Britania i pezullon bisedimet tregtare me Izraelin për shkak të ofensivës së re në Gazë

Britania e Madhe i ka pezulluar të martën bisedimet për tregti të lirë me Izraelin, e ka thirrur ambasadorin izraelit në takim protestues dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, për shkak të ofensivës së re ushtarake të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite njoftoi javën e kaluar fillimin e një operacioni të ri dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do të marrë nën kontroll të gjithë Gazën.

Izraeli e ka ndaluar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit, dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë masive si pasojë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se ofensiva nuk është mënyra për t’i kthyer pengjet e mbetura në Gazë, bëri thirrje për t’i dhënë fund bllokadës ndaj ndihmave dhe dënoi atë që e quajti “ekstremizëm” në disa departamente të Qeverisë izraelite.

“Nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë këtij përkeqësimi të ri. Kjo bie ndesh me parimet që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve tonë dypalëshe”, tha Lammy para ligjvënësve.

“Sinqerisht, kjo është fyerje ndaj vlerave të popullit britanik. Prandaj, sot po njoftoj se kemi pezulluar bisedimet me këtë Qeveri izraelite për një marrëveshje të re tregtare”, shtoi ai.

Britania, në një komunikatë të përbashkët me Francën dhe Kanadanë të hënën, dënoi zgjerimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë dhe kërkoi që të hiqen kufizimet ndaj ndihmës humanitare.

Këto tri vende thanë se do të ndërmarrin “veprime të tjera konkrete” nëse ofensiva e re e Izraelit nuk ndalet.

“Dua të deklaroj sot se jemi të tmerruar nga përshkallëzimi nga ana e Izraelit”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, në martën në Parlament.

“Ne përsërisim kërkesën tonë për një armëpushim si mënyra e vetme për t’i liruar pengjet; përsërisim kundërshtimin tonë ndaj vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe përsërisim kërkesën për një rritje masive të ndihmës humanitare në Gazë”, shtoi Starmer.

Britania gjithashtu sanksionoi disa individë dhe grupe në Bregun Perëndimor, për të cilët tha se ishin përfshirë në veprime të dhunshme ndaj palestinezëve.

Në vitin 2024, Britania vendosi sanksione ndaj një numri kolonësh dhe organizatash kolonësh, duke shënjestruar individë dhe grupe që sipas saj kishin sponsorizuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.

Shumica e vendeve i konsiderojnë të paligjshme vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokat e pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe zgjerimi i tyre prej dekadash është një nga çështjet më të diskutueshme mes Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Ne po tregojmë përsëri se do të vazhdojmë të veprojmë kundër atyre që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, tha Lammy.

Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit ka shkatërruar Gazën, duke zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionësh dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Netanyahu ka thënë se vendi i tij është i përfshirë në një “luftë të civilizimit kundër barbarisë” dhe është zotuar se do të “vazhdojë të mbrohet me mjete të drejta deri në fitoren e përgjithshme”./REL

Kërcënohet me jetë presidentja Osmani, kritikohen institucionet e drejtësisë për mosveprim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë. Në një email që është dërguar në adresën e Presidencës së Kosovës pak ditë më parë, presidentja është kërcënuar me jetë, duke u quajtur ndër të tjera edhe “kriminele antikushtetuese”. Adresa ishte anonime. 

Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se kërcënimi i fundit ishte vazhdimësi i kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Osmani. Ai ka kritikuar institucionet e drejtësisë për mosveprim. Ai tha se janë bërë dhjetëra kërcënime, madje në shumë raste me emër e mbiemër, por s’ka pasur masa. 

“Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Kupina.  “Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”. 

Kupina ka thënë se sipas institucioneve të sigurisë, është rasti i vetëm në historikun e institucioneve ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. 

“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka thënë Kupina. /Koha.net

E rëndë në Roskovec/ Shembet muri rrethues, humb jetën fëmija 4-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në zonën e Sukut, pranë Roskovecit, ku shembja e murit rrethues të një banese ka zënë poshtë një fëmijë.

Dyshohet se është shembur një mur rrethues në pronësi të shtetasit L. T.

Pas incidentit, e mitura është dërguar menjëherë në Qendrën Shëndetësore të Roskovecit. Mësohet se një vajzë e mitur 4-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./CNA

“Aeroplani fluturoi 10 minuta pa pilot” – zbulohen detaje të një raporti rreth një fluturimi të Lufthansa-s, në shkurt të vitit të kaluar

Në shkurt të vitit 2024, një aeroplan i Lufthansa-s fluturoi mbi Spanjë pa kontroll për dhjetë minuta. Kapiteni ishte në tualet, bashkëpilotit të tij i ra të fikët.

Kështu, siç raportojnë mediat gjermane, përcjell Telegrafi, thekson një raport hetimi i cili tani është i disponueshëm.

Sipas tyre, gjatë një fluturimi të Lufthansa-s nga Frankfurti për në Sevilje, bashkëpiloti i një Airbus A321 ra të fikët ndërsa kapiteni ishte në tualet.

Ky është rezultati i një raporti hetimor nga autoriteti spanjoll i hetimit të aksidenteve CIAIAC mbi incidentin e rëndë që ndodhi më 17 shkurt 2024.

Sipas raportit, aeroplani fluturoi për rreth dhjetë minuta pa një pilot kontrollues.

Kur u pyet, Lufthansa thjesht deklaroi se ishte në dijeni të raportit të hetimit.

Përveç kësaj, departamenti i sigurisë së fluturimit të Lufthansa-s kreu gjithashtu hetimin e vet të gjerë.

Megjithatë, kompania nuk i zbuloi rezultatet.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk do të komentojmë përtej raportit të hetimit”, përfundonte deklarata e shkurtër me shkrim.

Siç theksohet më tej, edhe pse bashkëpiloti, i pavetëdijshëm, me sa duket i operoi pa dashje kontrollet, aeroplani ishte në gjendje të vazhdonte fluturimin në mënyrë të qëndrueshme falë autopilotit aktiv.

Zhurma të çuditshme

Gjatë atyre minutave, regjistruesi i zërit regjistroi zhurma të çuditshme në kabinën e pilotit që ishin në përputhje me një emergjencë akute shëndetësore, sipas raportit.

Vetëm rreth dhjetë minuta më vonë kapiteni arriti të hapte derën e sigurisë së kabinës së pilotit duke përdorur një kod emergjence.

Ai kishte përfunduar trajnimin për urgjenca të tilla vetëm një muaj më parë.

Ai u përpoq pa sukses të vendoste kodin normal të hapjes së derës pesë herë, gjë që shkaktoi një zhurmë në kabinën e pilotit.

Një stjuardesë u përpoq gjithashtu të kontaktonte bashkëpilotin duke përdorur telefonin në bord.

Ndërkohë, thuhet më tej, dyert e sigurisë, të projektuara për të parandaluar rrëmbimet e aeroplanëve nuk mund të hapen me forcë.

Më në fund, kapiteni shtypi një kod emergjence që lejonte hapjen e derës pa asnjë ndërhyrje nga kabina e pilotit.

Meqenëse bashkëpiloti ishte i zbehtë, djersiste shumë dhe bënte lëvizje të çuditshme, komandanti vendosi të ulej në Madrid.

Aeroplani u ul mirë atje me 199 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord.

Bashkëpiloti, i cili kishte marrë ndihmën e parë nga një mjek në bord, u dërgua menjëherë në spital.

Raporti tregon se as ekzaminimet e mëparshme mjekësore të 38-vjeçarit dhe as vetë personi nuk kishin ndonjë tregues të një gjendjeje para-ekzistuese.

Pyetja e vjetër e sigurisë u ngrit përsëri

Incidenti ngre pyetjen e vjetër të sigurisë nëse linjat ajrore duhet të rifusin vendosjen e vazhdueshme të dyfishtë të personelit në kabinën e pilotit.

Raporti i bën thirrje Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA) që të inkurajojë operatorët e linjave ajrore të rivlerësojnë udhëzimet përkatëse të sigurisë.

Aty këshillohet që një person i dytë i autorizuar të jetë gjithmonë i pranishëm në kabinën e pilotit nëse njëri prej dy pilotëve duhet ta lërë atë për të shkuar në tualet ose për detyra të tjera. /Telegrafi/

Sulm me thikë në Bielefeld të Gjermanisë, lëndohen të paktën pesë persona – policia në kërkim të sulmuesit

Policia gjermane po kërkon një burrë që sulmoi dhe lëndoi të paktën pesë persona në qytetin perëndimor të Bielefeldit herët të dielën.

Policia tha se tre viktima pësuan lëndime të rënda dhe po trajtohen në spitale të ndryshme, pasi i dyshuari i panjohur sulmoi festuesit para një bari në qendër të qytetit me një objekt të mprehtë dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Më vonë ata thanë se nuk mund të përjashtonin mundësinë që më shumë njerëz të ishin lënduar në sulm, transmeton Telegrafi.

Agjencia gjermane e lajmeve dpa raportoi se festuesit ishin tifozë futbolli nga një ekip lokal, që mbrojtën veten kundër sulmuesit para se ai të largohej.

Klubi i futbollit Arminia Bielefeld i qytetit fitoi ndeshjen të shtunën dhe me të u bë kampion i divizionit të 3-të. Sipas policisë, sulmuesi ndoshta është lënduar në fytyrë.

Policia e Bielefeldit tha në një deklaratë se gjeti disa thika në vendin e sulmit, dhe se ka aktivizuar një linjë telefonike për dëshmitarë duke u kërkuar njerëzve të ngarkojnë video dhe foto të sulmit.

Ata paralajmëruan këdo që e sheh të dyshuarin të mbajë distancë dhe të telefonojë shërbimet e emergjencës, pasi burri mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm. /Telegrafi/

Dollari fiton vlerë

Në tregjet Forex, vlera e dollarit kundrejt një shporte valutash u rrit për të katërtën javë radhazi, falë lehtësimit të tensioneve tregtare pasi dy shtetet më të fuqishme ekonomike botërore arritën një marrëveshje për uljen e përkohshme të tarifave për nëntëdhjetë ditë ndërkohë do të vazhdojnë negociatat tregtare.

Indeksi, i cili mat vlerën e dollarit amerikan kundrejt gjashtë monedhave kryesore botërore, u rrit 0.55 për qind javën e kaluar, në 100.98 pikë. Kursi i euros ra me 0.7 për qind, në 1.1165 dollarë. Monedha amerikane është forcuar edhe ndaj asaj japoneze, me 0.2 për qind, duke arritur në 145.65 jen.

Fundjavën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina arritën një marrëveshje për një ulje të përkohshme të tarifave reciproke gjatë negociatave në Zvicër. Sipas marrëveshjes, Shtet e Bashkuara të Amerikës uli tarifat për importet nga Kina nga 145 në 30 për qind dhe Kina uli tarifat për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 125 në 10 për qind.

Mbështetja për dollarin u dha nga të dhëna të qëndrueshme ekonomike, veçanërisht nga raporti i inflacionit. Në muajin prill, çmimet e konsumit në SHBA nuk u rritën ndjeshëm, pavarësisht vendosjes së tarifave.

Analistët vlerësojnë se Fed do të ulë normat e interesit dy herë këtë vit, me 0.25 pikë përqindje secila, por vetëm në vjeshtë.

Drejtuesit e Fed kanë thënë se vendosja e tarifave mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, ndërsa inflacioni mund të forcohet, ndaj të dhënat e ardhshme ekonomike duhet të priten përpara se të merret një vendim për normat e interesit./Botasot

Gjermania prezanton plan të ri për integrimin e të huajve: Kurse falas gjuhe dhe lehtësim për leje qëndrimi

Qeveria gjermane ka miratuar një paketë të re masash për përmirësimin e integrimit të të huajve që jetojnë në vend. Paketa, e quajtur “Programi i Ri për Integrim 2025”, përfshin:

  • Kurse falas të gjuhës gjermane deri në nivelin B2 për emigrantët që kanë më pak se 5 vite në Gjermani;
  • Pikë bonus për ata që ndjekin kurse ose punojnë në sektorë me mungesë fuqie punëtore, që do të ndihmojnë në përshpejtimin e procedurave për leje qëndrimi dhe nënshtetësi;
  • Qendra të reja të ndihmës ligjore dhe përkthimi në qytetet me përqendrim më të madh emigrantësh;
  • Mbështetje financiare për punëkërkuesit e huaj që ndjekin formim profesional (Ausbildung) në Gjermani.

Ministrja e Brendshme deklaroi se ky plan synon të thyejë barrierat për integrim dhe të ndihmojë emigrantët të bëhen pjesë aktive e shoqërisë gjermane.

Ky vendim u përshëndet nga organizatat për të drejtat e emigrantëve, por pati edhe kritika nga partitë konservatore që kërkojnë më shumë kontroll mbi sistemin e azilit.

Gjermania dhe Britania forcojnë bashkëpunimin ushtarak: Marrëveshje për zhvillimin e armëve të avancuara

Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë njoftuar një marrëveshje të re strategjike për të bashkëpunuar në zhvillimin e armëve moderne, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët ushtarakë. Ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve theksuan se ky bashkëpunim do të rrisë sigurinë evropiane përballë kërcënimeve në rritje dhe do të forcojë kapacitetet e NATO-s.

Në qendër të kësaj marrëveshjeje është zhvillimi i teknologjisë së përbashkët për raketat e gjeneratës së re dhe përmirësimi i sistemit të mbrojtjes ajrore “Arrow 3”, i cili tashmë është porositur edhe nga Gjermania. Po ashtu, do të ketë investime të përbashkëta në inteligjencën artificiale ushtarake dhe sigurinë kibernetike.

Ky hap vjen në një kohë me tensione të larta ndërkombëtare dhe synon të përforcojë pozitat e Evropës në industrinë e mbrojtjes, duke reduktuar varësinë nga furnizues të jashtëm.

Lajm i Mirë për Shqiptarët në Gjermani: Nënshtetësia Gjermane më Shpejt dhe Pa Hequr Dorë nga Shqiptarja

Berlin, Maj 2025 – Shqiptarët që jetojnë në Gjermani tashmë kanë një arsye më shumë për të ndjerë siguri dhe mundësi të reja. Bundestagu gjerman ka miratuar një ligj të ri që lejon mbajtjen e nënshtetësisë së dyfishtë, duke i dhënë fund një prej kufizimeve më të mëdha për emigrantët shqiptarë që kanë dashur të bëhen shtetas gjermanë.

Sipas këtij ligji, qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë për pasaportën gjermane pa qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia shqiptare. Ky ndryshim i rëndësishëm ka hyrë në fuqi dhe pritet të lehtësojë integrimin, por njëkohësisht edhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ndryshimi tjetër pozitiv është shkurtimi i periudhës së qëndrimit të nevojshëm për marrjen e shtetësisë nga 8 në 5 vjet – dhe vetëm 3 vjet për ata që kanë arritur një nivel të lartë integrimi (siç është njohja e mirë e gjuhës dhe pjesëmarrja aktive në jetën sociale dhe ekonomike të vendit).

📢 Çfarë duhet të dini?

  • Aplikimi bëhet pranë zyrës së qytetit ku jetoni (Einbürgerungsamt).
  • Duhet të plotësoni kriteret ligjore për të ardhura, gjuhë, dhe mungesë të rekordeve kriminale.
  • Nuk kërkohet më që të dorëzoni pasaportën shqiptare.

Ky është një hap i madh drejt barazisë dhe një shans për shumë shqiptarë që prej vitesh kontribuojnë në ekonominë dhe jetën sociale të Gjermanisë.

🗨️ A jeni duke planifikuar të aplikoni për nënshtetësinë gjermane? Na tregoni eksperiencën tua

Dështon edhe përpjekja e 17-të për ta konstituuar Kuvendin

Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 17-të. Kryesuesi u propozoi përfaqësuesve partiakë që mbledhjet t’i mbajnë më rrallë, së paku një herë në javë. Por, propozimin e kundërshtuan përfaqësuesit e partive që deri tash kanë qenë në opozitë, sipas të cilëve me të Vetëvendosja tregon se nuk e ka prioritet konstituimin.

Në tentativën e 17-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit, është dhënë propozimi që deputetët të mblidhen më rrallë se çdo 48 orë. Reduktimin e takimeve në një herë në javë, për aq kohë sa zgjat seanca konstituive, e propozoi të shtunën kryesuesi Avni Dehari. Idenë ua dha përfaqësuesve partiakë në konsultën që e ftoi me ta, para se të niste vazhdimi i 17-të i seancës konstituive që ka nisur një muaj më parë.

“Para se të fillojmë me seancën konstituive, e shoh të nevojshme që të vijnë për një konsultim shumë të shkurtër përfaqësuesit e subjekteve politike”, tha kryesuesi.

Dehari nuk e gjeti konsensusin që e kërkoi për ta anashkaluar kërkesën e Rregullores së Kuvendit, sipas së cilës pauza mes vazhdimeve të seancës konstituive nuk mund të jetë më e gjatë se 42 orë.

Vazhdimi i së shtunës nisi me një minutë heshtje, në 26-vjetorin e zhdukjes me dhunë të veprimtarit Ukshin Hoti që ndodhej i burgosur në Serbi.

Pa deputetët e AAK-së që munguan dhe me deputetët e LVV-së që në sallën e Kuvendit u paraqitën me 40 minuta vonesë, Dehari vazhdoi me pikën e rendit të ditës, në të cilën ligjvënësit kanë ngecur që 9 seanca – formimin e Komisionit për ta menaxhuar votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Ai kërkoi propozime nga subjektet politike që në tentimet paraprake nuk kanë dhënë emrat për anëtarë të komisionit. Njëjtë si herëve të tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë.

Në votim, 56 votat që ishin për nuk qenë të mjaftueshme për formimin e Komisionit me anëtarët e propozuar më herët, dhe seanca u ndërpre. Pas kësaj, 99 deputetët që u mblodhën në vikend me qëllimin për konstituim të legjislaturës së re, u kthyen prapa pa bërë gjë.

Idenë që vazhdimet e seancës të mbahen më rrallë, përfaqësuesit e partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e cilësuan shkelje dhe mesazh që partia fituese nuk do zgjidhje.

“Është krejtësisht e papranueshme që të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Interpretim të njëjtë i dha edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”, ka thënë Bajrami.

Por, deputetja e koalicionit fitues, LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimi u bë si pasojë e mungesës së rezultateve nga vazhdimet që janë mbajtur çdo të dytën ditë.

“Në rast se janë të barrikaduar në ato pozicione dhe nuk e ndiejnë peshën e përgjegjësisë për të marrë pjesë në votim as për procedurë, le ta presim interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Se nuk është që po bëjmë ndonjë hair që po vijmë këtu çdo 48 orë, përderisa ata nuk po lëvizin nga pozicioni i tyre i mos votimit”, deklaroi Kusari-Lila.

Në PDK e LDK përsëritën se përgjegjësia për zhbllokim i takon LVV-së, subjekt ky që nuk e ka siguruar shumicën në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi, tha se problemin nuk e kanë vetëm me emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryeparlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës, përveç zonjës Haxhiu nuk do të votojë për asnjë propozim që mund të vijë si zëvendësim i saj e që është ish ministër i qeverisë Kurti II”, ka thënë ai.

E, ngërçi në Kuvend është produkt i kalkulimit të partive për zgjedhjet lokale të cilat mbahen kah fundi i këtij viti, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.

I ftuar në “Specialen” e KTV-së për vazhdimin e 17-të të seancës konstituive, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mund të kalkulojë që me lokalet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.

“Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk ka asgjë me urgjencë dhe është e interesuar të vazhdojë kësisoj për faktin që i ka levat e pushtetit në dorë dhe nuk i ngutet asgjë, kurse opozita është e fokusuar tashmë në zgjedhjet lokale dhe ka filluar përgatitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe siç po shihet jemi në një skenar ku praktikisht Lëvizja Vetëvendosje do ta zvarrisë situatën për aq sa është e mundur dhe kësisoj kur të vijmë te zgjedhjet lokale mund të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, historia ka treguar se në mungesë të vullnetit politik për të dalë nga bllokada, presioni ndërkombëtar për zgjidhje ka qenë shpesh faktor vendimtar.

“Po të na liheshin neve nuk do të dinim dhe nuk do të donim t’i bënim, siç po ndodh aktualisht. Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës po duket sikurse sokaku i të marrëve në romanin e Kadaresë ku njerëzit që kalojnë andej janë vërtet të marrë dhe kuvendin e kanë shndërruar në të tillë, ku nuk ka asnjë zgjidhje politike për zhbllokim të situatës”, ka thënë ai.

Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E në këtë gjykatë, ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja.

Pavarësisht procedurës në gjykatë, seanca do të vazhdojë çdo 48 orë. Vazhdimi i radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30./Koha.net