Duke nisur nga nesër, 24 maj, hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se në tunel do të lejohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç mjeteve të tonazhit të rëndë.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se kalimi në tunel do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, për të mbështetur industrinë e turizmit.
“Tuneli do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, në mbështetje të plotë të industrisë së turizmit, e cila tashmë ka filluar të konsolidohet dhe kjo tregohet qartë nga numri i njësive të hotelerisë që po hapen në jug të vendit”, deklaron Balluku./Botasot
Këtë të martë, të burgosurit gjeorgjianë dhe shqiptarë në burgun e Korfuzit, kanë protestuar kundër kontrollit që u ushtrua në qelitë e tyre disa ditë më parë, ku u gjetën telefona celularë.
Mediat greke, raportojnë se mëngjesin e sotëm në burgun e Korfuzit të burgosurit filluan protestën kundër kontrolleve në qelitë e tyre, duke i vënë flakën dyshekëve.
Pas ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve dhe oficerëve të burgut, zjarri që të burgosurit i vunë në dyshekë dhe objekteve të tjera u shua.
Sipas mediave vendase, të dënuarit shqiptarë dhe gjeorgjianë ankohen se diskriminohen, për shkak të origjinës së tyre dhe se për rrjedhojë atyre nuk i plotësohet asnjë kusht i të drejtave themelore të njeriut./Albeu
Ky është momenti i vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, rreth mesnatës së të hënës, në lagjen numër 18 në Durrës. Video e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga një kamera në zonë, pak metra larg vendit ku u qëllua për vdekje i riu.
Viktima po lëvizte në këmbë në trotuar, kur automjeti tip Seat, që shihni në pamje, afrohet qetësisht dhe vrasësit e qëllojnë nga brenda tij.
Të shtënat dëgjohen dhe në videon e fiksuar nga kamerat e sigurisë. Në video shihen edhe dy persona, të cilët largohen me vrap nga vendngjarja duke komunikuar me njeri-tjetrin.
Pasi qëllojnë ndaj 29-vjeçari, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dy plumbave të marra në trup, autorët, që dyshohet se ishin të paktën dy, u larguan nga vendngjarja me të njëjtin automjet.
Vetëm pak orë më vonë, makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gërdec të Vorës.
“Kjo është gjithçka që ka mbetur nga automjeti tip Seat që përdorën autorët në vrasjen e Ermir Dedjes. Makina është dërguar për ekzaminim së bashku me kallashnikovin, që u gjet i djegur në brendësi të tij dhe që dyshohet se u përdor në vrasjen e 29-vjeçarit”, raporton gazetari Merin Maçi
Nga verifikimet rezultoi se makina lëvizte me targa të vjedhura pak kohë më parë në Prezë.
Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Më herët ai kishte qenë i skeduar për çështje narkotikësh, por dhe për plagosje.
E shkuara e tij kriminale, por dhe ndonjë konflikt i mundshëm i kohëve të fundit, janë pistat ku po heton policia dhe Prokuroria e Durrësit, që deri tani kanë marrë në pyetje disa persona./Botasot
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në zonën e Sukut, pranë Roskovecit, ku shembja e murit rrethues të një banese ka zënë poshtë një fëmijë.
Dyshohet se është shembur një mur rrethues në pronësi të shtetasit L. T.
Pas incidentit, e mitura është dërguar menjëherë në Qendrën Shëndetësore të Roskovecit. Mësohet se një vajzë e mitur 4-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./CNA
Shqipëria u rendit e teta në Eurovision 2025 që u zhvillua në Bazel të Zvicrës. “Zjerm” e Shkodrës Elektronike grumbulloi 218 pikë në total.
Kënga e Shqipërisë fitoi zemrat e publikut pasi mori nga votat e tyre 173 pikë, ndërsa nga të jurisë vetëm 45 pikë.
Edicionin e 69-të të Eurovision e fitoi Austria më “Wasted Love” të JJ. Kënga fituese mori 436 pikë në total dhe arriti ta mposhtë Izraelin e vendit të dytë falë pikëve të jurisë dhe publikut.
Vendi i tretë u takoi estonezëve me “Espresso macchiato” të Tommy Cash./tvklan.al
Mbrëmjen e djeshme, 13 maj, u zhvillua në Bazel të Zvicrës gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit 2025. Nata e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës dhuroi spektakël.
Mbrëmjen e së martës në skenë performuan 15 vende, ku vetëm 10 prej tyre u kualifikuan në finalen e 17 Majit. Mes vendeve triumfuese ishte edhe Shqipëria, e cila u përfaqësua nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm.”
Shqipëria në finalen e Eurovision 2025 tërhoqi vëmendje jo vetëm për mediat vendase, por dhe ato ndërkombëtare. Media italiane, “Tg com 24”, shkruan se Shqipëria po bën përpjekje për të siguruar një nga dhjetë vendet në finale ndërsa thekson se renditja më e mirë ishte në vitin 2012 ku u pozicionuam në vendin e pestë.
Edhe mediat greke i kanë kushtuar artikuj, performancës së “Shkodrës Elektronike” në Eurovision 2025. “Skena e gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025 në Bazel u përfshi nga “flakët”, në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ, me paraqitjen e Shqipërisë.
Ndriçimi dhe tymi, të kombinuara me koreografinë e thjeshtë në skenë, krijuan një përvojë të veçantë që shkëputej nga rutina e zakonshme e Eurovisionit”, ka shkruar “Protothema”.
Publiku në stadium e priti me entuziasën dhe emosion performancën, ndërsa “Zjerm” u bë shpejt një trend në mediat sociale
“Zjerm” u soll nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, dy shqiptarë me origjinë nga Shkodra që ka krijuar dhe “Shkodra Elektronike”, por që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali, ku veç të tjerash merren dhe me muzikë./abcweb.al
Siguria e Evropës dhe Ukraina do të jenë në fokus të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Evropian, i cili mbahet të premten në Tiranë. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në një dokument të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë duke mos ia paragjykuar statusin, por në atë të Komunitetit, Kosovës nuk i është vendosur asterisku.
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë të premten në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
“Sikurse në samitet paraprake, presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin e radhës së EPC-së, që mbahet të premten në Tiranë”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Mbështetur në agjendën që ka publikuar Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë, sipas së cilës nuk paragjykohen qëndrimet mbi statusin dhe ai është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Mendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Por në dokumentin e publikuar nga Komuniteti Politik Evropian, Kosova paraqitet pa asterisk. 47 udhëheqës shtetesh dhe qeverish dhe të institucioneve të BE-së janë të ftuar të marrin pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po ashtu janë ftuar.
Bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza tematike paralele dhe takime dypalëshe.
Në fokus të diskutimeve do të jetë Ukrainë dhe siguria në Evropë.
“Udhëheqësit pritet të diskutojnë për sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, si dhe gatishmërinë e aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme. Do të zhvillohet dialog mbi përmirësimin e konkurrueshmërisë së kontinentit përmes investimeve, inovacionit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë në disa fusha. Do të trajtohen gjithashtu sfidat e lëvizjes, duke përfshirë migrimin, lëvizjen e fuqisë punëtore dhe lëvizjen e të rinjve”, shkruan në agjendë.
Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.
Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.
Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE. Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian./Koha.net
“Dokumentet e farsës elektorale do i çojmë në Kancelaritë Europiane dhe Senatin dhe Kongresin e SHBA”
Kreu demokrat Berisha, tha se do te paraqese fakte në kancelaritë e Europës ne Senatin dhe Kongresin e SHBA-së. nga ajo qe ai e konsideron masakra elektorale që ka ndodhur në zgjedhjet e 11 Majit.
Sipas Berishës raportet paraprake i kanë rrëzuar përtokë këto zgjedhje.
Ftoi demokratët të vazhdojnë misionin për rikthimin e votës së lirë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka uruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, të cilën e ka cilësuar si “historike”.
Starmer përmes një postimi në rrjetin social X tha se pret me padurim që të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për të sjellë përfitime për qytetarët punëtorë në të dy vendet tona”, shkroi Starmer.
Theksojmë se Partia Socialiste në krye me Edi Ramën renditet e para me mbi 250 mijë vota në avancë./Express
Mbrëmja e së premtes shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit më 11 maj.
Pas javësh të ngarkuara me premtime politike, tubime masive dhe retorikë të nxehtë, vendi ndodhet tani në një moment reflektimi, ku fokusi zhvendoset nga partitë te qytetari dhe zgjedhja e tij në kutinë e votimit.
Partia Socialiste përmbylli zyrtarisht fushatën e saj me një miting të madh pranë Parkut Olimpik në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, koalicioni opozitar zhvilloi tubimin final në Bulevardin e Ri, duke dhënë mesazhin e fundit përpara betejës së votës.
Këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.
Zgjedhjet e 11 majit janë historike jo vetëm për peshën e garës elektorale, por edhe sepse për herë të parë, diaspora shqiptare është përfshirë në procesin e votimit./Top Channel