Izraeli sulmon Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit SHBA-Houthi/ Irani: Krim lufte!

Izraeli ka sulmuar Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe grupit Houthi.

Irani ka reaguar për sulmin duke e cilësuar ‘krim lufte’. “Sulmi ndaj infrastrukturës ekonomike dhe objekteve publike të Jemenit, përfshirë portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Al-Salif, nuk është vetëm një shkelje flagrante e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu përbën qartë një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Sipas Al Jazeera, IDF kreu sulme ajrore kundër porteve të Hodeidah dhe Al-Salif në Jemen, në përgjigje të lëshimit të raketave nga rebelët Huthi drejt territorit izraelit, disa ditë pas armëpushimit që ky i fundit përfundoi me SHBA-në.

Ushtria izraelite njoftoi se sulmet e së premtes kishin në shënjestër “infrastrukturën terroriste” dhe akuzoi rebelët Huthi se i përdorin dy portet për të “transportuar armë”.

Sulmet e së premtes ishin të parat që nga një marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Houthit në fillim të këtij muaji, me Uashingtonin që u zotua të ndalonte sulmet e tij në Jemen dhe rebelët që ranë dakord të mos sulmonin korridoret e transportit detar në Detin e Kuq./TopChannel

OVL-UÇK dënon vandalizimin e posterit të Komandant Lleshit, në Bujanoc

Organizata e OVL-së së UÇK-së e ka dënuar fuqishëm aktin që ka ndodhur në komunën e Bujanocit ku një person i maskuar ka vandalizuar një poster të Ridvan Qazimit, i njohur si Komandant Lleshi.

Sipas OVL-së së UÇK-së, ky akt përbën jo vetëm skandal të rëndë por edhe sulm të qëllimshëm ndaj kujtesës kombëtare dhe sakrificës për liri.

“Ky veprim është tregues i qartë se ende ka struktura që nuk e pranojnë realitetin e lirisë dhe që ndihen të shqetësuara nga lavdia e Dëshmorëve tanë, të cilët i dhanë kuptim të plotë qëndresës dhe dinjitetit shqiptar”.

“Asnjë akt i tillë nuk mund të zbehë respektin dhe nderimin që kemi për ata që ranë për lirinë tonë. Gjaku i tyre është i shenjtë dhe do të përkujtohet përjetësisht”, thuhet në reagim.

Tutje, OVL e UÇK-së tha se kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që t’i zbulojnë autorët e këtij akti të ulët dhe t’i vë ata para drejtësisë.

“Heshtja në këso raste nxit përsëritjen e veprimeve të tilla dhe dëmton përpjekjet për paqe dhe bashkëjetesë në rajon”, thuhet në reagim./Lajmi.net

https://www.facebook.com/OVLzyrtare?ref=embed_video

Osmani: Garantimi i sigurisë, kyç për zgjidhje afatgjata

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se garantimi i sigurisë dhe sundimi i ligjit janë kyçe për politika të duhura dhe zgjidhje afatgjata.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka njoftuar për diskutimin e një dite më parë në samitin e mbajtur në Tiranë. Kosova dhe Kroacia i prinë diskutimit për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve.

Osmani dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, bashkëkryesuan tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.

“Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë, përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata”, ka shkruar ajo në Facebook./RTV21

SHBA goditet nga një Tornado, raportohet për 21 të vdekur

Të paktën 21 persona raportohet se kanë vdekur pasi tornadot goditën pjesë të dy shteteve të SHBA-së.

Zyrtarët në Kentucky thanë se kishte pasur 14 vdekje për shkak të motit të keq, ndërsa 7 persona humbën jetën në Missouri.

Tornadoja në Kentucky goditi Qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, në orët e para të së shtunës. Zyrtarët thanë se prisnin që numri i të vdekurve të rritej.

Zyrtarët e Misurit thanë se 5,000 ndërtesa u dëmtuan, çatitë u shkatërruan dhe linjat e energjisë u rrëzuan nga një tornado që goditi vendin të premten.

Rreth 100,000 prona në St Louis mbetën pa energji elektrike dhe departamenti i zjarrfikësve tha se u kryen kërkime shtëpi më shtëpi në zonat më të prekura.

Autoritetet në Kentucky thanë se pati raportime edhe për lëndime të rënda.

“Kërkimi po vazhdon në zonën e dëmtuar për të mbijetuarit”, tha Sherifi i Qarkut Laurel, John Root, në një postim në mediat sociale.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së tha se tornadot goditën edhe Illinoisin fqinj./vizionplus.tv

Arrihet marrëveshja Rusi-Ukrainë, pritet shkëmbimi i 1000 të burgosurve

Shkëmbimi më i madh i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ndodhë javën e ardhshme.

Të dy vendet ranë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila gjatë negociatave në Turqi dje, bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që nga viti 2022.

Mediat ukrainase raportojnë tani se Kirill Budanov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, po i mbështet shpresat e tij te shkëmbimi që do të ndodhë brenda ditësh.

“Shpresoj që kjo të ndodhë javën tjetër”, shprehet Budanov.

Shkëmbimi ishte i vetmi rezultat thelbësor nga diskutimet e së premtes, të cilat zgjatën më pak se dy orë./TopChannel