Përplasje e ashpër diplomatike mes SHBA-së dhe Gjermanisë për AfD-në

Një përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi ashpër vendimin e qeverisë gjermane për t’i dhënë kompetenca të zgjeruara agjencisë së inteligjencës së brendshme, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

“Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të spiunazhit fuqi të reja për të survejuar opozitën. Kjo nuk është demokraci—është tirani e maskuar”, deklaroi Rubio në një postim në rrjetet sociale.Telegrafi

Ai shtoi më tej “ajo që është vërtet ekstremiste nuk është AfD-ja popullore—e cila zuri vendin e dytë në zgjedhjet e fundit—por politikat vdekjeprurëse të emigracionit me kufij të hapur të elitave, që AfD-ja i kundërshton”.

Reagimi i Rubios hasi në përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër nga autoritetet gjermane. Ministria e Jashtme e Gjermanisë theksoi se vendimi për zgjerimin e kompetencave të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) është në përputhje me parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

“Kjo është demokracia. Ky vendim është rezultat i një hetimi të plotë dhe të pavarur për të mbrojtur Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Janë gjykatat e pavarura ato që do të japin fjalën e fundit. Ne kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i djathtë duhet ndalur”, thuhej në reagimin zyrtar.

Deklaratat e forta vijnë në një kohë kur një gjykatë gjermane konfirmoi klasifikimin e AfD-së si një organizatë e dyshuar ekstremiste, duke i dhënë autoritet BfV-së për të ndërmarrë masa të zgjatura vëzhgimi ndaj saj. Autoritetet gjermane shprehen të shqetësuara për prirjet antidemokratike të disa segmenteve brenda partisë.

Mbrojtja publike që Rubio i bëri AfD-së, një parti e djathtë e njohur për qëndrimet kundër emigracionit dhe euroskepticizmin, shihet si ndërhyrje e paprecedentë e një diplomati të lartë amerikan në çështjet e brendshme të Gjermanisë. Kjo ndërhyrje rrezikon të acarojë marrëdhëniet transatlantike, të cilat kanë qenë në tension të përhershëm sa i përket çështjeve të politikës së brendshme dhe vlerave demokratike.

Analistët paralajmërojnë se ky shkëmbim i ashpër mund të shënojë një ndarje gjithnjë e më të thellë ideologjike mes Uashingtonit dhe Berlinit përballë sfidave të populizmit dhe të ekstremit të djathtë në Evropë. /Telegrafi/

Inteligjenca gjermane e shpall AfD organizatë ekstremiste

Agjencia e Inteligjencës së Brendshme gjermane e ka klasifikuar zyrtarisht partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si një “organizatë ekstremiste”.

Sipas agjencisë kjo parti kërcënon demokracinë, një veprim që i mundëson asaj të monitorojë më mirë partinë që doli e dyta në zgjedhjet federale të Shkurtit.

Agjencia ka bërë të ditur se tani ka prova përfundimtare se partia punon kundër sistemit demokratik të Gjermanisë. Një raport i brendshëm prej 1,000 faqesh, sipas transmetuesit publik gjerman ARD, përmend shkelje të parimeve themelore kushtetuese, siç janë dinjiteti njerëzor dhe sundimi i ligjit.

Statusi duhet ta bëjë më të lehtë për autoritetet që të përdorin metoda sekrete për të monitoruar partinë, për shembull duke rekrutuar informatorë konfidencialë dhe duke përgjuar komunikimet. “Koncepti i bazuar në etni dhe prejardhje i njerëzve që mbizotëron brenda partisë nuk është i pajtueshëm me rendin e lirë demokratik”, tha Agjencia e Inteligjencës vendase në një deklaratë.

Kjo gjithashtu ka sjellë shqetësim tek partitë pasi do të përballen me presion në rritje për të përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në në çdo nivel të qeverisjes. Vendimi vjen disa ditë para se udhëheqësi konservator Friedrich Merz të betohet si kancelari i ri i Gjermanisë dhe mes një debati të nxehtë se si të veprohet me Alternativën për Gjermaninë në parlamentin e ri.KlanTV