Kosovë/ Nga sot partitë mund të dorëzojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Duke filluar nga dita e sotme (më 26 qershor), do të hapet afati për subjektet politike për të aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve garues.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se kjo periudhë do të zgjasë 49 ditë.

“Duke filluar nga 26 qershori dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale”, tha ai.

Sipas KQZ-së, aplikimi do të mundësohet online për subjektet politike dhe mbetet në vullnetin e tyre të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve që duan të marrin pjesë.

“Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, tha Elezi për Rtk./Syri.net

Shefi i CIA-s: Objektet bërthamore të Iranit ‘të dëmtuara rëndë’ nga sulmet

Kreu i CIA-s thotë se një “trup i besueshëm inteligjence” tregon se programi bërthamor i Iranit është “dëmtuar rëndë” nga sulmet e fundit.

“Kjo përfshin inteligjencë të re nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë se disa objekte kryesore bërthamore iraniane u shkatërruan dhe do të duhej të rindërtoheshin gjatë viteve”, shtoi John Ratcliffe në një deklaratë për X.

Një raport i hershëm i inteligjencës amerikane u zbulua dje që sugjeronte se sulmet amerikane nuk shkatërruan komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit, dhe e shtynë atë vetëm për disa muaj prapa.

Donald Trump e kundërshtoi raportin sot, duke theksuar se SHBA-të i kanë “zhdukur” vendet dhe e kanë shtyrë programin “dekada prapa”.

Sekretari i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pretendoi se kishte një “motiv politik” pas rrjedhjes së informacionit./Ina

Sot i nxehti ekstrem, temperaturat deri 40 gradë

Maqedonia po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, ndërsa temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të arrijnë deri në 41°C.

Sipas njoftimit të meteorologëve, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të lehta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut, ndërsa pasdite parashikohen kushte për paraqitje të izoluar të motit jostabil.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 20°C, ndërsa maksimalet nga 33 deri në 41°C.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të jetë rreth 20°C, kurse ajo maksimale do të arrijë 41°C.

Parashikimi për ditët në vijim:

E premte: Moti mbetet shumë i nxehtë. Temperaturat do të jenë mbi 30°C në të gjithë vendin, ndërsa në disa rajone do të kalojnë 40°C.

Indeksi UV do të jetë 9, çka përfaqëson rrezikshmëri të lartë për lëkurën.

Pasdite dhe në mbrëmje: Parashikohen reshje lokale me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe mundësi për stuhi të shoqëruara me erë të fuqishme dhe breshër.

Fundjava: Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie prej 5-7 gradësh krahasuar me ditën e premte.

Kujdes! Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 17:00), të konsumojnë shumë lëngje dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.(INA)

Fundi i luftës në Gaza? Hamasi: Po intensifikohen përpjekjet për armëpushim me Izraelin!

Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë shtuar përpjekjet për të arritur një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, megjithatë bisedimet me Izraelin vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

Deklaratat vijnë ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu optimizëm për progres në negociata.

“Mendoj se po bëhet përparim i madh në Gaza”, tha ai nga Brukseli të mërkurën, duke shtuar se dërguari i tij Steve Witkoff besonte se “Gaza është shumë afër” një marrëveshjeje.

Ndërkohë, situata në terren është përkeqësuar. Sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë të paktën 45 palestinezë të mërkurën, sipas ministrisë së shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi, përfshirë edhe njerëz që po prisnin ndihma humanitare. Në të njëjtën kohë, shtatë ushtarë izraelitë u vranë në një sulm të Hamasit në Khan Younis.

Negociatat për armëpushim janë ngecur që nga fundi i majit, kur Hamasi refuzoi një propozim amerikan për një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve të gjallë dhe atyre të vdekur. Aktualisht, 50 pengje izraelite mbahen ende në Gaza, nga të cilët të paktën 20 besohet të jenë gjallë.

Izraeli ka rifilluar ofensivën ushtarake në Gaza dhe ka vendosur një bllokadë të plotë të ndihmës humanitare që nga marsi, duke e lehtësuar atë vetëm pjesërisht pas presionit ndërkombëtar. Në përpjekje për të shmangur abuzimin me ndihmat, Izraeli dhe SHBA kanë krijuar një sistem të ri shpërndarjeje përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), duke anashkaluar OKB-në.

Nga 26 maji e deri më sot, mbi 549 palestinezë janë vrarë dhe 4,000 janë plagosur gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma. Të mërkurën, në Gazën qendrore dhe jugore u raportuan të paktën 14 vdekje si pasojë e zjarrit izraelit dhe sulmeve ajrore. Në qytetin e Gazës, u mbajtën funeralet për disa nga 33 viktimat e një dite të mëparshme./Ballkanweb