🗳️ Diaspora shqiptare dhe zgjedhjet në Kosovë: Mbështetje e dukshme për Albin Kurtin

Prishtinë / Diasporë – Në prag të zgjedhjeve të radhës në Kosovë, vëmendja politike është përqendruar gjithnjë e më shumë te votuesit nga diaspora, të cilët edhe këtë herë pritet të kenë një rol të rëndësishëm në rezultatin final. Sipas vlerësimeve dhe reagimeve publike në rrjete sociale, mbështetja për kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje mbetet e lartë mes mërgimtarëve, veçanërisht në Evropën Perëndimore.

Shqiptarët që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali dhe Skandinavi kanë qenë tradicionalisht aktivë në proceset zgjedhore në Kosovë. Në këto zgjedhje, shumë prej tyre shprehen se e shohin Albin Kurtin si përfaqësues të ndryshimit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor.

📌 Pse diaspora po e mbështet Albin Kurtin?

Sipas komenteve dhe deklarimeve publike të mërgimtarëve, arsyet kryesore të mbështetjes janë:

Qëndrimi i fortë kundër korrupsionit Transparenca në qeverisje Politikat sociale dhe ekonomike Qëndrimi dinjitoz ndaj çështjeve kombëtare Rritja e besimit te institucionet e Kosovës

Shumë votues nga diaspora theksojnë se për herë të parë ndihen të përfaqësuar nga një qeveri që, sipas tyre, nuk është e kapur nga interesat e vjetra politike.

🌍 Angazhimi i diasporës në rritje

Procesi i regjistrimit për votim nga jashtë vendit ka shënuar interes të shtuar, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje. Kjo tregon se diaspora jo vetëm që mbështet politikisht, por edhe po mobilizohet aktivisht për të ndikuar në të ardhmen e Kosovës.

🔎 Rezultati mbetet për t’u parë

Edhe pse mbështetja për Albin Kurtin në diasporë duket e fortë, rezultati përfundimtar do të varet nga pjesëmarrja dhe nga mënyra e shpërndarjes së votave. Megjithatë, një gjë është e qartë: diaspora po mbetet një faktor kyç në skenën politike të Kosovës.

📰 Newsal.de – më shumë se kurrë afër jush

Shkupi me mesazh special për Hagën

Shkupi është kryeqendra e tretë në rajon, në të cilën shqiptarët shprehën pakënaqësi me procesin gjyqësor është duke u zhvilluar në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në një protestë, në të cilën morën pjesë mijëra vetë, u kërkua drejtësi në këtë proces gjyqësor

Mijëra qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në Hagë janë duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në protestën e organizuar të shtunën, ata shprehën pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor.

Nga Shkupi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i çoi mesazh kryetares së Gjykatës Speciale.

“Ne sot, në këtë numër kaq të madh, i tregojmë (Ekaterina v.j.) Trendafilovës që UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Populli sot është mbrapa tyre. Ne sot kërkojmë drejtësi, jo politikë. Ajo gjykatë është më shumë politike dhe i ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë merret me fakte të falsifikuara, të cilat fare nuk qëndrojnë. Isha vet dëshmitar”, ka thënë Gucati.

E Ali Ahmeti, i cili është një nga themeluesit e UÇK-së dhe kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, tha se procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve duhet të përfundojë me shpalljen të pafajshëm.

“UÇK-ja, dënonte çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile. Ushtria e shpallte veten ushtri e popullit vullnetar, që lufton për lirinë e popullit të vet. Objektivin final nuk e arritën për ta ndërtuar, andaj nuk do të duheshin që akuzat të bëhen për “shtëpinë e verdhë”, akuza që bëhet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, të njollosin historinë e UÇK-së”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë linjë foli edhe Daut Haradinaj, i cili është në mesin e tre pjesëtarëve të UÇK-së që për herë të parë dolën publikisht, e tani aktiv në politikë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tyre, se e njohim çka ka ndodhur në Kosovë. Dihet kush ka qenë agresor. Duke i njohur rrethanat nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të pafajësisë së tyre. Është një thirrje publike që sa më shpejt të kthehen në Kosovë, janë të pafajshëm”, ka thënë Haradinaj.

Edhe qytetarë që morën pjesë në protestë kërkuar që Specialja t’i shpallë të pafajshëm.

“Më vjen keq që sot kërkoj liri për çlirimtarët. Ata të cilët na sollën lirinë, padrejtësisht i mbajnë në Hagë. Me këmbëngulje kërkoj që ata të lirohen sa më shpejtë”, ka thënë Vedat Akshmedi, i cili mori pjesë në protestë.

“Procesi në Hagë që po zhvillohet, është me iniciativë të Serbisë. Këta heronjtë që kanë çliruar vendin, tash gjykohen në Hagë. Besoj një milion për qind se do të lirohen”, ka thënë një qytetar tjetër.

Protesta u mbajt për herë të pestë brenda këtij viti, me kërkesë për drejtësi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ata ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, ndërkaq për në pjesën e parë të 2026-s është planifikuar të shpallet vendimi nga Specialja.

Para Shkupit, protesta masive u organizuan në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.Klan.net

Hëna e Re e 20 dhjetorit! Për këto 3 shenja të horoskopit do të nisë një kapitull i ri

Hëna e Re në shenjën e Shigjetarit, më 20 dhjetor, sjell një energji të fortë transformuese, e cila vepron si një busull e brendshme dhe ndihmon në qartësimin e drejtimit personal.

Kjo periudhë favorizon ripërtëritjen e mendimit, zgjerimin e horizonteve dhe rikthimin e besimit tek rruga që secili ka zgjedhur.

Është një moment ku ëndrrat e mëdha jo vetëm që lejohen, por marrin edhe mbështetje t’u kthyer në realitet.

Për disa shenja të zodiakut, kjo Hënë e Re shënon një pikë kthese të rëndësishme dhe hapjen e një kapitulli të ri.

Këto janë tre shenjat që favorizohen më shumë nga Hëna e Re e 20 dhjetorit 2025:

Dashi

Për dashin, kjo Hënë e Re vjen si një sinjal nisjeje. Energjia rikthehet fuqishëm, por këtë herë në mënyrë të qartë dhe të fokusuar. Ju ndjeni se është momenti i duhur për të lënë pas zakone dhe modele që nuk ju shërbejnë më dhe për të ndërmarrë një hap që e keni shtyrë prej kohësh. Rruga përpara bëhet më e dukshme dhe intuita ju udhëheq drejt zgjedhjeve të duhura.

Shigjetari

Si shenja që sundon këtë Hënë të Re, shigjetari ndodhet në qendër të ndryshimeve. Zëri i brendshëm bëhet më i fortë dhe më i qartë, duke ju shtyrë të lini pas pasiguritë dhe të përcaktoni një drejtim të ri për jetën tuaj. Një ide, dëshirë apo qëllim i ri mund të marrë formë konkrete, ndërsa planet që më parë dukeshin të paqarta fillojnë të strukturohen. Kjo ditë ju jep besimin për të menduar më madhështor dhe për të hedhur hapin e parë.

Bricjapi

Pak përpara nisjes së ciklit tuaj astrologjik, Hëna e Re ju fton të rishikoni kuptimin e suksesit. Kjo periudhë ju bën të reflektoni jo vetëm mbi arritjet, por edhe mbi rrugët që po ndiqni për t’i realizuar ato. Një kapitull i ri hapet, ku autenticiteti dhe ndershmëria me veten marrin përparësi ndaj detyrimeve. Ju kuptoni se qëllimi nuk është përsosmëria, por rritja dhe evoluimi i vazhdueshëm.Gazetashqip

Pengmarrja e shtetasit nga Kosova, dalin pamje ku të dyshuarit drekojnë me 39-vjeçarin

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e tre personave në Vlorë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së shtetasit nga Kosova, F.Xh, 39 vjeç.

Të arrestuarit janë V.A, O.Ç. dhe J.Z.

Sipas pamjeve të siguruara nga grupi hetimor, pengu shihet duke qëndruar qetësisht në një lokal, së bashku me një shokun e tij dhe një nga personat e arrestuar.

Këto pamje kanë ngritur pikëpyetje mbi versionin e pengmarrjes së pretenduar, pasi personat duken se komunikojnë lirshëm dhe njihen mes tyre, raporton Tch.

Mbajtën peng dhe e rrahën një shtetas të Kosovës për përfitimin e 70 mijë euro, arrestohen tre të dyshuar në Vlorë

Sipas palës mbrojtëse, 39-vjeçari nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe sende personale, me qëllim që të qëndronte aty për një periudhë kohe.

Denoncimi për pengmarrje, sipas avokatëve, është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se i riu u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se situata është keqinterpretuar si pengmarrje.

Në banesën ku dyshohet se qëndronte 39-vjeçari janë gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes përforcon pretendimin se ai kishte shkuar aty me vullnetin e tij.Ora.info

Vdes një grua në një aksident mes një veture dhe një kamioni në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një grua ka mbetur pa shenja jete sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Tutje bëhet e ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira mes një veture dhe një mjeti të rëndë transportues-kamion, me targa vendore.

“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë Kelani.

Kelani po ashtu ka thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante. Policia e Kosovës, apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka thënë Kelani. /Telegrafi/

Serbia jeton në epokën e Milosheviqit!

“Paqëndrueshmëria politike” si shprehje për Ballkanin është një term i gjerë dhe me disa sfida! Këtu hyjnë të gjitha qeveritë e paqëndrueshme, korrupsioni, trazirat etnike dhe mungesa e reformave. Këta faktorë historikisht kanë krijuar konflikte dhe sfida drejt zhvillimit  dhe jo stabilitetit të rajonit”! Kjo përmbledhje është rrjedhë e përdorimit të  IA-s!

-Atëherë, çfarë po ndodh në Serbi, pyet autori i tekstit të më poshtëm?Beogradi, lojtari më i fortë rajonal, po promovon përsëri një narrativë nacionaliste përgjithësisht të njëjtë me atë të epokës së Millosheviqit. Autoritetet serbe po punojnë kundër pajtimit rajonal dhe kundër një zgjidhjeje të vërtetë të krimeve të viteve 1990. Kjo mund të shihet edhe në raportet e Tribunalit të Hagës dhe sasinë dërrmuese të retorikës nacionaliste të përhapur nga shtypi pro-qeveritar. Narrativa që u shitet qytetarëve është se, Serbia është nën sulm nga të gjitha anët. Vetëm kështu e mban udhëheqja, idenë se Serbia është e kërcënuar për të  justifikuar rolin e saj si “mbrojtës të kombit”. Kjo narrativë funksionon si një perde e hollë për të mbuluar mënyrën se si kjo elitë e korruptuar dhe tërësisht e kriminalizuar e Serbisë keqpërdor edhe burimet shtetërore për këto përfitime!

Në dy vitet e fundit, autoritetet e kanë “plotësuar”  historinë e viktimizimit të serbëve me narrativën tjetër se, Serbia është përsëri një shtet i fuqishëm edhe nga ana ushtarake! Por, risi tjetër është edhe ideja e “Botës Serbe”, një kërkesë pë të gjithë serbët në rajon, se ata duhet të orientohen drejt Beogradit dhe të ndjekin udhëzimet e tij. Kjo ide është e skicuar në dokumente zyrtare si “Strategjia e Sigurisë Kombëtare” e vitit 2019, e cila në një kontekst ushtarak bën thirrje për “mbrojtjen e serbëve kudo që jetojnë”. Stërvitjet dhe shfaqjet ushtarake transmetohen drejtpërdrejt në kanalet televizive kombëtare dhe komentohen me terma madhështorë: “toka do të dridhet nën armët serbe”. Buxheti për investime ushtarake është rritur ndjeshëm, kur dihet se Serbia ka blerë një numër sistemesh të reja armësh në vitet e fundit.

Ky qëndrim është për një ndikim më të drejtpërdrejtë në vendet fqinje, kur kombinohet me armatimin dhe glorifikimin e ushtrisë! Pra, autoritetet e Serbisë rrisin dhe nxisin konflikte, në vend që të zvogëlojë këtë mundësi në rajon. Ato kanë krijuar një model autokratik qeverisjeje, të bazuar në pushtetin e individit dhe jo në pushtetin institucional. Mungesa e një sistemi gjyqësor funksional ndihmon përhapjen e korrupcionit. Këtu, është njëjtë si në Rusi, përderisa  edhe udhëheqësit e politikës serbe luftojnë për të ruajtur të njëjtin model shoqëror që është i dobishëm për ta. Është joreale të besohet se dorëzimi ndaj këtyre kërkesave të autoriteteve serbe drejt rritjes për ndikim ndaj vendeve fqinje mund të kontribuojë në një zhvillimin pozitiv shoqëror në rajon!

Situata në Serbi është një problem në rritje, sepse kuadri ndërkombëtar është më pak i qëndrueshëm se sa që ishte më heret, pra ekziston rreziku që vendet e BE-së dhe ato të NATO-s, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, nuk do të fokusohen  mjaftueshëm ndaj rrethanave në rajon për të qenë në gjendje të kundërshtojnë këto zhvillime dramatike dhe të pa dëshirueshme.  Drejtimi autokratik dhe autoritar i Serbisë nuk përputhet me idenë e integrimit evropian, përkundrazi i shërben Kinës dhe Rusisë, të cilat po punojnë për një Evropë  më të dobët dhe më të fragmentuar. Në veçanti, krijimi i mundshëm i shteteve gjysmë të pavarura kroate dhe serbe, tërësisht të korruptuara në Bosnjë dhe Hercegovinë do të ishte një paketë dhuratash për ndikimin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.

Në dy vitet e fundit, autoritetet e kanë “plotësuar”  historinë e viktimizimit të serbëve me n

Është e vështirë të imagjinohet, se tensionet në rajon do të ulen përgjithmonë duke iu nënshtruar edhe më tej këtyre politikave nacionaliste të autoriteteve serbe.

-Ideja e ndarjeve territoriale dhe forcimet e mëtejshme të etnisë si bazë për të drejtat e individëve në shtetet ku jetojnë, mund të përshkruhet tashmë si një dështim. Për të dyja këto, (bazuar në zhvillimet negative që kemi parë deri më tani),  elita kleptokratike e Serbisë do  të përdorë nacionalizmin si mjet edhe në të ardhmen. Ata gjithmonë do të jenë në gjendje të nxjerrin në pah “çështje të reja jetësore kombëtare” për të shfrytëzuar këto dy çështje dhe për të devijuar nga sistemet e drejta ligjore. Prandaj, është e domosdoshme për bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe diplomatët norvegjezë, që të jenë të kujdesshëm dhe mos të mbështetetin idetë kësaj politike të Serbisë për zgjidhjet etno-nacionaliste. Për parimet e sundimit të ligjit, politikanët mbahen përgjegjës ndaj qytetarëve përmes një gjyqësori të drejtë funksional me mediumeve korrekte, siç i  kemi në Norvegji.

Arritja e ndryshimeve të vërteta pozitive në Ballkan do të kërkojë përpjekje dhe do të përballet me rezistencë të ashpër nga ata që përfitojnë nga rendi aktual. Megjithatë, duhet të pyesim veten nëse kjo alternativë është dukshëm më e keqe, nëse pranojmë që kleptokratët nacionalistë të mbështetur nga Rusia të bëhen forcat dominuese në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Minimumi i vendeve të BE-së dhe NATO-s është  të dalin me masa të qarta dhe të mjaftueshme kundër këtyre përpjekjeve konkrete të Serbisë, veprime këto të identifikueshme për të krijuar tensione të reja, apo konflikte të armatosura.

Pra, ajo që do të ndodh më pas në Ballkan, m’varet kryesisht nga vullneti i vendeve të BE-së dhe NATO-s për të mbrojtur modelin e tyre shoqëror. Sot është e rëndësishme edhe për Norvegjinë që të mbrojë vlerat themelore demokratike në rajon, por me një ndryshim nga e kaluara, kur stabilitetit afatshkurtër i jipej përparësi! /Botasot

Ky është 25-vjeçari që dyshohet se ra nga kati i 13-të i ‘Hotel Grandit’ sot në mesditë

Ngjarja tronditëse ndodhi rreth orës 11:34 në qendër të Prishtinës.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima ka rënë nga lartësia dhe ka mbetur pa shenja jete në vendngjarje.

Sinjali mëson se viktima është Rien Bytyqi, 25 vjeçar.

Të gjitha njësitë e nevojshme – Policia, hetuesit, forenzika, emergjenca dhe zjarrfikësit – janë angazhuar në hetimin e rastit.

Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo ka dyshime për përfshirje të ndokujt tjetër.

Hetimet vazhdojnë.

Si është gjendja në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë?

Me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, krijohen edhe kolona të gjata në pikat kufitare gjatë sezonit veror.

Por, në orët e paradites të së martës, situata paraqitet e qetë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Pritjet për të hyrë në Kosovë, por edhe në dalje të saj, janë të zakonshme 3 deri në 5 minuta./Reporteri.net

Vdekja e të riut në Lipjan, përse u arrestuan 5 policët?

Në natën e 7 korrikut një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrje nga ana e policisë.

Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroj jetë në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues.

Të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.

“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.

Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.

Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.

“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.

Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit./aktuale.com

Ushtarët gjermanë do të qëndrojnë edhe një vit në Kosovë

Në një debat prej gjysmë ore, deputetë gjermanë nga parti të ndryshme sollën argumente pro dhe kundër zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë.

Gjermania nuk largohet nga Kosova – të paktën jo këtë vit. Të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-itdo të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit.

Çfarë thanë deputetetët në Bundestag? 

„E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk duhet reduktuar vetëm në çështje sigurie“, tha deputati konservator Johannes Volkmann (CDU/CSU) i cili merrte fjalën për herë të parë në parlament. Volkmann, nipi i kancelarit të njohur gjerman Helmut Kohl, i cili në vitin 1990 udhëhoqi ribashkimin historik të Gjermanisë, kërkoi një qasje më të guximshme ndaj Kosovës: „Si mund të ndihen brezat e rinj në Kosovë kur ende nuk është realizuar premtimi për integrim në BE që u dha në Selanik në vitin 2003?“ Ai i bëri thirrje BE-së që më në fund ta njohë Kosovën plotësisht dhe ta pranojë në Këshillin e Evropës.

Stefan Keuter, përfaqësuesi i së djathtë së skajme AfD, partia më e madhe opozitare në Bundestag, hodhi poshtë të gjithë logjikën e misionit në Kosovë. „Ky nuk është konflikti ynë. Ky mision nuk ka sjellë asgjë konkrete (..) Me ato para mund të ushqenim fëmijë të uritur në Jemen ose Sudan.“

Një tjetër zë kritik erdhi nga E Majta, ku deputetja Gökay Akbulut e quajti misionin e KFOR-it një „zgjidhje të ngrirë ushtarake pa perspektivë“. „Kosova është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Nuk kemi nevojë për më shumë trupa, por për shkolla, spitale dhe vende pune.“

Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbrojtën vendimin për zgjatjen e mandatit:

„Ushtarët tanë ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike“, tha ministrja Nancy Faeser (SPD), ndërsa Niklas Wagner (Të Gjelbrit) e quajti KFOR-in „spirancë stabiliteti“, dhe paralajmëroi: „Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësi – ndryshe vakuumin do ta mbushin aktorë autoritarë.“

Çfarë roli kanë ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it

Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen sërish në Kosovë. Detyra e tyre? Të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, në rendin publik dhe në përpjekjet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe multietnik. Gjermania shpreh qartë edhe mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike – si përgatitje për integrimin në NATO dhe BE.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ishte një nga kontribueset më të mëdha në misionin KFOR, me deri në 6 000 ushtarë të dislokuar në Kosovë. Prania u ruajt në nivele të larta deri në vitin 2004, kur pas trazirave ndëretnike u përforcua sërish me 600 trupa shtesë.

Nga viti 2011 nisi një ulje graduale, duke zbritur në më pak se 1 000 ushtarë dhe duke e mbyllur bazën ushtarake në Prizren më 2018.

Në fund të vitit 2022, Gjermania kishte vetëm rreth 80 ushtarë në terren. Por me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimin e kontingjentit austriak, Berlini reagoi: në prill 2024 u dërgua një kompani shtesë dhe sot Bundestagu ka mandatuar deri në 400 trupa – një rikthim simbolik i vëmendjes ndaj sigurisë në rajon.
Misioni ushtarak në Kosovë i kushton  Gjermanisë 38.9 milionë euro./DW.com