Ekipet e FSK-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur ta gjejnë të gjallë personin e zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, pas një operacioni kërkim-shpëtimi në zonën malore të fshatit Kokaj.
Njoftimi:
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e ekipeve të FSK-së për operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe K9 të Gardës Kombëtare të FSK-së, FSK-ja ka marrë të gjitha masat dhe ka angazhuar ekipet në operacionin e kërkimit të personit të zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, Komuna e Kllokotit, i nacionalitetit serb, dhe ka arritur që, pas disa orësh kërkimi, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të gjejë personin e gjallë në fshatin Kokaj.
“Pas përfundimit të operacionit, personi i është dorëzuar Policisë së Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm”, njofton FSK./Botasot
Përfaqësues të partive politike kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen ftesës së presidentes Vjosa Osmani, për takimet me të cilat synohet t’i jepet zgjidhje ngërçit politik. Por shprehën pikëpamje të ndryshme nëse brenda Presidencës do të mund të gjetet zgjidhje.
Pozitivisht i janë përgjigjur përfaqësuesit e partive politike ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takime, me synimin për ta zhbllokuar seancën konstituive.
Deputetja Mimoza Kusari Lila konfirmoi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim. Por, nuk shprehu pritje për marrëveshje në institucionin më të lartë të shtetit.
“Kryeministri Kurti dhe kryetari i LVV-së ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Nënkuptohet se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, pasi nuk mundet që Zyra e Presidencës të përdoret, siç nuk është përdorur, për marrëveshja politike. Ato bëhen mes grupeve apo mes partive politike”, ka thënë deputetja Kusari-Lila, pas dështimit të 15-të të konstituimit të Kuvendit.
Më pas ajo ka përsëritur se Kurti është përfaqësues i LVV-së në këtë takim, dhe ka akuzuar partitë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë se duke mos e votuar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shprehu pritjen se në takim Vetëvendosja të reflektojë për situatën në Kuvend.
“Më vjen mirë që presidentja Osmani ka pranuar propozimin për të thirrur një takim të të gjitha partive politike, për çka shpresoj që të gjithë t’i përgjigjen pozitivisht për të shkuar dhe për të shprehur opinionet dhe për të pasur një diskutim që të rezultojë me një rrugë përpara për daljen nga kriza”, ka thënë Krasniqi.
E deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, tha se nëse në takimin e organizuar nga presidentja kundërshtohet propozimi i LDK-së për Qeveri tranzicionale të spektrit të gjerë, atëherë i takon Vetëvendosjes të ofrojë alternativa të reja, krahas thirrjes për të bashkëqeverisur me LDK-në.
“Shpresoj që partitë politike të jenë prezentë në takimin e ftuar nga presidentja dhe nëse janë kundër propozimit tonë atëherë besoj janë ata që duhet të lëvizin. E kemi thënë sa herë, Vetëvendosja i ka edhe 13 parti të tjera parlamentare të cilave nuk iu ka bërë ofertë siç i ka bërë LDK-së. Janë ata që i kanë alternativat në dorë”, ka thënë deputetja Bajrami.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk është i njoftuar me formatin e takimit dhe bëri të ditur se në të mund të japë ide për ta tejkaluar ngërçin politik.
“Do ta dëgjojmë presidenten, dhe të shohim se çfarë qëndrimesh ka ose çfarë sugjeron. Në të njëjtën kohë nëse kemi ndonjë sugjerim do ta japim”, ka potencuar Haradinaj.
Ftesë nga presidentja kanë pranuar vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit. Për rrjedhojë, liderë të partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve, si Fatmir Limaj që drejton Nismën Socialdemokrate, nuk janë ftuar.
“Unë jam linçuar para dy muajve kur kam thënë që për tema nacionale duhet të bisedohet me të gjithë dhe ju gjithmonë do ta keni një përgjigje timen pozitive. Sepse kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër. Me të gjitha ftesat që janë në funksion të bashkëbisedimit për të ndarë shqetësimet dhe brengosjen, për të gjetur zgjidhje ,në ftesa të tilla ne i përgjigjemi gjithmonë pozitivisht, pavarësisht nga kush vijnë ftesat”, ka thënë Limaj.
Por, skeptik për rezultatin e takimeve është shprehur ish-deputeti Afrim Kasolli, i cili ishte i ftuar në Specialen e KTV-së për vazhdimin e 15-të seancës konstituive.
“Nuk është në mandatin e saj që ta detyrojë dhe obligojë Lëvizjen Vetëvendosje të marrë një veprim të tillë sepse kjo është në vullnetin e saj politik. Jam pesimist dhe skeptik që do të mund të dalë diçka pozitive nga ky takim konsultativ. Nga situata mund të dilet vetëm nga veprimi i forcave politike në Kuvendin e Kosovës ose eventualisht nëse Gjykata Kushtetuese i jep një rekomandim të prerë nëse dikush e adreson këtë pyetje; nëse e drejta për nominim mund të kthehet në të drejtë për bllokim të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kasolli.
Zyra e Presidencës ka njoftuar që serinë e takimeve konsultative rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit do ta nisë nga e enjtja e 15 majit. E theksoi këtë, pasi javën e shkuar kumtoi lajmin për takimet, pas kërkesave që bënë disa parti politike.
Kjo nuk është nisma e parë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, parti kjo që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, ftoi në takim liderët e dy subjekteve kryesore politike, Memli Krasniqin që e drejton Partinë Demokratike, si dhe Lumir Abdixhikun, i cili është në krye të Lidhjes Demokratike. Ftesës iu përgjigj pozitivisht vetëm Krasniqi, por takimi nuk ka prodhuar rezultat.
Kurti i ka dërguar dy herë letër Abdixhikut, për negociata koalicioni. Ato janë refuzuar.
Por, në përgjigje të letrës së dytë, Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzicioni me mandat deri në zgjedhjen e presidentit që bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Ideja është hedhur poshtë nga të gjitha subjektet politike.
Presidenca konfirmon pjesëmarrjen e partive në takim
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të marrin pjesë në takimin konsultativ me presidenten Vjosa Osmani të enjten.
“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me presidenten Osmani”, ka njoftuar Presidenca të martën pasdite.
Liderët e partive më të mëdha parlamentare u ftuan nga Osmani për një takim lidhur me tejkalimin e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.
Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.
Seanca e radhës do të mbahet më 15 maj, të enjten – ditën e takimit të partive me Osmanin./Koha.net
27 vjet më parë në Llapushnik të Drenasit u zhvillua beteja e ashpër ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, betejë kjo e njohur si Beteja e Grykës së Llapushnikut.
Beteja u zhvillua për tri ditë me radhë, 7 deri më 9 maj 1998, dhe ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
Lufta e zhvilluar në Grykës së Llapushnikut për kontrollin e kësaj zone, ka qenë më e rëndësishmja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi e bënte të pakalueshme për forcat serbe rrugën Prishtinë – Pejë.
Gryka e Llapushnikut u mbajt e bllokuar për muaj me radhë, duke u mundësuar luftëtarëve të UÇK-së që të lëvizin të lirë në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës dhe kjo ua mundësoi që të organizohej dhe të furnizohej me armatime, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin të premten, ku një burrë dyshohet se fillimisht ka goditur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Tragjedia ndodhi në një ndërtesë banimi në rrugën “B” në Prishtinë. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se burri ishte 34 vjeç, ndërsa gruaja 30 vjeçare, transmeton Telegrafi.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Në vendngjarje janë thirrur edhe ekipet emergjente të cilat kanë konstatuar vdekjen e një personi, mashkull 34 vjeç, ndërsa e lënduara, një grua 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.
Pak orë pas ngjarjes, në media u publikua identiteti i viktimave, burri është identifikuar si dizajneri Festim Isufi, ndërsa bashkëshortja e tij, Rina.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/
Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) parashihen edhe shkarkime rrufesh nëpër disa zona të kufizuara.
Sipas parashikimit temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-20 gradë Celsius.
Parashihet të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s./Koha.net
Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.
Dehari i LVV-së kërkoi nga partitë politike të propozojnë emrat për formimin e komisionit verifikues por partitë e tjera nuk iu përgjigjen pozitivisht kësaj.
Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë.
Seanca u ndërpre në mungesë të kourumit për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në formë të fshehtë.
Për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit kanë votuar vetëm 56 deputetë, një votë kundër, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim fare.
Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 9 maj.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu./RTV21
Nesër pritet të mbahet seanca e 13-të, si tentim për konstituimin e Kuvendit. Seancat e mëparshme kanë dështuar për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiun. Opozita ka kundërshtuar në ҫdo seancë zgjedhjen e Haxhiut si kryeparlamentare.
Nesër mbetet të shihet nëse pozita apo opozita do të dalin me një vendim tjetër që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.
Tashmë është bërë e ditur se ky ngërҫ politik ka bllokuar Kosovën në disa procese. Për shkak të situatës aktuale, Kosova nuk arriti të jetë pjesë e agjendës për t’u pranuar apo jo në Këshillin e Evropës. Mirëpo, njohësit e politikës numërojnë edhe humbje të tjera të Kosovës që mund të pësoj në rast se vazhdon me këtë situatë.
Njohësi i ҫështjeve politike, politologu Fahredin Majkovci në një prononcim për ‘Bota sot’, duke vlerësuar situatën aktuale, vlerëson se Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të brishtë si me qytetarët ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës në vend. Funksionimi i tij nuk është vetëm një çështje e brendshme e rendit demokratik, por edhe një ndër kriteret thelbësore për matjen e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dështimet e përsëritura për të mbajtur seanca efektive e kanë vendosur Kosovën në një pozitë të brishtë, si në raport me qytetarët e saj, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë”, thotë ai.
Sipas tij, dështimet e Kuvendit për të dalë nga ky ngërҫ politik, do të kenë pasoja në tri drejtime.
“Këto dështime në gjykimi tim prodhojnë pasoja në tri rrafshe: Bllokimi legjislativ dhe ngërçi në reforma. Kjo jo vetëm që ndikon në performancën e institucioneve, por përkeqëson edhe perceptimin e Bashkimit Evropian ndaj përkushtimit të Kosovës për reforma; Humbja e besueshmërisë ndërkombëtare. Partnerët evropianë, përfshirë Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare, ndjekin me vëmendje funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë. Bllokimi i Kuvendit si pasojë e përplasjeve politike, bojkoteve apo mungesës së kuorumit interpretohet si mungesë vullneti politik për të avancuar agjendën reformuese dhe dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare; Kostot për qytetarët. Në fund të ditës, humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, vlerëson Majkovci.
Sipas tij, zgjidhja kërkon angazhim serioz e të koordinuar.
‘Është jetike që çështjet nacionale të mos bien pre e kalkulimeve partiake. Nevojitet aktivizim më i madh i presidentes si ndërmjetëse në rast të bllokimeve institucionale, si dhe rritje e presionit qytetar dhe medial për më shumë transparencë dhe përgjegjësi”, thekson ai.
Politologu Majkovci thotë se, vendimi i Parlamentit Evropian në rezolutën për Kosovën, është sinjal I rëndësishëm dhe një thirrje për përgjegjësi. AI thotë se politika duhet të ndaloj sabotimin e të ardhmes evropiane për interesa partiake.
“Për më tepër, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, ku ndër të tjera kërkohet edhe heqja e masave të BE-së ndaj vendit tonë. Ky është një sinjal politik i rëndësishëm, por edhe një thirrje për përgjegjësi. Kosova nuk ka luksin të humbasë më kohë. Çdo muaj pa seanca funksionale është një muaj më larg nga Bashkimi Evropian. Politika duhet të ndalë sabotimin e së ardhmes evropiane për interesa afatshkurtra e partiake”, tha ai./Botasot
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka vlerësuar si një moment historik inaugurimin e fluturimit të parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e Shqipërisë.
Përmes një postimi publik, Pacolli është shprehur i emocionuar që ishte dëshmitar i këtij momenti të rëndësishëm, duke nënvizuar se aeroporti është rezultat i punës së palodhur të kompanisë së tij, Mabetex.
“Një ditë historike për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë! Sot pata kënaqësinë dhe emocionin të jem dëshmitar i fluturimit të parë inaugurues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – një projekt që tashmë është bërë realitet falë përkushtimit dhe punës së jashtëzakonshme të kompanisë sonë, Mabetex,” ka shkruar ai.
Pacolli shtoi se ky projekt do të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik, në nxitjen e turizmit dhe në forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës.
Ai e cilësoi realizimin e këtij vizioni si një hap të madh drejt së ardhmes./Botasot
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë gatishmërinë që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. ka njoftuar se së shpejti do të flasin me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim gjithëpërfshirës.
”Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka deklaruar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. /21Media
Një punishte ilegale armësh është zbuluar gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, i zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe me urdhër të gjykatës kompetente.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer në tri lokacione të ndryshme, ndërsa në njërin prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve si dhe makineri që dyshohet se përdorej për ndërhyrje dhe modifikim të armëve.
Gjatë operacionit është arrestuar një person i dyshuar, i cili më pas është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime për veprat penale:
“Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi apo shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi origjinën apo destinacionin e mundshëm të armëve./Tetovasot