Një studim i fundit zbulon se ChatGPT dhe modelet e tjera të mëdha gjuhësore të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) kanë aftësinë për vetëorganizim dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje njerëzore. Kur ndodhen në grupe, këto modele gjuhësore krijojnë spontanisht norma sjelljeje dhe konventa shoqërore, ashtu siç ndodh në shoqërinë njerëzore, raportojnë sot mediat italiane.
Ky studim unik, i botuar në revistën Science Advances, është udhëhequr nga shkencëtari italian Andrea Baronchelli, i cili punon në universitetin londinez City, St George’s, sipas agjencisë Ansa.
“Mekanizmi është i njëjtë me atë që qëndron në themel të shumicës së sjelljeve të ndërlikuara njerëzore, si rregullat e mirësjelljes, kodi i veshjes dhe normat morale”, tha ai.
Studiuesit kryen një eksperiment të përshtatur që përdoret edhe për të studiuar konventat sociale tek njerëzit, duke formuar dy grupe modelesh gjuhësore si ChatGPT.
Çdo grup u kërkua të zgjidhte një emër nga disa opsione të ofruara – në këtë eksperiment, një shkronjë e alfabetit ose një varg i rastësishëm karakteresh.
“Modelet gjuhësore, të ashtuquajturat LLM (modele të mëdha gjuhësore), merrnin pikë pozitive sa herë që arrinin të koordinonin me sukses përdorimin e të njëjtit emër, ndërsa në rast të mossuksesit merrnin pikë negative”, sqaroi Baronchelli.
Sipas tij, ky mekanizëm shërben për të motivuar aktorët që të bien dakord përmes ndërveprimit lokal – një skemë e njëjtë me ato të përdorura më parë në eksperimente laboratorike me njerëz, të cilëve u ofroheshin shpërblime të vogla monetare për zgjidhjen me sukses të detyrave./Botasot
Izraeli ka sulmuar Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe grupit Houthi.
Irani ka reaguar për sulmin duke e cilësuar ‘krim lufte’. “Sulmi ndaj infrastrukturës ekonomike dhe objekteve publike të Jemenit, përfshirë portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Al-Salif, nuk është vetëm një shkelje flagrante e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu përbën qartë një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Sipas Al Jazeera, IDF kreu sulme ajrore kundër porteve të Hodeidah dhe Al-Salif në Jemen, në përgjigje të lëshimit të raketave nga rebelët Huthi drejt territorit izraelit, disa ditë pas armëpushimit që ky i fundit përfundoi me SHBA-në.
Ushtria izraelite njoftoi se sulmet e së premtes kishin në shënjestër “infrastrukturën terroriste” dhe akuzoi rebelët Huthi se i përdorin dy portet për të “transportuar armë”.
Sulmet e së premtes ishin të parat që nga një marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Houthit në fillim të këtij muaji, me Uashingtonin që u zotua të ndalonte sulmet e tij në Jemen dhe rebelët që ranë dakord të mos sulmonin korridoret e transportit detar në Detin e Kuq./TopChannel
Të paktën 21 persona raportohet se kanë vdekur pasi tornadot goditën pjesë të dy shteteve të SHBA-së.
Zyrtarëtnë Kentucky thanë se kishte pasur 14 vdekje për shkak të motit të keq, ndërsa 7 persona humbën jetën në Missouri.
Tornadoja në Kentucky goditi Qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, në orët e para të së shtunës. Zyrtarët thanë se prisnin që numri i të vdekurve të rritej.
Zyrtarët e Misurit thanë se 5,000 ndërtesa u dëmtuan, çatitë u shkatërruan dhe linjat e energjisë u rrëzuan nga një tornado që goditi vendin të premten.
Rreth 100,000 prona në St Louis mbetën pa energji elektrike dhe departamenti i zjarrfikësve tha se u kryen kërkime shtëpi më shtëpi në zonat më të prekura.
Autoritetet në Kentucky thanë se pati raportime edhe për lëndime të rënda.
“Kërkimi po vazhdon në zonën e dëmtuar për të mbijetuarit”, tha Sherifi i Qarkut Laurel, John Root, në një postim në mediat sociale.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së tha se tornadot goditën edhe Illinoisin fqinj./vizionplus.tv
Shkëmbimi më i madh i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ndodhë javën e ardhshme.
Të dy vendet ranë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila gjatë negociatave në Turqi dje, bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që nga viti 2022.
Mediat ukrainase raportojnë tani se Kirill Budanov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, po i mbështet shpresat e tij te shkëmbimi që do të ndodhë brenda ditësh.
“Shpresoj që kjo të ndodhë javën tjetër”, shprehet Budanov.
Shkëmbimi ishte i vetmi rezultat thelbësor nga diskutimet e së premtes, të cilat zgjatën më pak se dy orë./TopChannel
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur sërish gatishmëri për t’u ndaluar në Turqi gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, nëse kjo do ta bindte homologun e tij rus, Vladimir Putin, të marrë pjesë në bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kievit dhe Moskës – për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të udhëtojë më 15 maj në Turqi për t’u takuar ballë për ballë me Putinin, pasi ky i fundit bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta – por pa e sqaruar nëse do ta takojë Zelenskyn personalisht.
Megjithatë, kur ka mbetur më pak se një ditë deri te data e caktuar për takimin, Putin ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ndërsa Zelensky ka thënë se do të takohet vetëm me liderin rus, jo me një delegacion zyrtarësh nga Moska.
Mediat ruse kanë raportuar se delegacioni do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.
“Nuk e di nëse ai [Putin] do të jetë atje nëse unë nuk jam”, u tha Trump gazetarëve nga bordi i Air Force One, duke fluturuar nga Arabia Saudite drejt Katarit më 14 maj.
“E di që ai do të donte që unë të isha atje, dhe ka mundësi të ndodhë. Nëse mund ta ndalim luftën, do ta merrja seriozisht këtë”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 14 maj se oferta për bisedime mbetet në fuqi, por se përbërja e delegacionit rus do të bëhet e ditur vetëm pasi Putin “ta japë urdhrin”.
“Delegacioni rus do të presë delegacionin ukrainas në Stamboll”, tha Peskov.
Zelensky ka të planifikuar një takim në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, por ka thënë se, nëse Putin vendos të vijë në Stamboll, ata mund të takohen atje.
Politologia e pavarur ruse, Natalia Shavshukova, i tha televizionit Current Time se motivimi i vërtetë i Putinit është që të takohet drejtpërdrejt me Trumpin, gjë që e bën të mundshme udhëtimin e tij në Turqi.
“Interesi i vetëm i Putinit është një takim i drejtpërdrejtë me Trumpin… Ukraina është bërë një justifikim për këtë takim mes dy liderëve”, tha Shavshukova, duke shtuar se Putin aktualisht nuk duket i interesuar për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, deklaroi se nëse Putin nuk paraqitet më 15 maj në Turqi, kjo do të jetë shenjë se “Moska nuk dëshiron paqe dhe nuk është gati për negociata serioze.”
“Nuk i besojmë Rusisë… Por duam t’i japim fund këtij konflikti dhe jemi të gatshëm të pranojmë çdo format negociatash”, tha Yermak.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tashmë ka mbërritur në Antalia të Turqisë, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të kryesojë një takim joformal të ministrave të jashtëm të aleancës ushtarake.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të jetë gjithashtu në Turqi për këtë takim, së bashku me të dërguarit e lartë amerikanë, Steve Ëitkoff dhe Keith Kellogg, të cilët pritet t’i bashkohen bisedimeve për paqe në Stamboll.
Më herët, më 15 maj, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se Sybiha i kishte kërkuar homologut të tij brazilian, Mauro Vieira, të pyesë Putinin nëse është i gatshëm të arrijë një marrëveshje paqeje.
“Do të përpiqem të flas me Putinin”, tha Lula në një konferencë për media gjatë vizitës në Kinë, duke shtuar se mund të ndalet në Moskë nëse është e nevojshme.
“Nuk më kushton asgjë të them: ‘Hej, shoku Putin, shko në Stamboll dhe negocio’”, tha ai.
Javën e kaluar, Trump kërkoi që Ukraina të fillojë “menjëherë” bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, duke anashkaluar kërkesën e Kievit për armëpushim si parakusht për negociata.
Trump kishte premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve pasi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Por, ky objektiv ka mbetur i paarritshëm që nga marrja e detyrës më 20 janar. Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë sulme të shumta me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës javët e fundit, ndërsa presioni për armëpushim vazhdon.
Një shpërthim në një fabrikë kimikatesh pranë qytetit spanjoll të Sevilles ka shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda.
Nuk u raportua për të lënduar, raportoi AP.
Zyrtarët u dërguan mesazhe rreth 80,000 banorëve duke u rekomanduar të mbanin maska në fytyrë ose të mbyllnin dritaret e shtëpive.
Shpërthimi ndodhi në mesditë në një park industrial në Alcala de Guadaira. Shërbimet emergjente larguan personelin nga fabrika.
Autoritetet nuk kanë thënë se çfarë kimikatesh ka në fabrikë ose kush e zotëron atë./Koha.net
Një influencuese meksikane u qëllua për vdekje në sallonin e saj të bukurisë ndërsa ishte live në TikTok.
Valeria Marquez, 23 vjeçare, po dilte nga salloni i bukurisë në qendrën tregtare Santa Maria, Jalisco, kur një burrë mbërriti me motoçikletë për të sjellë një dhuratë.
Por, pa paralajmërim, ai e qëlloi Marquezin në gjoks dhe në kokë përpara se të ikte, thuhet në raport.
Vrasja u xhirua drejtpërdrejt në kamera.
Zyra e Prokurorit të Jaliscos po heton rastin./Ina
Kina ka vendosur të hapë tregun e saj për produktet amerikane, pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë, deklaroi Donald Trump nga Arabia Saudite, duke theksuar megjithatë se mbeten ende disa detaje për t’u finalizuar.
“Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në negociatat me Kinën. Kina ka rënë dakord të hapë tregun e saj për Shtetet e Bashkuara. Thjesht duhet të rregullojmë detajet,” tha Trump në një forum investimesh në Riad.
Kina dhe SHBA njoftuan dje një armëpushim në luftën tregtare mes tyre, pas bisedimeve të zhvilluara të dielën në Gjenevë, gjatë të cilave u ra dakord që të pezullohet zbatimi i shumicës së tarifave ndëshkuese dhe masave të tjera që kanë vendosur ndaj njëra-tjetrës deri të mërkurën.
Sipas marrëveshjes, SHBA do të ulë tarifat shtesë që kishte vendosur këtë vit ndaj Kinës nga 145% në 30%, dhe në përgjigje, Pekini do të ulë tarifat ndaj produkteve amerikane nga 125% në 10%.
Kina gjithashtu është zotuar të pezullojë masa të tjera kundërpërgjigjëse që kishte ndërmarrë ndaj SHBA pas datës 2 prill, megjithëse nuk është ende e qartë se si do të zbatohet kjo./Panorama.com
JUST IN: 🇺🇸🇨🇳 President Trump says "China has agreed to open up to the United States for trade and everything else."
Rusia është fajtorja për rrëzimin e avionit MH17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në korrik të 2014, sipas një njoftimi nga agjencia e aviacionit e Kombeve të Bashkuara, siç raportoi BBC.
298 pasagjerët e bordit humbën jetën kur avioni u godit nga një raketë prodhuar në Rusi. Kremlini ka mohuar gjithmonë këto akuza.
Të hënën, Këshilli i OKB-së për Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) votoi që Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjeve ndërkombëtare të aviacionit, të cilat kërkojnë që shtetet të “përmbahen nga përdorimi i armëve kundër aeroplanëve civilë gjatë fluturimit.”
Avioni MH17 i Malaysia Airlines, në udhëtimin e tij nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, u godit mbi rajonin e Donbasit në Ukrainë, gjatë luftës mes forcave ukrainase dhe rebelëve mbështetur nga Rusia.
Shumica e pasagjerëve dhe ekuipazhit, 196 njerëz, ishin nga Holanda. Po ashtu, kishte 38 pasagjerë nga Australia, 10 nga Britania, si dhe shtetas belgë dhe malajzianë.
Kjo çështje u paraqit në OKB në vitin 2022 nga qeveritë e Australisë dhe Holandës, të cilat e kanë mirëpritur vendimin e ICAO-s.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të përballet më në fund me përgjegjësinë për këtë akt të tmerrshëm dhune dhe të paguajë dëmshpërblimet për dëmin e shkaktuar,” deklaroi ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Uong.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së së vërtetës dhe drejt arritjes së drejtësisë dhe llogaridhënies./Botasot
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar udhëtimin në Turqi gjatë kësaj jave, ndërsa ka këmbëngulur për një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Lideri ukrainas tha për mediat se kjo do të jetë një provë e drejtpërdrejt, nëse kreu i Kremlinit e do apo jo përfundimin e luftës.
“Nëse Putini nuk mbërrin dhe luan lojëra,” tha Zelensky, “kjo është pika e fundit që ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës.”
I pyetur për takimin, zëdhënësi i Kremlinit nuk mohoi as konfirmoi një gjë të tillë, por tha se sapo të merret vendimi, ai do të bëhet i ditur./vizionplus.tv