Sot shënohet Dita e Evropës

Viti 2025 shënon 75-vjetorin e Deklaratës së Shumanit, e cila hodhi themelet për Bashkimin Evropian dhe hapi rrugën për një epokë të paprecedentë prosperiteti, paqeje, demokracie, solidariteti dhe bashkëpunimi në Evropë.

Për të shënuar këtë rast, shumë ngjarje do të zhvillohen në vendet anëtare të BE-së dhe në mbarë botën, duke bashkuar qytetarë nga të gjitha sferat e jetës.

Institucionet e BE-së do të hapin dyert e tyre dhe do të ftojnë qytetarët të vizitojnë ambientet e tyre, të zbulojnë punën e tyre dhe të përfshihen në një gamë të gjerë aktivitetesh edukative dhe argëtuese.

Ndërtesat dhe monumentet historike në të gjithë globin do të ndriçohen me ngjyrat e BE-së, ndërsa një program i veçantë i Ditës së Evropës është planifikuar për Expo 2025 në Osaka, Japoni.

Në kohët e pasigurisë globale, Evropa mbetet një spirancë e stabilitetit – një vend mundësie dhe mbrojtjeje për qytetarët e saj.

BE-ja dhe institucionet e saj po punojnë drejt qëllimit të përbashkët për të garantuar prosperitet dhe konkurrencë, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen tonë, duke mbështetur vlerat themelore për të cilat interesohen evropianët.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos më 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë festohet edhe në Kosovë./AlsatM

“Evropa armatoset”, më shumë se gjysma e vendeve të BE-së rrisin shpenzimet ushtarake

Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të BE-së synojnë të përdorin një përjashtim që i lejon ata të tejkalojnë kufijtë buxhetorë për të rritur shpenzimet ushtarake, ka njoftuar këshilli i bllokut.

Komisioni Evropian propozoi në fillim të këtij viti që anëtarët mund të përdorin një klauzolë emergjente për të shpenzuar deri në 1.5% të GDP-së së tyre në investimet e mbrojtjes gjatë katër viteve të ardhshme pa shkelur rregullat për deficitin publik dhe borxhin.

Bëhet e ditur se masa vjen pasi administrata Trump sugjeroi që Evropa duhet të paguajë më shumë për të mbrojtur veten – dhe mes shqetësimeve të sigurisë për luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

“Gjermania dhe Polonia janë duke udhëhequr grupin e vendeve që kanë treguar se duan ta bëjnë këtë”, tha BE në një deklaratë të mërkurën.

Hungaria dhe Sllovakia, qeveritë e të cilave konsiderohen të jenë miqësore me Moskën, janë gjithashtu të listuara, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Pjesa tjetër e vendeve anëtare të BE-së që kanë vendosur të kërkojnë aktivizimin e të ashtuquajturës “klauzola e arratisjes” përfshijnë Belgjikën, Danimarkën, Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Greqinë, Portugalinë, Slloveninë, Republikën Çeke, Kroacinë dhe Bullgarinë.

“Ne mbetemi të hapur ndaj kërkesave të mëtejshme”, shtoi Komisioneri Ekonomik i BE-së Valdis Dombrovskis.

Raportohet se klauzola mund të lejojë që qindra miliarda euro të shpenzohen për riarmatosjen e kontinentit deri në vitin 2030.

Megjithëse shpenzimet ushtarake janë rritur brenda BE-së me 31% që nga viti 2021, shumë shtete anëtare janë të prirura të rrisin më tej shpenzimet e mbrojtjes.

Kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz ka thënë se Evropa duhet të veprojë shpejt për hir të sigurisë së saj.

“Duke pasur parasysh kërcënimet ndaj lirisë dhe paqes sonë në kontinentin tonë, rregulli për mbrojtjen tonë tani duhet të jetë çfarëdo që duhet”, tha ai.

Ndryshe, duke shpallur një paketë mbrojtëse të BE-së në mars, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli qartë për rreziqet në të cilat u gjend Evropa.

“Ne jemi në një epokë riarmatimi. Dhe Evropa është gati të rrisë masivisht shpenzimet e saj të mbrojtjes”, tha ajo.

“Si për t’iu përgjigjur urgjencës afatshkurtër për të vepruar dhe për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të adresuar nevojën afatgjatë për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë evropiane.” /Telegrafi/