur opinionet dhe për të pasur një diskutim që të rezultojë me një rrugë përpara për daljen nga kriza”, ka thënë Krasniqi.
E deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, tha se nëse në takimin e organizuar nga presidentja kundërshtohet propozimi i LDK-së për Qeveri tranzicionale të spektrit të gjerë, atëherë i takon Vetëvendosjes të ofrojë alternativa të reja, krahas thirrjes për të bashkëqeverisur me LDK-në.
“Shpresoj që partitë politike të jenë prezentë në takimin e ftuar nga presidentja dhe nëse janë kundër propozimit tonë atëherë besoj janë ata që duhet të lëvizin. E kemi thënë sa herë, Vetëvendosja i ka edhe 13 parti të tjera parlamentare të cilave nuk iu ka bërë ofertë siç i ka bërë LDK-së. Janë ata që i kanë alternativat në dorë”, ka thënë deputetja Bajrami.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk është i njoftuar me formatin e takimit dhe bëri të ditur se në të mund të japë ide për ta tejkaluar ngërçin politik.
“Do ta dëgjojmë presidenten, dhe të shohim se çfarë qëndrimesh ka ose çfarë sugjeron. Në të njëjtën kohë nëse kemi ndonjë sugjerim do ta japim”, ka potencuar Haradinaj.
Ftesë nga presidentja kanë pranuar vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit. Për rrjedhojë, liderë të partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve, si Fatmir Limaj që drejton Nismën Socialdemokrate, nuk janë ftuar.
“Unë jam linçuar para dy muajve kur kam thënë që për tema nacionale duhet të bisedohet me të gjithë dhe ju gjithmonë do ta keni një përgjigje timen pozitive. Sepse kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër. Me të gjitha ftesat që janë në funksion të bashkëbisedimit për të ndarë shqetësimet dhe brengosjen, për të gjetur zgjidhje ,në ftesa të tilla ne i përgjigjemi gjithmonë pozitivisht, pavarësisht nga kush vijnë ftesat”, ka thënë Limaj.
Por, skeptik për rezultatin e takimeve është shprehur ish-deputeti Afrim Kasolli, i cili ishte i ftuar në Specialen e KTV-së për vazhdimin e 15-të seancës konstituive.
“Nuk është në mandatin e saj që ta detyrojë dhe obligojë Lëvizjen Vetëvendosje të marrë një veprim të tillë sepse kjo është në vullnetin e saj politik. Jam pesimist dhe skeptik që do të mund të dalë diçka pozitive nga ky takim konsultativ. Nga situata mund të dilet vetëm nga veprimi i forcave politike në Kuvendin e Kosovës ose eventualisht nëse Gjykata Kushtetuese i jep një rekomandim të prerë nëse dikush e adreson këtë pyetje; nëse e drejta për nominim mund të kthehet në të drejtë për bllokim të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kasolli.
Zyra e Presidencës ka njoftuar që serinë e takimeve konsultative rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit do ta nisë nga e enjtja e 15 majit. E theksoi këtë, pasi javën e shkuar kumtoi lajmin për takimet, pas kërkesave që bënë disa parti politike.
Kjo nuk është nisma e parë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, parti kjo që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, ftoi në takim liderët e dy subjekteve kryesore politike, Memli Krasniqin që e drejton Partinë Demokratike, si dhe Lumir Abdixhikun, i cili është në krye të Lidhjes Demokratike. Ftesës iu përgjigj pozitivisht vetëm Krasniqi, por takimi nuk ka prodhuar rezultat.
Kurti i ka dërguar dy herë letër Abdixhikut, për negociata koalicioni. Ato janë refuzuar.
Por, në përgjigje të letrës së dytë, Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzicioni me mandat deri në zgjedhjen e presidentit që bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Ideja është hedhur poshtë nga të gjitha subjektet politike.
Presidenca konfirmon pjesëmarrjen e partive në takim
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të marrin pjesë në takimin konsultativ me presidenten Vjosa Osmani të enjten.
“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me presidenten Osmani”, ka njoftuar Presidenca të martën pasdite.
Liderët e partive më të mëdha parlamentare u ftuan nga Osmani për një takim lidhur me tejkalimin e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.
Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.
Seanca e radhës do të mbahet më 15 maj, të enjten – ditën e takimit të partive me Osmanin./Koha.net
Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë qëndruar në Kiev, nga ku i kanë bërë thirrje Rusisë që të pajtohet me një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Së bashku me SHBA-në, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pajtohet me një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë katër liderët në një deklaratë të përbashkët.
Bëhet e ditur se ata u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke treguar unitet një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin priti aleatët e tij në paradën e Ditës së Fitores.
Tema e diskutimit ishte propozimi amerikan dhe evropian për një armëpushim 30-ditor në luftën e Rusisë në Ukrainë, i cili, nëse refuzohet nga Moska, do të nënkuptonte vendosjen e përbashkët të sanksioneve të reja, përcjell Telegrafi.
Vizita e kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit polak Donald Tusk shënon herën e parë që liderët e katër vendeve kanë udhëtuar së bashku në Ukrainë.
Dhe vjen në një moment të paparashikueshëm diplomatik pas më shumë se tre vjetësh të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Së fundmi është bërë virale një video e një momenti emocionues mes Merz dhe Zelenskyt.
“Kujdesu, ne jemi në kontakt. Mund të më telefonosh kur të duash”, i tha kancelari gjerman Zelenskyt. /Telegrafi/
Gjermania ka ndaluar një organizatë ekstremiste të ekstremit të djathtë të lidhur me të ashtuquajturën lëvizje “Reichsbürger” (Qytetarët e Rajhut).
Në këtë drejtim, autoritetet kanë kryer bastisje në agim në pronat dhe shtëpitë e udhëheqësve të saj, tha të martën ministria e brendshme.
Qindra forca sigurie në disa shtete gjermane kontrolluan pronat e lidhura me grupin e vetëshpallur “Königreich Deutschland” (Mbretëria e Gjermanisë) dhe arrestuan katër nga anëtarët kryesorë të tij, sipas qeverisë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt tha se 6,000 anëtarët e organizatës kishin krijuar një “kundërshtet” në Gjermani dhe “ndërtuan struktura kriminale ekonomike”.
Grupi e mbështeti pretendimin e tij të supozuar për pushtet me narrativa konspirative antisemite, sipas Dobrindt, i cili tha se Gjermania nuk do të toleronte një sjellje të tillë.
“Ne do të ndërmarrim veprime vendimtare kundër atyre që sulmojnë rendin tonë themelor të lirë demokratik”, shtoi Dobrindt.
Platformat online të grupit do të bllokohen dhe asetet e tij do të konfiskohen për të siguruar që asnjë burim i mëtejshëm të mos përdoret për qëllime ekstremiste, tha Ministria e Brendshme.
“Mbretëria e Gjermanisë” u shpall nga udhëheqësi i saj Peter Fitzek, i cili u arrestua të martën, në qytetin lindor të Wittenberg në vitin 2012, sipas ministrisë së brendshme. Grupi pretendon të jetë një “kundërshtet” që është shkëputur nga qeveria federale.
Lëvizja “Qytetarët e Rajhut” nuk e njeh Gjermaninë si shtet. Shumë nga anëtarët e saj pretendojnë se Rajhu historik gjerman ende ekziston dhe injorojnë strukturat demokratike dhe kushtetuese të vendit, siç janë parlamenti, ligjet ose gjykatat. Ata gjithashtu refuzojnë të paguajnë taksat, kontributet e sigurimeve shoqërore ose gjobat.
Berlini ka paralajmëruar për vite me radhë për kërcënimin në rritje që paraqesin ekstremistët e ekstremit të djathtë dhe ka marrë masa të përsëritura ndaj grupeve të tilla.
Në mars, pesë persona të lidhur me lëvizjen “Qytetarët e Rajhut” u burgosën për komplot për të përmbysur qeverinë gjermane në një grusht shteti të ekstremit të djathtë.
Në një rast të veçantë, 25 persona u arrestuan në dhjetor 2022 për planifikimin e rrëzimit të qeverisë si pjesë e një organizate terroriste vendase. Midis komplotistëve ishte një anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). /Telegrafi/