Dafina Zeqiri mban koncertin e fundit para lindjes

Dafina Zeqiri ka zbuluar se këtë të shtunë do të mbajë koncertin e saj të fundit përpara se të bëhet nënë për herë të parë. Në një postim emocionues në Threads, këngëtarja shqiptare ka ndarë me fansat e saj këtë lajm të rëndësishëm, duke shprehur ndjeshmërinë për këtë moment të jetës dhe karrierës.

“Kam pak emocione, por nuk ndalem me projekte muzikore,” shkruan Dafina, duke iu drejtuar ndjekësve përpara se të ndalojë për një kohë të shkurtër. Ajo thekson se, pavarësisht pushimit nga koncertet, do të vazhdojë të punojë në projekte muzikore dhe ka një “surprizë të bukur” për këtë verë, duke ndezur kureshtjen e fansave të saj.
Në fund të mesazhit, Dafina falënderon ndjekësit për mbështetjen e tyre dhe shpreh dashurinë për ta: “Mezi pres të kënaqem me ju edhe një herë live – deri herën tjetër. Ju dua shumë”.

Rënia drastike në indeksin e lirisë së mediave, LDK: Pasojë direkte e tendencave autoritare të VV’së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rënies drastike të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku u rendit e 99’ta nga 180 shtete.

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënëse se ky regres është pasojë direkte “e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti”, shkruan Reporteri.net.

“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura.”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, sipas LDK-së, gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave.

“LDK e konsideron lirinë e medias si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë. Linçimet e medieve nga Vetëvendosje dhe eksponent të saj si dhe praktikat e ndërhyrjes në pavarësinë e medieve duhet të ndalen e ndalohen menjëherë. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e lirë të medieve”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.Reporteri

Punëtorët në Kosovë protestojnë për të drejtat e tyre, kërkojnë rritjen e pagave

Me moton “Qeveri – Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka protestuar në Prishtinë më 1 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kreu i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë “trajtuar si skllevër” nga ana e institucioneve, duke shtuar se “trajtim të tillë s’ka thuajse askund në Evropë”.

Pjesëtarët e Sindikatës kanë kërkuar rritjen e pagës në sektorin privat në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe themelimin e një gjykate të punës.

“Ne nuk po mund të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë, punëtorët e sektorit privat edhe sot marrin pagë prej 230 eurosh. Kjo pagë nuk po na lë të vdesim, por edhe nuk po mund të jetojmë”, tha Hafije Statovci nga Sindikata.

Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, është 702 euro.

Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, me mbi 300 mijë të punësuar.

Më herët, të enjten, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Dita e Punëtorve e gjen Kosovën “me probleme të vjetra – vdekje në vendin e punës, ligje të vjetëruara, institucione jofunksionale”.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, sipas IKD-së, kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

Nëpërmjet një komunikate, IKD-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese.

“Ligjet bazike si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës, janë hequr nga agjenda ose kanë mbetur të paadresuara, duke reflektuar mungesë të përparimit dhe angazhimit për çështje urgjente sociale”, thuhet në komunikatë.

“Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës”, ka thënë IKD-ja.

Në sheshet kryesore të Prishtinës sot protestuan edhe Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike “Asnji cent ma shumë”.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – 1 Maji – shfrytëzohet në shumë vende të botës si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se nga 1.074.704 persona, të cilët janë të moshës së punës – nga 15 deri 65 vjeç – 461 mijë ose 43 për qind janë ekonomikisht aktivë në tregun e punës.

Mbi 613 mijë, ose 57 për qind e qytetarëve të moshës së punës, nuk janë ekonomikisht aktivë.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë llogaritet të jetë 10.7 për qind.Koha

VV-ja propozon votim të fshehtë për kryeparlamentarin, nuk kalon

Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituive. Por, në këtë seancë është propozuar që votimi për kryepalamentar të bëhet në formë të fshehtë, çka u kundërshtua ashpër nga partitë e tjera, të cilat nuk morën pjesë në votim.

Pas tetë dështimesh radhazi për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, duke votuar me ngritje dore, një ide tjetër për të kaluar këtë ngërç, u propozua sot në tentimin e nëntë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se pas dështimeve për të votuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, kanë zgjedhur të ndryshojnë formën e votimit, duke mos votuar në mënyrë të hapur.

“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, që parasheh edhe votimin e fshehtë dhe me qëllim të hapjes rrugë të zhbllokimit të procesit besoj se forma e duhur që mund t’i hap rrugë është votimi i fshehtë me fletëvotime fizike. E ftoj administratën që të bëjë përgatitjen e nevojshme për realizimin e këtij procesi të votimit”, ka thënë Dehari.

Por, kjo mënyrë e votimit u kundërshtua nga të gjitha partitë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partia Demokratike turke e Kosovës.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së tha se ky vendim është i papranueshëm duke treguar se nuk do të marrin pjesë në votim.

“Kjo është e paprecedent nuk ka ndodhur sikur të kishit vendosur ndoshta edhe do të ishte e pranueshme, kjo nuk është e pranueshme iu ftoj të mos e thelloni krizën, por të dilni nga kriza sepse iu takon ta propozoni dikë që njëmend i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë. Andaj mos e thelloni krizën, zhbllokojeni, sepse nuk meritojnë qytetarët e Kosovës për shkak të tekeve tuaja me kthye Kuvendin në cirk. Nëse doni ta thelloni, e thelloni tutje, e dini që po kërkoni precedent antikushtetues, e dini që në rastin pamundshëm që e keni me rrëzua, iu rrëzohet në të ardhmen. Ne nuk marrim pjesë në një votim të tillë imponues as nuk propozojmë komision, ne do t’iu vëzhgojmë dhe do t’iu shohim dhe do të bëhemi dëshmitarë”, ka thënë Krasniqi.

Arbitrar e të paprecedent e vlerësuan edhe nga LDK-ja, të cilët paralajmëruan se nëse ndodh një gjë e tillë, do t’i adresohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo që po bëni është arbitrare, shkelje e Kushtetutës dhe rregullores. Ndryshimi i mënyrës së otimit në proces nuk ka ndodhur asnjë herë dhe ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve të juaja. Është e vërtet se rregullorja nuk lejon debat në seancë konstituive, por gjithashtu në asnjë pikë të rregullores nuk thuhet se mundesh me ndryshu mënyrën e votimit kur je në proces. Nëse ju do të procedoni kjo lëndë do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Bajrami.

Cirk politik situatën e krijuar,  e ka quajtur Time Kadrijaj e cila edhe e riktheu në vëmendje një bisedë të Mimoza Kusarit me Milan Radoiciqin, tashmë i kërkuar edhe për krime lufte e sulmin në Banjskë.

“Kjo që po ndodh këtu është për keqardhje. Aleanca ka dhënë alternativa dhe ju nuk i keni marrë parasysh ato. Andaj ne nuk do të bëhemi pjesë e cirkut të juaj. Sa për buzëqeshje të juaja po iu rikujtoj zdarvo Mimoza”, ka thëën Kadrijaj.

Vazhdimi i nëntë i seancës është përmbyllur pas dështimit të votimit për formim të komisionit për votim të fshehtë, për t’u rikthyer deputetët në vazhdim të seancës pas 48 orësh ose të shtunën në orën 10.Dukagjini

Deri në vitin 2023 nga Kosova u larguan mbi 350 mijë persona

Deri në vitin 2023, 359 mijë persona, që përbëjnë rreth 22.6% të popullsisë së Kosovës kanë emigruar.
Në raportin e fundit të Institutit GAP, të publikuar të mërkurën theksohet se largimi i popullsisë po krijon sfida serioze për ekonominë.

“Trendi i emigrimit ka sjellë sfida të shumta dhe komplekse, ndër të cilat më e dukshmja është ndryshimi në strukturën e fuqisë punëtore, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës dhe potencialin për rritje ekonomike të vendit”, thuhet në raportin e GAP-it.

Demografia e personave të cilët janë të prirur për të emigruar përfshin kryesisht moshat e reja që janë kyçë për tregun e punës në vend. Sfidë për tregun e punës në Kosovë paraqet edhe emigrimi i personave të kualifikuar të punësuar në sektorë si kujdesi shëndetësor, edukimi, teknologjia e informimit dhe komunikimit dhe të tjera vitale për mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, shtetet e Bashkimit Evropian lëshuan 45,650 leje qëndrimi për shtetasit e Kosovës, me Gjermaninë që përbën 50% të këtij numri. Sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë me shumicë dhe pakicë, gastronomisë, hotelerisë dhe prodhimit janë më të prekurit nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Marrëveshje të ndryshme kanë ndikuar që përveç personave nga shtetet e rajonit, në Kosovë të imigrojnë persona nga shtetet e largëta aziatike, për arsye punësim”, thuhet tutje në raport.

Sipas të dhënave më të fundit të MPB-së në Kosovë, numri i personave të huaj të cilët janë pajisur me leje-qëndrime në Kosovë në 2024 ishte 8,293, prej tyre, 4,273 apo rreth gjysma e lejeve janë lëshuar për arsye të punësimit, krahasuar me gjysmën tjetër që kanë për arsye bashkimin familjar, studimet, etj.
Shumica e imigrantëve në Kosovë vijnë nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe vendet si Turqia, Bangladeshi dhe shtetet tjera të Azisë.

Po ashtu, raporti thekson se 57% e popullsisë që i takon moshës së punës në Kosovë janë ekonomikisht jo-aktivë, ndërsa pjesa tjetër prej 43% janë aktiv ekonomikisht.

“Analiza e sektorëve ekonomikë sipas numrit të punësuarve tregon se sektori me më së shumti të punësuar është tregtia me shumicë dhe pakicë, ndjekur nga ndërtimtaria, prodhimi dhe arsimi”, thuhet në raport.

Nga gjithsej 613,029 persona jo-aktiv në treg të punës në Kosovë, 402,847 (66%) janë gra, ndërsa 210,182 (34%) janë burra.

Raporti tregon se rreth 78,000 të rinj në Kosovë janë jashtë punësimit, arsimit dhe trajnimit, që përbën 30% të kësaj grupmoshe. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e BE-së (9.9%) dhe më e larta në Ballkanin Perëndimor.

Tutje, raporti identifikon se sektorët që kanë më së shumti kërkesa për punëtorë kanë edhe paga më të ulëta mesatare dhe njëkohësisht kërkojnë më pak shkathtësi pune.

“Sektori i ndërtimtarisë në Kosovë ofron pagë mesatare mujore neto ekuivalent me 511 euro (572 euro bruto), sektori i tregtisë 491 euro (548 euro bruto), sektori i prodhimit 473 euro (527 euro bruto), sektori i hotelerisë dhe gastronomisë 348 euro (384 euro bruto)”, thuhet në raport.

Instituti GAP sugjeron rritjen e përfshirjes në tregun e punës të personave ekonomikisht jo-aktivë për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore. Mes tjerash sugjerohet edhe ofrimi i trajnimeve dhe reformave për të mundësuar përfshirjen më të madhe të fuqisë punëtore vendase në tregun e punës, si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.Topchannel

Kosova drejt implementimit të terapisë moderne për sëmundjen e rrallë

Akondroplazia është një sëmundje e rrallë gjenetike që ndikon në rritjen normale të trupit dhe mund të diagnostikohet që në javën e 24-t të shtatzënisë. Mjekët theksojnë se trajtimi i hershëm ndihmon jo vetëm zhvillimin fizik, por edhe integrimin social dhe emocional të pacientëve.

Akondroplazia, një ndër sëmundjet e rralla gjenetike që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e individëve të  prekur e. Përveç ndikimit fizik, kjo sëmundje përbën një barrë emocionale dhe sociale për ata që jetojnë me të.

Mjeku Laurent Kollçaku, , thekson se Akondroplazia shkaktohet kryesisht nga mutacione të reja në ADN rreth 80% e rasteve, ndërsa 20% kanë bazë familjare.

Sipas tij, diagnoza e sëmundjes vendoset që në javën e 24-t të shtatzënisë, dhe janë mjekët ata që udhëheqin vendimmarrjen për vazhdimin ose ndërprerjen e shtatzënisë.

“ Aktualisht prej vitit 2021 qoftë në SHBA qoftë në BE është miratuar një medicament I cili vepron në patologjinë e kësaj sëmundjeje duke I lejuar këtyre fëmijëve që të kenë një rritje staturale të shëndetshme dhe në saj të këtij mjekimi këto fëmijë arrijnë të shmangun shumicën e këtyre komplikacioneve dhe të kenë një stature më të gjatë sesa moshatasrët e tyre të pamjekuar dhe të përafërt me moshatarët normal dhe nga ana tjetër të kenë një cilësi jete dhe të bëjnë një jetë funksionale e të pavarur nga të tjerët.”

Në këtë drejtim, pediatrja Shqipe Spahiu Konjusha, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës,

 shpreh optimizëm se së shpejti edhe në Kosovë do të bëhen hapa konkretë për të sjellë këtë terapi, e cila konsiderohet një ndër përparimet më të rëndësishme në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“ Kemi hartuar një koncept dokument për sëmundjet e rralla I cili është mjaft voluminoz dhe përfshin shumë barna për shumë sëmundje të rralla. Shumë shpejt, brenda këtij viti shpresojmë se do e fusim edhe terapinë për Akondroplazian

Sipas specialistëve, ofrimi i terapisë në kohë jo vetëm që përmirëson funksionet fizike por ndihmon edhe në integrimin social dhe psikologjik të këtyre individëve.

https://youtu.be/41sbrrLdzAE

Kurti i shmanget sërish përgjigjies për emrin e Haxhiut për kryeparlamentare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që Albulena Haxhiu të propozohet sërish për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Gjatë një vizite në fshatin Rogovë të Hasit, ku u përurua një urë e re, Kurti u pyet nga KosovaPress për kandidaturën e Haxhiut, por ai nuk dha një përgjigje konkrete, transmeton klankosova.tv.

Në vend të kësaj, ai u shpreh:

”Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës ndërtojnë tokën, e shiu është për bereqet”.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur procesi për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit vazhdon të ngecë. Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tentimin e tretë për të seancës së pestë të seancës konstituive – duke marrë 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu refuzoi të komentojë edhe për kallëzimin penal të paralajmëruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Seanca konstituive pritet të vazhdojë të premten, në orën 10:00, ndërsa mbetet e paqartë nëse LVV do të rikandidojë Haxhiun apo do të propozojë një emër të ri.Tetovasot

Osmani kujton masakrën e Mejës: Çdo person i vrarë dhe i zhdukur, është betim i yni për drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit, thotë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.

“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”Botasot