Këtë të martë, të burgosurit gjeorgjianë dhe shqiptarë në burgun e Korfuzit, kanë protestuar kundër kontrollit që u ushtrua në qelitë e tyre disa ditë më parë, ku u gjetën telefona celularë.
Mediat greke, raportojnë se mëngjesin e sotëm në burgun e Korfuzit të burgosurit filluan protestën kundër kontrolleve në qelitë e tyre, duke i vënë flakën dyshekëve.
Pas ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve dhe oficerëve të burgut, zjarri që të burgosurit i vunë në dyshekë dhe objekteve të tjera u shua.
Sipas mediave vendase, të dënuarit shqiptarë dhe gjeorgjianë ankohen se diskriminohen, për shkak të origjinës së tyre dhe se për rrjedhojë atyre nuk i plotësohet asnjë kusht i të drejtave themelore të njeriut./Albeu
MPB njofton se me datë 19.05.2025, në orën 09:05, në SPB Shkup, D.J. (53) nga Shkupi ka raportuar se më 08.05.2025, rreth orës 18:10, në korridorin e një shkolle të mesme në rajonin e Çairit, ku është e punësuar, është sulmuar fizikisht nga katër të mitur – nxënës të shkollës. Po merren masa për zbardhjen e rastit./Zhurnal
Ky është momenti i vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, rreth mesnatës së të hënës, në lagjen numër 18 në Durrës. Video e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga një kamera në zonë, pak metra larg vendit ku u qëllua për vdekje i riu.
Viktima po lëvizte në këmbë në trotuar, kur automjeti tip Seat, që shihni në pamje, afrohet qetësisht dhe vrasësit e qëllojnë nga brenda tij.
Të shtënat dëgjohen dhe në videon e fiksuar nga kamerat e sigurisë. Në video shihen edhe dy persona, të cilët largohen me vrap nga vendngjarja duke komunikuar me njeri-tjetrin.
Pasi qëllojnë ndaj 29-vjeçari, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dy plumbave të marra në trup, autorët, që dyshohet se ishin të paktën dy, u larguan nga vendngjarja me të njëjtin automjet.
Vetëm pak orë më vonë, makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gërdec të Vorës.
“Kjo është gjithçka që ka mbetur nga automjeti tip Seat që përdorën autorët në vrasjen e Ermir Dedjes. Makina është dërguar për ekzaminim së bashku me kallashnikovin, që u gjet i djegur në brendësi të tij dhe që dyshohet se u përdor në vrasjen e 29-vjeçarit”, raporton gazetari Merin Maçi
Nga verifikimet rezultoi se makina lëvizte me targa të vjedhura pak kohë më parë në Prezë.
Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Më herët ai kishte qenë i skeduar për çështje narkotikësh, por dhe për plagosje.
E shkuara e tij kriminale, por dhe ndonjë konflikt i mundshëm i kohëve të fundit, janë pistat ku po heton policia dhe Prokuroria e Durrësit, që deri tani kanë marrë në pyetje disa persona./Botasot
Një person plagosi disa persona me thikë në Bielefeld. Gazeta gjermane Bild bën të ditur se vitin e kaluar u regjistruan mesatarisht 79 sulme me thikë – në ditë.
Në qendër të Bielefeldit, një person plagosi disa persona me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës (18.05.2025). Policia arrestoi një të dyshuar në qytetin Heiligenhaus të hënën në mbrëmje. Ai është një sirian 35-vjeçar që ndodhet në Gjermani që nga gushti i vitit 2023 dhe ka një leje qëndrimi të përkohshme. Deri tani, ai nuk ishte i njohur për policinë.
I pandehuri dyshohet se sulmoi me thikë disa persona që po festonin para një kafeneje në qendër të Bielefeldit. Sipas informacioneve të deritanishme, të paktën pesë persona rreth moshës 22 dhe 27 vjeç u plagosën, katër prej tyre rëndë. Policia raportoi se të plagosurit nuk janë më në rrezik.
Shenja radikalizimi
Sipas informacionit nga media publike gjermane WDR, është e mundur që autori të jetë radikalizuar së fundmi dhe të ketë treguar interes për organizatën terroriste Shteti Islamik (IS). Policia nuk donte të komentonte ende për këtë. WDR gjithashtu ka informacion, se policia e vlerëson krimin në analizat e veta të brendshme si një sulm terrorist.
Policia gjatë një aksioniFotografi: Christian Müller/dpa/picture alliance
I dyshuari la një çantë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se përmbante “dokumente personale, si dhe një shishe me një lëng të panjohur që mbante erë benzine”. Me sa duket, policia gjeti edhe thika, për të cilat nuk donin të jepnin informacione specifike.
Në një njoftim për shtyp, policia deklaroi se sfondi i krimit dhe motivi i mundshëm i autorit të krimit janë ende të panjohura. “Sipas njohurive aktuale, i dyshuari ka sulmuar rastësisht njerëz”, thuhet në raport, por hetimet po vazhdojnë.
79 sulme me thikë në ditë
Në numrin e së martës (20.05.2025), gazeta gjermane “Bild” citon të dhëna nga statistikat e krimit, sipas të cilave ka një mesatare prej 79 sulmesh në ditë në Gjermani. Kujtohet se në vitin 2024, policia në Gjermani regjistroi një total prej 29.014 vepra penale që lidhen me sulmet me thikëdhe se numri i lëndimeve të rënda me thikëështë rritur me 10,8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rainer Wendt (68), presidenti i Sindikatës së Policisë Gjermane, i tha gazetës “Bild” se “pragu për dhunë po bëhet gjithnjë e më i ulët” dhe se thikat po nxirren “tashmë në raste të parëndësishme dhe debate në dukje të padëmshme”.
“Bild” citon gjithashtu Udo Vetter, një avokat i specializuar në të drejtën penale, i cili paralajmëron, se “thikat janë bërë shoqërues të përditshëm për shumë njerëz”. Dhe shton: “Sidomos të rinjtë mbajnë një thikë në xhep sikur të ishte një telefon celular”. Kjo është arsyeja pse Rainer Wendt kërkon që veprimet parandaluese të fillojnë që në shkolla./DW
Britania e Madhe i ka pezulluar të martën bisedimet për tregti të lirë me Izraelin, e ka thirrur ambasadorin izraelit në takim protestues dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, për shkak të ofensivës së re ushtarake të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite njoftoi javën e kaluar fillimin e një operacioni të ri dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do të marrë nën kontroll të gjithë Gazën.
Izraeli e ka ndaluar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit, dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë masive si pasojë
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se ofensiva nuk është mënyra për t’i kthyer pengjet e mbetura në Gazë, bëri thirrje për t’i dhënë fund bllokadës ndaj ndihmave dhe dënoi atë që e quajti “ekstremizëm” në disa departamente të Qeverisë izraelite.
“Nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë këtij përkeqësimi të ri. Kjo bie ndesh me parimet që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve tonë dypalëshe”, tha Lammy para ligjvënësve.
“Sinqerisht, kjo është fyerje ndaj vlerave të popullit britanik. Prandaj, sot po njoftoj se kemi pezulluar bisedimet me këtë Qeveri izraelite për një marrëveshje të re tregtare”, shtoi ai.
Britania, në një komunikatë të përbashkët me Francën dhe Kanadanë të hënën, dënoi zgjerimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë dhe kërkoi që të hiqen kufizimet ndaj ndihmës humanitare.
Këto tri vende thanë se do të ndërmarrin “veprime të tjera konkrete” nëse ofensiva e re e Izraelit nuk ndalet.
“Dua të deklaroj sot se jemi të tmerruar nga përshkallëzimi nga ana e Izraelit”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, në martën në Parlament.
“Ne përsërisim kërkesën tonë për një armëpushim si mënyra e vetme për t’i liruar pengjet; përsërisim kundërshtimin tonë ndaj vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe përsërisim kërkesën për një rritje masive të ndihmës humanitare në Gazë”, shtoi Starmer.
Britania gjithashtu sanksionoi disa individë dhe grupe në Bregun Perëndimor, për të cilët tha se ishin përfshirë në veprime të dhunshme ndaj palestinezëve.
Në vitin 2024, Britania vendosi sanksione ndaj një numri kolonësh dhe organizatash kolonësh, duke shënjestruar individë dhe grupe që sipas saj kishin sponsorizuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.
Shumica e vendeve i konsiderojnë të paligjshme vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokat e pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe zgjerimi i tyre prej dekadash është një nga çështjet më të diskutueshme mes Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Ne po tregojmë përsëri se do të vazhdojmë të veprojmë kundër atyre që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, tha Lammy.
Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit ka shkatërruar Gazën, duke zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionësh dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Netanyahu ka thënë se vendi i tij është i përfshirë në një “luftë të civilizimit kundër barbarisë” dhe është zotuar se do të “vazhdojë të mbrohet me mjete të drejta deri në fitoren e përgjithshme”./REL