Rreth 70 fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit.
Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur grupi i fëmijëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit.
Burime pohojnë se një pjesë e fëmijëve kanë pasur edhe temperaturë, ndërsa analizat laboratorike tregojnë se ata janë helmuar.
Analizat kanë treguar prani të madhe të bakterit të salmonelë.
Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror, shërbim që ofrohet nga një kompani private përmes kateringut. Në lidhje me ngjarjen nuk ka ende një reagim nga autoritetet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin./NOA
Një urë e vjetër prej guri, e cila u zhyt në ujë gjatë ndërtimit të një rezervuari një shekull më parë, ka bërë një pamje të rrallë pas një periudhe rekord thatësie.
Ura, që mendohet se daton rreth vitit 1800, është vendosur nën ujin e rezervuarit Llwyn-On të Merthyr Tydfil që nga viti 1911, sipas Coflein, Rekordi Kombëtar i Monumenteve të Uellsit.
Sidoqoftë, struktura me dy harqe është rishfaqur gjatë periudhave të tjera të thata, duke përfshirë korrikun 2022 dhe prillin 1976, raporton kp.
Burimet Natyrore të Uellsit (NRW) tha se marsi ishte më i thati që nga viti 1944 dhe, pasi kushtet e tjera të ngrohta dhe të thata u kthyen në maj, Uellsi kishte vetëm 59 për qind reshje të pritura, duke e bërë një nga periudhat tremujore më të thata në histori.
NRW ka thënë se shumica e prurjeve të lumenjve të Uellsit ishin aktualisht të ulëta ose jashtëzakonisht të ulëta, ndërsa Welsh Water dhe Hafren Dyfrdwy kanë raportuar nivele më të ulëta në disa rezervuarë sesa do të pritej në këtë kohë të vitit, transmeton BBC.
Wales Dought Liaison Group, duke përfshirë NRW, firmat e ujit, qeverinë e Uellsit, Met Office, Shëndetin Publik Uells, sindikatat bujqësore dhe autoritetet lokale, ka rritur monitorimin në të gjithë vendin mes këshillave të konsumatorëve për të mos e shpërdoruar ujin./Botasot
Hismet Smakaj nga Shkodra, prej shumë vitesh banues në Londër, u kthye në hero pasi shpëtoi nga mbytja në lumin Thames një fëmijë 7 vjeç.
Top Channel raporton se të shtunën e 17 majit 65-vjeçari shqiptar kishte dalë me bashkëshorten për ecje buzë lumit në zonën e Newham në lindje Londrës.
Aty panë një vajzë të vogël, e cila kaloi barrierat e pasi bëri disa hapa u hodh në lumë. Pa u menduar dy herë, Hismet Smakaj hoqi rrobat dhe u hodh në lumë duke shpëtuar vajzën pesë metra larg vendit ku ajo u hodh duke e sjellë në breg.
Shumë kalimtarë u mblodhën duke parë shpëtimin e vajzës e duke duartrokitur e dhe me zë të lartë përmendën fjalën…HERO. Pas ardhjes të policisë dhe ambulancave, u mësua se vajza ishte autike.
Hismet Smakaj thotë se “nëse nuk do ta shpëtoja vajzën do më mbetej peng tërë jetën”./Reporteri
Gjermania të ofron arsim cilësor, diploma të njohura ndërkombëtarisht dhe mundësi punësimi.
Gjermania mbetet një nga destinacionet më të preferuara për studentët shqiptarë që kërkojnë cilësi të lartë arsimore dhe mundësi ndërkombëtare për zhvillim profesional. Me mbi 400 universitete dhe një sistem studimi që kombinon teorinë me praktikën, Gjermania ofron programe në anglisht dhe në gjermanisht për pothuajse çdo fushë.
Çfarë duhet të dini para se të aplikoni:
✅ Njohja e gjuhës Shumica e programeve kërkojnë njohuri të gjuhës gjermane (niveli B1 ose B2). Ka edhe programe në anglisht, por për jetën e përditshme, gjermanishtja është e domosdoshme.
✅ Dokumentet e nevojshme
Dëshmi e diplomës së shkollës së mesme të njohur në Gjermani
Certifikata e gjuhës (Goethe, TestDaF ose IELTS për anglisht)
Letër motivimi dhe CV
Dëshmi për mjete financiare (rreth 11,208 euro në vit në një llogari të bllokuar – “Sperrkonto”)
✅ Akomodimi dhe sigurimi Studentët duhet të kenë sigurim shëndetësor të vlefshëm dhe të kërkojnë akomodim sa më herët, pasi kërkesa është e lartë.
✅ Puna gjatë studimeve Studentët mund të punojnë deri në 120 ditë të plota në vit. Kjo mund të ndihmojë në mbulimin e disa shpenzimeve, por jo plotësisht.
📍 Këshillë e rëndësishme: Filloni përgatitjet të paktën 6-12 muaj para nisjes. Konsultohuni me portalin zyrtar të DAAD (www.daad.de) dhe ambasadën gjermane për informacion të saktë./Newsal.de
Duke nisur nga nesër, 24 maj, hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se në tunel do të lejohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç mjeteve të tonazhit të rëndë.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se kalimi në tunel do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, për të mbështetur industrinë e turizmit.
“Tuneli do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, në mbështetje të plotë të industrisë së turizmit, e cila tashmë ka filluar të konsolidohet dhe kjo tregohet qartë nga numri i njësive të hotelerisë që po hapen në jug të vendit”, deklaron Balluku./Botasot
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Zyra e Kryeministrit tha se ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit.
“Deklarimet e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ZKM./Express/
Këtë të martë, të burgosurit gjeorgjianë dhe shqiptarë në burgun e Korfuzit, kanë protestuar kundër kontrollit që u ushtrua në qelitë e tyre disa ditë më parë, ku u gjetën telefona celularë.
Mediat greke, raportojnë se mëngjesin e sotëm në burgun e Korfuzit të burgosurit filluan protestën kundër kontrolleve në qelitë e tyre, duke i vënë flakën dyshekëve.
Pas ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve dhe oficerëve të burgut, zjarri që të burgosurit i vunë në dyshekë dhe objekteve të tjera u shua.
Sipas mediave vendase, të dënuarit shqiptarë dhe gjeorgjianë ankohen se diskriminohen, për shkak të origjinës së tyre dhe se për rrjedhojë atyre nuk i plotësohet asnjë kusht i të drejtave themelore të njeriut./Albeu
MPB njofton se me datë 19.05.2025, në orën 09:05, në SPB Shkup, D.J. (53) nga Shkupi ka raportuar se më 08.05.2025, rreth orës 18:10, në korridorin e një shkolle të mesme në rajonin e Çairit, ku është e punësuar, është sulmuar fizikisht nga katër të mitur – nxënës të shkollës. Po merren masa për zbardhjen e rastit./Zhurnal
Ky është momenti i vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, rreth mesnatës së të hënës, në lagjen numër 18 në Durrës. Video e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga një kamera në zonë, pak metra larg vendit ku u qëllua për vdekje i riu.
Viktima po lëvizte në këmbë në trotuar, kur automjeti tip Seat, që shihni në pamje, afrohet qetësisht dhe vrasësit e qëllojnë nga brenda tij.
Të shtënat dëgjohen dhe në videon e fiksuar nga kamerat e sigurisë. Në video shihen edhe dy persona, të cilët largohen me vrap nga vendngjarja duke komunikuar me njeri-tjetrin.
Pasi qëllojnë ndaj 29-vjeçari, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dy plumbave të marra në trup, autorët, që dyshohet se ishin të paktën dy, u larguan nga vendngjarja me të njëjtin automjet.
Vetëm pak orë më vonë, makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gërdec të Vorës.
“Kjo është gjithçka që ka mbetur nga automjeti tip Seat që përdorën autorët në vrasjen e Ermir Dedjes. Makina është dërguar për ekzaminim së bashku me kallashnikovin, që u gjet i djegur në brendësi të tij dhe që dyshohet se u përdor në vrasjen e 29-vjeçarit”, raporton gazetari Merin Maçi
Nga verifikimet rezultoi se makina lëvizte me targa të vjedhura pak kohë më parë në Prezë.
Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Më herët ai kishte qenë i skeduar për çështje narkotikësh, por dhe për plagosje.
E shkuara e tij kriminale, por dhe ndonjë konflikt i mundshëm i kohëve të fundit, janë pistat ku po heton policia dhe Prokuroria e Durrësit, që deri tani kanë marrë në pyetje disa persona./Botasot
Një person plagosi disa persona me thikë në Bielefeld. Gazeta gjermane Bild bën të ditur se vitin e kaluar u regjistruan mesatarisht 79 sulme me thikë – në ditë.
Në qendër të Bielefeldit, një person plagosi disa persona me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës (18.05.2025). Policia arrestoi një të dyshuar në qytetin Heiligenhaus të hënën në mbrëmje. Ai është një sirian 35-vjeçar që ndodhet në Gjermani që nga gushti i vitit 2023 dhe ka një leje qëndrimi të përkohshme. Deri tani, ai nuk ishte i njohur për policinë.
I pandehuri dyshohet se sulmoi me thikë disa persona që po festonin para një kafeneje në qendër të Bielefeldit. Sipas informacioneve të deritanishme, të paktën pesë persona rreth moshës 22 dhe 27 vjeç u plagosën, katër prej tyre rëndë. Policia raportoi se të plagosurit nuk janë më në rrezik.
Shenja radikalizimi
Sipas informacionit nga media publike gjermane WDR, është e mundur që autori të jetë radikalizuar së fundmi dhe të ketë treguar interes për organizatën terroriste Shteti Islamik (IS). Policia nuk donte të komentonte ende për këtë. WDR gjithashtu ka informacion, se policia e vlerëson krimin në analizat e veta të brendshme si një sulm terrorist.
Policia gjatë një aksioniFotografi: Christian Müller/dpa/picture alliance
I dyshuari la një çantë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se përmbante “dokumente personale, si dhe një shishe me një lëng të panjohur që mbante erë benzine”. Me sa duket, policia gjeti edhe thika, për të cilat nuk donin të jepnin informacione specifike.
Në një njoftim për shtyp, policia deklaroi se sfondi i krimit dhe motivi i mundshëm i autorit të krimit janë ende të panjohura. “Sipas njohurive aktuale, i dyshuari ka sulmuar rastësisht njerëz”, thuhet në raport, por hetimet po vazhdojnë.
79 sulme me thikë në ditë
Në numrin e së martës (20.05.2025), gazeta gjermane “Bild” citon të dhëna nga statistikat e krimit, sipas të cilave ka një mesatare prej 79 sulmesh në ditë në Gjermani. Kujtohet se në vitin 2024, policia në Gjermani regjistroi një total prej 29.014 vepra penale që lidhen me sulmet me thikëdhe se numri i lëndimeve të rënda me thikëështë rritur me 10,8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rainer Wendt (68), presidenti i Sindikatës së Policisë Gjermane, i tha gazetës “Bild” se “pragu për dhunë po bëhet gjithnjë e më i ulët” dhe se thikat po nxirren “tashmë në raste të parëndësishme dhe debate në dukje të padëmshme”.
“Bild” citon gjithashtu Udo Vetter, një avokat i specializuar në të drejtën penale, i cili paralajmëron, se “thikat janë bërë shoqërues të përditshëm për shumë njerëz”. Dhe shton: “Sidomos të rinjtë mbajnë një thikë në xhep sikur të ishte një telefon celular”. Kjo është arsyeja pse Rainer Wendt kërkon që veprimet parandaluese të fillojnë që në shkolla./DW