Berlin, Maj 2025 – Shqiptarët që jetojnë në Gjermani tashmë kanë një arsye më shumë për të ndjerë siguri dhe mundësi të reja. Bundestagu gjerman ka miratuar një ligj të ri që lejon mbajtjen e nënshtetësisë së dyfishtë, duke i dhënë fund një prej kufizimeve më të mëdha për emigrantët shqiptarë që kanë dashur të bëhen shtetas gjermanë.
Sipas këtij ligji, qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë për pasaportën gjermane pa qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia shqiptare. Ky ndryshim i rëndësishëm ka hyrë në fuqi dhe pritet të lehtësojë integrimin, por njëkohësisht edhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Ndryshimi tjetër pozitiv është shkurtimi i periudhës së qëndrimit të nevojshëm për marrjen e shtetësisë nga 8 në 5 vjet – dhe vetëm 3 vjet për ata që kanë arritur një nivel të lartë integrimi (siç është njohja e mirë e gjuhës dhe pjesëmarrja aktive në jetën sociale dhe ekonomike të vendit).
📢 Çfarë duhet të dini?
Aplikimi bëhet pranë zyrës së qytetit ku jetoni (Einbürgerungsamt).
Duhet të plotësoni kriteret ligjore për të ardhura, gjuhë, dhe mungesë të rekordeve kriminale.
Nuk kërkohet më që të dorëzoni pasaportën shqiptare.
Ky është një hap i madh drejt barazisë dhe një shans për shumë shqiptarë që prej vitesh kontribuojnë në ekonominë dhe jetën sociale të Gjermanisë.
🗨️ A jeni duke planifikuar të aplikoni për nënshtetësinë gjermane? Na tregoni eksperiencën tua
Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 17-të. Kryesuesi u propozoi përfaqësuesve partiakë që mbledhjet t’i mbajnë më rrallë, së paku një herë në javë. Por, propozimin e kundërshtuan përfaqësuesit e partive që deri tash kanë qenë në opozitë, sipas të cilëve me të Vetëvendosja tregon se nuk e ka prioritet konstituimin.
Në tentativën e 17-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit, është dhënë propozimi që deputetët të mblidhen më rrallë se çdo 48 orë. Reduktimin e takimeve në një herë në javë, për aq kohë sa zgjat seanca konstituive, e propozoi të shtunën kryesuesi Avni Dehari. Idenë ua dha përfaqësuesve partiakë në konsultën që e ftoi me ta, para se të niste vazhdimi i 17-të i seancës konstituive që ka nisur një muaj më parë.
“Para se të fillojmë me seancën konstituive, e shoh të nevojshme që të vijnë për një konsultim shumë të shkurtër përfaqësuesit e subjekteve politike”, tha kryesuesi.
Dehari nuk e gjeti konsensusin që e kërkoi për ta anashkaluar kërkesën e Rregullores së Kuvendit, sipas së cilës pauza mes vazhdimeve të seancës konstituive nuk mund të jetë më e gjatë se 42 orë.
Vazhdimi i së shtunës nisi me një minutë heshtje, në 26-vjetorin e zhdukjes me dhunë të veprimtarit Ukshin Hoti që ndodhej i burgosur në Serbi.
Pa deputetët e AAK-së që munguan dhe me deputetët e LVV-së që në sallën e Kuvendit u paraqitën me 40 minuta vonesë, Dehari vazhdoi me pikën e rendit të ditës, në të cilën ligjvënësit kanë ngecur që 9 seanca – formimin e Komisionit për ta menaxhuar votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.
Ai kërkoi propozime nga subjektet politike që në tentimet paraprake nuk kanë dhënë emrat për anëtarë të komisionit. Njëjtë si herëve të tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë.
Në votim, 56 votat që ishin për nuk qenë të mjaftueshme për formimin e Komisionit me anëtarët e propozuar më herët, dhe seanca u ndërpre. Pas kësaj, 99 deputetët që u mblodhën në vikend me qëllimin për konstituim të legjislaturës së re, u kthyen prapa pa bërë gjë.
Idenë që vazhdimet e seancës të mbahen më rrallë, përfaqësuesit e partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e cilësuan shkelje dhe mesazh që partia fituese nuk do zgjidhje.
“Është krejtësisht e papranueshme që të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Interpretim të njëjtë i dha edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”, ka thënë Bajrami.
Por, deputetja e koalicionit fitues, LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimi u bë si pasojë e mungesës së rezultateve nga vazhdimet që janë mbajtur çdo të dytën ditë.
“Në rast se janë të barrikaduar në ato pozicione dhe nuk e ndiejnë peshën e përgjegjësisë për të marrë pjesë në votim as për procedurë, le ta presim interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Se nuk është që po bëjmë ndonjë hair që po vijmë këtu çdo 48 orë, përderisa ata nuk po lëvizin nga pozicioni i tyre i mos votimit”, deklaroi Kusari-Lila.
Në PDK e LDK përsëritën se përgjegjësia për zhbllokim i takon LVV-së, subjekt ky që nuk e ka siguruar shumicën në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Krasniqi, tha se problemin nuk e kanë vetëm me emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryeparlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës, përveç zonjës Haxhiu nuk do të votojë për asnjë propozim që mund të vijë si zëvendësim i saj e që është ish ministër i qeverisë Kurti II”, ka thënë ai.
E, ngërçi në Kuvend është produkt i kalkulimit të partive për zgjedhjet lokale të cilat mbahen kah fundi i këtij viti, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.
I ftuar në “Specialen” e KTV-së për vazhdimin e 17-të të seancës konstituive, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mund të kalkulojë që me lokalet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.
“Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk ka asgjë me urgjencë dhe është e interesuar të vazhdojë kësisoj për faktin që i ka levat e pushtetit në dorë dhe nuk i ngutet asgjë, kurse opozita është e fokusuar tashmë në zgjedhjet lokale dhe ka filluar përgatitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe siç po shihet jemi në një skenar ku praktikisht Lëvizja Vetëvendosje do ta zvarrisë situatën për aq sa është e mundur dhe kësisoj kur të vijmë te zgjedhjet lokale mund të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, historia ka treguar se në mungesë të vullnetit politik për të dalë nga bllokada, presioni ndërkombëtar për zgjidhje ka qenë shpesh faktor vendimtar.
“Po të na liheshin neve nuk do të dinim dhe nuk do të donim t’i bënim, siç po ndodh aktualisht. Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës po duket sikurse sokaku i të marrëve në romanin e Kadaresë ku njerëzit që kalojnë andej janë vërtet të marrë dhe kuvendin e kanë shndërruar në të tillë, ku nuk ka asnjë zgjidhje politike për zhbllokim të situatës”, ka thënë ai.
Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E në këtë gjykatë, ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja.
Pavarësisht procedurës në gjykatë, seanca do të vazhdojë çdo 48 orë. Vazhdimi i radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30./Koha.net
Shqipëria u rendit e teta në Eurovision 2025 që u zhvillua në Bazel të Zvicrës. “Zjerm” e Shkodrës Elektronike grumbulloi 218 pikë në total.
Kënga e Shqipërisë fitoi zemrat e publikut pasi mori nga votat e tyre 173 pikë, ndërsa nga të jurisë vetëm 45 pikë.
Edicionin e 69-të të Eurovision e fitoi Austria më “Wasted Love” të JJ. Kënga fituese mori 436 pikë në total dhe arriti ta mposhtë Izraelin e vendit të dytë falë pikëve të jurisë dhe publikut.
Vendi i tretë u takoi estonezëve me “Espresso macchiato” të Tommy Cash./tvklan.al
Një studim i fundit zbulon se ChatGPT dhe modelet e tjera të mëdha gjuhësore të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) kanë aftësinë për vetëorganizim dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje njerëzore. Kur ndodhen në grupe, këto modele gjuhësore krijojnë spontanisht norma sjelljeje dhe konventa shoqërore, ashtu siç ndodh në shoqërinë njerëzore, raportojnë sot mediat italiane.
Ky studim unik, i botuar në revistën Science Advances, është udhëhequr nga shkencëtari italian Andrea Baronchelli, i cili punon në universitetin londinez City, St George’s, sipas agjencisë Ansa.
“Mekanizmi është i njëjtë me atë që qëndron në themel të shumicës së sjelljeve të ndërlikuara njerëzore, si rregullat e mirësjelljes, kodi i veshjes dhe normat morale”, tha ai.
Studiuesit kryen një eksperiment të përshtatur që përdoret edhe për të studiuar konventat sociale tek njerëzit, duke formuar dy grupe modelesh gjuhësore si ChatGPT.
Çdo grup u kërkua të zgjidhte një emër nga disa opsione të ofruara – në këtë eksperiment, një shkronjë e alfabetit ose një varg i rastësishëm karakteresh.
“Modelet gjuhësore, të ashtuquajturat LLM (modele të mëdha gjuhësore), merrnin pikë pozitive sa herë që arrinin të koordinonin me sukses përdorimin e të njëjtit emër, ndërsa në rast të mossuksesit merrnin pikë negative”, sqaroi Baronchelli.
Sipas tij, ky mekanizëm shërben për të motivuar aktorët që të bien dakord përmes ndërveprimit lokal – një skemë e njëjtë me ato të përdorura më parë në eksperimente laboratorike me njerëz, të cilëve u ofroheshin shpërblime të vogla monetare për zgjidhjen me sukses të detyrave./Botasot
Izraeli ka sulmuar Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe grupit Houthi.
Irani ka reaguar për sulmin duke e cilësuar ‘krim lufte’. “Sulmi ndaj infrastrukturës ekonomike dhe objekteve publike të Jemenit, përfshirë portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Al-Salif, nuk është vetëm një shkelje flagrante e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu përbën qartë një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Sipas Al Jazeera, IDF kreu sulme ajrore kundër porteve të Hodeidah dhe Al-Salif në Jemen, në përgjigje të lëshimit të raketave nga rebelët Huthi drejt territorit izraelit, disa ditë pas armëpushimit që ky i fundit përfundoi me SHBA-në.
Ushtria izraelite njoftoi se sulmet e së premtes kishin në shënjestër “infrastrukturën terroriste” dhe akuzoi rebelët Huthi se i përdorin dy portet për të “transportuar armë”.
Sulmet e së premtes ishin të parat që nga një marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Houthit në fillim të këtij muaji, me Uashingtonin që u zotua të ndalonte sulmet e tij në Jemen dhe rebelët që ranë dakord të mos sulmonin korridoret e transportit detar në Detin e Kuq./TopChannel
Organizata e OVL-së së UÇK-së e ka dënuar fuqishëm aktin që ka ndodhur në komunën e Bujanocit ku një person i maskuar ka vandalizuar një poster të Ridvan Qazimit, i njohur si Komandant Lleshi.
Sipas OVL-së së UÇK-së, ky akt përbën jo vetëm skandal të rëndë por edhe sulm të qëllimshëm ndaj kujtesës kombëtare dhe sakrificës për liri.
“Ky veprim është tregues i qartë se ende ka struktura që nuk e pranojnë realitetin e lirisë dhe që ndihen të shqetësuara nga lavdia e Dëshmorëve tanë, të cilët i dhanë kuptim të plotë qëndresës dhe dinjitetit shqiptar”.
“Asnjë akt i tillë nuk mund të zbehë respektin dhe nderimin që kemi për ata që ranë për lirinë tonë. Gjaku i tyre është i shenjtë dhe do të përkujtohet përjetësisht”, thuhet në reagim.
Tutje, OVL e UÇK-së tha se kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që t’i zbulojnë autorët e këtij akti të ulët dhe t’i vë ata para drejtësisë.
“Heshtja në këso raste nxit përsëritjen e veprimeve të tilla dhe dëmton përpjekjet për paqe dhe bashkëjetesë në rajon”, thuhet në reagim./Lajmi.net
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se garantimi i sigurisë dhe sundimi i ligjit janë kyçe për politika të duhura dhe zgjidhje afatgjata.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka njoftuar për diskutimin e një dite më parë në samitin e mbajtur në Tiranë. Kosova dhe Kroacia i prinë diskutimit për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve.
Osmani dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, bashkëkryesuan tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.
“Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë, përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata”, ka shkruar ajo në Facebook./RTV21
Të paktën 21 persona raportohet se kanë vdekur pasi tornadot goditën pjesë të dy shteteve të SHBA-së.
Zyrtarëtnë Kentucky thanë se kishte pasur 14 vdekje për shkak të motit të keq, ndërsa 7 persona humbën jetën në Missouri.
Tornadoja në Kentucky goditi Qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, në orët e para të së shtunës. Zyrtarët thanë se prisnin që numri i të vdekurve të rritej.
Zyrtarët e Misurit thanë se 5,000 ndërtesa u dëmtuan, çatitë u shkatërruan dhe linjat e energjisë u rrëzuan nga një tornado që goditi vendin të premten.
Rreth 100,000 prona në St Louis mbetën pa energji elektrike dhe departamenti i zjarrfikësve tha se u kryen kërkime shtëpi më shtëpi në zonat më të prekura.
Autoritetet në Kentucky thanë se pati raportime edhe për lëndime të rënda.
“Kërkimi po vazhdon në zonën e dëmtuar për të mbijetuarit”, tha Sherifi i Qarkut Laurel, John Root, në një postim në mediat sociale.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së tha se tornadot goditën edhe Illinoisin fqinj./vizionplus.tv
Shkëmbimi më i madh i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ndodhë javën e ardhshme.
Të dy vendet ranë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila gjatë negociatave në Turqi dje, bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që nga viti 2022.
Mediat ukrainase raportojnë tani se Kirill Budanov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, po i mbështet shpresat e tij te shkëmbimi që do të ndodhë brenda ditësh.
“Shpresoj që kjo të ndodhë javën tjetër”, shprehet Budanov.
Shkëmbimi ishte i vetmi rezultat thelbësor nga diskutimet e së premtes, të cilat zgjatën më pak se dy orë./TopChannel
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të, por se e quajti konstruktiv qasjen e tyre, raporton Koha.net. Ajo ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.
“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Ajo ka thënë se nëse zvarritet më tej çështja e konstituimit të Kuvendit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo.
“Nëse kjo zvarritet shumë janë disa opsione, një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse në vijim do rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë. Takimet do vazhdojnë”.
Presidentja është shprehur se takimet me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.
“Nëse shihet e nevojshme nga java tjetër do takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar me formate të tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit. Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, ka potencuar Osmani.
Osmani ka shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, pa u pajtuar partitë për konstituim të Kuvendit.
Osmani është takuar më pas me përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, ku ka ritheksuar se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyç në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit.
“Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës./Portalb.mk