Gjermani: Kontributet e sigurimeve deri në 50%?

Rreth 42 përqind e të ardhurave në Gjermani derdhen që sot në fondet e sigurimeve shoqërore. Barra tatimore ka të ngjarë të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, paralajmërojnë ekspertët e bëjnë thirrje për reforma.


Ekonomisti dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane, Martin Werding, ka thënë se punonjësit duhet të përgatiten për kontribute të sigurimeve shoqërore që arrijnë deri në 50 përqind të të ardhurave të tyre bruto. “Zhvillimi aktual është marramendës. Pyetja nuk është nëse normat e kontributeve do të arrijnë 50 përqind në një moment, por kur”, tha Werding për Rheinische Post.

Për shkak të popullsisë në plakje, tendenca drejt rritjes së kontributeve do të vazhdojë e pandryshuar në Gjermani,  nëse nuk bëhen reforma edhe në vitet 2030, parashikon Werding. Profesori i politikës sociale dhe financave publike në Universitetin e Ruhr-it në Bochum pret që rritja e ardhshme e kontributeve të ndodhë që në vitin 2026.

Aktualisht, kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit së bashku arrijnë në rreth 42 përqind të të ardhurave bruto. Werding pret që ato të rriten në 43 përqind gjatë vitit. Ai theksoi se disa kompani sigurimi shëndetësor kanë kaluar ndërkohë mesataren prej 17 përqind dhe tashmë i kanë rritur përsëri kontributet e tyre shtesë këtë vit. “Aktualisht, mesatarja ka të ngjarë të jetë 17.5 përqind.”

Edhe një rritje tjetër e sigurimit për kujdesin afatgjatë shëndetësor pritet me ndërrimin e viteve. Fondi i pensioneve pritet të preket më vonë: në vitin 2027 ose më së voni në vitin 2028, kontributet, të cilat kanë mbetur konstante në 18.6 përqind për një kohë të gjatë, do të rriten në pothuajse 20 përqind. “Kjo do të thotë arritja e një barre tatimore prej 45 përqind së shpejti deri në fund të kësaj periudhe legjislative”, tha ekonomisti, i cili bëri thirrje për reforma të thella.

Për ekspertin masat që po diskutohen aktualisht, të tilla si rritja e kufirit të vlerësimit të kontributeve shoqërore dhe përfshirja e nëpunësve civilë në sigurimet shoqërore, nuk janë të mjaftueshme. “Në disa raste, kjo thjesht krijon boshllëqe financiare diku tjetër – për shembull, në buxhetet e landeve që punësojnë shumicën e nëpunësve civilë”, thekson Werding. Nevojiten debate për zhvillimet e shpenzimeve shoqërore, efektivitetin e tyre, si për shembull, pensioni për nënat, që ka disa specifika e ka shkaktuar debat në Gjermani. Eksperti Martin Werding është anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane që merret nga ana studimore me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë./DW.com

Bitcoin vendos një rekord të ri historik, arrin vlerën mbi 120 mijë dollarë

Sot, më 14 korrik 2025, kursi i Bitcoin ka kaluar rreth $122,000, duke vendosur një rekord të ri historik.

Rritja vjen në fillim të “Crypto Week” në Kongresin Amerikan, ku po shqyrtohen tre projektligje kyçe që synojnë të krijojnë kornizë rregulluese më të qartë për kriptovalutat.

Çmimi i Bitcoin, kriptomonedha më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, është rritur me gati 27 për qind që nga fillimi i këtij viti./Reporteri.net

Çmimet globale të naftës rriten ndjeshëm pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pasi Izraeli tha se kishte sulmuar Iranin, në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me më shumë se 10% menjëherë pas publikimit të lajmit, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari.

Tregtarët janë të shqetësuar se një konflikt midis Iranit dhe Izraelit mund të ndërpresë furnizimet që vijnë nga rajoni i pasur me energji.

Kostoja e naftës së papërpunuar ndikon në gjithçka, nga sa kushton për të mbushur makinën tuaj deri te çmimi i ushqimit në supermarket.

Pas rritjes fillestare, çmimet e naftës u ulën pak. Por nafta bruto Brent ishte ende rreth 8% më e lartë se çmimi i mbylljes së së enjtes, duke u tregtuar me rreth 74.65 dollarë për fuçi.

Pavarësisht lëvizjeve të së premtes, çmimet e naftës janë ende më shumë se 10% më të ulëta se sa ishin në të njëjtën pikë vitin e kaluar. Ato janë gjithashtu shumë poshtë kulmeve të vërejtura në fillim të vitit 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kur çmimi i naftës së papërpunuar u rrit shumë mbi 100 dollarë për fuçi.

Çmimet e aksioneve ranë në të gjithë Azinë dhe Evropën të premten. Indeksi i aksioneve Nikkei i Japonisë e mbylli ditën me një rënie prej 0.9%, ndërsa indeksi FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar ra me 0.3% deri në kohën e drekës.

Asetet e ashtuquajtura “strehë e sigurt” si ari dhe franga zvicerane shënuan fitime. Disa investitorë i shohin këto asete si investime më të besueshme në kohë pasigurie.

Çmimi i arit arriti nivelin më të lartë në gati dy muaj, duke u rritur me 1.2% në 3,423.30 dollarë për ons.

Pas sulmit të Izraelit, Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) thanë se Irani kishte lëshuar rreth 100 dronë drejt vendit.

Analistët i kanë thënë BBC-së se tregtarët e energjisë tani do të vëzhgojnë se sa do të përkeqësohet konflikti në ditët në vijim.

Është një situatë shpërthyese, megjithëse një situatë që mund të çaktivizohet shpejt, siç e pamë në prill dhe tetor të vitit të kaluar, kur Izraeli dhe Irani goditën njëri-tjetrin drejtpërdrejt”, tha Vandana Hari e Vanda Insights për BBC-në.

Kjo gjithashtu mund të shndërrohet në një luftë më të madhe që do të prishë furnizimin me naftë në Lindjen e Mesme”, shtoi ajo.

Analistët në Capital Economics thanë se nëse prodhimi dhe eksporti i naftës në Iran do të shënjestroheshin, çmimi i naftës së papërpunuar Brent mund të rritej në rreth 80-100 dollarë për fuçi.

Megjithatë, ata shtuan se një rritje e tillë e çmimeve do t’i inkurajonte prodhuesit e tjerë të naftës të rrisnin prodhimin, duke kufizuar në fund të fundit rritjen e çmimeve dhe efektin e saj në inflacion.

Një zëdhënës i organit britanik të automobilave RAC, Rod Dennis, tha se ishte “shumë herët” për të thënë se çfarë ndikimi do të ketë rritja e fundit e çmimit të naftës në çmimet e benzinës.

Ka dy faktorë kryesorë në lojë: nëse çmimet më të larta të karburantit me shumicë do të mbahen gjatë ditëve në vijim dhe, më e rëndësishmja, lloji i marzhit që shitësit me pakicë vendosin të marrin”, tha ai./Oranews.tv

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 milionë dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./living.al/

A mund të frenohen falimentimet e kompanive gjermane?

Kompania Meeth në Wittlich në perëndim të Gjermanisë ka fituar besimin e klientëve të saj për gati 40 vjet me dritare dhe korniza dritaresh cilësore. Këtu kanë punuar edhe nëntëdhjetë bashkëpunëtorë, por tani puna ka mbaruar.

Ajo shpalli falimentimin dhe tani kompania drejtohet nga administratori i falimentimit dhe avokati Alexander Jüchser. Kompania kërkoi më kot një investitor të ri. Ndërkohë punonjësve u janë dorëzuar dokumentet për ndërprerjen e punës.

“Sektori i ndërtimit është në krizë këtë vit. Për të pestin vit radhazi ka një rënie për shkak të rritjes së çmimeve të punimeve të ndërtimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe numrit më të vogël të lejeve të ndërtimit. E kur ndërtohet më pak, porositen më pak edhe dritare dhe dyer”, përmbledh administratori i falimentimit. Kjo po ndodh në të gjithë Gjermaninë dhe jo vetëm në landin Rheinland Pfalz, ku ndodhet fabrika.

Shumë falimentime, pak kompani të reja

Numri i falimentimeve të kompanive gjermane është në rritje të vazhdueshme prej dy vitesh. Vitin e kaluar kane falimentuar gati 22 mijë kompani, më së shumti që nga viti 2015. Kështu vazhdon edhe këtë vit. Në mars ka pasur 1459, 2% më shumë falimentime se në shkurt, raporton Instituti për Kërkime Ekonomike Leibniz në Halle (IWH).

Numri i falimentimeve nuk ka qenë aq i lartë që nga fundi i krizës financiare në vitin 2009, në të gjitha degët e ekonomisë – në industri, ndërtimtari dhe në tregti. Ndërkohë që numri i kompanive që po themelohen është tepër i vogël, shkruan dw.

Tobias Wahl është një avokat falimentimi dhe ristrukturimi në firmën ligjore Anchor. 57-vjeçari vepron në Mannheim dhe prej një çerek shekulli është në kërkim të investitorëve pas falimentimit të ndonjë kompanie.

“Për momentin po shohim një rritje të ndjeshme të falimentimeve. Por situata nuk është aq dramatike sa duket në shikim të parë. Në kohën e koronës, shumë kompani nuk kanë punuar por e kanë mbijetuar falë mbështetjes së shtetit. Ajo që po shohim tani është në një farë mënyre manifestim i të së kaluarës”, shpjegon Wahl.

Por Gjermania po përballet edhe me një krizë strukturore. “Ju mund ta shihni këtë, për shembull, me prodhuesit e pjesëve për industrinë e automobilave dhe fabrikat që kërkojnë shumë energji për prodhim, të gjithë janë të prekur fuqishëm. Ndërkohë që në politik dhe treg ka një pasiguri të madhe”, thotë eksperti i falimentimit.

Më pas vijnë edhe çmimet më të larta të lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e kostove të fuqisë punëtore, normat më të larta të interesit të kredive etjerë. “Mendoj se unë dhe kolegët e mi do të kemi shumë punë për të bërë edhe vitin e ardhshëm”, mendon ai.

Zhgënjim me planet e koalicionit të ri

Në fillim të muajit prill, Shoqata Gjermane e Industrisë BDI publikoi një apel të më shumë se 100 shoqatave tregtare drejtuar politikanëve që po zhvillojnë negociatat për një koalicion të ri në Berlin. Pritshmëritë nga marrëveshja e kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve ishin të mëdha, por marrëveshja e koalicionit i zhgënjeu.

“Kur bëhet fjalë për taksat, qëllimet e koalicionit janë larg asaj që është e nevojshme. Këtu duhet të përdoret çdo hapësirë për të lehtësuar barrën e kompanive dhe që barra tatimore të bëhet shpejt konkurruese në shkallë ndërkombëtare”, pohon kreu i Shoqatës BönDI.

“Marrëveshja me të drejtë synon një plan ambicioz për të modernizuar si shtetin ashtu edhe administratën shtetërore, por tani duhet të zbatohet me vendosmëri. Në përgjithësi, qeveria gjermane do të matet nëse do ta bëjë shtetin më efikas dhe modern”.

Pas falimentimit dhe rehabilitimit të dështuar vjen puna për Jürgen Philippi. Ai është drejtues i autorizuar i gjykatës në ankand dhe ekspert në procedurat e falimentimit. Edhe ai ka 30 vjet që merret me këtë biznes, por ka përshtypjen se situata po rëndohet.

“Në krizën e 2008-ës dhe menjëherë më pas, situata ishte e keqe por tani është edhe më keqe. Gjithnjë e më shumë sektorë po preken nga kjo gjendje. Unë nuk e kam përjetuar ende një gjë të tillë, në kohën sa punoj këtë punë”, thotë ai.

Falimentimet e shumta

Pothuajse çdo ditë gjykata i ofron atij një çështje të re, por përveç falimentimeve, një frenim të madh ka edhe në ankandet e pajisjeve dhe mbetjeve të kompanive të dështuara. “Gjithashtu, shoh gjithnjë e më shpesh drejtorë të kompanive të cilët nuk kanë më vullnet për të drejtuar kompanitë, edhe atëherë kur ende kanë disa perspektiva në treg. Dëgjoj herë pas here: taksat janë shumë të larta, ka shumë burokraci, mungojnë punëtorët e kualifikuar. “Mua më kanë konsumuar në tërësi, dëgjoj shpesh”, thotë Philippi.

Edhe ai mendon se situata do të jetë edhe më e keqe: “Industria e automobilave dhe sektori i ndërtimit janë goditur më së shumti për momentin. Tani gjendja e keqe po përhapet në sektorë të lidhur me këto industri. Nëse nuk ndërtoj një shtëpi, nuk kam nevojë për pllaka, nuk kam nevojë për çati, nuk kam nevojë për grila, apo për transport, e kështu me radhë. Kriza në një sektor është si domino që shihet në sektorë të tjerë”, thotë ai.

Philippi shprehet i zhgënjyer edhe me planin e koalicionit të ri gjerman: “Nuk kam asnjë shpresë nga ky program, nuk ka reforma themelore apo besim në ekonomi. Kam frikë se kriza do të thellohet edhe më shumë. Me këtë program as koalicioni i ri nuk do të ketë një mandat të plotë”.