Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, shprehën pasiguri lidhur me shanset për arritjen e një marrëveshjeje të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Mendoj se e dimë se ku ndodhet Ukraina dhe e dimë se ku ndodhet Rusia tani… Ata janë më afër, por ende larg njëri-tjetrit”, tha Rubio në Fox News. Ndërkaq, Vance duke folur në një intervistë të veçantë për të njëjtën rrjet, shkoi më tej, duke thënë se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë “së shpejti”. Rubio tha se, nëse nuk ka një përparim të vërtetë në luftën në Ukrainë së shpejti, presidenti amerikan, Donald Trump, do të duhet të vendosë se sa kohë do t’i kushtojë procesit të negociatave. SHBA-ja ka paralajmëruar më herët se negociatat kanë hyrë në një fazë “kritike”, dhe mungesa e përparimit mund të nënkuptojë tërheqjen e Uashingtonit nga përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit. /Alsat.mk
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka miratuar eksportin e parë të pajisjeve ushtarake në drejtim të Ukrainës që prej kohës kur është kthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka raportuar The Times.
Administrata Trump e ka informuar Kongresin se planifikon të eksportojë pajisje të mbrojtjes në Ukrainë përmes shitjeve të drejtpërdrejta komerciale prej 50 milionë dollarë ose më shumë.
Njoftimi u lëshua një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për mineralet e rralla ndërmjet Kievit dhe Washingtonit.
Një burim i afërt me Qeverinë ukrainase i ka thënë “The Times” se “mendon që ky është hapi i parë i vullnetit të mirë prej Trumpit pasi që ne përmbushëm atë që ai na kishte kërkuar”.Koha.net
Spanja po përballet me pasoja të mëdha politike pas ndërprerjes më të rëndë të energjisë elektrike në vitet e fundit, e cila shkaktoi kaos në transport, mbylli aeroporte dhe la qytetarë të bllokuar në ashensorë në disa rajone të vendit. Operatorët e rrjetit po punojnë për të identifikuar shkakun, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm qeveritar.
Operatori i rrjetit elektrik, Red Eléctrica Española (REE), mohoi të mërkurën se ndërprerja ishte rezultat i varësisë në rritje nga burimet e rinovueshme si energjia diellore dhe ajo me erë. Kjo deklaratë erdhi në një kohë kur opozita po akuzon qeverinë për mungesë investimesh në infrastrukturën energjetike dhe mbështetje të tepruar tek burimet e ndërprera të energjisë.
Kryeministri Sánchez, nën presion për të shpjeguar krizën, tha se po kërkon përgjigje nga kompanitë private të energjisë që furnizojnë rrjetin kombëtar dhe se nuk përjashton mundësinë e një sulmi kibernetik. Megjithatë, REE – një kompani pjesërisht në pronësi të shtetit, e drejtuar nga ish-ministrja socialiste Beatriz Corredor – e ka mohuar këtë skenar.
Sipas REE, ndërprerja e energjisë ka ardhur si rezultat i dy incidenteve të ndara të humbjes së gjenerimit të energjisë në nënstacione në jugperëndim të Spanjës. Kompania thotë se ende nuk ka identifikuar vendndodhjen e saktë të këtyre problemeve dhe është shumë herët për të përcaktuar shkakun.
Ndërkohë, qeveria spanjolle po përballet edhe me zemërim publik për menaxhimin e përmbytjeve të fundit të rënda në lindje dhe jug të vendit, të cilat kanë lënë mbi 220 viktima, duke shtuar më tej presionin mbi administratën aktuale./abcnews.al
Finlanda ka miratuar legjislacionin për të kufizuar përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera celulare gjatë ditës së shkollës, mes frikës për ndikimin e tyre në mirëqenien dhe të nxënit e nxënësve.
Sipas ndryshimeve, të cilat u miratuan nga parlamenti finlandez të martën dhe do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, pajisjet celulare do të kufizohen shumë gjatë orarit të mësimit, shkruajnë mediat e huaja.
Nxënësve do t’u lejohet t’i përdorin ato vetëm me lejen e mësuesit për qëllime shëndetësore ose mësimore.
Finlanda është vendi i fundit evropian që vendos kufizime ligjore për përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera celulare në shkolla, mes provave në rritje të ndikimit të tyre tek fëmijët dhe të rinjtë.
Më parë këtë vit, Danimarka tha se do të ndalonte telefonat celularë nga të gjitha shkollat.
Kryetari i komisionit të mirëqenies së vendit, Rasmus Meyer, i tha The Guardian se masa ishte e nevojshme për të ndaluar shkollat nga “kolonizimi nga platformat dixhitale” dhe i kërkoi pjesës tjetër të Evropës të ndiqte shembullin.
Komisioni danez zbuloi se 94% e të rinjve në vend kishin një profil në mediat sociale para se të mbushnin 13 vjeç – pavarësisht se kjo është mosha minimale në shumë platforma të mediave sociale – dhe se fëmijët nëntë deri në 14 vjeç kalonin mesatarisht tre orë në ditë në TikTok dhe YouTube.
Vende të tjera që kanë futur kufizime në telefonat celularë përfshijnë Francën, e cila ua ndaloi nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme përdorimin e telefonave të tyre në mjediset e shkollës në vitin 2018 dhe ka qenë duke provuar një “pauzë dixhitale” për fëmijët deri në moshën 15 vjeç, dhe Norvegjinë, e cila kohët e fundit njoftoi një kufi minimal të rreptë moshe prej 15 vjeç në mediat sociale.RTV21
Gjermania i ka kërkuar Ukrainës të mos e pranojë propozimin e fundit të paqes të Donald Trump, duke e quajtur atë të ngjashëm me “kapitullim”.
Trump i ka propozuar Kievit të lëshojë territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ndërsa Ukraina e di se mund të duhet të ndahet nga një pjesë e territorit, ata “nuk duhet të shkojnë aq larg sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ukraina vetë mund të kishte marrë një vit më parë atë që përfshihej në atë propozim, është i ngjashëm me një kapitullim. Nuk mund të dalloj ndonjë vlerë të shtuar”, i tha ai transmetuesit publik gjerman ARD.
E ashtuquajtura “oferta përfundimtare” e Trump përfshin njohjen e Krimesë nga SHBA-ja si pjesë e Rusisë dhe njohjen jozyrtare të kontrollit rus të pothuajse të gjitha zonave të pushtuara që nga pushtimi i vitit 2022, raportoi Axios më parë këtë javë.
Gjithashtu, do ta ndalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga viti 2014.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-të po e shqyrtojnë nëse do të vazhdojnë si ndërmjetës, siç ka thënë Marco Rubio.
Diplomati më i lartë i SHBA-së i tha rrjetit partner amerikan të Sky, NBC News, se “nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse ajo (paqja) nuk do të realizohet”.
Ai tha se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti.
“Java e fundit ka qenë vërtet për të kuptuar se sa afër janë këto palë në të vërtetë dhe a janë ato mjaftueshëm afër saqë kjo meriton një investim të vazhdueshëm të kohës sonë si ndërmjetës”.
Megjithatë, Rubio nuk tha se sa gjatë është e gatshme administrata Trump të presë për një përparim. /Telegrafi/
Pasi pamë një veturë teksa përplaset në një turmë në Vancouver, duke lënë të vdekur 11 persona, po shohim ngjarjet e mëparshme ku automjetet janë përdorur si armë në Evropë.
Të paktën 11 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një burrë përplasi veturën në një turmë njerëzish gjatë një festivali rrugor kanadez në Vancouver, mbrëmjen e së shtunës.
Një burrë 30-vjeçar nga Vancouver u arrestua në vendngjarje, ndërsa policia tha se ai kishte një histori me probleme shëndetësore mendore. Ky burrë është akuzuar për shumë akuza vrasjeje në lidhje me ngjarjen.
Nuk kishte asnjë indikacion të hershëm për motive të sulmit në festivalin Filipino Lapu Lapu Day në Vancouver, por policia tha se nuk ishte një sulm terrorist.
I dyshuari, Kai-Ji Adam Lo, ka “një histori të konsiderueshme interaksionesh me policinë dhe profesionistët e shëndetit në lidhje me çështjet e shëndetit mendor”, tha Shefi i Përkohshëm i Policisë së Vancouverit, Steve Rai.
Këtu shqyrtojmë sulmet e tjera të mëdha ku vetura është përdorur si armë. Disa janë lidhur me terrorizmin dhe ekstremizmin, ndërsa të tjera janë fajësuar për sëmundje mendore.
Gjermania, objektivi më i fundit
Dy persona humbën jetën më 13 shkurt pasi u plagosën në një sulm me veturë gjatë një demonstrate të sindikatave në Munich, shkruan euronews.
Rreth 39 persona u plagosën në sulm dhe policia arrestoi një 24-vjeçar nga Afganistani, i cili kishte ardhur në Gjermani si kërkues azili. Prokurorët thanë se ai kishte një motiv ekstremist islamik.
Më 20 dhjetor 2024, të paktën pesë persona u vranë dhe më shumë se 200 u plagosën kur një veturë u përplas në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg të Gjermanisë lindore.
Policia arrestoi një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i cili kishte hequr dorë nga Islami dhe mbështeste partinë ekstremiste të djathtë AfD.
Në qershor të vitit 2022, burri 29-vjeçar e drejtoi veturën në një turmë njerëzish në Berlin, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Policia e identifikoi drejtuesin si një burrë 29-vjeçar me origjinë gjermano-armene.
2017, një vit i sulmeve me profil të lartë
Siç tregon, përplasja e veturës nuk ishte një metodë e zgjedhur për sulme masive me viktima për disa vite para rritjes së numrit të këtyre sulmeve në Gjermani në vitet e fundit. Megjithatë, periudha midis 2016 dhe 2017 ishte e mbushur me sulme me vetura ndaj këmbësorëve, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Në gusht të vitit 2017, një burrë përplasi një furgon në njerëz në bulevardin e ngarkuar Las Ramblas në Barcelonë, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur të tjerë. Grupi që quhet Shteti Islamik mori përgjegjësinë. Disa anëtarë të të njëjtës celulë realizuan një sulm të ngjashëm në qytetin turistik të afërt Cambrils, duke vrarë një person, transmeton Telegrafi.
Dy sulme ndodhën vetëm disa ditë larg nga njëri-tjetri në qershor 2017 në kryeqytetin britanik. Më 19 qershor, Darren Osborne, një burrë i radikalizuar nga ide të ekstremit të djathtë, e drejtoi një furgon në besimtarët jashtë një xhamie në Finsbury Park, duke vrarë një burrë dhe plagosur 15 persona. Osborne u dënua me burgim të përjetshëm.
Para sulmit të Osbornes, tre sulmues e drejtuan një furgon në këmbësorët në Londër më 3 qershor të të njëjtit vit, para se të godisnin njerëz në Tregun Borough të afërt. Tetë persona u vranë dhe sulmuesit u vranë nga policia.
Më 22 mars të vitit 2017, britaniku Khalid Masood, përplasi një SUV në njerëz mbi Urën Westminster në Londër, duke vrarë katër persona, pastaj goditi për vdekje një oficer policie që ruante Pallatin e Parlamentit. Masood u vra nga policia.
Në Berlin, një sulm tjetër ndodhi në dhjetor të vitit 2016, Anis Amri, një kërkues azili i refuzuar nga Tunizia, përplasi një kamion të rrëmbyer në një treg Krishtlindjesh në kryeqytetin gjerman, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Sulmuesi u vra ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.
Në Francën fqinje, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, një banor francez me origjinë tuniziane, drejtoi një kamion të marrë me qira për rreth 2 kilometra përgjatë një shëtitoreje të mbushur me njerëz në bregdetin e Rivierës Franceze gjatë pushimit të Ditës së Bastilles, më 14 korrik 2016, duke vrarë 86 persona në sulmin më vdekjeprurës të këtij lloji. Ai u vra nga policia, por tetë persona të tjerë u dënuan me burg për ndihmën e dhënë në organizimin e sulmit.
Veçanërisht, sulmi i parë i shkallës së madhe të këtij lloji në dekadat e fundit ndodhi në Holandë: më 28 prill 2009, ish-roja i sigurisë, Karst Tates drejtoi një veturë drejt spektatorëve në një ngjarje në Apeldoorn, në përpjekje për të goditur një autobus të hapur që transportonte anëtarë të familjes mbretërore holandeze. Gjashtë persona u vranë dhe Tates vdiq nga plagët ditën pasardhëse.
“Vetëm ju nevojitet një mjet transporti”
Rand, një ‘think tank’ global politik jofitimprurës, publikoi një raport në vitin 2021 që shqyrton rritjen e sulmeve që përdorin mjete transporti për Komisionin Evropian. “Kjo taktikë kërkon pak ose aspak trajnime, nuk kërkon aftësi të veçanta dhe ka një rrezik relativisht të ulët të zbulimit të hershëm”, thuhet në raport. Sipas Rand, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara përbëjnë pothuajse tre të katërtat e sulmeve.
Bart Schuurman, profesor i terrorizmit dhe dhunës politike në Universitetin e Leiden, tha se thjeshtësia e sulmeve me përplasje veture ishte çelësi në një periudhë të mbikëqyrjes më të rreptë dhe kufizimit të armëve “e gjithë ajo që kërkohet është një mjet transporti”.
Sulmet me vetura janë bërë mënyra kryesore e sulmeve masive me viktima në Evropë, krahas sulmeve me thikë, tha ai. “Kjo është një shenjë se qasja në armë zjarri dhe eksplozivë është bërë shumë e vështirë. Ka pasur një ndryshim të madh pas vitit 2001 – kundër-terrorizmi u bë një prioritet i madh edhe në Evropë, kështu që panë një kalim në metoda më të lehta që nuk shkaktojnë alarm”, shtoi Schuurman.
“Një veturë, një thikë – këto janë objekte të përditshme, shpesh është shumë e paqartë nëse dikush ka qëllime të këqija me to, deri sa të jetë shumë vonë”, shtoi ai.
“Këto sulme mund të jenë shumë vdekjeprurëse, por gjithashtu janë një shenjë e dëshpërimit. Sulmet me bomba dhe armë zjarri janë të prekshme nga infiltrimi, përgjimet. Ne dimë se xhihadistët kanë thënë: mbajeni të thjeshtë, përdorni një mjet transporti, një thikë, thjesht sigurohuni që mund ta kryeni sulmin”, deklaroi profesori.
Schuurman tha se ndonëse mënyra e sulmit ka origjinën tek grupet terroriste islamiste, ajo u “adoptua shumë shpejt” nga ekstremi i djathtë, sidomos me sulmin në Charlottesville të vitit 2016, kur një supremacist i bardhë vrau një person dhe plagosi 35 të tjerë pasi drejtoi veturën e tij në një turmë protestuesish paqësorë.
“Ka shenja të qarta të organizatave që po shikojnë njëra-tjetrën dhe po kopjojnë”, tha ai, duke shtuar se edhe ata që nuk janë “të lidhur ideologjikisht. Ata do ta kenë parë në lajme dhe mund të mendojnë – kjo është e lehtë për t’u realizuar”.
Çfarë mund të bëjnë qeveritë për të parandaluar këto lloj sulmesh? Policia, instalimi i barrierave sigurie për veturat rreth hapësirave publike dhe operacionet e inteligjencës janë të rëndësishme, tha Schuurman, megjithatë ai shtoi se të fundit “vijnë me shqetësime për profilizimin”.
“Ne tashmë bëjmë shumë prej kësaj, dhe ka një numër të konsiderueshëm të individëve që arrestohen para se të mund të realizojnë një sulm të tillë. Por nuk mund të garantojmë siguri 100 për qind”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Rusia e ka pranuar për herë të parë se ka dërguar ushtarë të Koresë së Veriut në betejën për t’i zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pasi ushtria ukrainase kreu një inkursion të papritur matanë kufirit me Rusinë verën e kaluar.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se e njeh “kontributin e rëndësishëm” të ushtarëve koreanoveriorë në përpjekjet ushtarake të Moskës.
Duke cituar Traktatin për Partneritetin Strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nga 4 dhjetori i vitit 2024, Ministria tha se “një faqe e re është shkruar në analet e lavdishme të vëllazërisë ushtarake të popujve rus dhe korean”.
“Ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë… luftuan krah për krah, në të njëjtën llogore, dhe derdhën gjak me ushtarët dhe oficerët tanë në rajonin e Kurskut dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e tokës ruse nga armiku pushtues”, tha ajo.
Gjenerali Valery Gerasimov, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, i tha presidentit Vladimir Putin në një video-konferencë se ushtarët koreanoveriorë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit nga ushtarët ukrainas.
Me këtë Rusia e pranoi atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë thënë prej kohësh: se Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar përkrah forcat ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili tani është në vitin e tij të katërt.
Zyrtarët amerikanë thanë se më shumë se 11.000 ushtarë koreanoveriorë morën pjesë në luftë dhe pësuan humbje të mëdha.
Gerasimov tha se misioni korean ishte në përputhje me marrëveshjen e partneritetit midis dy vendeve.
Rusia thotë se i ka zmbrapsur forcat ukrainase nga shumica e Kurskut, megjithatë Kievi thotë se forcat e tij po qëndrojnë ende në rajonin rus.
Ka pasur shqetësime ndërkombëtare se Rusia po i ofron Koresë së Veriut teknologji për dronë në këmbim të ndihmës të konsiderueshme ushtarake.
Gjithashtu ka pasur një forcim të madh të marrëdhënieve midis Moskës dhe Phenianit që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut e ka furnizuar Moskën gjithashtu edhe raketa me rreze të shkurtër, artileri të automjeteve dhe raketahedhës, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut./REL
Të paktën 52.243 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori i vitit 2023, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria tha se 51 persona janë vrarë në sulmet izraelite në enklavë në 24 orët e fundit, ndërsa 115 të tjerë janë plagosur, duke e çuar numrin e të plagosurve në 117.639.
“Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë”, shtoi ajo.
Ministria tha se emrat e 697 personave janë shtuar gjithashtu në regjistër pasi të dhënat e tyre janë plotësuar dhe miratuar.
Ushtria izraelite rifilloi ofensivën e saj vdekjeprurëse në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 2.151 palestinezë dhe ka plagosur 5.598 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Disa persona kanë vdekur dhe të tjerë janë në Vankuver të Kanadasë, pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në një festival.
Sipas policisë së Vankuverit, drejtuesi i makinës është arrestuar. Nuk dihet asgjë për motivet e autorit apo nëse ka qenë aksident.
Incidenti ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale, kur qytetarët ishin në festivalin vjetor Lapu Lapu që nderon kulturën filipinase.
Ende nuk dihet numri i saktë i të vdekurve dhe të plagosurve. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ekipet e shpëtimit dhe forcat e forta të policisë që nxitojnë në vendngjarje, ndërsa disa persona shtrihen në tokë, të plagosur.Syri.net
Video of the SUV that drove into the crowd of people in #Vancouver tonight at the Lapu Lapu Festival. Tragic news. There’s videos of the alleged suspect, I won’t be sharing those. pic.twitter.com/9o4HSR7zW1
Ka pasur një rritje të ndjeshme të qarkullimit të kokainës në Gjermani dhe në mbarë Evropën.
Sipas Holger Münch, kreut të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA), kjo situatë është përshkruar si një “përmbytje” e kokainës.
Kjo rritje lidhet me ngopjen e tregut në Amerikën e Veriut dhe me një fokus të shtuar të trafikantëve drejt Evropës. Rrjetet kriminale nga Amerika e Jugut, të pajisura me burime të mëdha financiare, po përdorin rrugë alternative për trafikimin e drogës, duke përfshirë itinerare përmes Afrikës.
Në të njëjtën kohë, ka një rënie të furnizimit me heroinë nga Afganistani, për shkak të ndalimeve të vendosura nga talebanët ndaj kultivimit të opiumit. Kjo ka çuar në një mungesë të heroinës në treg dhe në një rritje të përdorimit të substancave sintetike, të cilat shpesh janë më të rrezikshme për përdoruesit, shkruan dw.
Rritja e disponueshmërisë së kokainës ka ndikuar edhe në çmimet e saj në tregun e zi. Ndërsa më parë një gram kokainë e pastër mund të kushtonte deri në 90 euro, tani çmimet janë më të paqarta, pasi dilerët ofrojnë zbritje dhe madje edhe shpërndarje në shtëpi për të tërhequr klientët.
Për më tepër, droga sintetike si “kamen” (crack) shitet për rreth pesë euro, një çmim i krahasueshëm me një birrë në një kafene .
Policia gjermane ka vërejtur një rritje të veprave penale të lidhura me narkotikët, me një rritje prej rreth pesë për qind për kokainën krahasuar me vitin e kaluar, dhe një rritje edhe më të madhe për drogat sintetike, të cilat shpesh prodhohen në laboratorë ilegalë brenda Evropës. /Telegrafi/