Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është kritikuar nga disa katolikë pasi ka postuar një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, të vetes si Papë.
Fotografia, e cila u nda nga llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në mediat sociale, vjen ndërsa katolikët janë ende në zi për vdekjen e Papa Françeskut, i cili vdiq më 21 prill, dhe përgatiten të zgjedhin Papën e ardhshëm.
Konferenca Katolike e Shtetit të Nju Jorkut e akuzoi Trumpin se po tallte besimin.
Postimi vjen disa ditë pasi ai bëri shaka me gazetarët: “Do të doja të isha Papë”.
Trump nuk është presidenti i parë që akuzohet për tallje të besimit katolik. Ish-presidenti amerikan Joe Biden shkaktoi zemërim një vit më parë kur bëri shenjën e kryqit në një tubim pro-abortit në Tampa të Floridës.Reporteri
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka miratuar eksportin e parë të pajisjeve ushtarake në drejtim të Ukrainës që prej kohës kur është kthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka raportuar The Times.
Administrata Trump e ka informuar Kongresin se planifikon të eksportojë pajisje të mbrojtjes në Ukrainë përmes shitjeve të drejtpërdrejta komerciale prej 50 milionë dollarë ose më shumë.
Njoftimi u lëshua një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për mineralet e rralla ndërmjet Kievit dhe Washingtonit.
Një burim i afërt me Qeverinë ukrainase i ka thënë “The Times” se “mendon që ky është hapi i parë i vullnetit të mirë prej Trumpit pasi që ne përmbushëm atë që ai na kishte kërkuar”.Koha.net
Gjermania i ka kërkuar Ukrainës të mos e pranojë propozimin e fundit të paqes të Donald Trump, duke e quajtur atë të ngjashëm me “kapitullim”.
Trump i ka propozuar Kievit të lëshojë territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ndërsa Ukraina e di se mund të duhet të ndahet nga një pjesë e territorit, ata “nuk duhet të shkojnë aq larg sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ukraina vetë mund të kishte marrë një vit më parë atë që përfshihej në atë propozim, është i ngjashëm me një kapitullim. Nuk mund të dalloj ndonjë vlerë të shtuar”, i tha ai transmetuesit publik gjerman ARD.
E ashtuquajtura “oferta përfundimtare” e Trump përfshin njohjen e Krimesë nga SHBA-ja si pjesë e Rusisë dhe njohjen jozyrtare të kontrollit rus të pothuajse të gjitha zonave të pushtuara që nga pushtimi i vitit 2022, raportoi Axios më parë këtë javë.
Gjithashtu, do ta ndalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga viti 2014.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-të po e shqyrtojnë nëse do të vazhdojnë si ndërmjetës, siç ka thënë Marco Rubio.
Diplomati më i lartë i SHBA-së i tha rrjetit partner amerikan të Sky, NBC News, se “nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse ajo (paqja) nuk do të realizohet”.
Ai tha se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti.
“Java e fundit ka qenë vërtet për të kuptuar se sa afër janë këto palë në të vërtetë dhe a janë ato mjaftueshëm afër saqë kjo meriton një investim të vazhdueshëm të kohës sonë si ndërmjetës”.
Megjithatë, Rubio nuk tha se sa gjatë është e gatshme administrata Trump të presë për një përparim. /Telegrafi/
Autoriteti Palestinez ka hyrë në një fazë të re ndryshimesh. Takimet e delegacioneve të Hamasit dhe Izraelit në Kajro dhe presioni i Donald Trump për paqe në këtë rajon. Presidenti i Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas emëroi të besuarin e ngushtë Hussein al-Sheikh si zëvendës dhe pasardhës të mundshëm të tij. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, një hap që shihet gjerësisht si i nevojshëm për të qetësuar dyshimet ndërkombëtare mbi udhëheqjen palestineze.
Abbas, 89 vjeç, ka drejtuar Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Autoritetin Palestinez (PA) që nga vdekja e liderit veteran Yasser Arafat në vitin 2004, por ai për vite me radhë i kishte rezistuar reformave të brendshme duke përfshirë emërimin e një pasuesi.
Hussein al-Sheikh, i lindur në vitin 1960, është një veteran i krahut islamik të Fatahut, fraksionit kryesor të PLO, i cili u themelua nga Arafat dhe tani drejtohet nga Abbas. Ai shihet gjerësisht si një pragmatist me lidhje shumë të ngushta me Izraelin. Ai u emërua nënkryetar i PLO pasi komiteti ekzekutiv i organizatës miratoi emërimin e tij nga Abbas.
Reforma e Autoritetit Palestinez, e cila ushtron autonomi të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ka qenë një prioritet për Shtetet e Bashkuara dhe monarkitë e Gjirit duke shpresuar se trupi mund të luajë një rol qendror në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Presioni për reforma është intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza, ku rivali kryesor palestinez i PLO-së, Hamasi, ka luftuar me Izraelin për më shumë se 18 muaj, duke e lënë territorin e vogël dhe të mbushur me njerëz në gërmadha.
Shtetet e Bashkuara kanë promovuar idenë e një PA të reformuar që do të qeverisë në Gaza pas luftës. Monarkitë e Gjirit, të cilat shihen si burimi më i mundshëm i financimit për rindërtimin e Gazës pas luftës, duan gjithashtu reforma të mëdha të organit.Tetovasot