Mbrëmjen e sotme (07.07.2025), zyrtarë policorë nga SPB Shkup arrestuan D. N. (57) nga Shkupi, në territorin e Gjorçe Petrovit, nën dyshimin se rreth orës 21:40 ka shkaktuar zjarr duke ndezur bar të thatë në një lulishte në rrugën “Stevo Crvenkovski” në Gjorçe Petrov.
D. N. është vërejtur nga një qytetar i cili e raportoi rastin në SPB Shkup. Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi autorin e dyshuar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj D. N. do të ngrihet kallëzim përkatës./tetovasot
Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi tarifa prej 35 përqind për importet nga Serbia dhe 30 përqind për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Këto janë tarifa reciproke të vonuara që u njoftuan në prill. Tarifat e reja për Serbinë, si dhe për një numër vendesh të tjera, do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Trump informoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe udhëheqësit e vendeve të tjera, në një letër se SHBA-të do të vendosin tarifa shtesë prej 35 përqind për importet e mallrave nga Serbia nga 1 gushti.
Trump publikoi letrën që i dërgoi Vuçiqit dhe udhëheqësve të vendeve të tjera në rrjetin e tij social Truth Social.
Presidenti i SHBA-së tha se ishte “shumë i nderuar që dërgoi një letër që tregon angazhimin ndaj marrëdhënieve tregtare SHBA-Serbi dhe faktin se SHBA-të kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë me Serbinë, pavarësisht deficitit të konsiderueshëm tregtar midis dy vendeve”, përcjell telegrafi.
Ai tha se nuk do të kishte tarifa nëse Serbia ose kompanitë serbe vendosnin të prodhonin në SHBA, dhe theksoi se tarifat do të rriteshin nëse Beogradi vendoste të hakmerrej duke futur tarifa shtesë për importet nga SHBA-të.
Në fillim të prillit, kur Trump e ngriti për herë të parë këtë çështje, tarifat për importet nga Serbia ishin 37 përqind, por mbrëmë u njoftua se ato do të vazhdonin të ishin 35 përqind.
Ai gjithashtu i dërgoi një letër Zhelko Cvijanoviqit, i cili është kryetar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, se tarifa për importet e mallrave nga Bosnja e Hercegovina do të ishte 30 përqind.
Ndryshe Trump njoftoi tarifa prej 25 përqind për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin, 30 përqind për Afrikën e Jugut, 32 përqind për Indonezinë, 35 përqind për Bangladeshin, 36 përqind për Kamboxhian dhe Tajlandën, dhe 40 përqind për Laosin dhe Mianmarin./Periskopi/
Në natën e 7 korrikut një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrje nga ana e policisë.
Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroj jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues.
Të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.
Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.
Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit./aktuale.com
Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në SHBA, të premten e kaluar, kaloi mbi 100.
Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur.
Ekipet emergjente vazhdojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.
Kampi Mystic – një kamp veror vetëm për vajza – konfirmoi se së paku 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve.
Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.
Në Qarkun Kerr, ku edhe ndodhej kampi, vdiqën së paku 84 persona – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën.
Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, tha policia e qarkut.
Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.
“Ky ishte një veprim i Zotit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, prapëseprapë, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e vet”, tha ajo.
Pse përmbytjet në Teksas ishin aq shkatërruese?
Ekspertët thonë se janë disa faktorë që kanë kontribuuar në këtë tragjedi, përfshirë: motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive dhe kohën.
Në atmosferë kishte një sasi të madhe lagështie nga një stuhi tropikale, që kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas ishte drejtuar drejt veriut, duke u shuar gradualisht.
Qarku Kerr, ku humbën jetën 84 persona, është një zonë më kodrinore se qarqet e tjera përreth në Teksas.
Kjo bëri që ajri me lagështi të ngrihej lart dhe të krijonte re të mëdha stuhie.
Këto re ishin aq të mëdha saqë u bënë një sistem i veçantë moti, duke shkaktuar reshje të dendura shiu në një zonë të gjerë. /rel
Gjithnjë e më shumë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po kërkojnë rrugë të ligjshme për të ardhur dhe punuar në Gjermani përmes vizave pune, bashkimit familjar apo studimeve. Por shpesh përballen me mjegull në informacion dhe varen nga thashetheme ose “këshilla” jozyrtare, që mund të sjellin probleme serioze.
Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të dini ku të drejtoheni për informata të sakta dhe të besueshme.
📍 1. Për vizat – kontaktoni vetëm burime zyrtare:
Ambasada e Gjermanisë në vendin tuaj është autoriteti i vetëm që vendos për aplikimet për vizë. Mos u besoni agjencive të dyshimta që premtojnë “termin të shpejtë” ose “vizë të sigurt”.
Landratsamt / Ausländerbehörde – Zyra për të huaj që merret me regjistrimin, lejen e qëndrimit, zgjatjen e vizës, bashkimin familjar etj.
🟢 Çdo qytet ka zyrën e vet, dhe informacionet mund t’i gjeni online: 🔍 Kërkoni në Google: Ausländerbehörde + emri i qytetit ku banoni (p.sh. Ausländerbehörde Pfarrkirchen)
✅ Rekomandohet gjithashtu:
📌 Portale dhe organizata zyrtare për informim dhe ndihmë:
🌍 Make it in Germany Portali zyrtar për migrim dhe punësim të sigurt në Gjermani 🔗 www.make-it-in-germany.com
🛡️ FAIR Arbeiten – Këshillim për punëtorë të huaj në Gjermani Ofrojnë ndihmë për kontrata pune, të drejtat ligjore dhe dokumente 🔗 www.fair-arbeiten.de
🤝 DIMAK – Qendrat për Migrim dhe Këshillim për Karrierë Ndihmojnë të rinjtë nga Ballkani të emigrojnë në mënyrë të sigurt 🔗 https://www.startfinder.de/en
🌐 GIZ – Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar Mbështet migrimin e rregullt dhe bashkëpunon me ambasadat 🔗 http://www.giz.de
🧭 Caritas & Diakonie Ofron ndihmë sociale dhe këshilla ligjore për migrantë në Gjermani 🔗 www.caritas.de | www.diakonie.de
👥 MBE – Beratungsstellen für Migranten Këshillim falas për dokumente, gjuhë
🔴 E ardhmja juaj varet nga vendimet që merrni sot – informohuni nga burime zyrtare dhe të sigurta!
Shumë qytetarë nga Ballkani që pajisen me kontrata pune për Gjermani, bien pre e firmave apo agjencive që, pas nënshkrimit të kontratës, u kërkojnë shuma të mëdha parash për plotësimin e dokumenteve, përkthime, ose dërgimin e formularëve në ambasadë.
📌 Kjo praktikë nuk është vetëm e padrejtë, por në shumë raste është abuzive dhe e jashtëligjshme. Pasi të merrni kontratën, dokumentet e vizës mund t’i plotësoni vetë ose me ndihmën e institucioneve zyrtare, pa paguar tarifa të ekzagjeruara.
⚠️ Kujdes në rastet kur:
Firma ju ofron punë, por pastaj ju kushtëzon me pagesa shtesë për dokumente.
Ju kërkojnë shuma nga 300 deri në 2000 € për “procesim letrash”, që realisht janë shërbime standarde ose falas.
Nuk ju japin asnjë fature, kontratë apo provë për pagesat që kërkojnë.
✅ Si të veproni:
Mos paguani asnjë shumë pa pasur fatura zyrtare ose kontratë të qartë.
Pyesni gjithmonë ambasadën për çdo procedurë që lidhet me dokumentet.
Nëse keni dyshime ose ndiheni të shfrytëzuar, kërkoni ndihmë pranë institucioneve zyrtare.
ℹ️ Për ndihmë dhe informacione zyrtare, kontaktoni:
🔴 Mos lejoni askënd të përfitojë nga dëshira juaj për një jetë më të mirë. Informohuni, mos paguani pa prova dhe kërkoni ndihmë në institucionet zyrtare!
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se janë afër një marrëveshjeje për Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në një aeroport, Trump shprehu shpresën lidhur me arritjen e një marrëveshje së shpejti në Gaza.
“Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën”, tha Trump duke theksuar vendosmërinë e tij për të arritur armëpushim në Gaza gjatë orëve kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po udhëtonte për në Washington.
Trump bëri vërejtjet e mëposhtme në fjalimin e tij, ku vlerësoi se një armëpushim në Gaza mund të jetë i mundur “këtë javë”.
“Mendoj se ka një shans të mirë të arrijmë marrëveshje me Hamasin për shumë nga pengjet javën e ardhshme. E dini, ne kemi liruar shumicën e pengjeve, por shumë nga pengjet e mbetura do të lirohen. Mendojmë se këtë do ta bëjmë këtë javë”, tha presidenti amerikan.
Duke folur me gazetarët të premten, Trump tha: “Mendojmë se do të arrijmë armëpushim në Gaza brenda javës së ardhshme”. Në të njëjtën ditë, Hamasi dërgoi përgjigjen e tij “pozitive” ndaj propozimit të fundit për armëpushim ndërmjetësve Katarit dhe Egjiptit.
Trump sot pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë në orën 18:00 sipas kohës lokale të SHBA-së, me Netanyahun mbi të cilin ka ushtruar presion për armëpushim në Rripin e Gazës./TOP Lajmet
Gjermania kthen pas më shumë migrantë ilegalë. Kancelari Merz thekson politikën e mikpritjes, por refuzon spostimin në Gjermani të problemeve të të tjerëve, shkruan Auron Dodi.
Shifrat që paraqiti ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandër Dobrindt janë konkrete. Dobrindti tha pak ditë më parë në një vizitë pranë Kiefersfelden, në kufirin e Gjermanisë me Austrinë, se numri i kthimeve pas të migrantëve të paligjshëm është rritur me 45 përqind. Kjo vetëm një javë pas fillimit të punës së qeverisë Merz.
Janë kthyer pas në kufi 739 persona, përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë nën qeverinë e vjetër. Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël.
Masat në kufi jo simbolike
Disa medie kanë shkruar se kthime masive bëri së fundi edhe qeveria e kaluar Scholz dhe se masat aktuale duken simbolike. Por hapat e qeverisë Scholz për të frenuar migrimin e paligjshëm drejt Gjermanisë i kanë regjistruar e përmendur në Bundestag edhe partitë konservatore unioniste.
Të premten (23.05.) u bë e ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, qeveria e kaluar Scholz ktheu pas në kufi 6151 migrantë të paligjshëm. Ata i kthyen pas kryesisht në Turqi, në Gjeorgji, në Francë, në Spanjë, në Serbi dhe në Irak.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt tha se masat aktuale nuk janë sa për sy e faqe, siç e akuzon qeverinë p.sh. partia ultra e djathtë, AfD. Këtë e konfirmon fakti se janë shtuar në kufi, ndër të tjera, mbi 3000 efektivë policie. Janë përdorur gjithashtu edhe helikopterë, dronë dhe kamera të imazheve termike, për të diktuar migrantët ilegalë.
Ministri i Brendshëm tha se jo në çdo pikëkalimi kufitar është vendosur një efektiv policie, por edhe mund të vendoset. Kjo bëhet për të çorientuar trafikantët e qenieve njerëzore.
Kontakte me fqinjët për kthimin e refugjatëve
Kancelari Friedrich Merz tha në një kongres të degës së partisë së tij CDU, në Shtutgart, të shtunën (17.05.) se kishte “folur me të gjithë” fqinjët. Ai shtoi se “të gjithë e dinë se çfarë synojmë ne”. Merz u tha të pranishmëve:”mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo është e drejtuar kundër fqinjëve tanë evropianë.”
Kancelari gjerman theksoi se “ne duam ta zgjidhim këtë problem së bashku (me fqinjët- shën. i red.), por nuk mund ta pranojmë, që një pjesë e madhe e problemit të pazgjidhur të mbërrijë në Republikën Federale të Gjermanisë.” Një shembull që sjellin mediat këtë javë janë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Azia. Këta refugjatë p.sh. Bjellorusia i dërgon në Poloni, prej ku shumë pastaj vijnë në Gjermani.
Kurse Kryetari i grupit parlamentar konservator, CDU/CSUnë Bundestag, Jens Spahn tha të martën (20.05.) se edhe po të ketë “zemërime” të fqinjëve: qytetarët në Gjermani duhet të kenë mundësi të shohin “të kënaqur, atë që ndodh në kufijtë tanë.”
Presioni për uljen e numrit të migrantëve drejt Gjermanisë
Sipas sondazheve të fundit, migrimi paraqet shqetësim për gjermanët, por edhe më shumë janë të preokupuar ata për ekonominë.
Është fakt se shumë komuna e qytete në Gjermani ankohen për mungesë kapacitetesh për të përballuar numrin e madh të migrantëve, që vijnë njëherësh në Gjermani.
Prandaj kancelari Merz deklaroi në Shtutgart se qeveria do të kujdeset, që qytetet dhe komunat të kenë sërish ajër për të marrë frymë, dhe që Gjermania të jetë përsëri një vend i hapur, tolerant dhe miqësor ndaj të huajve.
Njëkohësisht, drejtuar partisë ultra të djathtë AfD, Merzi tha: kushdo që dëshiron të “jetojë dhe punojë” në Gjermani është i mirëpritur dhe “në vendin e duhur”.
Është fakt edhe se migrimi si temë shfrytëzohet me sukses kundër qeverive gjermane nga AfD-ja. Ajo i akuzon vazhdimisht qeveritë gjermane se nuk e kanë nën kontroll ardhjen e refugjatëve në Gjermani. Kjo vazhdon, sidomos pas atentateve të kryera nga të huajt në Aschaffenburg dhe në Mynih, në janar dhe shkurt të këtij viti. Edhe të dielën e kaluar (18.05.) një doras me origjinë të huaj plagosi në Bielefeld disa të rinj.
AfD-ja synon të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 2029-ës në Gjermani. Një fitore e AfD-së, deklaroi Merzi në fillim të këtij viti, do të thoshte “minim i bazave demokratike” të Gjermanisë. Ai kujtoi ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit dhe tha se për Gjermaninë është mjaft “një vit 1933”.
Reagime për kthimin e migrantëve
Fqinjë të Gjermanisë si Polonia apo Luksemburgu, edhe Zvicra kanë paraqitur rezerva për kthimet e refugjatëve në kufi nga Gjermania. Kryebashkiakët e qytetit kufitar gjerman të Kehlit dhe të qytetit francez Strasburg i dërguan të mërkurën (21.05.) madje një letër kancelarit Merz. Në të ata ankohen se kontrollet kufitare ndihen ekonomikisht dhe vështirësojnë qarkullimin reciprok vajtje-ardhje të punonjësve.
Por shtete të tjera, ndër ta Danimarka kanë treguar mirëkuptim për masat e Gjermanisë. Sidoqoftë, vendet fqinje me Gjermaninë i kanë ripranuar në përgjithësi personat që kanë hyrë jo ligjërisht në Gjermani, nga territori i tyre.
Baza ligjore për kthimet e migrantëve të paligjshëm
Ministri Dobrindt tha së fundi në Bundestag se qeveria gjermane shfrytëzon për kthimet një bazë të kombinuar ligjore, mbi bazën e legjislacionit kombëtar: nenin 18.2 të Ligjit gjerman të Azilit; të kombinuar me nenin 72 të Traktatit për mënyrën e funksionimit të BE, mbi “ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e sigurisë së brendshme”. Neni 72 u lejon shteteve anëtare zhdërvjelltësi në zbatimin e disa rregullave të BE, për të ruajtur rendin publik kombëtar e mbrojtur sigurinë e brendshme.
Të tërheq vëmendjen fakti se neni evropian 72 zëvendëson, në zbatim, direktivën e njohur të Dublinit. Dihet se sipas Dublinit, azilkërkuesit duhen pranuar njëherë në vend, pastaj të konstatohet se cili vend është përgjegjës për ta. Mbi bazën e direktivës së Dublinit i ktheu pas qeveria e kaluar gjermane mijëra migrantët e paligjshëm, muajt e parë të këtij viti. Zgjidhja e problemit të migrantëve të paligjshëm mbetet një sfidë mbarëevropiane. Kancelari Merz tha në Shtutgart se këto probleme duhet të zgjidhen “hap pas hapi”./DW.com
Së paku 78 persona u konfirmuan të vdekur në Teksasin qendror, ndërsa 41 të tjerë janë ende të zhdukur pas përmbytjeve të së premtes.
Gjashtëdhjetë e tetë nga viktimat, përfshirë 28 fëmijë, u regjistruan në Qarkun Kerr, ku një kamp vajzash buzë lumit u përmbyt.
Dhjetë vajza dhe një këshilltar nga kampi Mystic nuk janë gjetur ende.
Zyrtarët thonë se numri i viktimave me siguri do të rritet.
Në 24 deri në 48 orët e ardhshme, në rajon priten stuhi të tjera, që mund ta vështirësojnë edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit.
Ato tashmë janë duke u përballur me rreziqe – si nga gjarpërinjtë helmues – derisa vazhdojnë kërkimet mes baltës dhe rrënojave.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha të dielën se autoritetet do të bëjnë gjithçka që është e mundur, për të gjetur çdo person që ende mungon.
“Ishte e tmerrshme të shihje se çfarë përjetuan ata fëmijë të vegjël”, tha Abbott, një ditë pasi vizitoi zonën.
Presidenti Donald Trump nënshkroi të dielën një deklaratë për gjendje të jashtëzakonshme në Qarkun Kerr, duke aktivizuar kështu Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas.
Ai, gjithashtu, tha se mund ta vizitojë këtë shtet të premten.
“Po punojmë nga afër me përfaqësuesit nga Teksasi dhe është një gjë e tmerrshme ajo që ka ndodhur – absolutisht e tmerrshme”, tha Trump.
Në Romë, Papa Leoni XIV bëri lutje të veçanta për viktimat në Teksas./REL