Gjendet pas 7 ditësh trupi i pajetë i 29-vjeçarit, Ardit Beshiri. E zuri poshtë masivi i dheut që u shemb.

Gjendet pas 7 ditësh kërkime, trupi i pajetë i 29-vjeçarit, Ardit Beshiri, punonjësi 29-vjeçar i ekskavatorit, të cilin më 3 maj e zuri poshtë masivi i dheut.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, kur  ndodhi një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km.

Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator Arditi, punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve.

Si pasojë e rrëshqitjes, 29-vjeçari është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve./Panorama.com

Zyrtare, Stresi konfirmon ribashkimin me Kejsin!

Pas disa viteve larg, ata kanë vendosur të lënë pas të kaluarën…

Pas muajsh spekulimesh në rrjet, reperi i njohur Stresi dhe ish-partnerja e tij Kejsi kanë konfirmuar zyrtarisht ribashkimin e tyre. Lajmin e bënë të ditur përmes një fotosesioni ekskluzive dhe një interviste ku ata shfaqen edhe shumë të dashuruar me njëri tjetrin.

Në intervistën e tyre çifti rrëfeu se një shans i dytë dhe një reflektim personal i ka ndihmuar të kuptojnë vlerën që kanë për njëri-tjetrin. Pas disa viteve larg, ata kanë vendosur të lënë pas të kaluarën dhe t’i japin dashurisë së tyre një mundësi tjetër./Gazetashqip

Aterimi i parë i Behgjet Pacollit në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës: Një ditë historike

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka vlerësuar si një moment historik inaugurimin e fluturimit të parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e Shqipërisë.

Përmes një postimi publik, Pacolli është shprehur i emocionuar që ishte dëshmitar i këtij momenti të rëndësishëm, duke nënvizuar se aeroporti është rezultat i punës së palodhur të kompanisë së tij, Mabetex.

“Një ditë historike për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë! Sot pata kënaqësinë dhe emocionin të jem dëshmitar i fluturimit të parë inaugurues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – një projekt që tashmë është bërë realitet falë përkushtimit dhe punës së jashtëzakonshme të kompanisë sonë, Mabetex,” ka shkruar ai.

Pacolli shtoi se ky projekt do të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik, në nxitjen e turizmit dhe në forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës.

Ai e cilësoi realizimin e këtij vizioni si një hap të madh drejt së ardhmes./Botasot

Egli dhe Gjesti së bashku në Kosovë

Që nga përfundimi i ‘BBVA’, Gjesti dhe Egli janë parë bashkë në publik vetëm disa herë, për arsye se çdo gjë dëshirojnë të mbajnë private.

Mikja e këngëtares ka konfirmuar thashethemet se çifti ndodhet së bashku në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.

Ajo ka theksuar se Egli është së bashku me Gjestin në Kosovës dhe për këtë shkuarje të saj ka diçka.

Sipas ndjekësve, çifti është duke punuar për projekte të reja që do t’i publikojnë së bashku./Ina

620-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

620 vjet më parë, më 6 maj të vitit 1405 lindi Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjergji lindi në familjen fisnike dibrane të Gjon Kastriotit dhe Vojsavës.

Kur lindi Skënderbeu, Gjoni ishte sundimtar i një treve që përfshinte Krujën, Mirditën e më gjerë.

Emri i Gjergj Kastriotit personifikon një epokë të tërë të historisë tonë kombëtare, e cila mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.

Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti popullin shqiptar por edhe pengoi shtrirjen e osmanëve drejt Evropës.

Ndërsa me Kuvendin e Lezhës, 2 mars 1444, nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeut për herë të parë u arrit një bashkim politik i princërve shqiptarë, duke vënë themelet e një shteti arbëror të organizuar.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Vdekja e Skënderbeut solli rënien nën pushtimin 5-shekullor nga Perandoria Osmane deri në krijimin e shtetit të pavarur më 1912.

Kruja, që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, i rezistoi vetëm një rrethimi tjetër pa prijësin e saj, i cili u konsiderua nga shumë vende si heroi që pengoi Perandorinë Osmane të pushtonte Evropën Perëndimore.

Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj dhe burim frymëzimi për brezat. /rtvora/

Sulmi me armë zjarri në Laç, ndërron jetë në spital 24-vjeçari

Në Spitalin e Traumës në Tiranë ka ndërruar jetë shtetasi Gerald Bitri, 24 vjeç.

Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur Laçin mesditën e së shtunës, ku pas një përleshje, pesë persona u plagosën pas një breshërie me armë zjarri pranë rrugës që të çon në Kishën e Laçit.

Nga informacionet e bluve të qytetit, ngjarja ka ndodhur pas një sherri, dhe një person i identifikuar si Klevis Ndreca, ka qëlluar me armë drejt një grupi të rinjsh prej katër personash, duke i lënë të plagosur.

Por plumbat kanë kapur edhe një zonjë e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe shiste qirinj.

Pacientët e plagosur me armë zjarri në Laç të cilët po marrin shërbim mjekësor dhe janë në kujdes intensiv nga stafi mjekësor i Spitalit Universitar të Traumës janë Amarildo Ndoj 26 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç, Liridon Ismaili 26 vjeç, dhe Angjelina Gjezaj 58 vjeç, janë në gjendje shëndetësore stabël koshient, dëmtime në gjymtyrët e poshtme të gjithë pacientët.TopChannel

Shkodër! Bashkëshorti vrau me thikë gruan

Një vrasje me thikë ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen “Gjuhadol” të qytetit të Shkodrës.

Një turist i huaj, dyshohet amerikan, ka vrarë me thikë gruan dhe më pas ka plagosur edhe veten. Burri është transportuar në spital.

Sipas policisë turisti ndodhej në gjendje të dehur kur ka kryer aktin e rëndë. Ai ka marrë dëmtime të lehta, në duar pasi tentoi t’i jepte fund jetës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.Indeksonline

Sherr mes të miturisht në Kukës, plagoset me thikë 15-vjeçari

Sherr mes të miturisht në Kukës me pasojë plagosjen me thikë të një 15-vjeçari.

Policia sqaron se rreth orës 17: 25, në qytetin e Kukës, një shtetas i mitur rreth 15 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës një shtetas po të mitur 15 vjeçar, i cili është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Prizrenit, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, por dhe të bashkëpunimit me qytetarët, autori i dyshuar është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Kukës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.TopChannel

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 milionë dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./living.al/

Shqipëria drejt hapjes së tre aeroporteve të reja deri në vitin 2027

Burime të besueshme pranë sektorit të transportit ajror në Shqipëri bëjnë me dije për Newsal.de se janë në zhvillim bisedime me investitorë të huaj dhe partnerë lokalë për ndërtimin e tre aeroporteve të reja deri në vitin 2027.

Sipas të njëjtave burime, projektet më të avancuara janë:

  • ✈️ Aeroporti i Vlorës – Në ndërtim të plotë, pritet të jetë gati në vitin 2025 dhe synon të jetë një nyje kryesore për turizmin jugor.
  • 🏖️ Aeroporti i Sarandës – Diskutimet janë në fazë të avancuar dhe ndërtimi mund të nisë brenda vitit të ardhshëm.
  • 🏔️ Një aeroport në Veri të Shqipërisë – Po shqyrtohen Shkodra dhe Kukësi si mundësi strategjike për të përmirësuar lidhjet me Europën Qendrore.

Megjithëse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga autoritetet shtetërore, indiciet dhe veprimet në terren sugjerojnë se qeveria është duke punuar seriozisht në këtë drejtim, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Ekspertët e turizmit e shohin këtë zhvillim si një hap kyç për të trefishuar vizitorët në vend deri në vitin 2030 dhe për të rritur ndjeshëm punësimin në jug dhe veri të vendit.

Newsal.de do të vijojë të ndjekë nga afër këto zhvillime dhe do të informojë komunitetin shqiptar me lajmet më të sakta dhe të konfirmuara.