Po punonte për rikonstruksionin e një shkolle, bie nga lartësia dhe humb jetën 57-vjeçari në Elbasan

Një 57-vjeçar ka humbur jetën ditën e djeshme, pasi ka rënë nga lartësia teksa punonte për rikonstruksionin e një shkolle.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Polis, ndërsa lidhur me ngjarjen policia njofton se ka arrestuar një 33-vjeçar, administrator dhe drejtues teknik i punimeve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 33 vjeç, administrator dhe drejtues teknik i punimeve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, gjatë kryerjes së punimeve për rikonstruksionin e një shkolle në fshatin Polis, dyshohet se ka rënë nga lartësia punonjësi, shtetasi Sh. M., 57 vjeç, i cili, si pasojë, ka humbur jetën”-njofton policia.Top Channel

Si është gjendja në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë?

Me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, krijohen edhe kolona të gjata në pikat kufitare gjatë sezonit veror.

Por, në orët e paradites të së martës, situata paraqitet e qetë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Pritjet për të hyrë në Kosovë, por edhe në dalje të saj, janë të zakonshme 3 deri në 5 minuta./Reporteri.net

Vala e nxehtësisë, Ballkani përballet me thatësirë të madhe dhe kufizime të ujit

Ballkani Perëndimor po përballet me një thatësirë të madhe si pasojë e një vale të nxehtësisë që e ka goditur rajonin, duke shkaktuar pengesa në jetën e përditshme dhe duke krijuar telashe në bujqësi dhe energji.

Temperaturat të enjten në Kosovë arritën 35 gradë celsius, dhe Ministria e Shëndetësisë lëshoi një rekomandim me masa mbrojtëse për punëtorët dhe grupet e ndjeshme të popullsisë kundër temperaturatve të larta, për periudhën 3 deri 10 korrik.

Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg diellit të drejtpërdrejtë dhe paralajmëroi fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje, të qëndrojnë në shtëpi.

Mungesa e ujit bëri që të mbyllet pishina në natyrë e kryeqytetit Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t’u freskuar gjatë nxehtësisë së verës.

Pishina e Germisë, në periferi të qytetit, u ndërtua në fund të viteve ‘80 si një destinacion rekreativ dhe konsiderohet njëra prej pishinave më të mëdha në kontinent.

Në këtë kohë vitin e kaluar, pishina e Germisë kishte midis 4.000 dhe 5.000 vizitorë në ditë.

Parku Germia, i njohur për bukurinë natyrore dhe mundësitë rekreative, ndodhet mes kodrave dhe maleve që furnizojnë me ujë pishinën. Por, këtë vit, stafi i pishinës nuk ia doli t’i sigurojë 20.000 metra kub ujë të nevojshëm.

Në vitet e kaluara, pishina mbushej brenda gjashtë ditëve, por këtë vit do të nevojiten më shumë se tri javë për shkak të thatësirës, tha menaxheri Bardh Krasniqi.

“Për shkak të valës së fortë të nxehtësisë që po ndikon tani në vend dhe rajon, fatkeqësisht nuk kemi mundur ta hapim pishinën më të madhe në vend”, tha Krasniqi për Associated Press.

Në Shqipërinë qendrore, temperaturat të enjten arritën në 40 gradë celsius dhe meteorologët paralajmëruan se reshjet e shiut do të jenë të rralla deri në shtator.

Lumenjtë pothuajse janë tharë për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.

Temperaturat e larta kanë detyruar autoritetet shqiptare t’i ndihmojnë bujqit me rrjete për vaditje. Një projekt për marrjen e ujit nga lumi Mat në veri për të ndihmuar në vaditjen e rreth 4.000 hektarëve tokë bujqësore në zonë, përfundoi të martën.

Kjo gjendje ka ndikuar keq edhe në prodhimin e rrymës në Shqipëri, e cila kryesisht prodhohet nga stacionet hidroelektrike në veri të vendit. Korporata Kombëtare e Energjisë shpenzoi deri në 60 milionë euro për të importuar rrymë në gjysmën e parë të këtij viti.

Instituti Shtetëror Meteorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se “thatësira ekstreme” po ndikon në kulturat bujqësore të vendit, ndërsa nivelet e ujit në lumenj dhe liqene janë ulur.

Qytetet e vogla dhe fshatrat në Serbi përballen gjithashtu me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.

Gjatë valës së nxehtësisë së javës së kaluar në Evropë, temperaturat e larta arritën deri në 46.6 C në Mora, Portugali. Zjarret në natyrë janë të shpeshta në rajon gjatë verave të nxehta dhe të thata./REL

Sot i nxehti ekstrem, temperaturat deri 40 gradë

Maqedonia po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, ndërsa temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të arrijnë deri në 41°C.

Sipas njoftimit të meteorologëve, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të lehta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut, ndërsa pasdite parashikohen kushte për paraqitje të izoluar të motit jostabil.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 20°C, ndërsa maksimalet nga 33 deri në 41°C.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të jetë rreth 20°C, kurse ajo maksimale do të arrijë 41°C.

Parashikimi për ditët në vijim:

E premte: Moti mbetet shumë i nxehtë. Temperaturat do të jenë mbi 30°C në të gjithë vendin, ndërsa në disa rajone do të kalojnë 40°C.

Indeksi UV do të jetë 9, çka përfaqëson rrezikshmëri të lartë për lëkurën.

Pasdite dhe në mbrëmje: Parashikohen reshje lokale me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe mundësi për stuhi të shoqëruara me erë të fuqishme dhe breshër.

Fundjava: Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie prej 5-7 gradësh krahasuar me ditën e premte.

Kujdes! Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 17:00), të konsumojnë shumë lëngje dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.(INA)

Ra nga çatia e kishës në Korçë, humb jetën prifti

Kristaq Viso, prifti 63-vjeçar i cili ra nga çatia e kishës në Korçë rreth 3 javë më parë, ka ndërruar jetë.

Viso u transportua me helikopter në Tiranë, pasi kishte dëmtime në kokë, por fatkeqësisht, nuk mundi të mbijetojë.

“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!

Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve!

Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, parajsë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!”, thuhet në njoftimin e Mitropolisë së Shenjtë Korçë./abcnews.al

Vjehrra godet me sende të forta nusen e djalit

Ndaj një 75-vjeçareje ka nisur hetimi në Tiranë, pasi ka dhunuar bashkëshorten e djalit të saj.

Policia thotë se ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 75 vjeçe, sepse pas një konflikti të çastit, ka goditur me një send të fortë bashkëshorten e djalit të saj.

Madje 75-vjeçarja ka tentuar ta godasë bashkëshorten e djalit edhe me mjet prerës.

“Referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 75 vjeçe, sepse pas një konflikti të çastit, ka goditur me një send të fortë bashkëshorten e djalit të saj dhe ka tentuar ta godasë me mjet prerës.“-njofton policia./oranews

Vetëvrasja e Alma Arrazit me tre fëmijët, bashkëshorti që e dhunonte merr 4 vjet burg

Katër vite burg do të vuajë Ergys Arrazi për dhunën psikologjike dhe fizike që ushtronte ndaj bashkëshortes së tij, Alma Arrazi e cila në kushte të rënduara psikologjike u hodh në lumin Buna bashkë me tre fëmijët.

Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Arrazin, për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke dënuar Arrazin përfundimisht me 4 vjet heqje lirie.

Ngjarja tragjike e një viti më parë tronditi mbarë opinionin.

Alma Arrazi dhe tre fëmijët e mitur u gjetën të mbytur në lumë, ndërsa fajtor dhe përgjegjës ishte vetëm një, kryefamiljari, Erdgys Arrazi.Express

Dyshohen se konsumuan ushqim me salmonelë në kopshtin shtetëror, paraqesin shenja helmimi 70 fëmijë në Gramsh

Rreth 70 fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit.

Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur grupi i fëmijëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit.

Burime pohojnë se një pjesë e fëmijëve kanë pasur edhe temperaturë, ndërsa analizat laboratorike tregojnë se ata janë helmuar.

Analizat kanë treguar prani të madhe të bakterit të salmonelë.

Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror, shërbim që ofrohet nga një kompani private përmes kateringut. Në lidhje me ngjarjen nuk ka ende një reagim nga autoritetet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin./NOA

Shkodrani hero në Londër, shpëtoi nga mbytja vajzën 7 vjeçe

Hismet Smakaj nga Shkodra, prej shumë vitesh banues në Londër, u kthye në hero pasi shpëtoi nga mbytja në lumin Thames një fëmijë 7 vjeç.

Top Channel raporton se të shtunën e 17 majit 65-vjeçari shqiptar kishte dalë me bashkëshorten për ecje buzë lumit në zonën e Newham në lindje Londrës.

Aty panë një vajzë të vogël, e cila kaloi barrierat e pasi bëri disa hapa u hodh në lumë. Pa u menduar dy herë, Hismet Smakaj hoqi rrobat dhe u hodh në lumë duke shpëtuar vajzën pesë metra larg vendit ku ajo u hodh duke e sjellë në breg.

Shumë kalimtarë u mblodhën duke parë shpëtimin e vajzës e duke duartrokitur e dhe me zë të lartë përmendën fjalën…HERO. Pas ardhjes të policisë dhe ambulancave, u mësua se vajza ishte autike.

Hismet Smakaj thotë se “nëse nuk do ta shpëtoja vajzën do më mbetej peng tërë jetën”./Reporteri

🎓 Studime në Gjermani? Ja çfarë duhet të dini para se të niseni!

Gjermania të ofron arsim cilësor, diploma të njohura ndërkombëtarisht dhe mundësi punësimi.

Gjermania mbetet një nga destinacionet më të preferuara për studentët shqiptarë që kërkojnë cilësi të lartë arsimore dhe mundësi ndërkombëtare për zhvillim profesional. Me mbi 400 universitete dhe një sistem studimi që kombinon teorinë me praktikën, Gjermania ofron programe në anglisht dhe në gjermanisht për pothuajse çdo fushë.

Çfarë duhet të dini para se të aplikoni:

Njohja e gjuhës
Shumica e programeve kërkojnë njohuri të gjuhës gjermane (niveli B1 ose B2). Ka edhe programe në anglisht, por për jetën e përditshme, gjermanishtja është e domosdoshme.

Dokumentet e nevojshme

  • Dëshmi e diplomës së shkollës së mesme të njohur në Gjermani
  • Certifikata e gjuhës (Goethe, TestDaF ose IELTS për anglisht)
  • Letër motivimi dhe CV
  • Dëshmi për mjete financiare (rreth 11,208 euro në vit në një llogari të bllokuar – “Sperrkonto”)

Akomodimi dhe sigurimi
Studentët duhet të kenë sigurim shëndetësor të vlefshëm dhe të kërkojnë akomodim sa më herët, pasi kërkesa është e lartë.

Puna gjatë studimeve
Studentët mund të punojnë deri në 120 ditë të plota në vit. Kjo mund të ndihmojë në mbulimin e disa shpenzimeve, por jo plotësisht.

📍 Këshillë e rëndësishme: Filloni përgatitjet të paktën 6-12 muaj para nisjes. Konsultohuni me portalin zyrtar të DAAD (www.daad.de) dhe ambasadën gjermane për informacion të saktë./Newsal.de