Një grua ka mbetur pa shenja jete sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Tutje bëhet e ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira mes një veture dhe një mjeti të rëndë transportues-kamion, me targa vendore.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë Kelani.
Kelani po ashtu ka thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante. Policia e Kosovës, apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka thënë Kelani. /Telegrafi/
Rreth 42 përqind e të ardhurave në Gjermani derdhen që sot në fondet e sigurimeve shoqërore. Barra tatimore ka të ngjarë të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, paralajmërojnë ekspertët e bëjnë thirrje për reforma.
Ekonomisti dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane, Martin Werding, ka thënë se punonjësit duhet të përgatiten për kontribute të sigurimeve shoqërore që arrijnë deri në 50 përqind të të ardhurave të tyre bruto. “Zhvillimi aktual është marramendës. Pyetja nuk është nëse normat e kontributeve do të arrijnë 50 përqind në një moment, por kur”, tha Werding për Rheinische Post.
Për shkak të popullsisë në plakje, tendenca drejt rritjes së kontributeve do të vazhdojë e pandryshuar në Gjermani, nëse nuk bëhen reforma edhe në vitet 2030, parashikon Werding. Profesori i politikës sociale dhe financave publike në Universitetin e Ruhr-it në Bochum pret që rritja e ardhshme e kontributeve të ndodhë që në vitin 2026.
Aktualisht, kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit së bashku arrijnë në rreth 42 përqind të të ardhurave bruto. Werding pret që ato të rriten në 43 përqind gjatë vitit. Ai theksoi se disa kompani sigurimi shëndetësor kanë kaluar ndërkohë mesataren prej 17 përqind dhe tashmë i kanë rritur përsëri kontributet e tyre shtesë këtë vit. “Aktualisht, mesatarja ka të ngjarë të jetë 17.5 përqind.”
Edhe një rritje tjetër e sigurimit për kujdesin afatgjatë shëndetësor pritet me ndërrimin e viteve. Fondi i pensioneve pritet të preket më vonë: në vitin 2027 ose më së voni në vitin 2028, kontributet, të cilat kanë mbetur konstante në 18.6 përqind për një kohë të gjatë, do të rriten në pothuajse 20 përqind. “Kjo do të thotë arritja e një barre tatimore prej 45 përqind së shpejti deri në fund të kësaj periudhe legjislative”, tha ekonomisti, i cili bëri thirrje për reforma të thella.
Për ekspertin masat që po diskutohen aktualisht, të tilla si rritja e kufirit të vlerësimit të kontributeve shoqërore dhe përfshirja e nëpunësve civilë në sigurimet shoqërore, nuk janë të mjaftueshme. “Në disa raste, kjo thjesht krijon boshllëqe financiare diku tjetër – për shembull, në buxhetet e landeve që punësojnë shumicën e nëpunësve civilë”, thekson Werding. Nevojiten debate për zhvillimet e shpenzimeve shoqërore, efektivitetin e tyre, si për shembull, pensioni për nënat, që ka disa specifika e ka shkaktuar debat në Gjermani. Eksperti Martin Werding është anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane që merret nga ana studimore me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë./DW.com
Sot, më 14 korrik 2025, kursi i Bitcoin ka kaluar rreth $122,000, duke vendosur një rekord të ri historik.
Rritja vjen në fillim të “Crypto Week” në Kongresin Amerikan, ku po shqyrtohen tre projektligje kyçe që synojnë të krijojnë kornizë rregulluese më të qartë për kriptovalutat.
Çmimi i Bitcoin, kriptomonedha më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, është rritur me gati 27 për qind që nga fillimi i këtij viti./Reporteri.net
Politikanët gjermanë shpesh thonë se “puna duhet të shpërblehet”. Por gjithnjë e më shumë punonjës me orar të plotë varen nga ndihmat e shtetit. Rritja e re e pagës minimale nuk do të sjellë asnjë ndryshim.
Kur Kancelari gjerman Friedrich Merz doli në sallën e Bundestagut së fundmi për të paraqitur ai përdori stilin e tij tipik të drejtpërdrejtë, mbi atë që ai e quajti një nga prioritetet e ardhshme kryesore të qeverisë: reforma e “Bürgergeld” (ndihmat për qytetarët).
Ai theksoi edhe një frazë të njohur për punën që konservatorët shpesh e përdorin: Puna duhet të paguhet mirë. Merz dëshiron të sigurojë që qytetarët gjermanë të binden prapë se puna ia vlen dhe duhet të paguhet mirë.
“Bürgergeld” është miratuar nga qeveria e kaluar dhe që atëherë është kritikuar shpesh nga CDU/CSU. Në vitin 2024, rreth 826,000 punonjës vareshin nga përfitimet sociale ose “Bürgergeld”.
Kjo është rreth 30,000 punonjës më shumë se në vitin 2023 – hera e parë që numri i të punësuarve që marrin ndihmë shtesë është rritur që nga viti 2015, kur më shumë se një milion refugjatë nga Siria hynë në vend.
Ky ishte, ndoshta jo rastësisht, edhe viti kur Gjermania prezantoi pagën e saj të parë minimale bazë. Edhe atëherë, më shumë se një milion punëtorë vareshin nga ndihma shtetërore. Këto përfitime shtesë i kushtuan shtetit pothuajse shtatë miliardë euro në vitin 2024, dukshëm më shumë se 5.7 miliardë që shteti pagoi për këto qëllime në vitin 2022.
Qeveria publikoi të dhënat me kërkesë të deputetit të partisë e Majta Cem Ince, i cili i tha DW: “Është e papranueshme që qindra mijëra njerëz varen nga ndihmat, pavarësisht se janë të punësuar. Kjo do të thotë që ne po mbështesim pagat e ulëta me paratë e taksave.”
Rritja e pagës minimale
Ince thotë se paga minimale në Gjermani është thjesht shumë e ulët. Edhe pse qeveria e mëparshme e rriti pagesën minimale në 12,82 euro, ajo nuk mjafton.
Javën e kaluar, Komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Pagës Minimale, i cili përbëhet nga përfaqësues të shoqatave të punëdhënësve dhe sindikatave, njoftoi se paga minimale do të rritet në dy faza: në 13.90 euro më 1 janar 2026, dhe pastaj në 14.60 euro një vit më vonë. SPD kërkonte rritjen në 15 euro, por nuk u pranua.
Helena Steinhaus, themeluese e grupit të fushatës “Sanktionsfrei” (Pa Sanksione), i cili mbështet njerëzit që marrin ndihma, thotë se këto rritje të vogla të pagesës minimale nuk mjaftojnë, kur shihen çmimet dhe qiratë në vitet e fundit. Për shembull, qiraja mesatare për një apartament në Gjermani u rrit me 4.7 përqind vitin e kaluar, ndërsa në Berlin u rrit mesatarisht me 8.5 përqind.
Problemi i punës me orar të shkurtuar
Megjithatë, disa ekonomistë argumentojnë se niveli i pagës minimale ka pak të bëjë me numrin e të punësuarve që kanë nevojë për ndihma. “Duhet theksuar se shumica e këtyre njerëzve nuk punojnë me kohë të plotë. Shumë prej tyre janë në trajnime ose punojnë me orar të shkurtuar”, thotë Holger Schäfer, ekonomist në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike në Këln (IW).
“Pagesa minimale për një orë punë nuk ndihmon këtu. Arsyeja pse këta njerëz nuk mund të jetojnë me të ardhurat e tyre nuk është tarifa e ulët për orë pune, por numri i ulët i orëve të punës”.
Shifrat e konfirmojnë këtë: sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Federale e Punësimit, nga 826,000 punëtorë që marrin ndihma, vetëm rreth 81,000 punojnë me orar të plotë.
Edhe ministrja e Punës, Bärbel Bass, paralajmëroi së fundmi për problemin e mashtrimit masiv që lidhet me punën me kohë të shkurtër dhe përfitimet nga shteti. Ndërmjetësit po sjellin punëtorë masivisht nga vendet më të varfra të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria, duke i punësuar ata me kohë të pjesshme dhe pagë minimale. Më pas po mbledhin përfitime nga ndihmat e shtetit që paguhen nëse njerëzit nuk mund të mbulojnë minimumin jetik përmes rrogës.
Ky është një mashtrim, sepse qytetarët e BE-së nuk mund të vijnë thjesht në Gjermani dhe të kërkojnë ndihmë sociale, por në këtë rast ata janë të regjistruar si punonjës.
Megjithatë, kjo nuk është justifikim për pagat e ulëta, këmbëngul deputeti i opozitës Ince. “Fakti është: paga minimale aktuale është një pagë varfërie!”, thotë ai.
Varfëria në rritje
Sidoqoftë, siç thekson Steinhaus, arsyeja pse shumë njerëz punojnë vetëm me kohë të pjesshme është e thjeshtë: ata kanë fëmijë ose familjarë për të cilët duhet të kujdesen. Instituti IW llogariti vitin e kaluar se 306,000 fëmijë nën moshën tre vjeç në Gjermani nuk kanë vend në çerdhe ose kopsht, edhe pse ata kanë të drejtë ligjore për një të tillë.
Një studim i vitit 2021 nga Instituti për Kërkime në Punësim (IAB) tregoi se sa më shumë fëmijë të kenë punëtorët, aq më shumë ka gjasa që ata të kenë nevojë për ndihmë shtetërore. Ince, një deputet i së majtës, argumenton se investimi më i madh shtetëror në rritjen e numrit të vendeve në kopshte do t’u “mundësonte shumë njerëzve të shpëtojnë nga kurthi i punës me kohë të pjesshme”.
Kompanitë dhe fermerët kanë paralajmëruar për problemet që mund të sjellë paga e re minimale, duke thënë se nuk mund t’u paguajnë punëtorëve sezonalë pagën minimale.
Steinhaus nuk i beson këtyre argumenteve. “Shoqatat e punëdhënësve kanë folur për këtë argument për dhjetë vjet, por ai nuk është vërtetuar kurrë si i vërtetë”, tha ajo.
“Sigurisht, ka disa kompani që e kanë të vështirë kur rritet paga minimale, por shumë kompani përfitojnë nga fakti që mund të punësojnë njerëz me çmim të ulët.”
Kancelari dhe reforma e mirëqenies
Ekonomisti Schäfer po ashtu beson se rritja e fundit e numrit të qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar është relativisht i vogël dhe se tendenca e përgjithshme është në rënie që nga viti 2015. Rritja vitit të kaluar, argumenton ai, ndoshta ka më shumë të bëjë me kushtet e përgjithshme ekonomike në tregun e punës.
Ndërkohë, kancelari Merz ka të ngjarë të vazhdojë me planet e tij për të reformuar sistemin e përfitimeve nga ndihmat në mënyrë që më shumë njerëz të hyjnë në tregun e punës me orar të plotë.
“Për fat të keq, argumentet e Merz në lidhje me punën janë të gabuara”, thotë Steinhaus. “Kur ai thotë, ‘puna duhet të paguhet’, ai nënkupton uljen e përfitimeve të ndihmave. Por paga minimale e jetesës nuk varet nga sa fitojnë punëtorët e varfër. Ata duhet të fitojnë më shumë, nuk ka dyshim për këtë. Por thjesht ulja e përfitimeve është kundërproduktive dhe krijon konkurrencë midis më të varfërve.”/DW.com
Në këto ditë korriku, autostradat europiane mbushen me makina me targa gjermane, zvicerane, austriake… Të gjithë kanë një drejtim të përbashkët: drejt shtëpisë, te njerëzit e zemrës.
Valixhet janë gati, fëmijët mezi presin të shohin gjyshërit, dhe zemra rreh ndryshe sa herë afroheni me kufirin.
🇦🇱🇽🇰🇲🇰 Nuk është vetëm rrugë – është kthim te rrënjët.
Qoftë për të kaluar disa javë me familjen, për një dasmë, një kafe me shokët e fëmijërisë, ose thjesht për të marrë frymë në ajrin e vendlindjes… kjo udhë nuk është thjesht kilometrash – është mall i mbledhur gjithë vitin.
🔸 Nga cili qytet niseni këtë verë? 🔸 Sa kohë keni pa u kthyer në vendlindje? 🔸 Cili është momenti që mezi prisni ta përjetoni?
🛣️ Komentoni më poshtë dhe ndani me ne emocionet, fotot ose kujtimet tuaja nga rruga për në shtëpi. Ju urojmë rrugë të mbarë, pa radhë në kufi dhe zemrën plot kur të mbërrini!
Me afrimin e muajve të pushimeve, mijëra mërgimtarë shqiptarë nga Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane po përgatiten për udhëtimin e gjatë drejt Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë periudhë, rrugët kryesore janë të mbingarkuara, ndaj është e rëndësishme të planifikoni udhëtimin me kujdes për të shmangur stresin dhe pritjet e gjata.
📍 Rrugët më të përdorura nga Gjermania:
Përmes Austrisë – Sllovenisë – Kroacisë – Bosnjës / Malit të Zi / Shqipërisë
E njohur si rruga “jugore”
Kërkon vinjeta për Austrinë dhe Slloveninë
Kufijtë Slloveni–Kroaci dhe Kroaci–Bosnjë mund të kenë radhë të gjata
Përmes Austrisë – Hungarisë – Serbisë – Maqedonisë / Kosovës / Shqipërisë
Më e shpejtë për ata që shkojnë në Kosovë ose Maqedoni
Vinjeta për Austri dhe Hungari, plus kontroll në kufijtë me Serbinë
Përmes Italisë me traget për në Durrës / Shëngjin / Vlorë
Alternativë më e qetë për ata që udhëtojnë me traget nga Trieste, Ancona, Bari etj.
🛂 Kujdes me dokumentet dhe vinjetat:
Sigurohuni që:
Letërnjoftimi ose pasaporta të jenë të vlefshme për të gjithë udhëtarët
Keni blerë vinjetat online ose në stacionet përkatëse
Makinës i është bërë kontrolli teknik dhe keni sigurim ndërkombëtar (kartonin e gjelbër)
Planifikoni nisjen jashtë orëve të pikut (jo fundjavë apo të premten pasdite)
Përdorni aplikacione si Google Maps apo Waze për rrugë alternative
Kontrolloni kufijtë për radhë me aplikacione si Granični prelazi ose grupe në Facebook për udhëtarë
Merrni me vete ujë, ushqime të lehta dhe karikues për telefonin
Kthimi në vendlindje është një emocion i madh, por edhe një përgjegjësi në rrugë. Udhëtoni me kujdes, shmangni shpejtësinë dhe përpiquni të ndani rrugën me të tjerët me durim e respekt. Ju urojmë rrugë të mbarë dhe pushime të këndshme me familjen!
Gjermania kthen pas më shumë migrantë ilegalë. Kancelari Merz thekson politikën e mikpritjes, por refuzon spostimin në Gjermani të problemeve të të tjerëve, shkruan Auron Dodi.
Shifrat që paraqiti ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandër Dobrindt janë konkrete. Dobrindti tha pak ditë më parë në një vizitë pranë Kiefersfelden, në kufirin e Gjermanisë me Austrinë, se numri i kthimeve pas të migrantëve të paligjshëm është rritur me 45 përqind. Kjo vetëm një javë pas fillimit të punës së qeverisë Merz.
Janë kthyer pas në kufi 739 persona, përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë nën qeverinë e vjetër. Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël.
Masat në kufi jo simbolike
Disa medie kanë shkruar se kthime masive bëri së fundi edhe qeveria e kaluar Scholz dhe se masat aktuale duken simbolike. Por hapat e qeverisë Scholz për të frenuar migrimin e paligjshëm drejt Gjermanisë i kanë regjistruar e përmendur në Bundestag edhe partitë konservatore unioniste.
Të premten (23.05.) u bë e ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, qeveria e kaluar Scholz ktheu pas në kufi 6151 migrantë të paligjshëm. Ata i kthyen pas kryesisht në Turqi, në Gjeorgji, në Francë, në Spanjë, në Serbi dhe në Irak.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt tha se masat aktuale nuk janë sa për sy e faqe, siç e akuzon qeverinë p.sh. partia ultra e djathtë, AfD. Këtë e konfirmon fakti se janë shtuar në kufi, ndër të tjera, mbi 3000 efektivë policie. Janë përdorur gjithashtu edhe helikopterë, dronë dhe kamera të imazheve termike, për të diktuar migrantët ilegalë.
Ministri i Brendshëm tha se jo në çdo pikëkalimi kufitar është vendosur një efektiv policie, por edhe mund të vendoset. Kjo bëhet për të çorientuar trafikantët e qenieve njerëzore.
Kontakte me fqinjët për kthimin e refugjatëve
Kancelari Friedrich Merz tha në një kongres të degës së partisë së tij CDU, në Shtutgart, të shtunën (17.05.) se kishte “folur me të gjithë” fqinjët. Ai shtoi se “të gjithë e dinë se çfarë synojmë ne”. Merz u tha të pranishmëve:”mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo është e drejtuar kundër fqinjëve tanë evropianë.”
Kancelari gjerman theksoi se “ne duam ta zgjidhim këtë problem së bashku (me fqinjët- shën. i red.), por nuk mund ta pranojmë, që një pjesë e madhe e problemit të pazgjidhur të mbërrijë në Republikën Federale të Gjermanisë.” Një shembull që sjellin mediat këtë javë janë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Azia. Këta refugjatë p.sh. Bjellorusia i dërgon në Poloni, prej ku shumë pastaj vijnë në Gjermani.
Kurse Kryetari i grupit parlamentar konservator, CDU/CSUnë Bundestag, Jens Spahn tha të martën (20.05.) se edhe po të ketë “zemërime” të fqinjëve: qytetarët në Gjermani duhet të kenë mundësi të shohin “të kënaqur, atë që ndodh në kufijtë tanë.”
Presioni për uljen e numrit të migrantëve drejt Gjermanisë
Sipas sondazheve të fundit, migrimi paraqet shqetësim për gjermanët, por edhe më shumë janë të preokupuar ata për ekonominë.
Është fakt se shumë komuna e qytete në Gjermani ankohen për mungesë kapacitetesh për të përballuar numrin e madh të migrantëve, që vijnë njëherësh në Gjermani.
Prandaj kancelari Merz deklaroi në Shtutgart se qeveria do të kujdeset, që qytetet dhe komunat të kenë sërish ajër për të marrë frymë, dhe që Gjermania të jetë përsëri një vend i hapur, tolerant dhe miqësor ndaj të huajve.
Njëkohësisht, drejtuar partisë ultra të djathtë AfD, Merzi tha: kushdo që dëshiron të “jetojë dhe punojë” në Gjermani është i mirëpritur dhe “në vendin e duhur”.
Është fakt edhe se migrimi si temë shfrytëzohet me sukses kundër qeverive gjermane nga AfD-ja. Ajo i akuzon vazhdimisht qeveritë gjermane se nuk e kanë nën kontroll ardhjen e refugjatëve në Gjermani. Kjo vazhdon, sidomos pas atentateve të kryera nga të huajt në Aschaffenburg dhe në Mynih, në janar dhe shkurt të këtij viti. Edhe të dielën e kaluar (18.05.) një doras me origjinë të huaj plagosi në Bielefeld disa të rinj.
AfD-ja synon të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 2029-ës në Gjermani. Një fitore e AfD-së, deklaroi Merzi në fillim të këtij viti, do të thoshte “minim i bazave demokratike” të Gjermanisë. Ai kujtoi ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit dhe tha se për Gjermaninë është mjaft “një vit 1933”.
Reagime për kthimin e migrantëve
Fqinjë të Gjermanisë si Polonia apo Luksemburgu, edhe Zvicra kanë paraqitur rezerva për kthimet e refugjatëve në kufi nga Gjermania. Kryebashkiakët e qytetit kufitar gjerman të Kehlit dhe të qytetit francez Strasburg i dërguan të mërkurën (21.05.) madje një letër kancelarit Merz. Në të ata ankohen se kontrollet kufitare ndihen ekonomikisht dhe vështirësojnë qarkullimin reciprok vajtje-ardhje të punonjësve.
Por shtete të tjera, ndër ta Danimarka kanë treguar mirëkuptim për masat e Gjermanisë. Sidoqoftë, vendet fqinje me Gjermaninë i kanë ripranuar në përgjithësi personat që kanë hyrë jo ligjërisht në Gjermani, nga territori i tyre.
Baza ligjore për kthimet e migrantëve të paligjshëm
Ministri Dobrindt tha së fundi në Bundestag se qeveria gjermane shfrytëzon për kthimet një bazë të kombinuar ligjore, mbi bazën e legjislacionit kombëtar: nenin 18.2 të Ligjit gjerman të Azilit; të kombinuar me nenin 72 të Traktatit për mënyrën e funksionimit të BE, mbi “ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e sigurisë së brendshme”. Neni 72 u lejon shteteve anëtare zhdërvjelltësi në zbatimin e disa rregullave të BE, për të ruajtur rendin publik kombëtar e mbrojtur sigurinë e brendshme.
Të tërheq vëmendjen fakti se neni evropian 72 zëvendëson, në zbatim, direktivën e njohur të Dublinit. Dihet se sipas Dublinit, azilkërkuesit duhen pranuar njëherë në vend, pastaj të konstatohet se cili vend është përgjegjës për ta. Mbi bazën e direktivës së Dublinit i ktheu pas qeveria e kaluar gjermane mijëra migrantët e paligjshëm, muajt e parë të këtij viti. Zgjidhja e problemit të migrantëve të paligjshëm mbetet një sfidë mbarëevropiane. Kancelari Merz tha në Shtutgart se këto probleme duhet të zgjidhen “hap pas hapi”./DW.com
Në një debat prej gjysmë ore, deputetë gjermanë nga parti të ndryshme sollën argumente pro dhe kundër zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë.
Gjermania nuk largohet nga Kosova – të paktën jo këtë vit. Të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-itdo të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit.
Çfarë thanë deputetetët në Bundestag?
„E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk duhet reduktuar vetëm në çështje sigurie“, tha deputati konservator Johannes Volkmann (CDU/CSU) i cili merrte fjalën për herë të parë në parlament. Volkmann, nipi i kancelarit të njohur gjerman Helmut Kohl, i cili në vitin 1990 udhëhoqi ribashkimin historik të Gjermanisë, kërkoi një qasje më të guximshme ndaj Kosovës: „Si mund të ndihen brezat e rinj në Kosovë kur ende nuk është realizuar premtimi për integrim në BE që u dha në Selanik në vitin 2003?“ Ai i bëri thirrje BE-së që më në fund ta njohë Kosovën plotësisht dhe ta pranojë në Këshillin e Evropës.
Stefan Keuter, përfaqësuesi i së djathtë së skajme AfD, partia më e madhe opozitare në Bundestag, hodhi poshtë të gjithë logjikën e misionit në Kosovë. „Ky nuk është konflikti ynë. Ky mision nuk ka sjellë asgjë konkrete (..) Me ato para mund të ushqenim fëmijë të uritur në Jemen ose Sudan.“
Një tjetër zë kritik erdhi ngaE Majta, ku deputetja Gökay Akbulut e quajti misionin e KFOR-it një „zgjidhje të ngrirë ushtarake pa perspektivë“. „Kosova është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Nuk kemi nevojë për më shumë trupa, por për shkolla, spitale dhe vende pune.“
Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbrojtën vendimin për zgjatjen e mandatit:
„Ushtarët tanë ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike“, tha ministrja Nancy Faeser (SPD), ndërsa Niklas Wagner (Të Gjelbrit) e quajti KFOR-in „spirancë stabiliteti“, dhe paralajmëroi: „Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësi – ndryshe vakuumin do ta mbushin aktorë autoritarë.“
Çfarë roli kanë ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it
Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen sërish në Kosovë. Detyra e tyre? Të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, në rendin publik dhe në përpjekjet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe multietnik. Gjermania shpreh qartë edhe mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike – si përgatitje për integrimin në NATO dhe BE.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ishte një nga kontribueset më të mëdha në misionin KFOR, me deri në 6 000 ushtarë të dislokuar në Kosovë. Prania u ruajt në nivele të larta deri në vitin 2004, kur pas trazirave ndëretnike u përforcua sërish me 600 trupa shtesë.
Nga viti 2011 nisi një ulje graduale, duke zbritur në më pak se 1 000 ushtarë dhe duke e mbyllur bazën ushtarake në Prizren më 2018.
Në fund të vitit 2022, Gjermania kishte vetëm rreth 80 ushtarë në terren. Por me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimin e kontingjentit austriak, Berlini reagoi: në prill 2024 u dërgua një kompani shtesë dhe sot Bundestagu ka mandatuar deri në 400 trupa – një rikthim simbolik i vëmendjes ndaj sigurisë në rajon. Misioni ushtarak në Kosovë i kushton Gjermanisë 38.9 milionë euro./DW.com
Popullsia në Gjermaninë lindore po tkurret. Projektet e strehimit me çmime të përballueshme synojnë të tërheqin njerëzit përsëri në rajon.
“Nuk ke problem të gjesh një banesë të përballueshme në çmim. Nuk ke bllokime trafiku dhe as orë të pikut të trafikut. Dhe nuk kam pasur kurrë vështirësi në gjetjen e një vendi parkimi”, thotë Anika Franze, duke buzëqeshur nga pas tavolinës së saj në qendër të qytetit të vogël Guben në kufirin lindor të Gjermanisë me Poloninë.
38-vjeçarja lindi në Berlinin Lindor, dikur Republika Demokratike Gjermane, dhe jetoi në të njëjtin lagje për pjesën më të madhe të jetës së saj para edhe pas rënies së Murit të Berlinit. Por për shkak të ritmit të ngjeshur dhe situatës së çmimeve të banimit në kryeqytet, ajo kishte kohë që mendonte të largohej.
Gjatë një udhëtimi nëpër Brandenburg, ajo dëgjoi në radio për një program “Banim me provë” në Guben. Palëve të interesuara u jepet mundësinë të jetojnë aty deri në një muaj për vetëm 100 euro në javë. Synimi: të inkurajohen njerëzit të vendosen në qytet dhe kështu të sfidojnë rënien në rritje të popullsisë në Gjermaninë lindore.
Aplikime edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili
Anika Franze ka jetuar në Guben për tetë muaj, dhe tani drejton projektin që e solli në qytet. Ajo jeton në një apartament me dy kate prej 100 metrash katrorë, të marrë me qira për të njëjtin çmim që do të paguante për një dhomë në një apartament të përbashkët në Berlin.
“Është gjithmonë qetësi këtu, nuk ka as zhurma, ka më pak mbeturina në rrugë dhe gjithmonë takon njerëz që njeh”, shpjegon ajo në një tur të shkurtër në qytet. Vitin e kaluar, 30 persona morën pjesë në programin në Guben, gjashtë prej të cilëve më vonë u zhvendosën atje përgjithmonë. Këtë vit, kanë mbërritur 40 aplikime tashmë në tavolinën e Franzes: nga e gjithë Gjermania, Belgjika, madje edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili.
Popullsia në Gjermaninë Lindore është përgjysmuar në 30 vjet
Guben, i famshëm për industritë e tekstilit dhe prodhimit të kapeleve para ribashkimit, është vetëm një nga qindra qytete industriale në Gjermaninë lindore që përjetoi ndryshime të mëdha demografike pas ribashkimit gjerman në vitin 1990. Rënia e lindjeve, migrimi i të rinjve, veçanërisht, në landet perëndimore dhe rritja e jetëgjatësisë e kanë përshpejtuar plakjen demografike.
“Na mungon një brez i tërë”, u shpreh kryetari i bashkisë, Fred Mahro, për gazetën berlineze “taz”. Vërtetë, Gubeni aktualisht ka 16,600 banorë, kurse 30 vjet më parë, kishte pothuajse dyfish më shumë. Vlerësimet parashikojnë se popullsia do të vazhdojë të bjerë në vitet e ardhshme, ashtu si edhe numri i njerëzve në moshë pune, ndërsa mosha mesatare, aktualisht 58 vjeç, do të vazhdojë të rritet.
“Nga një perspektivë ekonomike, ne duhet të sigurohemi që lokalitetet të mbeten tërheqëse dhe që të krijohen stimuj për kompanitë që të vendosen aty, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq, për shembull, për një kulturë mikpritëse dhe bashkëjetesë shoqërore”, u shpreh për DW Susanne Schultz, një eksperte për politikën e migracionit në Fondacionin Bertelsmann.
Një sipërmarrje jo e lehtë, pasi një në katër emigrantë mendon të largohet nga Gjermania, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Instituti për Kërkime në Punësim, IAB. “Pakënaqësia me politikën ishte një nga arsyet kryesore dhe mendoj se kjo ka shumë të bëjë me zhvillimet e fundit këtë një vit e gjysmë, atmosfera në Gjermani ka ndryshuar vërtet”, thotë Schultz.
Gjermania Lindore ka imazhin e një bastioni të krahut të djathtë
Në luftën për të tërhequr banorë të rinj, landet lindore të Gjermanisë po luftojnë kryesisht me reputacionin e tyre si vatra për ekstremizmine krahut të djathtë. Guben bëri bujë edhe në vitin 1999 kur azilkërkuesi algjerian Farid Guendoul vdiq nga gjakderdhja pasi u ndoq nga neonazistët.
Në zgjedhjet federale në shkurt të vitit 2025, pothuajse 39 përqind e banorëve votuan për Alternativën për Gjermaninë (AfD), të cilën Zyra e Brandenburgut për Mbrojtjen e Kushtetutës e kishte klasifikuar së fundmi si ekstremiste të krahut të djathtë. “Njerëzit kanë paragjykimet dhe klishetë e tyre, por nga përvoja ime, prapë mund të lidhesh me ta. Ata mund të kenë nevojë vetëm për pak kohë, sepse nuk janë mësuar me kaq shumë diversitet”, shpjegon Anika Franze. Ajo është gjithashtu e zhgënjyer sepse ka shumë fokus te AfD, pasi më shumë se 60 përqind e njerëzve votuan për partitë e moderuara.
Për momentin, Anika Franze shijon një jetë që është më e qetë se në kryeqytetin gjerman. Tani ia ka dalë të përmbush edhe një ëndërr fëmijërie: të mësojë kalërimin. “Nuk e di nëse dua të plakem këtu, por gjithashtu nuk e di nëse do ta bëja këtë në Berlin.”/DW.com