Detaje për vrasjen në Shtip: Vrasësi e thirri viktimën për t’u pajtuar, armën e bleu në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë hetimore kundër pesë personave për vrasjen që ndodhi më 8 maj në një lokal në Shtip. I dyshuari kryesor, 21-vjeçar, akuzohet për “Vrasje me paramendim dhe nga hakmarrje” dhe “Tregti e paautorizuar me armë”. Katër të tjerët – tre burra dhe një grua të moshës 22 deri 28 vjeç – akuzohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Sipas hetimeve, autori kishte blerë një pistoletë 9 mm në Shkup për 1.100 euro nga një person i panjohur. Ai ishte takuar me viktimën, gjithashtu shtetas turk, përmes aplikacioneve mobile, me pretekstin për të zgjidhur një konflikt të vjetër. Pas një bisede 15-minutëshe në kafene, ai shkoi në tualet, u kthye dhe qëlloi disa herë ndaj viktimës, i cili ndërroi jetë nga plagët.

Pas vrasjes, katër bashkëpunëtorët ndihmuan autorin të arratisej drejt Shkupit me një BMW, por u kapën nga policia pranë pikës së pagesës në Milladinovci. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit./Tetovasot

Lojrat e fatit/ Mbyllen 53 bastore online

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, dje ishte i ftuar në emisionin “Për apo kundër” në televizionin Alfa, ku informoi se janë MBYLLUR 53 BASTORE ONLINE, organizatore të lojrave të fatit në mënyrë të paligjshme.

“Do të doja të theksoj një risi, kam nënshkruar urdhrin e parë për mbylljen e 53 organizatorëve të paligjshëm të lojërave të fatit online. Me këtë ndalohen 53 portale që në mënyrë të paligjshme kanë organizuar lojëra fati në Maqedoni dhe në të cilat janë përfshirë banorë nga Maqedonia e Veriut. E dimë që janë nga Maqedonia sepse lidhen nga adresa nga vendi ynë dhe shpenzojnë paratë e tyre,” shpjegoi Andonovski.

“Këto 53 portale janë më aktive, që do të thotë se kanë numrin më të madh të lojtarëve dhe qarkullimin më të madh të mjeteve. Urdhrin e kemi dërguar në AEK, e cila në kohën më të shpejtë të mundshme, por jo më vonë se 7 ditë, duhet ta përcjellë te operatorët e telekomit në Maqedoni, të cilët menjëherë duhet të veprojnë dhe t’i ndalojnë ato,” shtoi ai./Tetovasot

“21-vjeçari dyshohet se vrau 25-vjeçarin”, 5 shtetas të Turqisë janë arrestuar pas ngjarjes në Shtip

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rreth orës 21:25 kanë marrë raportimin për gjuajtje me armë në një kafene në sheshin e qytetit të Shtipit, përcjell TV21. Sipas MPB-së, është shtënë në drejtim të shtetasit turk E.O., 25 vjeç nga Turqia, i cili ka ndërruar jetë rreth orës 22:10 në spitalin e Shtipit.

“Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, përfshirë përdorimin e dronit, në afërsi të pikës së pagesës “Milladinovci”, zyrtarët policorë kanë arrestuar K.K. (21) nga Republika e Turqisë, i cili dyshohet se është autor i krimit, si dhe A.H.(22), T.M. (22), O.M. (29) dhe A.O. (28), të gjithë nga Republika e Turqisë, me dyshimin se i kanë ndihmuar K.K. për të ikur nga vendi. Përkatësisht, në orën 22:15, në pikën e pagesës “Miladinovci”, në aksion të përbashkët të SPB-Shtip, SPB-Shkup dhe policisë së trafiku, është ndalur vetura e udhëtarëve “BMW” me targa të Shtipit, në të cilën ndodheshin A.H., T.M., O.M. dhe A.O., ndërsa A.H. tentoi arratisjen, ndërsa të tjerët janë privuar nga liria. Menjëherë pasi janë marrë masa, ai dhe autori K.K. janë gjetur dhe privuar nga liria”, thonë nga MPB./tv21.tv

Dhjetë vjet nga ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë

Sot bëhen dhjetë vjet nga përleshja me armë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015, ku si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq grupi ka humbur 10 persona. Veç kësaj, nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke e pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagje urbane, transmeton Portalb.mk.

Kumanova dy ditë jetoi në frikë dhe pasiguri. Të shtënat nisën në orët e para të mëngjesit. Kumanovarët d;gjonin fluturime me helikopterë. U mbyllën rrugët, u mbyll një pjesë e qytetit, pothuajse e gjithë lagjja Tode Mendol. Fabrikat në atë pjesë të qytetit nuk punonin.

Kumanovarët e kujtojnë këtë si ngjarje jashtëzakonisht tragjike. Të shtënat ishin me intensitet të ndryshëm, nga disa vende shihej tym i dendur. Forcat e sigurisë evakuuan banorët, hyrja nga rruga kryesore “Tode Mendol” u lejua vetëm për policinë, ambulancën dhe zjarrfikësit. Disa nga banorët nga “Lagjja eTrimave” u evakuuan te të afërmit. Policia evakuoi disa herë banorët.

Qytetarët e Kumanovës thonë se ngjarjet nuk duhet të harrohen dhe të mos përsëriten kurrë.

Më 2 nëntor të vitit 2019, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit, Gjykata Themelore e Shkupit miratoi vendim shkallës së parë kundër të akuzuarve për veprën penale “Terrorizëm”.

Shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm për terrorizëm dhe organizim terrorist për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga  20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet. 4 prej të akuzuarve janë liruar.

Një ditë më pas u shqiptua dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin tjetër, Sulejman Osmani, për të cilin gjykimi ishte kryer ndaras nga grupi për shkak se fillimisht nuk ka qenë i kapshëm për organet e rendit.

Për shkak vendimeve, të cilat mbrojtja i quajti drakonime, ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.

Të dënuarit e ankimuan vendimin, por Gjykata e Apelitnuk e ndryshoi.

Më 3 janar 2022 Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi se ka miratuar vendim për rastin e njohur në opinion si “Kumanova”. Sipas vendimit, Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Sipas Ligjit për Procedurë Penale, pala mbrojtëse nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.

Sipas kësaj, për të dënuarit janë “mbyllur dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, por ata mund të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Konfirmimi i aktgjykimit të Apelit, nënkupton që të dënuarit mbesin me dënimet që u janë shqiptuar nga Penalja dhe më pas të konfirmuara nga Apelit.

Hetimi ndërkombëtar që u premtua e s’u bë

Të dënuarit, por edhe një pjesë e opinionit dhe përfaqësuesve politik, kishin dyshime për inskenim të rastit, me qëllim që të ndalohet publikimi i materialeve të përgjuara “bombave” nga e liderit të atëhershëm opozitar, Zoran Zaev, i cili nëpërmjet bisedave të cilat ishin përgjuar paraprakisht nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë,  zbulonin kriminalitetin e pushtetit e cila asokohe udhëhiqej nga famëkeqi Nikolla Gruevski i cili ishte në koalicion me partinë shqiptare të Ali Ahmetit, BDI.

Duke pasur mungesë të besimit në gjyqësor, e sidomos pas gjithë asaj që u dëgjua në “bombat” e publikuara se gjykatësit i ka zgjedhur shefi i atëhershëm Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, në bashkëpunim me ministren e atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila madje, mbante dhe defter me emra të gjykatësve të zgjedhur, hetimi kërkohej që të bëhet nga një organ i pavarur ndërkombëtar me qëllim që të konstatohen faktet dhe rrethanat për ngjarjen e armatosur.

Hetimi ndërkombëtar gjithashtu kërkohej për faktin se në opinion u shpërndanë një sërë (dez)informatash të cilat në masë të madhe ishin të paverfikuara. Kishte zëra që rastin e quanin të inskenuar nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë në bashkëpunim me disa pjesëtarë të grupit, por kjo nuk u zbardh gjatë seancave gjyqësore.

Lideri i partisë e cila ishte në pushtet kur ndodhi rasti, por edhe pasi Gruevski ra nga pushteti, Ali Ahmeti, e ka përsëritur qëndrimin se kërkojnë grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin. Opozitari Zaev pasi u bë kryeministër, gjithashtu kërkoi që të huajt ta hetojnë se kush qëndron prapa rastit.

Hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ish presidenti dhe ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Më herët ka pasur kërkesë të ngjashme edhe nga ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor. Thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.

Në pikën 2 të marrëveshjes së partisë Alternativa për hyrje në Qeveri, e cila u nënshkrua më 5 dhjetor 2021, gjithashtu është përmendur hetimi ndërkombëtar.

  • Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.

Megjithatë, Alternativa doli nga Qeveria, por kjo nuk u bë.

Për pastrimin e rastit, BDI ka kërkuar dhe më pas është formuar edhe Komisioni Anketues në Kuvend, por përveç seancës konstituive, komisioni nuk ka bërë asgjë, ndërkaq avokatët e të akuzuarve nuk janë kërkuar që eventualisht të japin dëshmi apo materiale.

Pavarësisht epilogut gjyqësor, ende nuk është konstatuar nëse rasti ishte inskenim dhe nëse shërbimet sekrete i vendit ishte i përfshirë.

Në lidhje me ngjarjet më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në opinion vazhdimisht janë shpërndarë shumë spekulime. Megjithatë pjesëmarrësit në luftime edhe pse janë dënuar, porositësit e ngjarjes ende nuk i ka parë drita e drejtësisë.

Deri më tani është e njohur:

  • Kanë vdekur 8 pjesëtarë të njësiteve speciale të Maqedonisë, ndërkaq 37 janë lënduar;
  • Grupi i Kumanovës ka numëruar mbi 40 anëtarë;
  • Në luftimet me policinë, janë vrarë 10 anëtarë të grupit;
  • Pas luftimeve, policisë i janë dorëzuar 28 anëtarë të grupit;
  • Si udhëheqës të grupit theksohet të kenë qenë, Muhamed Krasniqi i ashtuquajtur komandat Malisheva, Mirsad Ndreca – komandat NATO, Sami Ukshini – komandant Sokoli, Beg Rizaj – komandat Begu dhe Dem Shehu – komandant Juniku;
  • Grupi më shumë se gjashtë muaj ka qenë i ndjekur nga shërbimet sekrete të Maqedonisë;
  • I njëjti grup është përgjegjës për sulmin në Stacionin Policor të Goshnicës më 21 prill të vitit 2015;
  • Në rrethinën e fshatit Brezë, në një bunker në hapësirë të hapur është gjetur armatimi i vjedhur nga Stacioni Policor në Goshincë (vendin e ka treguar njëri nga të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, (Sulejman Osmani), i cili fillimisht, sipas mediave u ka ikur forcave policore, ndërkaq më pas i njëjti është kapur;
  • Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se ka marrë pjesë në bisedimet për dorëzim të grupit;
  • Njëri prej të arrestuarve ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (kompetentët e kanë konfirmuar këtë informatë pasi mediat i kanë pyetur);
  • Shërbimi Sekret i Maqedonisë ka informuar se për ngjarjet në Goshincë dhe Kumanovë “në lidhje me qëllimet e grupit, kapacitetet e tyre, bazat logjistik, kursit të aksionit të armikut”, ata kanë informuar më herët në korniza të kompetencave të tyre, në pajtueshmëri më ligjin për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Spekulime:

  • Përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të Maqedonisë kanë kontaktuar me anëtarët e grupit disa muaj përpara ngjarjeve të 9 dhe 10 majit;
  • Agjencia e Kundërzbulimit të Kosovës e ka informuar presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për incident eventual në Kumanovë;
  • Përmenden emra të disa politikanëve, agjentëve dhe funksionarëve për përzierje në incidentin e Kumanovës;
  • Policia nëpërmjet bisedave të përgjuara ka zbuluar se grupi i Kumanovës ka planifikuar që ta sulmojë burgun e Kosovës në Podujevë dhe t’i lirojë dy persona;
  • Luftimet në Kumanovë kanë qenë të skenuara, gjegjësisht grupi nuk është dashur të luftojë, por vetëm të gjuajë në ajër, ndërkaq më pas i njëjti është tradhtuar dhe ka ardhur deri tek incidenti;
  • Planet për Kumanovën janë bërë në një automjet “BMW” në Ferizaj;
  • Një natë përpara aksionit janë evakuuar 70% e popullatës nga “Lagjja e Trimave”;
  • Situata ka dalë nga kontrolli kur anëtarët e grupit kanë filluar të gjuajnë ndaj policisë.

Më poshtë mund ta shihni videon e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë aksionit dhe video të vizitës së Portalb pas mbarimit të luftimeve:

Universiteti i Tetovës e përkujtoi sakrificën e dëshmorëve

Me rastin e 5 Majit – Ditës Kombëtare të Dëshmorëve, drejtuesit e Universitetit të Tetovës
bënë homazhe pranë Flakadanit të Kujtesës në shenjë nderimi për dëshmorët që flijuan jetën për
lirinë dhe të ardhmen e kombit.

Kjo ditë përkujton me respekt të thellë sakrificën sublime të të gjithë atyre që, me guxim dhe
përkushtim, i dolën zot Atdheut në momentet më të vështira të historisë sonë. Flakadani i Kujtesës,
si simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe qëndresës, përkujton mundin dhe gjakun e derdhur të
dëshmorëve që idealin për liri e vunë mbi gjithçka tjetër.
Universiteti i Tetovës, si institucion arsimor dhe kombëtar, mbetet i përkushtuar në ruajtjen
e kujtesës historike dhe në edukimin e brezave të rinj me ndjenjën e respektit ndaj veprës së tyre
madhore.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!/Tetovasot

620-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

620 vjet më parë, më 6 maj të vitit 1405 lindi Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjergji lindi në familjen fisnike dibrane të Gjon Kastriotit dhe Vojsavës.

Kur lindi Skënderbeu, Gjoni ishte sundimtar i një treve që përfshinte Krujën, Mirditën e më gjerë.

Emri i Gjergj Kastriotit personifikon një epokë të tërë të historisë tonë kombëtare, e cila mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.

Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti popullin shqiptar por edhe pengoi shtrirjen e osmanëve drejt Evropës.

Ndërsa me Kuvendin e Lezhës, 2 mars 1444, nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeut për herë të parë u arrit një bashkim politik i princërve shqiptarë, duke vënë themelet e një shteti arbëror të organizuar.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Vdekja e Skënderbeut solli rënien nën pushtimin 5-shekullor nga Perandoria Osmane deri në krijimin e shtetit të pavarur më 1912.

Kruja, që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, i rezistoi vetëm një rrethimi tjetër pa prijësin e saj, i cili u konsiderua nga shumë vende si heroi që pengoi Perandorinë Osmane të pushtonte Evropën Perëndimore.

Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj dhe burim frymëzimi për brezat. /rtvora/

Tragjedia në Koçan, sot do të kthehen tetë pacientë nga trajtimi në Turqi, Bullgari dhe Slloveni

Ministria e Shëndetësisë informon se sot edhe tetë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan kthehen nga trajtimi, prej të cilëve pesë nga Turqia, dy nga Bullgaria dhe një nga Sllovenia. Për trajtim jashtë shtetit vazhdojnë të qëndrojnë edhe 18 pacientë, transmeton Portalb.mk. 

Sipas protokollit, pesë pacientë do të jenë nën vëzhgim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dy pacientë në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe një pacient në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohërti”.

Një pjesë e të lënduarve që janë kthyer në vend gjatë periudhës së kaluar tashmë kanë filluar procesin e rehabilitimit në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, ku, në varësi të lëndimeve, po trajtohen në repartet e neurologjisë, kirurgjisë dhe terapisë fizikale.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”  lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.

Gjermania dëboi rreth 1.400 persona në RMV gjatë vitit 2024, mbi 2.000 u larguan vullnetarisht

Gjermania deportoi 1.396 persona në Maqedoni gjatë vitit 2024, duke e bërë vendin destinacionin e dytë më të zakonshëm për dëbimet nga Gjermania gjatë asaj periudhe, tregojnë të dhënat zyrtare nga Qeveria Federale Gjermane. Të dhënat janë nga përgjigja e Qeverisë Federale ndaj një pyetjeje të deputetëve Clara Bunger, Andre Hahn, Gokay Akbulut, deputetëve të tjerë dhe grupit të Majtë.

Sipas kombësisë, 1.399 qytetarë të Maqedonisë janë dëbuar nga Gjermania në vitin 2024, duke i renditur ata si kombësia e katërt më e zakonshme në mesin e të dëbuarve.

Analiza e të dhënave demografike tregon se Maqedonia ishte një destinacion kryesor për gratë dhe të miturit e dëbuar. Gjithsej 624 gra u deportuan në vend, numri më i lartë për çdo vend destinacioni. Në të njëjtën kohë, 627 gra të deportuara kishin nënshtetësi maqedonase, përsëri numri më i lartë në krahasim me nacionalitetet e tjera. Situata është e ngjashme me të miturit – 658 janë deportuar në Maqedoni (shumica nga të gjitha vendet), dhe 662 të mitur të deportuar janë shtetas të Maqedonisë (shumica nga të gjitha nacionalitetet).

Sa i përket përcjelljes gjatë deportimeve në vitin 2024, në tre raste deportimi në Maqedoni është shoqëruar nga forcat e sigurisë, ndërsa në 114 raste përcjellja është bërë nga personeli i sigurimit të linjës ajrore. Dokumenti gjithashtu liston fluturime të shumta kolektive çarter gjatë vitit 2024 që përfshinin deportime në Maqedoninë e Veriut, shpesh në kombinim me destinacione të tilla si Serbia ose Kosova.

Përveç deportimeve, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Maqedonisë u larguan vullnetarisht nga Gjermania. Në vitin 2024, 802 qytetarë maqedonas u larguan vullnetarisht me mbështetje financiare përmes programit federal REAG/GARP 2.0, duke i bërë ata kombësinë e katërt më të zakonshme që përdorin këtë program.

Gjithashtu, në Regjistrin Qendror të të Huajve (AZR) në vitin 2024 u regjistruan 811 persona, largimi i të cilëve për në Maqedoni ishte mbështetur financiarisht nga shtetet federale gjermane. Kombësia e Maqedonisë ishte e treta më e zakonshme e regjistruar për këto largime të financuara nga provincat.

Policia Federale Gjermane regjistroi 2022 shtetas maqedonas të cilët vullnetarisht u larguan nga vendi me certifikatë për kalimin kufitar në vitin 2024, që është grupi i katërt më i madh sipas kombësisë për këtë lloj largimi.Telegrafi

VLEN hedh hapin e parë drejt kalimit në parti politike, Mexhiti me porosi për Tarvarin

Pas takimit të përbashkët mes përfaqësuesve te tre subjektve politike të Koalicionit VLEN, Izet Mexhiti tha se votuesit shqiptarë në zgjedhje lokale do të votojnë mes dy taboreve politike – VLEN-it dhe Frontit Europian, raporton Televizioni 21.

Vazhdon procesi i shkrirjes së subjekteve në një subjekt të vetëm të VLEN-it me qëllim që shqiptarët, votuesit do të kenë dy tabore – VLEN-in dhe Frontin Europian”, tha Mexhiti.

Më tej ai foli edhe për Arben Taravarin. Tha se porosia e të gjithë partnerëve të Qeverisë është “që edhe në Qeveri edhe me BDI-në nuk ka mundësi.

Porosia nga të gjithë partnerët në Qeveri është që çdokush që e ndihmon dhe bashkëpunon me BDI-në, duhet të mos turpërohet, ta nxjerrë para opinionit dhe lirisht mund të shkojë të bëhet bashkë me BDI-në. Por, edhe në Qeveri edhe me BDI-në nuk ka mundësi. Kjo është deklaruar nga të gjithë partnerët në Qeveri, tha më tej Mexhiti.