Kancelari Merz: Nëse Ukraina bie, BE-ja do të jetë në shënjestër të Rusisë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se “nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke përshkruar një “ndryshim të madh tektonik” të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit, dhe jo thjesht “luhatje” në marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve.

Ai e përshkroi Gjermaninë si “një rast që kërkon rinovim” duke iu referuar sfidave të brendshme të vendit të tij.

Duke folur në konferencën e Unionit Kristiansocial (CSU) në Mynih, Merz shtoi se epoka e “Pax Americana” ka përfunduar dhe se nostalgjia nuk do t’i ndihmojë gjermanët.

“Amerikanët tani promovojnë interesat e tyre me forcë të madhe, dhe për këtë duhet të bëjmë të njëjtën gjë për interesat tona,” tha ai.

Për sa i përket Ukrainës dhe rëndësisë së mbështetjes së saj të mëtejshme, kancelari theksoi: “Nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke kujtuar se kjo gjendje ka nisur që nga maji i vitit 2014 me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Ai paralajmëroi se nëse Putini do të pushtonte Ukrainën, ai nuk do të ndalej vetëm me kaq, por do të synonte Bashkimin Evropian. Merz nënvizoi katër prioritetet kryesore: mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa nevojitet, kohezion brenda BE-së dhe NATO-s, dhe investime masive në kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë.

Duke iu drejtuar të rinjve gjermanë dhe duke përmendur shërbimin ushtarak, Merz shprehu besimin se ata janë të gatshëm të shërbejnë për atdheun.

“Ky vend ofron shumë mundësi, më shumë se shumica e vendeve të tjera. Por ne duam një kontribut nga ju, që ky vend të udhëhiqet drejt së ardhmes me shpirt lirie,” tha ai, duke theksuar se fillimisht shërbimi do të jetë vullnetar, por mund të ndryshojë nëse do të jetë e nevojshme.Visionplus

Të paktën 87 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në 24-orët e fundit

Të paktën 87 palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në të gjithë territorin e Rripit të Gazës gjatë 24 orëve të fundit, kanë bërë të ditur zyrtarët shëndetësorë lokalë.

Disa zyrtarë shëndetësorë palestinezë kanë thënë gjithashtu për agjencinë e lajmeve Reuters se numri i të vrarëve pranë pikës së shpërndarjes të ndihmave që drejtohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën (FHG) është rritur në 21.

Zyrtarë të fondacionit privat, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, kanë njoftuar se 19 persona u shkelën për vdekje teksa një tjetër u godit me thikë gjatë kaosit në njërën prej qendrave të saj në Khan Younis, në jug të Gazës.

Dëshmitarët okular kanë treguar se rojet në vendngjarje hodhën gaz lotsjellës në drejtim të tyre pasi i kishin mbyllur portat e qendrës, duke e bllokuar popullatën civile mes portave dhe gardhit të jashtëm me tela./Koha.net

Merret peng avioni në Kanada/ Nuk dihen shkaqet, asnjë incident

Një avion i vogël privat u mor peng në Kanada të martën, duke detyruar autoritetet të bllokojnë përkohësisht hapësirën ajrore mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit një prej aeroporteve më të ngarkuara në vend.

Avioni i tipit Cessna 172, që përdoret zakonisht për trajnim të pilotëve, u ngrit në mënyrë të paautorizuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Viktorias, përpara se të fluturonte në drejtim të Vankuverit dhe të fillonte të qarkullonte në mënyrë të parregullt në afërsi të aeroportit.

Sipas komunikimeve të publikuara nga platforma LiveATC.net, një kontrollor ajror njoftoi avionët e tjerë në zonë për situatën emergjente: “Kemi një avion të marrë peng që ndodhet në afërsi të aeroportit. Nëse ndodh ndonjë lëvizje e rrezikshme, ju keni të drejtë të veproni sipas gjykimit tuaj.”

Dëshmitarët në tokë panë avionin duke bërë manovra teksa fluturonte ne nje lartesi te ulet, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror manovruan avionët e tjerë për të shmangur rrezikun. Një Boeing 737 i kompanisë WestJet, që po përgatitej për ulje, u urdhërua të ndërpriste procedurën për shkak se avioni “i rrëmbyer” i kaloi përpara në distancë të rrezikshme.

Pas disa minutash tensioni, avioni u ul i sigurt në aeroportin e Vankuverit, ku u rrethua menjëherë nga policia. Personi përgjegjës për rrëmbimin, i cili ishte vetëm në bord, u arrestua në vendngjarje.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e aeroportit konfirmuan incidentin:

“Një incident sigurie me një avion të vogël privat në hapësirën ajrore pranë YVR shkaktoi një ndalim të përkohshëm të uljeve. Fluturimet hyrëse u pezulluan për 39 minuta dhe nëntë avionë u devijuan drejt aeroporteve të tjera.”

Policia dhe autoritetet kanadeze nuk kanë dhënë ende asnjë informacion mbi identitetin e të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti ndersa hetimet per ngjarjen vijojnë./abcnews.al

Shpëtuan për pak sekonda: Momente paniku, aeroplanët kinezë gati sa nuk u përplasën në hapësirën ajrore të Rusisë

Dy aeroplanë kinezë thuhet se kanë qenë vetëm sekonda larg një përplasjeje në hapësirën ajrore të Rusisë.

Kjo pasi që një aeroplan pasagjerësh i kompanisë Air China ndryshoi lartësinë pa leje, duke sjellë një përqasje të rrezikshme me një aeroplan mallrash, shkruajnë mediat e huaja.

Fluturimi CA967 i Air China, që udhëtonte nga Shanghai për në Milano, papritur u ngjit nga 10,394 metra në 10,973 metra pa udhëzim nga kontrolli ajror rus më 6 korrik, raportoi South China Morning Post.

Ky manovrim e solli atë në një distancë prej rreth 90–120 metrash nga Fluturimi CSS128 i SF Airlines, një aeroplan Boeing 767 mallrash që po fluturonte nga Budapesti drejt Ezhou, në Kinën qendrore.

Protokollet ndërkombëtare të sigurisë në aviacion kërkojnë një distancë vertikale minimale prej 1,000 këmbësh (rreth 305 metra) ndërmjet aeroplanëve në lartësi udhëtimi.

Ngjarja e rrezikshme thuhet se ndodhi mbi Tuva, një rajon malor i largët në Siberinë jugore, pranë kufirit me Mongolinë, dhe u kap nga të dhënat e ndjekjes në kohë reale të Flightradar24.

Ngjitja e paautorizuar aktivizoi alarmet e sistemit për shmangie përplasjesh (TCAS) në të dy aeroplanët, duke detyruar pilotët të kryejnë manovra emergjente.

Regjistrime audio që qarkullojnë në rrjetet sociale kineze tregojnë se kontrollori rus mund të ketë qenë duke menaxhuar katër aeroplanë njëkohësisht dhe mund të ketë dhënë udhëzime të paqarta.

Burimi i këtyre regjistrimeve mbetet i panjohur dhe autenticiteti i tyre nuk është verifikuar.

Air China, SF Airlines dhe autoriteti civil i aviacionit në Kinë nuk kanë dhënë ende komente publike.

Ende nuk është e qartë pse ekuipazhi i Air China ndryshoi lartësinë, por një nga pistat që po hetohet është një keqkuptim i një komande të dhënë për një aeroplan tjetër.

Pas kalimit në një frekuencë private, dy pilotët kinezë folën në gjuhën mandarin.

Kapiteni i SF Airlines shprehu shqetësim për ngjitjen, duke e quajtur atë “shumë të papërshtatshme”, dhe pyeti nëse ishte marrë leje.

Piloti i Air China ia atriboi konfuzionin kontrollorit rus, i cili, sipas tij, kishte bërë “shumë zhurmë” dhe kishte lënë ekuipazhin “të hutuar”. Ai pranoi se do të duhej të dorëzonin një raport zyrtar./Botasot

Bitcoin vendos një rekord të ri historik, arrin vlerën mbi 120 mijë dollarë

Sot, më 14 korrik 2025, kursi i Bitcoin ka kaluar rreth $122,000, duke vendosur një rekord të ri historik.

Rritja vjen në fillim të “Crypto Week” në Kongresin Amerikan, ku po shqyrtohen tre projektligje kyçe që synojnë të krijojnë kornizë rregulluese më të qartë për kriptovalutat.

Çmimi i Bitcoin, kriptomonedha më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, është rritur me gati 27 për qind që nga fillimi i këtij viti./Reporteri.net

Trumpi kërcënon Rusinë me tarifa nëse s’arrin marrëveshje me Ukrainën për ndaljen e luftës

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se do ta ndëshkojë Rusinë me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditëve.

Trump e bëri këtë njoftim gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas tij, tarifat do të jenë dytësore, që nënkupton se synohen Moska dhe partnerët tregtarë të saj, në përpjekje për ta izoluar atë nga ekonomia globale.

“Jemi shumë të palumtur me Rusinë, dhe do të vendosim tarifa shumë të rënda, nëse nuk kemi marrëveshje për 50 ditë, dhe ne i quajmë këto tarifa dytësore, ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, është shprehur Trump.

Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se ka rënë dakord për të dërguar armë në Ukrainë, teksa është krenuar me faktin se, sipas tij, SHBA-ja i prodhon pajisjet ushtarake më të mira në botë.

Këto pajisje do të blihen nga vendet anëtare të NATO-s dhe më pas ato do t’ia dërgojnë si ndihmë ushtarake Ukrainës.

E Rutte e ka përshkruar marrëveshjen e dakorduar me SHBA-në për dërgesat e armatimit si diçka të madhe. Krahas kësaj, e ka kualifikuar si të logjikshëm vendimin që vendet evropiane të paguajnë për këto pajisje.

“Kjo është me të vërtetë e madhe, ju më telefonuat të enjten dhe më treguat se keni marrë vendim, dhe vendimi është që ju dëshironi që Ukraina të jetë e aftë ta mbrojë veten nga Rusia, porse doni që evropianët të paguajnë, që ishte diçka totalisht e logjikshme”, ka deklaruar Rutte.

Po të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar në Kiev me të dërguarin e posaçëm amerikan, Keith Kellogg, ku është diskutuar për mbrojtjen ajrore, prodhimin e përbashkët të armëve, si dhe për sanksionet ndaj Rusisë./Koha.net

Një tërmet me magnitudë 7.0 godet Indonezinë

Një tërmet me magnitudë 7.0 ballë goditi rajonin e Ishujve Tanimbar në Indonezi, njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare (EMSC).

Deri më tani nuk është lëshuar asnjë kërcënim për cunami.

Ishujt Tanimbar janë një grup prej rreth 30 ishujsh të vendosur në Indonezinë lindore, brenda provincës Maluku.

Ato shtrihen në Detin Arafura, midis Timorit në perëndim dhe Guinesë së Re në lindje.

Indonezia, një komb me më shumë se 270 milionë banorë të shpërndarë në një arkipelag, ndodhet përgjatë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit – një zonë me aktivitet të fortë sizmik.

https://platform.twitter.com/embed/Tweet.html?creatorScreenName=gazetazeri&dnt=false&embedId=twitter-widget-0&features=eyJ0ZndfdGltZWxpbmVfbGlzdCI6eyJidWNrZXQiOltdLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X2ZvbGxvd2VyX2NvdW50X3N1bnNldCI6eyJidWNrZXQiOnRydWUsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdHdlZXRfZWRpdF9iYWNrZW5kIjp7ImJ1Y2tldCI6Im9uIiwidmVyc2lvbiI6bnVsbH0sInRmd19yZWZzcmNfc2Vzc2lvbiI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfZm9zbnJfc29mdF9pbnRlcnZlbnRpb25zX2VuYWJsZWQiOnsiYnVja2V0Ijoib24iLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X21peGVkX21lZGlhXzE1ODk3Ijp7ImJ1Y2tldCI6InRyZWF0bWVudCIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfZXhwZXJpbWVudHNfY29va2llX2V4cGlyYXRpb24iOnsiYnVja2V0IjoxMjA5NjAwLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X3Nob3dfYmlyZHdhdGNoX3Bpdm90c19lbmFibGVkIjp7ImJ1Y2tldCI6Im9uIiwidmVyc2lvbiI6bnVsbH0sInRmd19kdXBsaWNhdGVfc2NyaWJlc190b19zZXR0aW5ncyI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdXNlX3Byb2ZpbGVfaW1hZ2Vfc2hhcGVfZW5hYmxlZCI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdmlkZW9faGxzX2R5bmFtaWNfbWFuaWZlc3RzXzE1MDgyIjp7ImJ1Y2tldCI6InRydWVfYml0cmF0ZSIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfbGVnYWN5X3RpbWVsaW5lX3N1bnNldCI6eyJidWNrZXQiOnRydWUsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdHdlZXRfZWRpdF9mcm9udGVuZCI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9fQ%3D%3D&frame=false&hideCard=false&hideThread=false&id=1944637155290030261&lang=en&origin=https%3A%2F%2Fzeri.info%2Fbota%2F584593%2Fnje-termet-me-magnitude-7-0-godet-indonezine%2F&sessionId=60b6aa840f25292110e37ef80dc3450c6d38097a&siteScreenName=gazetazeri&theme=light&widgetsVersion=2615f7e52b7e0%3A1702314776716&width=550px

Vendi është shtëpia e 120 vullkaneve aktive dhe përjeton shpesh tërmete, shpërthime dhe cunami.

Aktualisht nuk ka informacione zyrtare për dëme materiale apo të lënduar. /Telegrafi

Trump i vendos tarifa Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi tarifa prej 35 përqind për importet nga Serbia dhe 30 përqind për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Këto janë tarifa reciproke të vonuara që u njoftuan në prill. Tarifat e reja për Serbinë, si dhe për një numër vendesh të tjera, do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Trump informoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe udhëheqësit e vendeve të tjera, në një letër se SHBA-të do të vendosin tarifa shtesë prej 35 përqind për importet e mallrave nga Serbia nga 1 gushti.

Trump publikoi letrën që i dërgoi Vuçiqit dhe udhëheqësve të vendeve të tjera në rrjetin e tij social Truth Social.

Presidenti i SHBA-së tha se ishte “shumë i nderuar që dërgoi një letër që tregon angazhimin ndaj marrëdhënieve tregtare SHBA-Serbi dhe faktin se SHBA-të kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë me Serbinë, pavarësisht deficitit të konsiderueshëm tregtar midis dy vendeve”, përcjell telegrafi.

Ai tha se nuk do të kishte tarifa nëse Serbia ose kompanitë serbe vendosnin të prodhonin në SHBA, dhe theksoi se tarifat do të rriteshin nëse Beogradi vendoste të hakmerrej duke futur tarifa shtesë për importet nga SHBA-të.

Në fillim të prillit, kur Trump e ngriti për herë të parë këtë çështje, tarifat për importet nga Serbia ishin 37 përqind, por mbrëmë u njoftua se ato do të vazhdonin të ishin 35 përqind.

Ai gjithashtu i dërgoi një letër Zhelko Cvijanoviqit, i cili është kryetar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, se tarifa për importet e mallrave nga Bosnja e Hercegovina do të ishte 30 përqind.

Ndryshe Trump njoftoi tarifa prej 25 përqind për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin, 30 përqind për Afrikën e Jugut, 32 përqind për Indonezinë, 35 përqind për Bangladeshin, 36 përqind për Kamboxhian dhe Tajlandën, dhe 40 përqind për Laosin dhe Mianmarin./Periskopi/

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas arrin mbi 100

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në SHBA, të premten e kaluar, kaloi mbi 100.

Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

Ekipet emergjente vazhdojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.

Kampi Mystic – një kamp veror vetëm për vajza – konfirmoi se së paku 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve.

Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.

Në Qarkun Kerr, ku edhe ndodhej kampi, vdiqën së paku 84 persona – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën.

Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, tha policia e qarkut.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.

“Ky ishte një veprim i Zotit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, prapëseprapë, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e vet”, tha ajo.

Pse përmbytjet në Teksas ishin aq shkatërruese?

Ekspertët thonë se janë disa faktorë që kanë kontribuuar në këtë tragjedi, përfshirë: motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive dhe kohën.

Në atmosferë kishte një sasi të madhe lagështie nga një stuhi tropikale, që kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas ishte drejtuar drejt veriut, duke u shuar gradualisht.

Qarku Kerr, ku humbën jetën 84 persona, është një zonë më kodrinore se qarqet e tjera përreth në Teksas.

Kjo bëri që ajri me lagështi të ngrihej lart dhe të krijonte re të mëdha stuhie.

Këto re ishin aq të mëdha saqë u bënë një sistem i veçantë moti, duke shkaktuar reshje të dendura shiu në një zonë të gjerë. /rel

Trump: Jemi afër marrëveshjes për armëpushim në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se janë afër një marrëveshjeje për Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në një aeroport, Trump shprehu shpresën lidhur me arritjen e një marrëveshje së shpejti në Gaza.

“Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën”, tha Trump duke theksuar vendosmërinë e tij për të arritur armëpushim në Gaza gjatë orëve kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po udhëtonte për në Washington.

Trump bëri vërejtjet e mëposhtme në fjalimin e tij, ku vlerësoi se një armëpushim në Gaza mund të jetë i mundur “këtë javë”.

“Mendoj se ka një shans të mirë të arrijmë marrëveshje me Hamasin për shumë nga pengjet javën e ardhshme. E dini, ne kemi liruar shumicën e pengjeve, por shumë nga pengjet e mbetura do të lirohen. Mendojmë se këtë do ta bëjmë këtë javë”, tha presidenti amerikan.

Duke folur me gazetarët të premten, Trump tha: “Mendojmë se do të arrijmë armëpushim në Gaza brenda javës së ardhshme”. Në të njëjtën ditë, Hamasi dërgoi përgjigjen e tij “pozitive” ndaj propozimit të fundit për armëpushim ndërmjetësve Katarit dhe Egjiptit.

Trump sot pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë në orën 18:00 sipas kohës lokale të SHBA-së, me Netanyahun mbi të cilin ka ushtruar presion për armëpushim në Rripin e Gazës./TOP Lajmet