Franca do ndalojë rrjetet sociale nën 15 vjeç

Franca do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë në muajt e ardhshëm. Presidenti Emmanuel Macron, në një intervistë për “France 2”, deklaroi se vendimi vjen pas plagosjes me thikë të pjesëtarit të stafit në një shkollë të mesme të martën në mëngjes

“Sigurisht që mundemi. Jam për ndalimin e mediave sociale për personat nën 15 vjeç. Mund ta bëjmë, sepse të gjitha këto platforma kanë mundësinë, nëpërmjet njohjes së fytyrës ose nëpërmjet kredencialeve, të verifikojnë moshën e dikujt. Nuk mund të presim”, tha Emmanuel Macron, Presidenti i Francës.

Policia mori në pyetje një nxënës 15-vjeçar të martën në lidhje me ngjarjen në shkollë. Kryeministri Francois Bayrou është shprehur se incidenti nuk është një rast i izoluar. Edhe më herët Macron ka deklaruar se mediat sociale janë një nga faktorët kryesorë për dhunën midis të rinjve dhe duhet mobilizim nga e gjithë Europa.

Komentet e kreut të Elizesë vijnë mes një vale masash në vende të ndryshme të botës që synojnë të frenojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Greqia, duke ndjekur Francën dhe Spanjën, po bën përpjekje për të kufizuar ndjeshëm kohën që adoleshentët mund të kalojnë në internet. Por në një reagim të fundit, BE thotë se nuk parashikohet një ndalim i plotë i rrjeteve për këtë grupmoshë, por duhet të jenë vendet europiane që përcaktojnë kufizimet.

Australia vitin e kaluar miratoi një ndalim të mediave sociale për personat nën 16 vjeç pas një debati publik, duke vendosur një nga rregulloret më të ashpra që synon kompanitë e mëdha të teknologjisë./Klan News

Arrestimet nga Serbia/ Osmani: Veprime arbitrare e shoviniste si në vitet `90-të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas arrestimit të disa qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit. Osmani i quajti veprime arbitrare e shoviniste si ato në vitet `90-të.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani shprehet se Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj

“Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës.

I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë.

Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.

Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen.

Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”,-shkruan Osmani./CNA

Ministri izraelit i mbrojtjes urdhëron ushtrinë të bllokojë konvojin humanitar nga Afrika e Veriut

“Pres që autoritetet egjiptiane t’i parandalojnë ata të arrijnë kufirin Egjipt-Izrael dhe të mos i lejojnë të kryejnë provokime dhe të përpiqen të hyjnë në Gaza”, ka thënë Israel Katz

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë e tij të parandalojë hyrjen e konvojit humanitar nga Afrika e Veriut në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga zyra e tij thuhet se Katz ka udhëzuar ushtrinë të bllokojë hyrjen e atyre që ai i përshkroi si “protestues xhihadistë” që të hyjnë në Gaza nga Egjipti.

“Pres që autoritetet egjiptiane t’i parandalojnë ata të arrijnë kufirin Egjipt-Izrael dhe të mos i lejojnë të kryejnë provokime dhe të përpiqen të hyjnë në Gaza”, shtoi ai.

I përbërë nga 12 autobusë dhe 100 makina private, konvoji me më shumë se 1.000 aktivistë nga vendet e Afrikës së Veriut u nis nga Tunizia të hënën. Ai pritet të arrijë në Egjipt të enjten përpara se të arrijë në pikën kufitare Rafah pranë Gazës./aa.com

Tragjedia me 11 vdekje në Austri, mediat e huaja publikojnë fotot e autorit

Mediat austriake kanë publikuar fotot e 21-vjeçarit austriak, ​​i cili vrau 10 persona (nëntë nxënës dhe një mësues) përpara se të kryente vetëvrasje gjatë sulmit të tij në një shkollë në Graz të Austrisë.

Në njërën, ai shfaqet i vetëm, ndërsa në një tjetër mban një mace të vogël.

Ndërkohë, autoritetet austriake po e hetojnë akoma sulmin nga 21-vjeçari, i cili jetonte me nënën e tij beqare, në Kalsdorf pranë Grazit. Babai i tij është armen.

Sipas informacioneve nga Kronen, në shënimin e vetëvrasjes të gjetur në dhomën e tij, i riu dyshohet se përshkroi se kishte dështuar në mësime dhe po kërkonte të fajësonte dikë. Mediat e huaja raportojnë se ai kishte ngleur në të njëjtën klasë disa herë.

Në një video lamtumire që ai e regjistroi në telefonin e tij celular dhe ia dërgoi nënës së tij pak para sulmit, ai i kërkon asaj ta falë “për atë që do të bëjë”. Ai gjithashtu falënderon nënën e tij për kujdesin që mori prej saj.

Autoritetet, thonë se nëna e autorit të krimit e hapi videon 24 minuta pasi e mori atë, kur sulmi kishte ndodhur tashmë dhe djali i saj i kishte dhënë fund jetës.

Ai la gjithashtu një letër ku akuzonte shkollën për bullizëm ndaj tij dhe u kërkonte atyre të kujdeseshin për macen e tij, me të cilën ai pozon në foton e publikuar nga mediat./TopChannel