Osmani: Nëse zvarritet procesi i konstituimit, i drejtohem Kushtetueses

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të, por se e quajti konstruktiv qasjen e tyre, raporton Koha.net. Ajo ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.  

“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Ajo ka thënë se nëse zvarritet më tej çështja e konstituimit të Kuvendit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo.

“Nëse kjo zvarritet shumë janë disa opsione, një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse në vijim do rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë. Takimet do vazhdojnë”.

Presidentja është shprehur se takimet me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.

“Nëse shihet e nevojshme nga java tjetër do takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar me formate të tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit. Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, ka potencuar Osmani.

Osmani ka shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, pa u pajtuar partitë për konstituim të Kuvendit.

Osmani është takuar më pas me përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, ku ka ritheksuar se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyç në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit.

“Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i  institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës./Portalb.mk

Bllokada në Kuvend futet në muajin e dytë

As vazhdimi i së enjtes i seancës së nisur më 15 prill nuk ka prodhuar rezultat. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë siç ka kërkuar Vetëvendosje. Pa votat e tyre nuk është bërë as kuorumi i nevojshëm. Pas ndërprerjes së seancës, partitë deri dje në pushtet e opozitë kanë akuzuar sërish njëra-tjetrën për ngërçin e krijuar.

Më pak se 3 minuta ka zgjatur vazhdimi i 16-të i seancës konstituive që ka nisur fiks një muaj më parë. Para se të vazhdonte seanca të enjten, administrata u vendosi në tavolinë të gjithë deputetëve nga një shkresë me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e AAK-së të deponuar në fillim të kësaj jave. 

Me këto letra u kërkohej ligjvënësve që më së largu deri më 19 maj, t’i dërgojnë në Kushtetuese komentet e tyre lidhur me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për mosvotimin e Komisionit për votim të fshehtë. 

Pas pak, seanca nisi por dështoi pikërisht në pikë-propozimin për ta formuar Komisionin për zhvillimin e votimit të fshehtë. 

Sërish, PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të këtij Komisioni. Pa votat e tyre as nuk u bë kuorumi i nevojshëm që të miratohet apo kundërshtohet formimi i tij.

“55 deputetë kanë votuar për, 1 ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi më 17 maj në orën 10:30”, u ka thënë deputetëve kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ndonëse kjo është hera e 8 që seanca dështon në pikën e njëjtë, përfaqësues të koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, thanë se vazhdimisht janë duke bërë përpjekje për zhbllokim. 

Sipas koalicionit fitues, nuk po dështon Albulena Haxhiu që të zgjidhet kryeparlamentare por po dështon mënyra e votimit të saj.

“Ne ende nuk kemi ardhur tek propozimi i emrit. Ajo që na duhet prej numri të konsiderueshëm të seancave, përpjekja jonë e vazhdueshme është që ne ta kemi një proces të votimit të fshehtë”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Faton Peci.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dështimin ia atribuoi kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Ai i bëri thirrje LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare.

“Sot, 55 vota i ka marrë Albin Kurti, nuk i ka marrë Komisioni. Ata mund ta quajnë si të duan por këto janë votat për mandatin e Albin Kuritt. Andaj ne nuk kemi vota për të e as s’do të kemi. As për Albulena Haxhiun. Ky taktizim ta quaj butë, ka ndodhur thjeshtë për ta komplikuar situatën tutje”, ka thënë Krasniqi.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit siç po synon të bëjë Vetëvendosje, pa marrëveshje politike, mund të jetë strategji e saj.

“Kjo mund të shihet si interpretim i tillë që këta duan fillimisht ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pastaj me këdo që bëjnë marrëveshje politike të ndajnë pjesën tjetër të pushtetit”, ka deklaruar ajo.

E dështimi i serishëm i seancës, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj është dëshmi se Vetëvendosje nuk dëshiron të dilet nga ngërçi i krijuar në Kuvend.

“Këta janë lidhur me një emër që nuk po kalon dhe nuk po merr më shumë se 55 vota dhe këta nuk po tentojnë as të ndryshojnë dhe as të provojnë se a ka ndodnjë kandidat tjetër që i plotëson kushtet që ndoshta ish votu edhe prej partive të tjera parlamentare”, ka thënë Kadrijaj.

Pas dështimit të seancës, përfaqësuesit politikë kanë thënë se presin që situatës t’i gjendet zgjidhje në takimin që pasoi me presidenten Vjosa Osmani, por as në të nuk pati zgjidhje./Koha.net