Ra nga çatia e kishës në Korçë, humb jetën prifti

Kristaq Viso, prifti 63-vjeçar i cili ra nga çatia e kishës në Korçë rreth 3 javë më parë, ka ndërruar jetë.

Viso u transportua me helikopter në Tiranë, pasi kishte dëmtime në kokë, por fatkeqësisht, nuk mundi të mbijetojë.

“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!

Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve!

Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, parajsë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!”, thuhet në njoftimin e Mitropolisë së Shenjtë Korçë./abcnews.al

Bajrami drejt njohjes si festë zyrtare në disa lande të Gjermanisë

Berlin, Qershor 2025 – Disa lande të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Nordrhein-Westfalen, janë në proces diskutimi për njohjen zyrtare të Bajramit si ditë pushimi. Kjo nismë po përkrahet nga komunitetet myslimane dhe një pjesë e politikës gjermane si një hap drejt respektimit të diversitetit fetar dhe integrimit shoqëror.

Sipas raportimeve nga media gjermane, nëse kjo masë miratohet, qytetarët myslimanë, përfshirë edhe shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, do të kenë të drejtën e pushimit me pagesë në ditët e Bajramit, pa nevojën e justifikimeve të veçanta tek punëdhënësit apo institucionet arsimore.

🔸 Pritet të hyjë në fuqi nga viti 2026
🔸 Nxënësit do të kenë të drejtën e mungesës zyrtare pa penalizime
🔸 Punonjësit do të mund të marrin pushim të paguar në këto ditë festive
🔸 Nisma po vlerësohet si një hap drejt bashkëjetesës kulturore dhe fetare në Gjermani

Reagimet nga komuniteti shqiptar janë pozitive, duke e cilësuar këtë si një sinjal të fortë që Gjermania po e njeh kontributin dhe traditat e diasporës.

🛑 NATO kërkon 40.000 ushtarë shtesë nga Gjermania – frikë nga përshkallëzimi i konfliktit me Rusinë

Në një zhvillim të rëndësishëm për sigurinë evropiane, NATO i ka kërkuar Gjermanisë të vërë në dispozicion 40.000 trupa shtesë si pjesë e një plani për të rritur fuqinë mbrojtëse ndaj kërcënimit rus. Aleanca synon të kalojë nga 80 në mbi 120 brigada ushtarake.

Sipas burimeve zyrtare, kjo do të kërkonte krijimin e të paktën 7 brigadave të reja në Gjermani. Ministria gjermane e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë një përgjigje publike.

Kërkesa do të diskutohet në takimin e ardhshëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s dhe në samitin vendimtar në qershor.

👉 A është Gjermania gati për një angazhim të tillë ushtarak?

Gjermania mbështet Ukrainën për armët me rreze të gjatë

Kancelari Merz dhe Presidenti Zelenski folën në Berlin rreth mbështetjes gjermane për Ukrainën. Merz th, se ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruajnë një deklaratë qëllimi mbi armët me rreze të gjatë veprimi.

Në takimin në Berlin, Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski diskutuan për situatën në Ukrainë dhe veprimet e përbashkëta në të ardhmen. Ata diskutuan gjithashtu për dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, raketat Taurus. Kur u pyet nëse ushtria ukrainase ende kishte nevojë për raketat gjermane Taurus, Zelenski u përgjigj: “Përsa u përket armëve me rreze të gjatë veprimi të prodhuara nga Gjermania ose vende të tjera, sigurisht që na duhen, sigurisht që do ta diskutojmë këtë çështje.” Në përgjithësi, bisedimet ishin konstruktive dhe të karakterizuara nga besimi, sipas të dy politikanëve.

Merz më pas e përmblodhi përmbajtjen e bisedimeve në pesë pika: Së pari, Ukraina dhe Gjermania kishin forcuar lidhjet e tyre që nga sulmi rus. “Ne duam të vazhdojmë të bëjmë përparim në këtë drejtim”, deklaroi Merz. Ai njoftoi konsultime qeveritare gjermano-ukrainase për fundin e vitit, të cilat nuk ishin mbajtur për shumë vite.

Bashkëpunimi ekonomik për periudhën e pasluftës

Së dyti, Merz theksoi se lufta nuk duhet të errësojë gjithçka. “Kjo është arsyeja pse po mendojmë së bashku për një të ardhme përtej luftës.” Janë planifikuar bisedime me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit rreth mundësive të ardhshme. “Potenciali për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik ekziston; temat janë të dukshme: energjia, infrastruktura, ndërtimi, bujqësia, inxhinieria mekanike, teknologjia mjekësore dhe shumë sektorë të tjerë. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë potencial së bashku.”

Lidhur me përpjekjet diplomatike të Ukrainës dhe Perëndimit për të arritur një armëpushim, kancelari gjerman tha se Zelenski e kishte bërë shumë të qartë, se askush nuk donte paqen më shumë se Ukraina. “Ukraina është gati të ndërmarrë hapin pasues dhe të zhvillojë bisedime teknike me Rusinë, pavarësisht se në cilin vend: në Vatikan, në Gjenevë apo kudo tjetër. Ne evropianët jemi gati t’i mbështesim këto bisedime.” Rusia, nga ana e saj, kërkon të fitojë kohë: “Dokumenti i pozicionimit për negociatat, të cilin Presidenti Putin e premtoi më shumë se një javë më parë, ende nuk është parë.”

Merz shpall mbështetje për ndërtimin e raketave

Së katërti, Merz foli për fillimin e një lloji të ri bashkëpunimi industrial dhe ushtarak. Qëllimi është të mundësohet prodhimi i përbashkët, shpjegoi Merz. Merzi njoftoi se Gjermania do të ruajë dhe zgjerojë mbështetjen e saj ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbrohet kundër agresionit rus. Për këtë qëllim, është planifikuar nënshkrimi i një marrëveshjeje për prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Nuk do të ketë më kufizime në rrezen e veprimit. “Kjo do t’i lejojë Ukrainës të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj”, deklaroi Merz. Ky është fillimi i një forme të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial.

Në përfundim, dhe si pikë të pestë, politikani i CDU-së përmblodhi: “Ne duam që armët në Ukrainë të heshtin. Ne duam paqe të qëndrueshme për Ukrainën dhe duam siguri për të gjithë Evropën”. Për ta arritur këtë, tha ai, ne do të koordinohemi me aleatët tanë në partneritetin më të ngushtë të mundshëm.

“Çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar vrasjet?”

Presidenti ukrainas Zelenski theksoi rëndësinë e vizitës së fundit në Kiev të Merzit me krerët e shteteve dhe qeverive të Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Po aq i rëndësishëm dhe i detajuar është edhe takimi i sotëm, tha ai.

“Gjermania është një nga partnerët drejtues për një rend botëror të bazuar në paqe”, deklaroi Zelenski. “Ne duhet t’i ruajmë rregullat në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë të jetojnë”. “Bota ka pritur për një javë që rusët të shpallin më në fund deklaratën e tyre të qëllimit. Çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar vrasjet?” pyeti Zelenski.

Ai këmbënguli se duhet të ushtrohet presioni më i madh i mundshëm mbi Rusinë për ta detyruar Kremlinin të heqë dorë nga dëshira për të vrarë njerëz. Zelenski lëvdoi marrëveshjet për prodhimin e armëve. Ai nuk dha detaje rreth projekteve të planifikuara.

ard/dlf

“Përbindëshi” elektrik amerikan mbërrin në Evropë, mësohet çmimi i tij

Modeli elektrik i markës amerikane Lucid Motors po mbërrin zyrtarisht në Evropë.

Air Sapphire arrin një shpejtësi maksimale prej 330 km/h dhe do bëjë debutimin e tij në Gjermani, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimeve edhe çmimi është ekskluziv: 250.000 euro dhe vetura mund të porositet online ose në Studio Lucid në Dusseldorf.

Sistemi i fuqisë i përbërë nga tre motorë elektrikë.

Rezultati? Nga 0 në 100 km/h në vetëm 2 sekonda, edhe më shpejt se Tesla Model S Plaid.

Ka katër mënyra drejtimi: Smooth, Swift, Sapphire dhe Track, me këtë të fundit të ndarë në tre nën-modalitete – Dragstrip, Hot Lap dhe Endurance – për t’u përshtatur me çdo lloj piste.

Dërgesat e para priten në tremujorin e tretë të këtij viti. /Telegrafi

Çdo 20 minutë vritet ose plagoset një fëmijë në Gaza

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka deklaruar se mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose lënduar që nga tetori i vitit 2023, kur filloi një luftë mes Izraelit dhe Hamasit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, UNICEF tha se kjo është e barabartë me një fëmijë çdo 20 minutë.

“Ky është shkatërrim i fëmijërisë. Shkatërrim i vetë jetës. Këta janë fëmijë, jo numra. Asnjë fëmijë nuk duhet të kalojë nëpër këtë. Asnjë tjetër fëmijë”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Për të vënë në dukje realitetin e luftës për fëmijët, veçanërisht ata në Gaza, një instalacion artistik pushtoi një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës.

Lodra dhe rroba fëmijësh u vendosën në mes të rrugës Rua do Carmo, të premten, për të tërhequr vëmendjen ndaj mijëra fëmijëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.

Disa aktivitete të tjera u zhvilluan gjithashtu në mbarë Portugalinë për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm./Botasot

Provokimet e maturantëve serbë në veri, flet eksperti i sigurisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se provokimet e maturantëve serbë në veri kanë për qëllim të nxisin tensione.

Islami thotë se edhe tubimi i së premtes po dirigjohej nga persona të caktuar.

“Politikat nacionaliste në Veriun e Kosovës po vazhdojnë edhe në ditët e sotme nga eksponent të Radoiqiqit, përpjekjet për të ngjallur urrejten ndaj shqiptarëve nuk kanë të ndalur. Dje në sheshin kryesor në Mitrovicën e veriut e pamë të njëjtën skenë, maturantë serbë duke dale në rrugë me flamuj dhe këngë nacionaliste e me sllogane të vjetra ” kur të ktheheni në Kosovë” , “ Kosova është serbi “ etj. Ajo çka vrehej në këtë tubim ishte se ai dirigjohej nga persona të caktuar dhe here pas here merrin instruksione përmes telefonave se si të veprohet”, ka pohuar ai.

Islami tutje ka shkruar se “Ajo çka ra në sy ishin edhe disa flamujë të klubit nacionalist – “Cervena Zvezda ” e që ata njihen për këngë e kore nacinaliste”.

“Pra këtu nuk kemi të bëjmë me manifestim të maturës por me instrumentalizim të rinisë për përçarje dhe tendenca që të ngrihen tensione dhe destabilizim të vendit”, tha Islami. /Telegrafi/

Greqia shkundet nga tërmeti, ja magnituda dhe epiqendra

Ditën e stome, një tërmet me magnitudë 4.2 të shkallës rihter u regjistrua në Greqi, në rajonin e Peloponezit me epiqendër qytetin e Mesinisë.

Sipas burimeve, thellësia fokale e tërmetit u vlerësua në 33.7 kilometra, duke treguar një lëvizje sizmike të mesme në thellësi.

Ende nuk ka raportime për dëme materiale apo persona të lënduar.

Autoritetet greke po monitorojnë situatën dhe paralajmërojnë banorët të qëndrojnë vigjilentë, për lëkundje të mundshme pasuese./Albeu.com

Operacion i përbashkët në Itali dhe Belgjikë/ Europol: Arrestohen 14 trafikantë kokaine

Një rrjet kriminal i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës është çmontuar pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve italiane dhe belge, me mbështetjen e Europol-it.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 14 persona të dyshuar si anëtarë të këtij rrjeti.

Hetimi, i cili ka zgjatur disa muaj, ka çuar në identifikimin dhe gjurmimin e një grupi kriminal që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke përdorur porte në Belgjikë dhe Itali.

Grupi përdorte metoda të sofistikuara për të fshehur drogën dhe për të shmangur zbulimin nga autoritetet doganore dhe policore.

Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve të kryera në disa lokacione, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine, para në para të gatshme, automjete luksoze, si dhe pajisje komunikimi të koduara./aktuale.mk

Ishte nisur për në punë, 39-vjeçari shqiptar aksidentohet për vdekje në Itali

Një aksident tragjik rrugor i ka marrë jetën Edmond Gjocit, 39 vjeç, me origjinë shqiptare, i cili jetonte në Tuoro sul Trasimeno, në rajonin e Umbrias, Itali.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në aksin rrugor SR71, pranë Riccio-s, një fshat i vogël në komunën e Cortonës, pranë kufirit me Castiglione del Lago.

Gjoci, i cili punonte si kopshtar, po shkonte drejt vendit të punës. Për shkak se nuk kishte leje drejtimi, ai priste një mik që ta merrte me makinë. Ndërsa qëndronte në anë të rrugës, ai u përplas me forcë nga një makinë Lancia Y, e cila doli nga korsia dhe i mori jetën në vend, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Automjeti drejtohej nga një 19-vjeçar, nxënës i shkollës së mesme, i cili po shkonte në shkollë në Cortona.

Për arsye ende të paqarta, ai humbi kontrollin e mjetit dhe rrëshqiti në drejtim të kundërt të rrugës, duke përplasur Edmondin në mënyrë fatale.

Edmond Gjoci ( Foto e publikuar nga mediat italiane )
Ekipet e ndihmës së shpejtë 118, përfshirë edhe helikopterin Pegaso, mbërritën menjëherë në vendngjarje, të gatshëm për ta transportuar viktimën drejt spitaleve të Scotte ose Careggi, por çdo përpjekje për ta shpëtuar rezultoi e kotë.

Edmond Gjoci ndërroi jetë në vend, për shkak të plagëve të rënda. Edhe masazhi kardiak u provua i pasuksesshëm.

Viktima ishte baba i një vajze të vogël dhe kishte vite që jetonte e punonte në Itali.

Sipas procedurës standarde, drejtuesi i mjetit iu nënshtrua testeve për konsum alkooli dhe lëndësh narkotike, por rezultatet ende nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, automjeti dhe telefoni i të riut janë sekuestruar nga karabinierët, të cilët po hetojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Rruga ku ndodhi ngjarja është e njohur për numrin e lartë të aksidenteve, shumë prej të cilëve me pasojë vdekjen./abcnews.al