ChatGPT dhe ekipet vetëvendosin norma sjelljeje

Një studim i fundit zbulon se ChatGPT dhe modelet e tjera të mëdha gjuhësore të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) kanë aftësinë për vetëorganizim dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje njerëzore. Kur ndodhen në grupe, këto modele gjuhësore krijojnë spontanisht norma sjelljeje dhe konventa shoqërore, ashtu siç ndodh në shoqërinë njerëzore, raportojnë sot mediat italiane.

Ky studim unik, i botuar në revistën Science Advances, është udhëhequr nga shkencëtari italian Andrea Baronchelli, i cili punon në universitetin londinez City, St George’s, sipas agjencisë Ansa.

“Mekanizmi është i njëjtë me atë që qëndron në themel të shumicës së sjelljeve të ndërlikuara njerëzore, si rregullat e mirësjelljes, kodi i veshjes dhe normat morale”, tha ai.

Studiuesit kryen një eksperiment të përshtatur që përdoret edhe për të studiuar konventat sociale tek njerëzit, duke formuar dy grupe modelesh gjuhësore si ChatGPT.

Çdo grup u kërkua të zgjidhte një emër nga disa opsione të ofruara – në këtë eksperiment, një shkronjë e alfabetit ose një varg i rastësishëm karakteresh.

“Modelet gjuhësore, të ashtuquajturat LLM (modele të mëdha gjuhësore), merrnin pikë pozitive sa herë që arrinin të koordinonin me sukses përdorimin e të njëjtit emër, ndërsa në rast të mossuksesit merrnin pikë negative”, sqaroi Baronchelli.

Sipas tij, ky mekanizëm shërben për të motivuar aktorët që të bien dakord përmes ndërveprimit lokal – një skemë e njëjtë me ato të përdorura më parë në eksperimente laboratorike me njerëz, të cilëve u ofroheshin shpërblime të vogla monetare për zgjidhjen me sukses të detyrave./Botasot

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 milionë dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./living.al/