Shkodrani hero në Londër, shpëtoi nga mbytja vajzën 7 vjeçe

Hismet Smakaj nga Shkodra, prej shumë vitesh banues në Londër, u kthye në hero pasi shpëtoi nga mbytja në lumin Thames një fëmijë 7 vjeç.

Top Channel raporton se të shtunën e 17 majit 65-vjeçari shqiptar kishte dalë me bashkëshorten për ecje buzë lumit në zonën e Newham në lindje Londrës.

Aty panë një vajzë të vogël, e cila kaloi barrierat e pasi bëri disa hapa u hodh në lumë. Pa u menduar dy herë, Hismet Smakaj hoqi rrobat dhe u hodh në lumë duke shpëtuar vajzën pesë metra larg vendit ku ajo u hodh duke e sjellë në breg.

Shumë kalimtarë u mblodhën duke parë shpëtimin e vajzës e duke duartrokitur e dhe me zë të lartë përmendën fjalën…HERO. Pas ardhjes të policisë dhe ambulancave, u mësua se vajza ishte autike.

Hismet Smakaj thotë se “nëse nuk do ta shpëtoja vajzën do më mbetej peng tërë jetën”./Reporteri

🎓 Studime në Gjermani? Ja çfarë duhet të dini para se të niseni!

Gjermania të ofron arsim cilësor, diploma të njohura ndërkombëtarisht dhe mundësi punësimi.

Gjermania mbetet një nga destinacionet më të preferuara për studentët shqiptarë që kërkojnë cilësi të lartë arsimore dhe mundësi ndërkombëtare për zhvillim profesional. Me mbi 400 universitete dhe një sistem studimi që kombinon teorinë me praktikën, Gjermania ofron programe në anglisht dhe në gjermanisht për pothuajse çdo fushë.

Çfarë duhet të dini para se të aplikoni:

Njohja e gjuhës
Shumica e programeve kërkojnë njohuri të gjuhës gjermane (niveli B1 ose B2). Ka edhe programe në anglisht, por për jetën e përditshme, gjermanishtja është e domosdoshme.

Dokumentet e nevojshme

  • Dëshmi e diplomës së shkollës së mesme të njohur në Gjermani
  • Certifikata e gjuhës (Goethe, TestDaF ose IELTS për anglisht)
  • Letër motivimi dhe CV
  • Dëshmi për mjete financiare (rreth 11,208 euro në vit në një llogari të bllokuar – “Sperrkonto”)

Akomodimi dhe sigurimi
Studentët duhet të kenë sigurim shëndetësor të vlefshëm dhe të kërkojnë akomodim sa më herët, pasi kërkesa është e lartë.

Puna gjatë studimeve
Studentët mund të punojnë deri në 120 ditë të plota në vit. Kjo mund të ndihmojë në mbulimin e disa shpenzimeve, por jo plotësisht.

📍 Këshillë e rëndësishme: Filloni përgatitjet të paktën 6-12 muaj para nisjes. Konsultohuni me portalin zyrtar të DAAD (www.daad.de) dhe ambasadën gjermane për informacion të saktë./Newsal.de

Hapet më 24 Maj tuneli i Llogarasë, qarkullimi i automjeteve do të jetë pa pagesë deri më 15 Shtator

Duke nisur nga nesër, 24 maj, hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se në tunel do të lejohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç mjeteve të tonazhit të rëndë.

Ndërkohë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se kalimi në tunel do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, për të mbështetur industrinë e turizmit.

“Tuneli do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, në mbështetje të plotë të industrisë së turizmit, e cila tashmë ka filluar të konsolidohet dhe kjo tregohet qartë nga numri i njësive të hotelerisë që po hapen në jug të vendit”, deklaron Balluku./Botasot

Kurti e shkarkon zv.ministrin Arbër Vokrri pas deklaratave se ndërkombëtarët i kanë nxitur trazirat në Veri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Zyra e Kryeministrit tha se ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit.

“Deklarimet e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ZKM./Express/