Arrestohet një 57-vjeçar në Shkup, dyshohet se i vuri zjarr barit në Gjorçe Petrov

Mbrëmjen e sotme (07.07.2025), zyrtarë policorë nga SPB Shkup arrestuan D. N. (57) nga Shkupi, në territorin e Gjorçe Petrovit, nën dyshimin se rreth orës 21:40 ka shkaktuar zjarr duke ndezur bar të thatë në një lulishte në rrugën “Stevo Crvenkovski” në Gjorçe Petrov.

D. N. është vërejtur nga një qytetar i cili e raportoi rastin në SPB Shkup. Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi autorin e dyshuar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj D. N. do të ngrihet kallëzim përkatës./tetovasot

Si është gjendja në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë?

Me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, krijohen edhe kolona të gjata në pikat kufitare gjatë sezonit veror.

Por, në orët e paradites të së martës, situata paraqitet e qetë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Pritjet për të hyrë në Kosovë, por edhe në dalje të saj, janë të zakonshme 3 deri në 5 minuta./Reporteri.net

Trump i vendos tarifa Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi tarifa prej 35 përqind për importet nga Serbia dhe 30 përqind për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Këto janë tarifa reciproke të vonuara që u njoftuan në prill. Tarifat e reja për Serbinë, si dhe për një numër vendesh të tjera, do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Trump informoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe udhëheqësit e vendeve të tjera, në një letër se SHBA-të do të vendosin tarifa shtesë prej 35 përqind për importet e mallrave nga Serbia nga 1 gushti.

Trump publikoi letrën që i dërgoi Vuçiqit dhe udhëheqësve të vendeve të tjera në rrjetin e tij social Truth Social.

Presidenti i SHBA-së tha se ishte “shumë i nderuar që dërgoi një letër që tregon angazhimin ndaj marrëdhënieve tregtare SHBA-Serbi dhe faktin se SHBA-të kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë me Serbinë, pavarësisht deficitit të konsiderueshëm tregtar midis dy vendeve”, përcjell telegrafi.

Ai tha se nuk do të kishte tarifa nëse Serbia ose kompanitë serbe vendosnin të prodhonin në SHBA, dhe theksoi se tarifat do të rriteshin nëse Beogradi vendoste të hakmerrej duke futur tarifa shtesë për importet nga SHBA-të.

Në fillim të prillit, kur Trump e ngriti për herë të parë këtë çështje, tarifat për importet nga Serbia ishin 37 përqind, por mbrëmë u njoftua se ato do të vazhdonin të ishin 35 përqind.

Ai gjithashtu i dërgoi një letër Zhelko Cvijanoviqit, i cili është kryetar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, se tarifa për importet e mallrave nga Bosnja e Hercegovina do të ishte 30 përqind.

Ndryshe Trump njoftoi tarifa prej 25 përqind për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin, 30 përqind për Afrikën e Jugut, 32 përqind për Indonezinë, 35 përqind për Bangladeshin, 36 përqind për Kamboxhian dhe Tajlandën, dhe 40 përqind për Laosin dhe Mianmarin./Periskopi/

Vdekja e të riut në Lipjan, përse u arrestuan 5 policët?

Në natën e 7 korrikut një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrje nga ana e policisë.

Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroj jetë në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues.

Të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.

“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.

Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.

Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.

“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.

Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit./aktuale.com

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas arrin mbi 100

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në SHBA, të premten e kaluar, kaloi mbi 100.

Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

Ekipet emergjente vazhdojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.

Kampi Mystic – një kamp veror vetëm për vajza – konfirmoi se së paku 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve.

Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.

Në Qarkun Kerr, ku edhe ndodhej kampi, vdiqën së paku 84 persona – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën.

Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, tha policia e qarkut.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.

“Ky ishte një veprim i Zotit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, prapëseprapë, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e vet”, tha ajo.

Pse përmbytjet në Teksas ishin aq shkatërruese?

Ekspertët thonë se janë disa faktorë që kanë kontribuuar në këtë tragjedi, përfshirë: motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive dhe kohën.

Në atmosferë kishte një sasi të madhe lagështie nga një stuhi tropikale, që kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas ishte drejtuar drejt veriut, duke u shuar gradualisht.

Qarku Kerr, ku humbën jetën 84 persona, është një zonë më kodrinore se qarqet e tjera përreth në Teksas.

Kjo bëri që ajri me lagështi të ngrihej lart dhe të krijonte re të mëdha stuhie.

Këto re ishin aq të mëdha saqë u bënë një sistem i veçantë moti, duke shkaktuar reshje të dendura shiu në një zonë të gjerë. /rel