Ngërçi politik në Kosovë, dështon për të 12-tën herë radhazi seanca konstituive

Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.

Dehari kërkoi nga partitë politike të propozojnë emrat për formimin e komisionit verifikues, mirëpo PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK dhe Nisma nuk iu përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.

Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre Albulena Haxhiu.

Seanca u ndërpre dhe Dehari tha se vazhdimi do të bëhet më 9 maj./GazetaTema

Egli dhe Gjesti së bashku në Kosovë

Që nga përfundimi i ‘BBVA’, Gjesti dhe Egli janë parë bashkë në publik vetëm disa herë, për arsye se çdo gjë dëshirojnë të mbajnë private.

Mikja e këngëtares ka konfirmuar thashethemet se çifti ndodhet së bashku në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.

Ajo ka theksuar se Egli është së bashku me Gjestin në Kosovës dhe për këtë shkuarje të saj ka diçka.

Sipas ndjekësve, çifti është duke punuar për projekte të reja që do t’i publikojnë së bashku./Ina

Haradinaj: Më mirë të shkojmë në zgjedhje, s’është mirë të vonohet Kosova pa kufi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është më mirë të shkohet në zgjedhje nëse s’gjendet zgjidhja për të dalë nga bllokada në Kuvend, duke shtuar se s’është mirë që të vazhdohet të vonohet Kosova.

“Janë akumuluar shumë probleme në vend dhe është e dhimbshme, pra, që jeta jonë sikur se e shihni, është e orientuar te këto diskutimet kush, çka bëri. Nëse vërtet është kështu atëherë më mirë është të shkojmë në zgjedhje. Nuk është mirë të vonohet Kosova në pakufi”.

Haradinaj tha se në seancën e sotme në Kuvend ka folur me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Vazhdimisht diskutojmë me kryetarin Abdixhiku edhe për zhvillimin në Kuvend, disa herë e kemi trajtuar këtë çështje. Biseduam edhe për këtë propozimin për konsulta edhe e shpjegova që është ide e mirë me pasë konsulta, por kuptohet i kemi disa dallime në qëdrim, por nuk bën me i mbyllë dyert për iniciativa. Çdo iniciativë e ka dobinë e vet. Ne mbesim në qëndrimin që unë dhe Aleanca ta ndihmojmë qeverinë e opozitës. Ky është opsioni, por jemi të hapur për konsulta”.

Haradinaj tha se komunikim ka edhe me Memli Krasniqin e PDK-së, si dhe deputetët të opozitës. /Express/

26 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

Sot bëhen 26 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 19 vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi./RTV21

Flasin nga QKUK-ja për gjendjen e 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se u ther me thikë nga babai i saj

Mëngjesin e së martës një shtetas turk dyshohet se ka vrarë me thikë vajzën e tij 15-vjeçare dhe ka plagosur tjetrën, një 10-vjeçare e cila ndodhet në QKUK.

Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.

“Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla për Reporteri.net.

Rasti ka ndodhur në Prizren rreth orës 05:58 në rrugën “Shotë Galica”.

Zëdhënësi i policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi tha për Reporteri.net se bëhet fjalë për një familje turke por me banim në Prizren.

Ai shtoi se i dyshuari është arrestuar, por i njëjti ka lënduar edhe veten dhe ndodhet në spitalin rajonal të Prizrenit./Syri.net

Gjenden dy granata dore gjatë rrënimit të një shtëpie në Han të Elezit

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy granata dore në një qese plastike janë gjetur të hënën në Han të Elezit.

Mjetet shpërthyese janë gjetur gjatë rrënimit të një shtëpie, ka njoftuar një person, derisa në vendin e ngjarjes ka dalë njësia për deminim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mjetet shpërthyese janë tërhequr në mënyrë të sigurt.

Rasti është iniciuar si “gjetje e mjetit të pashpërthyer”.

“Është raportuar se gjatë rrënimit të shtëpisë së ankuesit mashkull kosovar është hasur në një qese plastike në të cilën dyshohet se ndodheshin 2 granata dore-mjete të pashpërthyera. Njësia për deminim e FSK-së ka ndal dhe ka bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të sigurt”, thuhet në njoftimin policor./Dukagjini.com

620-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

620 vjet më parë, më 6 maj të vitit 1405 lindi Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjergji lindi në familjen fisnike dibrane të Gjon Kastriotit dhe Vojsavës.

Kur lindi Skënderbeu, Gjoni ishte sundimtar i një treve që përfshinte Krujën, Mirditën e më gjerë.

Emri i Gjergj Kastriotit personifikon një epokë të tërë të historisë tonë kombëtare, e cila mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.

Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti popullin shqiptar por edhe pengoi shtrirjen e osmanëve drejt Evropës.

Ndërsa me Kuvendin e Lezhës, 2 mars 1444, nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeut për herë të parë u arrit një bashkim politik i princërve shqiptarë, duke vënë themelet e një shteti arbëror të organizuar.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Vdekja e Skënderbeut solli rënien nën pushtimin 5-shekullor nga Perandoria Osmane deri në krijimin e shtetit të pavarur më 1912.

Kruja, që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, i rezistoi vetëm një rrethimi tjetër pa prijësin e saj, i cili u konsiderua nga shumë vende si heroi që pengoi Perandorinë Osmane të pushtonte Evropën Perëndimore.

Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj dhe burim frymëzimi për brezat. /rtvora/

28 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Sot bëhen 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës./Syri.net

LDK-ja ende pa përgjigje zyrtare për ftesën e Kurtit për koalicion

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një letre të dërguar në drejtim të Lumir Abdixhikut ka kërkuar që të bëjë koalicion me partinë që ai drejton, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në letrën e Kurtit, për tu takuar e për të folur si “politikanë të pjekur”, ai i thotë Abdixhikut se votuesit e tij do të preferonin një koalicion me VV-në, si dhe ata të VV-së një me LDK-në, shkruan Reporteri.net.

Kurti, i cili ditën e zgjedhjeve i quajti “hajvanat”, e gjatë fushatës nuk i konsideronte si të duhur për koalicion LDK-në, duke qenë se kishin qenë bashkë për 51 ditë në Kurti 1, në letër i kishte thënë Kryetarit të LDK-së se me të s’kishte pasur probleme në bashkëpunimin që kishin pasur, por problemi kishin qenë disa të tjerë që tani s’janë në pozitat e asaj kohe.

Gjithashtu, ai i përmend atij koalicionet e pasluftës.

LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK. Në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq me LVV”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

“Pse mos ta bëjmë?”, e pyet mes tjerash Kurti, Abdixhikun.

Por, për krejt këtë letër, kryetari i VV-së ende s’ka marrë një përgjigje nga Lumir Abdixhiku i LDK-së. Letra u publikuar të hënën, menjëherë pas dështimit të seancës konstituive, dhe i pyetur nga gazetarët, Abdixhiku tha se ende nuk e kishte parë, dhe se duhet trajtuar kjo çështje pa arrogancë.

Në një deklarim të dytë, të shkurtër para gazetarëve, ai theksoi se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, por që paralajmëroi se do ketë një deklarim zyrtar së shpejti.

Se ende s’i janë përgjigjur letrës së Kurtit, e tha të hënën mbrëma edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për të cilin me këtë letër është krijuar një rrethanë e re politike.

Por, pavarësisht kësaj, ai e cilësoi atë edhe si një goditje, me përmendjen që Kurti ka bërë për koalicionet.

“Duhet me prit që LDK me qenë e gatshme me reagu meqëm si çdoherë. Ne as nuk ngutemi, e as nuk vonohemi. Jemi duke e trajtu me seriozitet. LDK nuk vonohet, sepse kjo është situatë e ndjeshme”, deklaroi mbrëmë Haziri.

/Reporteri.net/