Ushtarët gjermanë do të qëndrojnë edhe një vit në Kosovë

Në një debat prej gjysmë ore, deputetë gjermanë nga parti të ndryshme sollën argumente pro dhe kundër zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë.

Gjermania nuk largohet nga Kosova – të paktën jo këtë vit. Të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-itdo të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit.

Çfarë thanë deputetetët në Bundestag? 

„E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk duhet reduktuar vetëm në çështje sigurie“, tha deputati konservator Johannes Volkmann (CDU/CSU) i cili merrte fjalën për herë të parë në parlament. Volkmann, nipi i kancelarit të njohur gjerman Helmut Kohl, i cili në vitin 1990 udhëhoqi ribashkimin historik të Gjermanisë, kërkoi një qasje më të guximshme ndaj Kosovës: „Si mund të ndihen brezat e rinj në Kosovë kur ende nuk është realizuar premtimi për integrim në BE që u dha në Selanik në vitin 2003?“ Ai i bëri thirrje BE-së që më në fund ta njohë Kosovën plotësisht dhe ta pranojë në Këshillin e Evropës.

Stefan Keuter, përfaqësuesi i së djathtë së skajme AfD, partia më e madhe opozitare në Bundestag, hodhi poshtë të gjithë logjikën e misionit në Kosovë. „Ky nuk është konflikti ynë. Ky mision nuk ka sjellë asgjë konkrete (..) Me ato para mund të ushqenim fëmijë të uritur në Jemen ose Sudan.“

Një tjetër zë kritik erdhi nga E Majta, ku deputetja Gökay Akbulut e quajti misionin e KFOR-it një „zgjidhje të ngrirë ushtarake pa perspektivë“. „Kosova është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Nuk kemi nevojë për më shumë trupa, por për shkolla, spitale dhe vende pune.“

Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbrojtën vendimin për zgjatjen e mandatit:

„Ushtarët tanë ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike“, tha ministrja Nancy Faeser (SPD), ndërsa Niklas Wagner (Të Gjelbrit) e quajti KFOR-in „spirancë stabiliteti“, dhe paralajmëroi: „Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësi – ndryshe vakuumin do ta mbushin aktorë autoritarë.“

Çfarë roli kanë ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it

Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen sërish në Kosovë. Detyra e tyre? Të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, në rendin publik dhe në përpjekjet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe multietnik. Gjermania shpreh qartë edhe mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike – si përgatitje për integrimin në NATO dhe BE.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ishte një nga kontribueset më të mëdha në misionin KFOR, me deri në 6 000 ushtarë të dislokuar në Kosovë. Prania u ruajt në nivele të larta deri në vitin 2004, kur pas trazirave ndëretnike u përforcua sërish me 600 trupa shtesë.

Nga viti 2011 nisi një ulje graduale, duke zbritur në më pak se 1 000 ushtarë dhe duke e mbyllur bazën ushtarake në Prizren më 2018.

Në fund të vitit 2022, Gjermania kishte vetëm rreth 80 ushtarë në terren. Por me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimin e kontingjentit austriak, Berlini reagoi: në prill 2024 u dërgua një kompani shtesë dhe sot Bundestagu ka mandatuar deri në 400 trupa – një rikthim simbolik i vëmendjes ndaj sigurisë në rajon.
Misioni ushtarak në Kosovë i kushton  Gjermanisë 38.9 milionë euro./DW.com

Strehim gati falas: Lindja gjermane kundër shpopullimit

Popullsia në Gjermaninë lindore po tkurret. Projektet e strehimit me çmime të përballueshme synojnë të tërheqin njerëzit përsëri në rajon.

“Nuk ke problem të gjesh një banesë të përballueshme në çmim. Nuk ke bllokime trafiku dhe as orë të pikut të trafikut. Dhe nuk kam pasur kurrë vështirësi në gjetjen e një vendi parkimi”, thotë Anika Franze, duke buzëqeshur nga pas tavolinës së saj në qendër të qytetit të vogël Guben në kufirin lindor të Gjermanisë me Poloninë.

38-vjeçarja lindi në Berlinin Lindor, dikur Republika Demokratike Gjermane, dhe jetoi në të njëjtin lagje për pjesën më të madhe të jetës së saj para edhe pas rënies së Murit të Berlinit. Por për shkak të ritmit të ngjeshur dhe situatës së çmimeve të banimit në kryeqytet, ajo kishte kohë që mendonte të largohej.

Gjatë një udhëtimi nëpër Brandenburg,  ajo dëgjoi në radio për një program “Banim me provë” në Guben. Palëve të interesuara u jepet mundësinë të jetojnë aty deri në një muaj për vetëm 100 euro në javë. Synimi: të inkurajohen njerëzit të vendosen në qytet dhe kështu të sfidojnë rënien në rritje të popullsisë në Gjermaninë lindore.

Aplikime edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili

Anika Franze ka jetuar në Guben për tetë muaj, dhe tani drejton projektin që e solli në qytet. Ajo jeton në një apartament me dy kate prej 100 metrash katrorë, të marrë me qira për të njëjtin çmim që do të paguante për një dhomë në një apartament të përbashkët në Berlin.

“Është gjithmonë qetësi këtu, nuk ka as zhurma, ka më pak mbeturina në rrugë dhe gjithmonë takon njerëz që njeh”, shpjegon ajo në një tur të shkurtër në qytet. Vitin e kaluar, 30 persona morën pjesë në programin në Guben, gjashtë prej të cilëve më vonë u zhvendosën atje përgjithmonë. Këtë vit, kanë mbërritur 40 aplikime  tashmë në tavolinën e Franzes: nga e gjithë Gjermania, Belgjika, madje edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili.

Popullsia në Gjermaninë Lindore është përgjysmuar në 30 vjet

Guben, i famshëm për industritë e tekstilit dhe prodhimit të kapeleve para ribashkimit, është vetëm një nga qindra qytete industriale në Gjermaninë lindore që përjetoi ndryshime të mëdha demografike pas ribashkimit gjerman në vitin 1990. Rënia e lindjeve, migrimi i të rinjve, veçanërisht, në landet perëndimore dhe rritja e jetëgjatësisë e kanë përshpejtuar plakjen demografike.

“Na mungon një brez i tërë”, u shpreh kryetari i bashkisë, Fred Mahro, për gazetën berlineze “taz”. Vërtetë, Gubeni aktualisht ka 16,600 banorë, kurse 30 vjet më parë, kishte pothuajse dyfish më shumë. Vlerësimet parashikojnë se popullsia do të vazhdojë të bjerë në vitet e ardhshme, ashtu si edhe numri i njerëzve në moshë pune,  ndërsa mosha mesatare, aktualisht 58 vjeç, do të vazhdojë të rritet.

“Nga një perspektivë ekonomike, ne duhet të sigurohemi që lokalitetet të mbeten tërheqëse dhe që të krijohen stimuj për kompanitë që të vendosen aty, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq, për shembull, për një kulturë mikpritëse dhe bashkëjetesë shoqërore”, u shpreh për DW Susanne Schultz, një eksperte për politikën e migracionit në Fondacionin Bertelsmann.

Një sipërmarrje jo e lehtë, pasi një në katër emigrantë mendon të largohet nga Gjermania, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Instituti për Kërkime në Punësim, IAB. “Pakënaqësia me politikën ishte një nga arsyet kryesore dhe mendoj se kjo ka shumë të bëjë me zhvillimet e fundit këtë një vit e gjysmë, atmosfera në Gjermani ka ndryshuar vërtet”, thotë Schultz.

Gjermania Lindore ka imazhin e një bastioni të krahut të djathtë

Në luftën për të tërhequr banorë të rinj, landet lindore të Gjermanisë po luftojnë kryesisht me reputacionin e tyre si vatra për ekstremizmine krahut të djathtë. Guben bëri bujë edhe në vitin 1999 kur azilkërkuesi algjerian Farid Guendoul vdiq nga gjakderdhja pasi u ndoq nga neonazistët.

Në zgjedhjet federale në shkurt të vitit 2025, pothuajse 39 përqind e banorëve votuan për Alternativën për Gjermaninë  (AfD), të cilën Zyra e Brandenburgut për Mbrojtjen e Kushtetutës e kishte klasifikuar së fundmi si ekstremiste të krahut të djathtë.  “Njerëzit kanë paragjykimet dhe klishetë e tyre, por nga përvoja ime, prapë mund të lidhesh me ta. Ata mund të kenë nevojë vetëm për pak kohë, sepse nuk janë mësuar me kaq shumë diversitet”, shpjegon Anika Franze. Ajo është gjithashtu e zhgënjyer sepse ka shumë fokus te AfD, pasi më shumë se 60 përqind e njerëzve votuan për partitë e moderuara.

Për momentin, Anika Franze shijon një jetë që është më e qetë se në kryeqytetin gjerman. Tani ia ka dalë të përmbush edhe një ëndërr fëmijërie: të mësojë kalërimin. “Nuk e di nëse dua të plakem këtu, por gjithashtu nuk e di nëse do ta bëja këtë në Berlin.”/DW.com

Gjermania në borxhe rekorde

Qeveria gjermane parashikon të shpenzojë rreth 850 miliardë euro kredi të reja deri në vitin 2029. Ana negative e programit të investimeve është barra në rritje e interesit në buxhet.

Rrugë të vjetëruara, ura që kanë nevojë për rivitalizim, ndërtime shkollash, trena të vonuar, mungesa e internetit të shpejtë – këto janë vetëm disa nga problemet e përditshme në Gjermani.  Por kjo duhet të ndryshojë së shpejti. “Ne duam që ekskavatorët të fillojnë të punojnë shpejt tani,” tha ministri i Financave Lars Klingbeil ndërsa prezantoi planet e tij për buxhetin në Berlin.

Të martën (24 qershor), zyra e qeverisë miratoi projektbuxhetin për vitin 2025, kornizën e buxhetit për vitin 2026 dhe parashikimin e përafërt financiar deri në vitin 2029. Qeveria miratoi edhe një projektligj që do të krijojë një fond të posaçëm për infrastrukturën dhe klimën, të financuar përmes huamarrjes.

Një kthesë në politikën financiare

Investimet në infrastrukturë do të luajnë një rol kyç në të ardhmen. Vetëm këtë vit, buxheti ka caktuar 115 miliardë euro investime. “Vendi ynë është shkatërruar dhe është lënë pas dore shumë. Prapambetja e investimeve është e madhe,” tha Klingbeil, i cili është gjithashtu zv.kancelar dhe kreu i SPD.

Rehabilitimi i infrastrukturës duhet të ndihmojë gjithashtu në nxitjen e një ekonomie që po tregon shenja dobësie. Përveç kësaj, është planifikuar një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për mbrojtjen.

Plani financiar i qeverisë së re shënon një kthesë në politikën fiskale gjermane. Në nëntor 2024, qeveria e mëparshme ra për shkak të një konflikti mbi financimin e buxhetit.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në shkurt 2025 dhe tani në pushtet janë kristiandemokratët dhe socialdemokratët. Problemi i arkës së zbrazët të shtetit do të zgjidhet duke marrë hua në një shkallë të paparë. Edhe para se të merrnin pushtetin, partnerët e koalicionit, me pëlqimin e të Gjelbërve, miratuan një paketë të madhe financiare për vitet e ardhshme – 500 miliardë euro për investime në infrastrukturën e lënë pas dore. Praktikisht nuk ka asnjë limit huamarrjeje për armatosjen e Bundeswehrit dhe rritjen e aftësive mbrojtëse të Gjermanisë.

Qindra miliarda investime

Planet e Klingbeil rreth 50 ditë pas marrjes së pushtetit tregojnë se çfarë do të thotë kjo. Shpenzimet buxhetore të këtij viti janë planifikuar të jenë 503 miliardë euro, nga të cilat rreth 143 miliardë do të financohen përmes kredive.

Në vitet e ardhshme, borxhi do të rritet dhe në total duhet të arrijë në 847 miliardë euro. Këto janë vlera rekord të paprecedentë, por zëvendëskancelari i ka mbrojtur me forcë planet e tilla. Gjermania ka një borxh prej 63 për qind të PBB-së së saj, që është dukshëm më i ulët se vendet e tjera, borxhi i të cilave ndonjëherë është më i lartë se 100 për qind.

Kritika ndaj “frenit të borxhit”

Asgjë nuk është më e shtrenjtë se ngecja ekonomike e viteve të fundit, thekson Klingbeil. “Ndryshe prej disa paraardhësve të mi, unë nuk kam ndonjë motivim të veçantë për të ruajtur paratë dhe për të mos i shpenzuar ato, nëse shoh se asgjë nuk po përparon në vend”, kritikon ai këmbënguljen e ministrave të mëparshëm të Financave për ekuilibrin fiskal.

Ky ekuilibër është i futur edhe në Kushtetutë dhe në fakt përcakton që shteti mund të shpenzojë vetëm aq para sa mbledh. Për të përjashtuar programin e investimeve dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga e ashtuquajtura “freni i borxhit”, ishte e nevojshme të ndryshohej Kushtetuta.

10% e buxhetit për interesa

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord të investojnë pesë për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje në afat të mesëm, nga të cilat 3.5 për qind në shpenzime tradicionale ushtarake. Klingbeil dëshiron ta arrijë këtë synim sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas planit të tij, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë gradualisht do të dyfishohet deri në vitin 2029 – në 152.8 miliardë euro. Kjo do të ishte 3.5 përqind. Klingbeil thotë se Gjermania duhet të jetë “e përgatitur në fushat e parandalimit dhe mbrojtjes”.

Ana negative e huamarrjes është rritja e kostove të interesit. Ministria e Financave vlerëson se barra e interesit në vitin 2029 do të arrijë në pothuajse 62 miliardë euro.

Kjo është dyfishi i parashikimit për vitin 2025. Sipas planit financiar të qeverisë, dhjetë për qind e buxhetit duhet të ndahet për interesin deri në vitin 2029.

Ku mund të bëhen kursime?

Vetëm kostot e interesit janë arsye e mjaftueshme për të marrë në konsideratë masat e kursimit në buxhetin e rregullt në vitet e ardhshme. Konsolidimi është, sipas Klingbeil, një pjesë e fortë e planit të tij. Përveç kësaj, 100 miliardë euro në fonde speciale për Bundeswehrin, të cilat u ndanë në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, do të shpenzohen deri në vitin 2027.

Pjesa e shpenzimeve të mbrojtjes në buxhetin e rregullt do të rritet ndjeshëm, duke lënë pak hapësirë ​​për shpenzime të tjera. E Majta, e cila është në opozitë në Bundestag, ka qenë kritike e ashpër për këtë. Sipas tyre, qytetarët nuk kanë nevojë për “tanke, por për kopshte funksionale, autobusë dhe një tranzicion të përballueshëm energjetik”.

Më pak para për mbrojtje sociale dhe mbrojtje të klimës?

Kritika po vijnë edhe nga shoqatat sociale. Organizata bamirëse e kishës protestante Diakonie beson se “investimet në infrastrukturën sociale dhe sigurimet shoqërore” janë shumë modeste. Siguria e brendshme dhe e jashtme përfshin gjithashtu “luftën kundër varfërisë, mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë, kujdesin për të moshuarit dhe të sëmurët, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, integrimin e refugjatëve, si dhe mbrojtjen e klimës me drejtësi sociale”, thekson organizata humanitare ungjillore.

Të Gjelbrit, të cilët janë në opozitë në Bundestag, janë veçanërisht të shqetësuar që 100 miliardë eurot e destinuara për masat klimatike do të përdoren edhe për të financuar uljen e çmimeve të energjisë. Të Gjelbrit besojnë se mbrojtja e klimës po reduktohet në një artikull margjinal në buxhet.

Projektbuxheti për vitin 2025 shkon në Bundestag, ku së pari diskutohet në komisione dhe në një seancë plenare para pushimeve të verës, e ndoshta do të ndryshohen disa pika. Miratimi prite në shtator. Parlamenti në Gjermani ka autoritetin suprem mbi buxhetin.

Ndërkohë, ministri i Financave Lars Klingbeil po punon në një draft për vitin 2026, të cilin planifikon t’ia paraqesë kabinetit më 30 korrik. Duke filluar nga shtatori, ky buxhet do të jetë gjithashtu objekt debati në Bundestag, dhe do të miratohet deri në fund të nëntorit./DW.com

Vala e nxehtësisë, Ballkani përballet me thatësirë të madhe dhe kufizime të ujit

Ballkani Perëndimor po përballet me një thatësirë të madhe si pasojë e një vale të nxehtësisë që e ka goditur rajonin, duke shkaktuar pengesa në jetën e përditshme dhe duke krijuar telashe në bujqësi dhe energji.

Temperaturat të enjten në Kosovë arritën 35 gradë celsius, dhe Ministria e Shëndetësisë lëshoi një rekomandim me masa mbrojtëse për punëtorët dhe grupet e ndjeshme të popullsisë kundër temperaturatve të larta, për periudhën 3 deri 10 korrik.

Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg diellit të drejtpërdrejtë dhe paralajmëroi fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje, të qëndrojnë në shtëpi.

Mungesa e ujit bëri që të mbyllet pishina në natyrë e kryeqytetit Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t’u freskuar gjatë nxehtësisë së verës.

Pishina e Germisë, në periferi të qytetit, u ndërtua në fund të viteve ‘80 si një destinacion rekreativ dhe konsiderohet njëra prej pishinave më të mëdha në kontinent.

Në këtë kohë vitin e kaluar, pishina e Germisë kishte midis 4.000 dhe 5.000 vizitorë në ditë.

Parku Germia, i njohur për bukurinë natyrore dhe mundësitë rekreative, ndodhet mes kodrave dhe maleve që furnizojnë me ujë pishinën. Por, këtë vit, stafi i pishinës nuk ia doli t’i sigurojë 20.000 metra kub ujë të nevojshëm.

Në vitet e kaluara, pishina mbushej brenda gjashtë ditëve, por këtë vit do të nevojiten më shumë se tri javë për shkak të thatësirës, tha menaxheri Bardh Krasniqi.

“Për shkak të valës së fortë të nxehtësisë që po ndikon tani në vend dhe rajon, fatkeqësisht nuk kemi mundur ta hapim pishinën më të madhe në vend”, tha Krasniqi për Associated Press.

Në Shqipërinë qendrore, temperaturat të enjten arritën në 40 gradë celsius dhe meteorologët paralajmëruan se reshjet e shiut do të jenë të rralla deri në shtator.

Lumenjtë pothuajse janë tharë për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.

Temperaturat e larta kanë detyruar autoritetet shqiptare t’i ndihmojnë bujqit me rrjete për vaditje. Një projekt për marrjen e ujit nga lumi Mat në veri për të ndihmuar në vaditjen e rreth 4.000 hektarëve tokë bujqësore në zonë, përfundoi të martën.

Kjo gjendje ka ndikuar keq edhe në prodhimin e rrymës në Shqipëri, e cila kryesisht prodhohet nga stacionet hidroelektrike në veri të vendit. Korporata Kombëtare e Energjisë shpenzoi deri në 60 milionë euro për të importuar rrymë në gjysmën e parë të këtij viti.

Instituti Shtetëror Meteorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se “thatësira ekstreme” po ndikon në kulturat bujqësore të vendit, ndërsa nivelet e ujit në lumenj dhe liqene janë ulur.

Qytetet e vogla dhe fshatrat në Serbi përballen gjithashtu me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.

Gjatë valës së nxehtësisë së javës së kaluar në Evropë, temperaturat e larta arritën deri në 46.6 C në Mora, Portugali. Zjarret në natyrë janë të shpeshta në rajon gjatë verave të nxehta dhe të thata./REL

Mijëra njerëz evakuohen si pasojë e përhapjes së madhe të zjarreve në ishullin Kretë të Greqisë

Përhapja e madhe e zjarreve si pasojë e erërave të forta në ishullin jugor grek, Kretë, i ka detyruar mijëra banorë dhe turistë të evakuohen, thanë zyrtarët të enjten.

Moti i nxehtë dhe i thatë në Greqi – që nuk është i pazakontë për këtë periudhë të vitit – e ka rritur rrezikun e përsëritjes së zjarreve verore që goditën vendin në vitet e fundit.

Në Kretë, rreth 5.000 njerëz janë evakuuar për shkak të zjarreve që shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës, tha të enjten presidenti i Shoqatës Rajonale të Hoteleve për AFP.

Yorgos Tzarakis tha se rreth 3.000 turistë dhe 2.000 banorë janë larguar, kryesisht gjatë natës, si “masë paraprake” nga zonat pranë qytetit turistik të Ierapetras në Kretë.

Më herët, nënprefekti Yannis Androulakis i tha transmetuesit grek Mega se “evakuimet u kryen në shumë hotele dhe turistët u transferuan në mënyrë të sigurt në një palestër të mbyllur në komunën e Ierapetras”, në juglindje.

Autoritetet vepruan sepse avionët zjarrfikës nuk ia dolën të arrinin zonat e prekura gjatë natës, shtoi ai.

“Momentalisht, ka tri fronte aktive” tha Androulakis. “Për shkak të erërave të forta, zjarri ka përparuar me shpejtësi”.

Rreth 270 zjarrfikës, 10 helikopterë dhe dronë janë dërguar për t’i luftuar zjarret, tha Vassilios Vathrakoyannis, zëdhënës i shërbimit zjarrfikës.

Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po shkaktojnë zjarre më të shpeshta dhe më intensive dhe katastrofa të tjera natyrore. /REL

​Mbi 100 persona humbën jetën nga temperaturat e larta në Spanjë

Të paktën 102 persona kanë vdekur gjatë valës së parë ekstreme të të nxehtit në Spanjë për këtë vit, e cila filloi të shtunën.

Kështu sipas sistemit të monitorimit të vdekshmërisë së përditshme në Spanjë (MoMo), ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të jetë në alarm në 12 nga 17 rajonet e Spanjës, me paralajmërime për temperatura ekstreme dhe stuhi shumë të forta lokale, raporton agjencia shtetërore meteorologjike Amet në faqen e saj të internetit.

Në gjashtë muajt që nga fillimi i vitit, sistemi MoMo ka regjistruar të paktën 380 vdekje në Spanjë që i atribuohen temperaturave të larta.

Në provincat e Andaluzisë, si Cordoba, Sevilla dhe Jaén, në jug të Gadishullit Iberik, ku alarmi është portokalli – për rrezik të konsiderueshëm – temperatura pritet të kalojë 42 gradë Celsius.

Ndërsa i nxehti anormal vazhdon të marrë jetë njerëzish, të paktën 4 në 48 orët e fundit, Amet parashikon kulme mes 38° dhe 39° në rajonin verior të Kastijës dhe Leonit, mbi 40° në rajonin qendror të Kastijës La Mancha dhe në Komunitetin e Madridit.

Vala e të nxehtit, shumë mbi mesataret sezonale dhe në nivele të paprecedenta për muajin qershor, e cila filloi të shtunën e kaluar, vazhdon gjithashtu në komunitetet autonome të Extremadurës, Kantabrisë, La Riojës, Asturiasit dhe Galicisë, në pjesën qendrore-veriore të gadishullit./TV21

Kroacia u rekomandon shtetasve të saj të mos udhëtojnë në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë (MVEP) u ka rekomanduar shtetasve të saj që t’i shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme drejt Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një njoftim të publikuar sot, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve kroatë për “kujdes të shtuar, ndjekje të situatës aktuale dhe informim më të detajuar para udhëtimit, sidomos në dritën e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë”.

“Duke marrë parasysh që shpesh ndodhin bllokime të rastësishme të rrugëve si pasojë e protestave qytetare, është e rëndësishme të kihet parasysh se është e pamundur të parashikohet gjendja në komunikacion dhe vështirësitë eventuale që mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin në të gjithë vendin. Qytetarëve kroatë u rekomandohet veçanërisht t’i shmangin vendet ku grumbullohet numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e MVEP-it.(INA)