Gjermania ashpërson kontrollet kufitare me vendet fqinjë

Prej rreth tri javësh Gjermania ka ashpërsuar kontrollet kufitare me vendet fqinjë. Çfarë kanë sjellë këto masa deri tani?

Presidenti i Policisë Federale të Gjermanisë, Dieter Romann, bëri një bilanc fillestar pozitiv për ashpërsimin e kontrolleve në të gjithë kufijtë gjermanë. Në një intervistë për gazetën Bild am Sonntag, ai hodhi gjithashtu poshtë kritikat e Sindikatës së Policisë, sipas së cilës Policia Federale po mbingarkohet prej kontrolleve të reja kufitare.

“Pse Policia Federale e cila sot ka rreth 56,000 punonjës, nuk qenka në gjendje të bëjë atë që më parë e bënim me 10,000 ose 30,000 oficerë?” – tha Romann për gazetën Bild am Sonntag. Vendet fqinje kanë mirëkuptim për masat gjermane dhe me to jemi në kontakt të ngushtë, tha ai.

Sipas gazetës Bild am Sonntag që nga fillimi i kontrolleve të ashpërsuara kufitare më 8 maj në të gjithë kufijtë gjermanë janë regjistruar 3,387 vetë që kishin tentuar të hynin pa leje. 2,613 prej tyre nuk u lejuan të hynin. Nga 160 persona që bënë kërkesë për azil, 125 u refuzuan. 35 refugjatëve iu lejua hyrja, sepse ishin të sëmurë ose të shoqëruar nga fëmijë.

Ministri i Brendshëm gjerman mbron kontrollet kufitare

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha gjatë një vizite në Republikën Çeke se kontrollet kufitare përbëjnë një ngarkesë pune shtesë për policinë, por bëri të qartë se ato janë të nevojshme për të zvogëluar “efektin e madh tërheqës që ka migrimi i paligjshëm”.

Disa orë pasi mori detyrën e ministrit në fillim të majit, Dobrindt urdhëroi intensifikimin e kontrolleve kufitare. Në të njëjtën kohë ai lejoi që azilkërkuesve të mund t’u refuzohet hyrja në kufi dhe detyrohen të kthehen mbrapsht në vendin nga duan të hyjnë në territorin e Gjermanisë – veprim që u kritikua si nga opozita gjermane dhe në vendet fqinje.

Dobrindt mendon se masat për ashpërsimin e kontrolleve kufitare po japin tashmë efekt. “Në kufijtë gjermanë nuk ka probleme “, tha Dobrindt. Ne nuk duam t’i mbingarkojmë fqinjët e Gjermanisë, “por fqinjët tanë duhet ta pranojnë gjithashtu se Gjermania nuk është më e gatshme të vazhdojë politikën e migracionit që kishte ndjekur vitet e fundit”, tha ministri./DW

Bajrami drejt njohjes si festë zyrtare në disa lande të Gjermanisë

Berlin, Qershor 2025 – Disa lande të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Nordrhein-Westfalen, janë në proces diskutimi për njohjen zyrtare të Bajramit si ditë pushimi. Kjo nismë po përkrahet nga komunitetet myslimane dhe një pjesë e politikës gjermane si një hap drejt respektimit të diversitetit fetar dhe integrimit shoqëror.

Sipas raportimeve nga media gjermane, nëse kjo masë miratohet, qytetarët myslimanë, përfshirë edhe shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, do të kenë të drejtën e pushimit me pagesë në ditët e Bajramit, pa nevojën e justifikimeve të veçanta tek punëdhënësit apo institucionet arsimore.

🔸 Pritet të hyjë në fuqi nga viti 2026
🔸 Nxënësit do të kenë të drejtën e mungesës zyrtare pa penalizime
🔸 Punonjësit do të mund të marrin pushim të paguar në këto ditë festive
🔸 Nisma po vlerësohet si një hap drejt bashkëjetesës kulturore dhe fetare në Gjermani

Reagimet nga komuniteti shqiptar janë pozitive, duke e cilësuar këtë si një sinjal të fortë që Gjermania po e njeh kontributin dhe traditat e diasporës.

🛑 NATO kërkon 40.000 ushtarë shtesë nga Gjermania – frikë nga përshkallëzimi i konfliktit me Rusinë

Në një zhvillim të rëndësishëm për sigurinë evropiane, NATO i ka kërkuar Gjermanisë të vërë në dispozicion 40.000 trupa shtesë si pjesë e një plani për të rritur fuqinë mbrojtëse ndaj kërcënimit rus. Aleanca synon të kalojë nga 80 në mbi 120 brigada ushtarake.

Sipas burimeve zyrtare, kjo do të kërkonte krijimin e të paktën 7 brigadave të reja në Gjermani. Ministria gjermane e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë një përgjigje publike.

Kërkesa do të diskutohet në takimin e ardhshëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s dhe në samitin vendimtar në qershor.

👉 A është Gjermania gati për një angazhim të tillë ushtarak?

Gjermania mbështet Ukrainën për armët me rreze të gjatë

Kancelari Merz dhe Presidenti Zelenski folën në Berlin rreth mbështetjes gjermane për Ukrainën. Merz th, se ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruajnë një deklaratë qëllimi mbi armët me rreze të gjatë veprimi.

Në takimin në Berlin, Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski diskutuan për situatën në Ukrainë dhe veprimet e përbashkëta në të ardhmen. Ata diskutuan gjithashtu për dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, raketat Taurus. Kur u pyet nëse ushtria ukrainase ende kishte nevojë për raketat gjermane Taurus, Zelenski u përgjigj: “Përsa u përket armëve me rreze të gjatë veprimi të prodhuara nga Gjermania ose vende të tjera, sigurisht që na duhen, sigurisht që do ta diskutojmë këtë çështje.” Në përgjithësi, bisedimet ishin konstruktive dhe të karakterizuara nga besimi, sipas të dy politikanëve.

Merz më pas e përmblodhi përmbajtjen e bisedimeve në pesë pika: Së pari, Ukraina dhe Gjermania kishin forcuar lidhjet e tyre që nga sulmi rus. “Ne duam të vazhdojmë të bëjmë përparim në këtë drejtim”, deklaroi Merz. Ai njoftoi konsultime qeveritare gjermano-ukrainase për fundin e vitit, të cilat nuk ishin mbajtur për shumë vite.

Bashkëpunimi ekonomik për periudhën e pasluftës

Së dyti, Merz theksoi se lufta nuk duhet të errësojë gjithçka. “Kjo është arsyeja pse po mendojmë së bashku për një të ardhme përtej luftës.” Janë planifikuar bisedime me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit rreth mundësive të ardhshme. “Potenciali për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik ekziston; temat janë të dukshme: energjia, infrastruktura, ndërtimi, bujqësia, inxhinieria mekanike, teknologjia mjekësore dhe shumë sektorë të tjerë. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë potencial së bashku.”

Lidhur me përpjekjet diplomatike të Ukrainës dhe Perëndimit për të arritur një armëpushim, kancelari gjerman tha se Zelenski e kishte bërë shumë të qartë, se askush nuk donte paqen më shumë se Ukraina. “Ukraina është gati të ndërmarrë hapin pasues dhe të zhvillojë bisedime teknike me Rusinë, pavarësisht se në cilin vend: në Vatikan, në Gjenevë apo kudo tjetër. Ne evropianët jemi gati t’i mbështesim këto bisedime.” Rusia, nga ana e saj, kërkon të fitojë kohë: “Dokumenti i pozicionimit për negociatat, të cilin Presidenti Putin e premtoi më shumë se një javë më parë, ende nuk është parë.”

Merz shpall mbështetje për ndërtimin e raketave

Së katërti, Merz foli për fillimin e një lloji të ri bashkëpunimi industrial dhe ushtarak. Qëllimi është të mundësohet prodhimi i përbashkët, shpjegoi Merz. Merzi njoftoi se Gjermania do të ruajë dhe zgjerojë mbështetjen e saj ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbrohet kundër agresionit rus. Për këtë qëllim, është planifikuar nënshkrimi i një marrëveshjeje për prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Nuk do të ketë më kufizime në rrezen e veprimit. “Kjo do t’i lejojë Ukrainës të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj”, deklaroi Merz. Ky është fillimi i një forme të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial.

Në përfundim, dhe si pikë të pestë, politikani i CDU-së përmblodhi: “Ne duam që armët në Ukrainë të heshtin. Ne duam paqe të qëndrueshme për Ukrainën dhe duam siguri për të gjithë Evropën”. Për ta arritur këtë, tha ai, ne do të koordinohemi me aleatët tanë në partneritetin më të ngushtë të mundshëm.

“Çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar vrasjet?”

Presidenti ukrainas Zelenski theksoi rëndësinë e vizitës së fundit në Kiev të Merzit me krerët e shteteve dhe qeverive të Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Po aq i rëndësishëm dhe i detajuar është edhe takimi i sotëm, tha ai.

“Gjermania është një nga partnerët drejtues për një rend botëror të bazuar në paqe”, deklaroi Zelenski. “Ne duhet t’i ruajmë rregullat në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë të jetojnë”. “Bota ka pritur për një javë që rusët të shpallin më në fund deklaratën e tyre të qëllimit. Çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar vrasjet?” pyeti Zelenski.

Ai këmbënguli se duhet të ushtrohet presioni më i madh i mundshëm mbi Rusinë për ta detyruar Kremlinin të heqë dorë nga dëshira për të vrarë njerëz. Zelenski lëvdoi marrëveshjet për prodhimin e armëve. Ai nuk dha detaje rreth projekteve të planifikuara.

ard/dlf

“Përbindëshi” elektrik amerikan mbërrin në Evropë, mësohet çmimi i tij

Modeli elektrik i markës amerikane Lucid Motors po mbërrin zyrtarisht në Evropë.

Air Sapphire arrin një shpejtësi maksimale prej 330 km/h dhe do bëjë debutimin e tij në Gjermani, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimeve edhe çmimi është ekskluziv: 250.000 euro dhe vetura mund të porositet online ose në Studio Lucid në Dusseldorf.

Sistemi i fuqisë i përbërë nga tre motorë elektrikë.

Rezultati? Nga 0 në 100 km/h në vetëm 2 sekonda, edhe më shpejt se Tesla Model S Plaid.

Ka katër mënyra drejtimi: Smooth, Swift, Sapphire dhe Track, me këtë të fundit të ndarë në tre nën-modalitete – Dragstrip, Hot Lap dhe Endurance – për t’u përshtatur me çdo lloj piste.

Dërgesat e para priten në tremujorin e tretë të këtij viti. /Telegrafi

Çdo 20 minutë vritet ose plagoset një fëmijë në Gaza

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka deklaruar se mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose lënduar që nga tetori i vitit 2023, kur filloi një luftë mes Izraelit dhe Hamasit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, UNICEF tha se kjo është e barabartë me një fëmijë çdo 20 minutë.

“Ky është shkatërrim i fëmijërisë. Shkatërrim i vetë jetës. Këta janë fëmijë, jo numra. Asnjë fëmijë nuk duhet të kalojë nëpër këtë. Asnjë tjetër fëmijë”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Për të vënë në dukje realitetin e luftës për fëmijët, veçanërisht ata në Gaza, një instalacion artistik pushtoi një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës.

Lodra dhe rroba fëmijësh u vendosën në mes të rrugës Rua do Carmo, të premten, për të tërhequr vëmendjen ndaj mijëra fëmijëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.

Disa aktivitete të tjera u zhvilluan gjithashtu në mbarë Portugalinë për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm./Botasot

Të huajt paguajnë më shumë për qera sesa gjermanët

Në Gjermani, të huajt paguajnë mesatarisht më shumë për të marrë me qira apartamente sesa njerëzit me pasaportë gjermane. Po pse?

Të huajt në Gjermanipaguajnë mesatarisht 9.5 për qind më shumë qira për metër katror sesa gjermanët. Kështu thuhet në analizat e fundit e Zyrës Federale të Statistikave. Për personat pa shtetësi gjermane, qiraja mesatare neto në Gjermani (duke përjashtuar kostot e ngrohjes dhe shërbimeve) është 7.75 euro për metër katror, ndërsa për personat me pasaportë gjermane është mesatarisht 7.08 euro. Por qiratë janë edhe më të larta për të gjithë, kur shtohen shërbimet që duhen paguar, sepse këto çmime janë neto.

Përpjekja e parë për një shpjegim u bë menjëherë nga Zyra e Statistikave: supozohet se arsyeja qëndron në faktin se të huajt kryesisht marrinme qira apartamente më të vogla. Kjo mund të kursejë në qiranë totale, por çmimi për metër katror është zakonisht më i ulët për apartamentet më të mëdha.

Shifra konkrete: një e katërta (25 për qind) e të huajve në vitin 2022 jetonin në apartamente më të vogla se 60 metra katrorë, ndërsa midis gjermanëve kjo shifër ishte vetëm rreth një në tetë (12 për qind), që do të thotë se gjermanët në masë të madhe jetojnë në apartamente më të mëdha se 60 metra katrorë.

Në përgjithësi familjet e huaja banojnë mesatarisht në 85.7 metra katrorë hapësirë ​​jetese, ndërsa familjet gjermane në 109.6 metra katrorë.

Vendi i banimit nuk i shpjegon ndryshimet

Faktori kyç sipas analizave nuk është pasaporta, por situata financiare: në përgjithësi, njerëzit më të varfër kërkojnë apartamente më të vogla, e në këtë grup përfshihet një numër proporcionalisht më i madh i të huajve, që do të thotë varfëria tek të huajt mesatarisht është më e përhapur.

Por Zyra pohon se ajo nuk ka statistika të besueshme që do të vërtetonin qartë lidhjen mes varfërisë së të huajve dhe çmimeve të qirave. Të dhënat e nevojshme mbi tregun e banesave dhe gjendjen ekonomike të familjeve mblidhen përmes anketave të ndryshme dhe nuk mund të bashkohen thjesht për të gjithë vendin.

Sipas Zyrës Federale, ky fenomen ndodh pavarësisht nga vendi i banimit. Të huajt paguajnë qira më të larta për metër katror si në qytetet e mëdha, ku kërkesa është e madhe, ashtu edhe në bashkitë më të vogla.

Ndërsa diferenca në qira në qytetet e mëdha me më shumë se 100.000 banorë është 7.3 për qind, në qytetet me madhësi mesatare nga 50.000 deri në 100.000 banorë 6.6 për qind. Në qytetet edhe më të vogla (nga 10.000 deri në 50.000 banorë) dallimi në qira është 9.3 për qind ndërsa në bashkitë me më pak se 10.000 banorë këto dallime janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në mestarisht 10.6 për qind./DW.com

Ashpërsohen Rregullat për Bashkim Familjar në Gjermani: Çfarë duhet të dini?

Qeveria gjermane ka njoftuar masa të reja që ashpërsojnë kushtet për bashkim familjar, sidomos për qytetarët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të gjerë për kontrollin e migracionit dhe integrimin më të mirë të të huajve në Gjermani.

✅ Pikat kyçe të ndryshimeve:

  • Kërkesat për gjuhën gjermane janë rritur: A1 nuk mjafton më për disa raste. Në disa kategori mund të kërkohet niveli A2 ose më lart, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëshortët.
  • Verifikimi i dokumenteve do të jetë më i rreptë dhe afatet e shqyrtimit mund të zgjasin më shumë.
  • Kapaciteti financiar i aplikuesit do të luajë rol vendimtar – të ardhurat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar edhe anëtarët që do të vijnë.
  • Në disa raste, autoritetet mund të kërkojnë dëshmi të qëndrimit të qëndrueshëm në Gjermani, përfshirë punësim afatgjatë dhe kontratë banese të vlefshme.
  • Për refugjatët dhe azilkërkuesit, rregullat ndryshojnë sipas statusit të tyre – ata me status të kufizuar mund të mos kenë të drejtë për bashkim familjar për një periudhë të caktuar.

🎯 Pse po ndodhin këto ndryshime?

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, qëllimi është të sigurohet që migrimi familjar të jetë i menaxhueshëm dhe i qëndrueshëm, duke ndihmuar integrimin më të mirë të të ardhurve dhe shmangien e keqpërdorimeve të sistemit.


📌 Këshillë: Të gjithë ata që planifikojnë të sjellin familjarët e tyre në Gjermani duhet të informohen në kohë, të përgatisin dokumentacionin e duhur dhe të kenë parasysh ndryshimet që mund të hyjnë në fuqi nga vera ose vjeshta e vitit 2025./Newsal.de

Kancelari gjerman Merz vë në pikëpyetje strategjinë e Izraelit në Gaza: Nuk e kuptoj më qëllimin e tyre

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur shqetësime të thella për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke deklaruar se “nuk e kupton më” qëllimin përfundimtar të kësaj ndërhyrjeje dhe duke e cilësuar situatën humanitare si të pajustifikueshme.

Në një deklaratë gjatë WDR Europaforum në Berlin, Merz kritikoi planet e Izraelit për të marrë kontrollin e deri në 75% të territorit të Gazës dhe paralajmëroi se “qeveria izraelite nuk duhet të bëjë asgjë që as miqtë e saj më të ngushtë nuk janë më të gatshëm ta pranojnë”.

“Ajo që ushtria izraelite po bën tani në Rripin e Gazës, sinqerisht nuk e kuptoj më me çfarë qëllimi”, u shpreh ai.

Merz theksoi gjithashtu vuajtjet e popullatës civile palestineze, e cila mbetet thellësisht e varur nga ndihmat ndërkombëtare – ndihma që Izraeli kishte bllokuar për javë të tëra duke pretenduar se përfitonte Hamasi.

“Shkaktimi i vuajtjeve të tilla popullsisë civile nuk mund të justifikohet më me luftën kundër terrorizmit të Hamasit”, shtoi kancelari.

Deklaratat e Merz vijnë në një kohë kur aleatë të tjerë të ngushtë të Izraelit, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë dënuar gjithashtu veprimet ushtarake izraelite si “të shëmtuara” dhe kanë paralajmëruar për “veprime konkrete” nëse Tel Avivi nuk ndryshon kursin, sidomos në lidhje me ndihmën humanitare.

Në një kundërpërgjigje të ashpër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi këta liderë perëndimorë se po qëndrojnë “në anën e gabuar të historisë”, duke mbrojtur në mënyrë të tërthortë Hamasin.

“Kur vrasësit masivë dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit”, tha ai, duke përmendur direkt Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Mark Carney.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një ofensivë të re të quajtur “Qerret e Gideonit”, me ndërhyrje tokësore në veri dhe jug të Gazës të mbështetur nga forcat ajrore.

Qëllimi i deklaruar është të zgjerohet kontrolli operacional mbi Rripin dhe të lirohen pengjet ende të mbetura në duart e Hamasit.

Pavarësisht lehtësimit të pjesshëm të bllokadës javën e kaluar, kur disa dhjetëra kamionë ndihma u lejuan të hyjnë në Gaza, OKB e ka quajtur ndihmën një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat urgjente të mbi dy milionë banorëve në krizë./Botasot

Çdo person i katërt në Gjermani ka një “prejardhje migrimi” – tregojnë statistikat zyrtare

Rreth 21.2 milionë njerëz me prejardhje migrimi jetuan në Gjermani vitin e kaluar, një rritje prej 4% krahasuar me vitin paraprak, sipas shifrave zyrtare të publikuara të enjten.

Zyra Federale e Statistikave raportoi se kjo shifër arriti në 25.6% të popullsisë së përgjithshme, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Telegrafi.

Të dhënat ndahen në migrantë të gjeneratës së parë që vetë u zhvendosën në Gjermani që nga viti 1950 dhe migrime të gjeneratës së dytë, prindërit e të cilëve u zhvendosën në Gjermani.

Numri i emigrantëve të gjeneratës së parë u rrit në pak më pak se 16.1 milionë, duke përbërë 19.6% të popullsisë.

Përveç kësaj, pak më pak se 5.2 milionë pasardhës të tyre të drejtpërdrejtë jetonin gjithashtu në Gjermani.

Sipas të dhënave, 4.1 milionë njerëz të tjerë të lindur në Gjermani kishin vetëm një prind emigrant.

Sipas përkufizimit zyrtar, ata nuk llogariten si me prejardhje migrimi – ose për ta përkthyer termin gjerman “Einwanderungsgeschichte” fjalë për fjalë, një “histori emigracioni”.

Në grupmoshën 20-39 vjeç, rreth një në tre persona (34%) kanë një sfond migrues. Në grupmoshën mbi 65 vjeç, shifra ishte vetëm 14%.

Siç theksohet më tej, dekada e fundit ka parë një rritje të konsiderueshme të migrantëve që jetojnë në Gjermani.

Pothuajse 6.5 milionë njerëz nga jashtë emigruan në Gjermani midis viteve 2015-2024.

Vendet kryesore të origjinës ishin Ukraina dhe Siria. Sipas të anketuarve, arsyet kryesore ishin ikja, azili dhe mbrojtja ndërkombëtare (31%), punësimi (23%) dhe ribashkimi familjar (21%).

Zyra Federale e Statistikave publikoi të dhënat bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2022 dhe rezultatet fillestare të një mikroregjistrimi të vitit 2024. /Telegrafi/