
Franca do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë në muajt e ardhshëm. Presidenti Emmanuel Macron, në një intervistë për “France 2”, deklaroi se vendimi vjen pas plagosjes me thikë të pjesëtarit të stafit në një shkollë të mesme të martën në mëngjes
“Sigurisht që mundemi. Jam për ndalimin e mediave sociale për personat nën 15 vjeç. Mund ta bëjmë, sepse të gjitha këto platforma kanë mundësinë, nëpërmjet njohjes së fytyrës ose nëpërmjet kredencialeve, të verifikojnë moshën e dikujt. Nuk mund të presim”, tha Emmanuel Macron, Presidenti i Francës.
Policia mori në pyetje një nxënës 15-vjeçar të martën në lidhje me ngjarjen në shkollë. Kryeministri Francois Bayrou është shprehur se incidenti nuk është një rast i izoluar. Edhe më herët Macron ka deklaruar se mediat sociale janë një nga faktorët kryesorë për dhunën midis të rinjve dhe duhet mobilizim nga e gjithë Europa.
Komentet e kreut të Elizesë vijnë mes një vale masash në vende të ndryshme të botës që synojnë të frenojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Greqia, duke ndjekur Francën dhe Spanjën, po bën përpjekje për të kufizuar ndjeshëm kohën që adoleshentët mund të kalojnë në internet. Por në një reagim të fundit, BE thotë se nuk parashikohet një ndalim i plotë i rrjeteve për këtë grupmoshë, por duhet të jenë vendet europiane që përcaktojnë kufizimet.
Australia vitin e kaluar miratoi një ndalim të mediave sociale për personat nën 16 vjeç pas një debati publik, duke vendosur një nga rregulloret më të ashpra që synon kompanitë e mëdha të teknologjisë./Klan News