Ashpërsohen Rregullat për Bashkim Familjar në Gjermani: Çfarë duhet të dini?

Qeveria gjermane ka njoftuar masa të reja që ashpërsojnë kushtet për bashkim familjar, sidomos për qytetarët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të gjerë për kontrollin e migracionit dhe integrimin më të mirë të të huajve në Gjermani.

✅ Pikat kyçe të ndryshimeve:

  • Kërkesat për gjuhën gjermane janë rritur: A1 nuk mjafton më për disa raste. Në disa kategori mund të kërkohet niveli A2 ose më lart, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëshortët.
  • Verifikimi i dokumenteve do të jetë më i rreptë dhe afatet e shqyrtimit mund të zgjasin më shumë.
  • Kapaciteti financiar i aplikuesit do të luajë rol vendimtar – të ardhurat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar edhe anëtarët që do të vijnë.
  • Në disa raste, autoritetet mund të kërkojnë dëshmi të qëndrimit të qëndrueshëm në Gjermani, përfshirë punësim afatgjatë dhe kontratë banese të vlefshme.
  • Për refugjatët dhe azilkërkuesit, rregullat ndryshojnë sipas statusit të tyre – ata me status të kufizuar mund të mos kenë të drejtë për bashkim familjar për një periudhë të caktuar.

🎯 Pse po ndodhin këto ndryshime?

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, qëllimi është të sigurohet që migrimi familjar të jetë i menaxhueshëm dhe i qëndrueshëm, duke ndihmuar integrimin më të mirë të të ardhurve dhe shmangien e keqpërdorimeve të sistemit.


📌 Këshillë: Të gjithë ata që planifikojnë të sjellin familjarët e tyre në Gjermani duhet të informohen në kohë, të përgatisin dokumentacionin e duhur dhe të kenë parasysh ndryshimet që mund të hyjnë në fuqi nga vera ose vjeshta e vitit 2025./Newsal.de

Vjehrra godet me sende të forta nusen e djalit

Ndaj një 75-vjeçareje ka nisur hetimi në Tiranë, pasi ka dhunuar bashkëshorten e djalit të saj.

Policia thotë se ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 75 vjeçe, sepse pas një konflikti të çastit, ka goditur me një send të fortë bashkëshorten e djalit të saj.

Madje 75-vjeçarja ka tentuar ta godasë bashkëshorten e djalit edhe me mjet prerës.

“Referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 75 vjeçe, sepse pas një konflikti të çastit, ka goditur me një send të fortë bashkëshorten e djalit të saj dhe ka tentuar ta godasë me mjet prerës.“-njofton policia./oranews

Vetëvrasja e Alma Arrazit me tre fëmijët, bashkëshorti që e dhunonte merr 4 vjet burg

Katër vite burg do të vuajë Ergys Arrazi për dhunën psikologjike dhe fizike që ushtronte ndaj bashkëshortes së tij, Alma Arrazi e cila në kushte të rënduara psikologjike u hodh në lumin Buna bashkë me tre fëmijët.

Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Arrazin, për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke dënuar Arrazin përfundimisht me 4 vjet heqje lirie.

Ngjarja tragjike e një viti më parë tronditi mbarë opinionin.

Alma Arrazi dhe tre fëmijët e mitur u gjetën të mbytur në lumë, ndërsa fajtor dhe përgjegjës ishte vetëm një, kryefamiljari, Erdgys Arrazi.Express

Kërcënohet sërish presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sërish një kërcënim me jetë, ka mësuar KOHA të hënën.

Mesazhi kërcënues i është dhënë nëpërmjet emailit zyrtar të Zyrës së Presidencës.

“Jan nis me tvra k*** edhe shpihunat e serbis polici shka jan me arm kontrabandume”, thuhet në mesazhin kërcënues.

Ajo ka pranuar edhe javë më parë një mesazh kërcënues, ku ndër të tjera u quajt “kriminele antikushtetuese”./Koha.net

Serbia arreston ish-deputetin e Kosovës. Reagon me urgjencë Ministria e Jashtme: Të ndërhyjë faktori ndërkombëtar. Veprimet e Beogradit, arbitrare!

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdar. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas të cilës, Agusholli kaloi nëpër Serbi si rrugë tranzit drejt Sllovenisë.

“Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin”, thuhet në njoftim.

MPJD në reagim ka dënuar këtë veprim të autoriteteve serbe duke e quajtur arbitrar.

“MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e MPJD-së./Ballkanweb

Kancelari gjerman Merz vë në pikëpyetje strategjinë e Izraelit në Gaza: Nuk e kuptoj më qëllimin e tyre

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur shqetësime të thella për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke deklaruar se “nuk e kupton më” qëllimin përfundimtar të kësaj ndërhyrjeje dhe duke e cilësuar situatën humanitare si të pajustifikueshme.

Në një deklaratë gjatë WDR Europaforum në Berlin, Merz kritikoi planet e Izraelit për të marrë kontrollin e deri në 75% të territorit të Gazës dhe paralajmëroi se “qeveria izraelite nuk duhet të bëjë asgjë që as miqtë e saj më të ngushtë nuk janë më të gatshëm ta pranojnë”.

“Ajo që ushtria izraelite po bën tani në Rripin e Gazës, sinqerisht nuk e kuptoj më me çfarë qëllimi”, u shpreh ai.

Merz theksoi gjithashtu vuajtjet e popullatës civile palestineze, e cila mbetet thellësisht e varur nga ndihmat ndërkombëtare – ndihma që Izraeli kishte bllokuar për javë të tëra duke pretenduar se përfitonte Hamasi.

“Shkaktimi i vuajtjeve të tilla popullsisë civile nuk mund të justifikohet më me luftën kundër terrorizmit të Hamasit”, shtoi kancelari.

Deklaratat e Merz vijnë në një kohë kur aleatë të tjerë të ngushtë të Izraelit, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë dënuar gjithashtu veprimet ushtarake izraelite si “të shëmtuara” dhe kanë paralajmëruar për “veprime konkrete” nëse Tel Avivi nuk ndryshon kursin, sidomos në lidhje me ndihmën humanitare.

Në një kundërpërgjigje të ashpër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi këta liderë perëndimorë se po qëndrojnë “në anën e gabuar të historisë”, duke mbrojtur në mënyrë të tërthortë Hamasin.

“Kur vrasësit masivë dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit”, tha ai, duke përmendur direkt Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Mark Carney.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një ofensivë të re të quajtur “Qerret e Gideonit”, me ndërhyrje tokësore në veri dhe jug të Gazës të mbështetur nga forcat ajrore.

Qëllimi i deklaruar është të zgjerohet kontrolli operacional mbi Rripin dhe të lirohen pengjet ende të mbetura në duart e Hamasit.

Pavarësisht lehtësimit të pjesshëm të bllokadës javën e kaluar, kur disa dhjetëra kamionë ndihma u lejuan të hyjnë në Gaza, OKB e ka quajtur ndihmën një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat urgjente të mbi dy milionë banorëve në krizë./Botasot