Mediat e huaja jehonë kualifikimit në finale të Shqipërisë në Eurovision 2025

Mbrëmjen e djeshme, 13 maj, u zhvillua në Bazel të Zvicrës gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit 2025. Nata e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës dhuroi spektakël.

Mbrëmjen e së martës në skenë performuan 15 vende, ku vetëm 10 prej tyre u kualifikuan në finalen e 17 Majit. Mes vendeve triumfuese ishte edhe Shqipëria, e cila u përfaqësua nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm.”

Shqipëria në finalen e Eurovision 2025 tërhoqi vëmendje jo vetëm për mediat vendase, por dhe ato ndërkombëtare.  Media italiane, “Tg com 24”, shkruan se Shqipëria po bën përpjekje për të siguruar një nga dhjetë vendet në finale ndërsa thekson se renditja më e mirë ishte në vitin 2012 ku u pozicionuam në vendin e pestë.

Edhe mediat greke i kanë kushtuar artikuj, performancës së “Shkodrës Elektronike” në Eurovision 2025. “Skena e gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025 në Bazel u përfshi nga “flakët”, në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ, me paraqitjen e Shqipërisë.

Ndriçimi dhe tymi, të kombinuara me koreografinë e thjeshtë në skenë, krijuan një përvojë të veçantë që shkëputej nga rutina e zakonshme e Eurovisionit”, ka shkruar “Protothema”.

Publiku në stadium e  priti me entuziasën dhe emosion performancën, ndërsa “Zjerm” u bë shpejt një trend në mediat sociale

“Zjerm” u soll nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, dy shqiptarë me origjinë nga Shkodra që ka krijuar dhe “Shkodra Elektronike”, por që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali, ku veç të tjerash merren dhe me muzikë./abcweb.al

Arrestohet në Ferizaj 17 vjeçari i kërkuar nga Gjykata, ishte i dënuar me tri vjet burgim për dhunim

Sot është arrestuar një 17 vjeçar, G.Xh., në rrugën “Fatmir Ratkoceri” në Ferizaj.

Ai ishte në kërkim nga Gjykata pasi ishte i dënuar me tri vjet burgim për veprën penale “Dhunim”.

“Më datë 14 maj 2025, rreth orës 15:30, në rrugën “Fatmir Ratkoceri” në Ferizaj, Policia Rajonale ka lokalizuar dhe arrestuar një person të kërkuar nga gjykata. I arrestuari, G.Xh. (17 vjeç), ishte në kërkim në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për veprën penale “Dhunim”, për të cilën ishte dënuar me tre (3) vite burgim.

Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit. Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe forcimin e sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftim./Botasot

Trump shpreh gatishmëri të marrë pjesë në bisedimet Rusi-Ukrainë në Turqi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur sërish gatishmëri për t’u ndaluar në Turqi gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, nëse kjo do ta bindte homologun e tij rus, Vladimir Putin, të marrë pjesë në bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kievit dhe Moskës – për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të udhëtojë më 15 maj në Turqi për t’u takuar ballë për ballë me Putinin, pasi ky i fundit bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta – por pa e sqaruar nëse do ta takojë Zelenskyn personalisht.

Megjithatë, kur ka mbetur më pak se një ditë deri te data e caktuar për takimin, Putin ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ndërsa Zelensky ka thënë se do të takohet vetëm me liderin rus, jo me një delegacion zyrtarësh nga Moska.

Mediat ruse kanë raportuar se delegacioni do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

“Nuk e di nëse ai [Putin] do të jetë atje nëse unë nuk jam”, u tha Trump gazetarëve nga bordi i Air Force One, duke fluturuar nga Arabia Saudite drejt Katarit më 14 maj.

“E di që ai do të donte që unë të isha atje, dhe ka mundësi të ndodhë. Nëse mund ta ndalim luftën, do ta merrja seriozisht këtë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 14 maj se oferta për bisedime mbetet në fuqi, por se përbërja e delegacionit rus do të bëhet e ditur vetëm pasi Putin “ta japë urdhrin”.

“Delegacioni rus do të presë delegacionin ukrainas në Stamboll”, tha Peskov.

Zelensky ka të planifikuar një takim në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, por ka thënë se, nëse Putin vendos të vijë në Stamboll, ata mund të takohen atje.

Politologia e pavarur ruse, Natalia Shavshukova, i tha televizionit Current Time se motivimi i vërtetë i Putinit është që të takohet drejtpërdrejt me Trumpin, gjë që e bën të mundshme udhëtimin e tij në Turqi.

“Interesi i vetëm i Putinit është një takim i drejtpërdrejtë me Trumpin… Ukraina është bërë një justifikim për këtë takim mes dy liderëve”, tha Shavshukova, duke shtuar se Putin aktualisht nuk duket i interesuar për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, deklaroi se nëse Putin nuk paraqitet më 15 maj në Turqi, kjo do të jetë shenjë se “Moska nuk dëshiron paqe dhe nuk është gati për negociata serioze.”

“Nuk i besojmë Rusisë… Por duam t’i japim fund këtij konflikti dhe jemi të gatshëm të pranojmë çdo format negociatash”, tha Yermak.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tashmë ka mbërritur në Antalia të Turqisë, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të kryesojë një takim joformal të ministrave të jashtëm të aleancës ushtarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të jetë gjithashtu në Turqi për këtë takim, së bashku me të dërguarit e lartë amerikanë, Steve Ëitkoff dhe Keith Kellogg, të cilët pritet t’i bashkohen bisedimeve për paqe në Stamboll.

Më herët, më 15 maj, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se Sybiha i kishte kërkuar homologut të tij brazilian, Mauro Vieira, të pyesë Putinin nëse është i gatshëm të arrijë një marrëveshje paqeje.

“Do të përpiqem të flas me Putinin”, tha Lula në një konferencë për media gjatë vizitës në Kinë, duke shtuar se mund të ndalet në Moskë nëse është e nevojshme.

“Nuk më kushton asgjë të them: ‘Hej, shoku Putin, shko në Stamboll dhe negocio’”, tha ai.

Javën e kaluar, Trump kërkoi që Ukraina të fillojë “menjëherë” bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, duke anashkaluar kërkesën e Kievit për armëpushim si parakusht për negociata.

Trump kishte premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve pasi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Por, ky objektiv ka mbetur i paarritshëm që nga marrja e detyrës më 20 janar. Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë sulme të shumta me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës javët e fundit, ndërsa presioni për armëpushim vazhdon.

© SYRI.net

Shpërthim në një fabrikë kimikatesh në Spanjë, alarm për 80 mijë banorë

Një shpërthim në një fabrikë kimikatesh pranë qytetit spanjoll të Sevilles ka shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda.

Nuk u raportua për të lënduar, raportoi AP.

Zyrtarët u dërguan mesazhe rreth 80,000 banorëve duke u rekomanduar të mbanin maska ​​​​në fytyrë ose të mbyllnin dritaret e shtëpive.

Shpërthimi ndodhi në mesditë në një park industrial në Alcala de Guadaira. Shërbimet emergjente larguan personelin nga fabrika.

Autoritetet nuk kanë thënë se çfarë kimikatesh ka në fabrikë ose kush e zotëron atë./Koha.net

Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani në Samitin e Tiranës

Siguria e Evropës dhe Ukraina do të jenë në fokus të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Evropian, i cili mbahet të premten në Tiranë. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në një dokument të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë duke mos ia paragjykuar statusin, por në atë të Komunitetit, Kosovës nuk i është vendosur asterisku.

Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë të premten në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. 

“Sikurse në samitet paraprake, presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin e radhës së EPC-së, që mbahet të premten në Tiranë”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani. 

Mbështetur në agjendën që ka publikuar Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë, sipas së cilës nuk paragjykohen qëndrimet mbi statusin dhe ai është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Mendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Por në dokumentin e publikuar nga Komuniteti Politik Evropian, Kosova paraqitet pa asterisk. 
47 udhëheqës shtetesh dhe qeverish dhe të institucioneve të BE-së janë të ftuar të marrin pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po ashtu janë ftuar.

Bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza tematike paralele dhe takime dypalëshe. 

Në fokus të diskutimeve do të jetë Ukrainë dhe siguria në Evropë. 

“Udhëheqësit pritet të diskutojnë për sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, si dhe gatishmërinë e aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme. Do të zhvillohet dialog mbi përmirësimin e konkurrueshmërisë së kontinentit përmes investimeve, inovacionit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë në disa fusha. Do të trajtohen gjithashtu sfidat e lëvizjes, duke përfshirë migrimin, lëvizjen e fuqisë punëtore dhe lëvizjen e të rinjve”, shkruan në agjendë. 

Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.

Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.

Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE.
Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian./Koha.net

Berisha: Zgjedhjet u grabitën në mënyrë kriminale

“Dokumentet e farsës elektorale do i çojmë në Kancelaritë Europiane dhe Senatin dhe Kongresin e SHBA”

Kreu demokrat Berisha, tha se do te paraqese fakte në kancelaritë e Europës ne Senatin dhe Kongresin e SHBA-së. nga ajo qe ai e konsideron masakra elektorale që ka ndodhur në zgjedhjet e 11 Majit.

Sipas Berishës raportet paraprake i kanë rrëzuar përtokë këto zgjedhje.

Ftoi demokratët të vazhdojnë misionin për rikthimin e votës së lirë.

Klan News

9 raste në një javë në Kosovë, çka është fruthi?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.

Por, çka është fruthi?

Çfarë është?
Fruthi ose Morbili, është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus (morbilli virus), i cili përhapet në momentin që një person i infektuar kollitet apo teshtin. Mund të jetë sëmundje serioze, me shumë komplikime, madje mund të shkaktojë dhe vdekje të pacientit. Sëmundja prek traktin respirator (sistemin e frymëmarrjes). Mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi. Vaksina është e sigurt dhe ndihmon trupin të luftojë virusin.

Shkaqet
Fruthi shkaktohet nga një lloj virusi që përhapet përmes kollitjes, teshtitjes dhe kontaktit të ngushtë apo direkt me sekrecionet e një personi të infektuar.

Kush preket?
Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse në botë, që do të thotë se kontakti me persona të infektuar do të çojë patjetër në shfaqjen e sëmundjes infektive, aq sa 1 person i infektuar mund të infektojë 10 persona të tjerë të pavaksinuar afër tij. Këtë infeksion ai e transmeton nga 4 ditë para shfaqjes së puçrrave, deri 4 ditë pas shpërthimit të tyre. Virusi shkaktar mund të qëndrojë aktiv dhe kontagjioz (ngjitës) në ajër ose në sipërfaqe të kontaminuara deri në 2 orë.

Komplikimet mund të shfaqen më tepër tek personat e moshës nën 5 vjeç dhe mbi 30 vjeç, veçanërisht ata me sistem imunitar të prekur dhe ata që janë të nënushqyer.

Simptomat
Simptomat e fruthit zakonisht shfaqen 11–14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Simptomat më të zakonshme përfshijnë: temperaturë që zgjat zakonisht 1 javë dhe shkon deri në 40°C, kollë, skuqje e syve dhe shfaqje e puçrrave, fillimisht në fytyrë dhe qafë, dhe që për 3 ditë përhapen në të gjithë trupin, duke arritur tek duart dhe këmbët. Këto shfaqen 2–4 ditë pas simptomave të para dhe mund të jenë të pranishme deri në 5–8 ditë përpara se të largohen.

Vdekja nga fruthi ndodh për shkak të komplikimeve si encefalit (infeksion në tru), infeksion në veshë, diarre ekstreme dhe dehidratim, si dhe probleme me frymëmarrjen si pneumonia. Këto kanë më shumë mundësi të shfaqen tek fëmijët nën 5 vjeç dhe të rriturit mbi 30 vjeç.

Mjekimet
Nuk ka asnjë trajtim specifik për fruthin. Trajtimi ka të bëjë thjesht me lehtësimin e simptomave, si për shembull mjekim për trajtimin e temperaturës. Duhet pirë sa më tepër ujë për të shmangur dehidratimin dhe për të zëvendësuar lëngjet e humbura për shkak të diarresë dhe të vjellave.

Mjekimet përfshijnë qetësues për ethet, temperaturën dhe dhimbjet si ibuprofen dhe paracetamol; suplemente me vitaminë A për shkak të reduktimit të niveleve të saj si pasojë e sëmundjes dhe për të parandaluar komplikacione të mundshme me shikimin./Reporteri

Momenti kur influenceria nga Meksika vritet derisa ishte live në TikTok

Një influencuese meksikane u qëllua për vdekje në sallonin e saj të bukurisë ndërsa ishte live në TikTok.

Valeria Marquez, 23 vjeçare, po dilte nga salloni i bukurisë në qendrën tregtare Santa Maria, Jalisco, kur një burrë mbërriti me motoçikletë për të sjellë një dhuratë.

Por, pa paralajmërim, ai e qëlloi Marquezin në gjoks dhe në kokë përpara se të ikte, thuhet në raport.

Vrasja u xhirua drejtpërdrejt në kamera.

Zyra e Prokurorit të Jaliscos po heton rastin./Ina

I dyshuari nuk është identifikuar ende.

Kryeministri britanik e uron Edi Ramën, e quan historike fitoren e tij në zgjedhje: Pres të punojmë së bashku

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka uruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, të cilën e ka cilësuar si “historike”.

Starmer përmes një postimi në rrjetin social X tha se pret me padurim që të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për të sjellë përfitime për qytetarët punëtorë në të dy vendet tona”, shkroi Starmer.

Theksojmë se Partia Socialiste në krye me Edi Ramën renditet e para me mbi 250 mijë vota në avancë./Express

Tërmet në Greqi

Një tërmet me magnitudë 6.3 ka goditur ishullin e Kretës në Greqi të mërkurën, ka njoftuar Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat (GFZ).

Tërmeti ishte në një thellësi prej 83 km, sipas GFZ-së.

Banorët në Egjipt e ndjenë gjithashtu tërmetin teksa Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Astronomisë dhe Gjeofizikës të vendit ka raportuar se nuk ka viktima apo dëme materiale.

Instituti ka thënë se ka regjistruar një tërmet me magnitudë 6.4 ballë, 431 km larg brigjeve veriore të Egjiptit./Koha.net