Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë. Në një email që është dërguar në adresën e Presidencës së Kosovës pak ditë më parë, presidentja është kërcënuar me jetë, duke u quajtur ndër të tjera edhe “kriminele antikushtetuese”. Adresa ishte anonime.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se kërcënimi i fundit ishte vazhdimësi i kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Osmani. Ai ka kritikuar institucionet e drejtësisë për mosveprim. Ai tha se janë bërë dhjetëra kërcënime, madje në shumë raste me emër e mbiemër, por s’ka pasur masa.
“Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Kupina. “Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”.
Kupina ka thënë se sipas institucioneve të sigurisë, është rasti i vetëm në historikun e institucioneve ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.
“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka thënë Kupina. /Koha.net
Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 17-të. Kryesuesi u propozoi përfaqësuesve partiakë që mbledhjet t’i mbajnë më rrallë, së paku një herë në javë. Por, propozimin e kundërshtuan përfaqësuesit e partive që deri tash kanë qenë në opozitë, sipas të cilëve me të Vetëvendosja tregon se nuk e ka prioritet konstituimin.
Në tentativën e 17-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit, është dhënë propozimi që deputetët të mblidhen më rrallë se çdo 48 orë. Reduktimin e takimeve në një herë në javë, për aq kohë sa zgjat seanca konstituive, e propozoi të shtunën kryesuesi Avni Dehari. Idenë ua dha përfaqësuesve partiakë në konsultën që e ftoi me ta, para se të niste vazhdimi i 17-të i seancës konstituive që ka nisur një muaj më parë.
“Para se të fillojmë me seancën konstituive, e shoh të nevojshme që të vijnë për një konsultim shumë të shkurtër përfaqësuesit e subjekteve politike”, tha kryesuesi.
Dehari nuk e gjeti konsensusin që e kërkoi për ta anashkaluar kërkesën e Rregullores së Kuvendit, sipas së cilës pauza mes vazhdimeve të seancës konstituive nuk mund të jetë më e gjatë se 42 orë.
Vazhdimi i së shtunës nisi me një minutë heshtje, në 26-vjetorin e zhdukjes me dhunë të veprimtarit Ukshin Hoti që ndodhej i burgosur në Serbi.
Pa deputetët e AAK-së që munguan dhe me deputetët e LVV-së që në sallën e Kuvendit u paraqitën me 40 minuta vonesë, Dehari vazhdoi me pikën e rendit të ditës, në të cilën ligjvënësit kanë ngecur që 9 seanca – formimin e Komisionit për ta menaxhuar votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.
Ai kërkoi propozime nga subjektet politike që në tentimet paraprake nuk kanë dhënë emrat për anëtarë të komisionit. Njëjtë si herëve të tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë.
Në votim, 56 votat që ishin për nuk qenë të mjaftueshme për formimin e Komisionit me anëtarët e propozuar më herët, dhe seanca u ndërpre. Pas kësaj, 99 deputetët që u mblodhën në vikend me qëllimin për konstituim të legjislaturës së re, u kthyen prapa pa bërë gjë.
Idenë që vazhdimet e seancës të mbahen më rrallë, përfaqësuesit e partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e cilësuan shkelje dhe mesazh që partia fituese nuk do zgjidhje.
“Është krejtësisht e papranueshme që të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Interpretim të njëjtë i dha edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”, ka thënë Bajrami.
Por, deputetja e koalicionit fitues, LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimi u bë si pasojë e mungesës së rezultateve nga vazhdimet që janë mbajtur çdo të dytën ditë.
“Në rast se janë të barrikaduar në ato pozicione dhe nuk e ndiejnë peshën e përgjegjësisë për të marrë pjesë në votim as për procedurë, le ta presim interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Se nuk është që po bëjmë ndonjë hair që po vijmë këtu çdo 48 orë, përderisa ata nuk po lëvizin nga pozicioni i tyre i mos votimit”, deklaroi Kusari-Lila.
Në PDK e LDK përsëritën se përgjegjësia për zhbllokim i takon LVV-së, subjekt ky që nuk e ka siguruar shumicën në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Krasniqi, tha se problemin nuk e kanë vetëm me emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryeparlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës, përveç zonjës Haxhiu nuk do të votojë për asnjë propozim që mund të vijë si zëvendësim i saj e që është ish ministër i qeverisë Kurti II”, ka thënë ai.
E, ngërçi në Kuvend është produkt i kalkulimit të partive për zgjedhjet lokale të cilat mbahen kah fundi i këtij viti, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.
I ftuar në “Specialen” e KTV-së për vazhdimin e 17-të të seancës konstituive, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mund të kalkulojë që me lokalet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.
“Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk ka asgjë me urgjencë dhe është e interesuar të vazhdojë kësisoj për faktin që i ka levat e pushtetit në dorë dhe nuk i ngutet asgjë, kurse opozita është e fokusuar tashmë në zgjedhjet lokale dhe ka filluar përgatitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe siç po shihet jemi në një skenar ku praktikisht Lëvizja Vetëvendosje do ta zvarrisë situatën për aq sa është e mundur dhe kësisoj kur të vijmë te zgjedhjet lokale mund të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, historia ka treguar se në mungesë të vullnetit politik për të dalë nga bllokada, presioni ndërkombëtar për zgjidhje ka qenë shpesh faktor vendimtar.
“Po të na liheshin neve nuk do të dinim dhe nuk do të donim t’i bënim, siç po ndodh aktualisht. Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës po duket sikurse sokaku i të marrëve në romanin e Kadaresë ku njerëzit që kalojnë andej janë vërtet të marrë dhe kuvendin e kanë shndërruar në të tillë, ku nuk ka asnjë zgjidhje politike për zhbllokim të situatës”, ka thënë ai.
Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E në këtë gjykatë, ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja.
Pavarësisht procedurës në gjykatë, seanca do të vazhdojë çdo 48 orë. Vazhdimi i radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30./Koha.net
Organizata e OVL-së së UÇK-së e ka dënuar fuqishëm aktin që ka ndodhur në komunën e Bujanocit ku një person i maskuar ka vandalizuar një poster të Ridvan Qazimit, i njohur si Komandant Lleshi.
Sipas OVL-së së UÇK-së, ky akt përbën jo vetëm skandal të rëndë por edhe sulm të qëllimshëm ndaj kujtesës kombëtare dhe sakrificës për liri.
“Ky veprim është tregues i qartë se ende ka struktura që nuk e pranojnë realitetin e lirisë dhe që ndihen të shqetësuara nga lavdia e Dëshmorëve tanë, të cilët i dhanë kuptim të plotë qëndresës dhe dinjitetit shqiptar”.
“Asnjë akt i tillë nuk mund të zbehë respektin dhe nderimin që kemi për ata që ranë për lirinë tonë. Gjaku i tyre është i shenjtë dhe do të përkujtohet përjetësisht”, thuhet në reagim.
Tutje, OVL e UÇK-së tha se kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që t’i zbulojnë autorët e këtij akti të ulët dhe t’i vë ata para drejtësisë.
“Heshtja në këso raste nxit përsëritjen e veprimeve të tilla dhe dëmton përpjekjet për paqe dhe bashkëjetesë në rajon”, thuhet në reagim./Lajmi.net
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se garantimi i sigurisë dhe sundimi i ligjit janë kyçe për politika të duhura dhe zgjidhje afatgjata.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka njoftuar për diskutimin e një dite më parë në samitin e mbajtur në Tiranë. Kosova dhe Kroacia i prinë diskutimit për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve.
Osmani dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, bashkëkryesuan tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.
“Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë, përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata”, ka shkruar ajo në Facebook./RTV21
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të, por se e quajti konstruktiv qasjen e tyre, raporton Koha.net. Ajo ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.
“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Ajo ka thënë se nëse zvarritet më tej çështja e konstituimit të Kuvendit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo.
“Nëse kjo zvarritet shumë janë disa opsione, një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse në vijim do rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë. Takimet do vazhdojnë”.
Presidentja është shprehur se takimet me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.
“Nëse shihet e nevojshme nga java tjetër do takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar me formate të tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit. Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, ka potencuar Osmani.
Osmani ka shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, pa u pajtuar partitë për konstituim të Kuvendit.
Osmani është takuar më pas me përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, ku ka ritheksuar se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyç në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit.
“Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës./Portalb.mk
As vazhdimi i së enjtes i seancës së nisur më 15 prill nuk ka prodhuar rezultat. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë siç ka kërkuar Vetëvendosje. Pa votat e tyre nuk është bërë as kuorumi i nevojshëm. Pas ndërprerjes së seancës, partitë deri dje në pushtet e opozitë kanë akuzuar sërish njëra-tjetrën për ngërçin e krijuar.
Më pak se 3 minuta ka zgjatur vazhdimi i 16-të i seancës konstituive që ka nisur fiks një muaj më parë. Para se të vazhdonte seanca të enjten, administrata u vendosi në tavolinë të gjithë deputetëve nga një shkresë me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e AAK-së të deponuar në fillim të kësaj jave.
Me këto letra u kërkohej ligjvënësve që më së largu deri më 19 maj, t’i dërgojnë në Kushtetuese komentet e tyre lidhur me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për mosvotimin e Komisionit për votim të fshehtë.
Pas pak, seanca nisi por dështoi pikërisht në pikë-propozimin për ta formuar Komisionin për zhvillimin e votimit të fshehtë.
Sërish, PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan kandidatë për anëtarë të këtij Komisioni. Pa votat e tyre as nuk u bë kuorumi i nevojshëm që të miratohet apo kundërshtohet formimi i tij.
“55 deputetë kanë votuar për, 1 ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi më 17 maj në orën 10:30”, u ka thënë deputetëve kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Ndonëse kjo është hera e 8 që seanca dështon në pikën e njëjtë, përfaqësues të koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, thanë se vazhdimisht janë duke bërë përpjekje për zhbllokim.
Sipas koalicionit fitues, nuk po dështon Albulena Haxhiu që të zgjidhet kryeparlamentare por po dështon mënyra e votimit të saj.
“Ne ende nuk kemi ardhur tek propozimi i emrit. Ajo që na duhet prej numri të konsiderueshëm të seancave, përpjekja jonë e vazhdueshme është që ne ta kemi një proces të votimit të fshehtë”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Faton Peci.
Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dështimin ia atribuoi kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Ai i bëri thirrje LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare.
“Sot, 55 vota i ka marrë Albin Kurti, nuk i ka marrë Komisioni. Ata mund ta quajnë si të duan por këto janë votat për mandatin e Albin Kuritt. Andaj ne nuk kemi vota për të e as s’do të kemi. As për Albulena Haxhiun. Ky taktizim ta quaj butë, ka ndodhur thjeshtë për ta komplikuar situatën tutje”, ka thënë Krasniqi.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit siç po synon të bëjë Vetëvendosje, pa marrëveshje politike, mund të jetë strategji e saj.
“Kjo mund të shihet si interpretim i tillë që këta duan fillimisht ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pastaj me këdo që bëjnë marrëveshje politike të ndajnë pjesën tjetër të pushtetit”, ka deklaruar ajo.
E dështimi i serishëm i seancës, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj është dëshmi se Vetëvendosje nuk dëshiron të dilet nga ngërçi i krijuar në Kuvend.
“Këta janë lidhur me një emër që nuk po kalon dhe nuk po merr më shumë se 55 vota dhe këta nuk po tentojnë as të ndryshojnë dhe as të provojnë se a ka ndodnjë kandidat tjetër që i plotëson kushtet që ndoshta ish votu edhe prej partive të tjera parlamentare”, ka thënë Kadrijaj.
Pas dështimit të seancës, përfaqësuesit politikë kanë thënë se presin që situatës t’i gjendet zgjidhje në takimin që pasoi me presidenten Vjosa Osmani, por as në të nuk pati zgjidhje./Koha.net
Sot është arrestuar një 17 vjeçar, G.Xh., në rrugën “Fatmir Ratkoceri” në Ferizaj.
Ai ishte në kërkim nga Gjykata pasi ishte i dënuar me tri vjet burgim për veprën penale “Dhunim”.
“Më datë 14 maj 2025, rreth orës 15:30, në rrugën “Fatmir Ratkoceri” në Ferizaj, Policia Rajonale ka lokalizuar dhe arrestuar një person të kërkuar nga gjykata. I arrestuari, G.Xh. (17 vjeç), ishte në kërkim në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për veprën penale “Dhunim”, për të cilën ishte dënuar me tre (3) vite burgim.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit. Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe forcimin e sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftim./Botasot
Siguria e Evropës dhe Ukraina do të jenë në fokus të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Evropian, i cili mbahet të premten në Tiranë. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në një dokument të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë duke mos ia paragjykuar statusin, por në atë të Komunitetit, Kosovës nuk i është vendosur asterisku.
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë të premten në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
“Sikurse në samitet paraprake, presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin e radhës së EPC-së, që mbahet të premten në Tiranë”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Mbështetur në agjendën që ka publikuar Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë, sipas së cilës nuk paragjykohen qëndrimet mbi statusin dhe ai është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Mendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Por në dokumentin e publikuar nga Komuniteti Politik Evropian, Kosova paraqitet pa asterisk. 47 udhëheqës shtetesh dhe qeverish dhe të institucioneve të BE-së janë të ftuar të marrin pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po ashtu janë ftuar.
Bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza tematike paralele dhe takime dypalëshe.
Në fokus të diskutimeve do të jetë Ukrainë dhe siguria në Evropë.
“Udhëheqësit pritet të diskutojnë për sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, si dhe gatishmërinë e aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme. Do të zhvillohet dialog mbi përmirësimin e konkurrueshmërisë së kontinentit përmes investimeve, inovacionit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë në disa fusha. Do të trajtohen gjithashtu sfidat e lëvizjes, duke përfshirë migrimin, lëvizjen e fuqisë punëtore dhe lëvizjen e të rinjve”, shkruan në agjendë.
Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.
Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.
Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE. Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian./Koha.net
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.
Por, çka është fruthi?
Çfarë është? Fruthi ose Morbili, është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus (morbilli virus), i cili përhapet në momentin që një person i infektuar kollitet apo teshtin. Mund të jetë sëmundje serioze, me shumë komplikime, madje mund të shkaktojë dhe vdekje të pacientit. Sëmundja prek traktin respirator (sistemin e frymëmarrjes). Mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi. Vaksina është e sigurt dhe ndihmon trupin të luftojë virusin.
Shkaqet Fruthi shkaktohet nga një lloj virusi që përhapet përmes kollitjes, teshtitjes dhe kontaktit të ngushtë apo direkt me sekrecionet e një personi të infektuar.
Kush preket? Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse në botë, që do të thotë se kontakti me persona të infektuar do të çojë patjetër në shfaqjen e sëmundjes infektive, aq sa 1 person i infektuar mund të infektojë 10 persona të tjerë të pavaksinuar afër tij. Këtë infeksion ai e transmeton nga 4 ditë para shfaqjes së puçrrave, deri 4 ditë pas shpërthimit të tyre. Virusi shkaktar mund të qëndrojë aktiv dhe kontagjioz (ngjitës) në ajër ose në sipërfaqe të kontaminuara deri në 2 orë.
Komplikimet mund të shfaqen më tepër tek personat e moshës nën 5 vjeç dhe mbi 30 vjeç, veçanërisht ata me sistem imunitar të prekur dhe ata që janë të nënushqyer.
Simptomat Simptomat e fruthit zakonisht shfaqen 11–14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Simptomat më të zakonshme përfshijnë: temperaturë që zgjat zakonisht 1 javë dhe shkon deri në 40°C, kollë, skuqje e syve dhe shfaqje e puçrrave, fillimisht në fytyrë dhe qafë, dhe që për 3 ditë përhapen në të gjithë trupin, duke arritur tek duart dhe këmbët. Këto shfaqen 2–4 ditë pas simptomave të para dhe mund të jenë të pranishme deri në 5–8 ditë përpara se të largohen.
Vdekja nga fruthi ndodh për shkak të komplikimeve si encefalit (infeksion në tru), infeksion në veshë, diarre ekstreme dhe dehidratim, si dhe probleme me frymëmarrjen si pneumonia. Këto kanë më shumë mundësi të shfaqen tek fëmijët nën 5 vjeç dhe të rriturit mbi 30 vjeç.
Mjekimet Nuk ka asnjë trajtim specifik për fruthin. Trajtimi ka të bëjë thjesht me lehtësimin e simptomave, si për shembull mjekim për trajtimin e temperaturës. Duhet pirë sa më tepër ujë për të shmangur dehidratimin dhe për të zëvendësuar lëngjet e humbura për shkak të diarresë dhe të vjellave.
Mjekimet përfshijnë qetësues për ethet, temperaturën dhe dhimbjet si ibuprofen dhe paracetamol; suplemente me vitaminë A për shkak të reduktimit të niveleve të saj si pasojë e sëmundjes dhe për të parandaluar komplikacione të mundshme me shikimin./Reporteri
Liridon Masurica (33-vjeçar) nga Gjilani i njohur si “@blackdb” më 9 maj është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si administrator kryesor i “BlackDB.cc” – tregu kriminal online. Ndaj tij rëndojnë akuzat për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve. Ai doli para gjyqit për herë të parë më 12 maj (dje).
Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në paraqitjen e parë para gjyqit gjatë ditës së djeshme, Masuricës iu shqiptua masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg./Koha.net