Franca do ndalojë rrjetet sociale nën 15 vjeç

Franca do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë në muajt e ardhshëm. Presidenti Emmanuel Macron, në një intervistë për “France 2”, deklaroi se vendimi vjen pas plagosjes me thikë të pjesëtarit të stafit në një shkollë të mesme të martën në mëngjes

“Sigurisht që mundemi. Jam për ndalimin e mediave sociale për personat nën 15 vjeç. Mund ta bëjmë, sepse të gjitha këto platforma kanë mundësinë, nëpërmjet njohjes së fytyrës ose nëpërmjet kredencialeve, të verifikojnë moshën e dikujt. Nuk mund të presim”, tha Emmanuel Macron, Presidenti i Francës.

Policia mori në pyetje një nxënës 15-vjeçar të martën në lidhje me ngjarjen në shkollë. Kryeministri Francois Bayrou është shprehur se incidenti nuk është një rast i izoluar. Edhe më herët Macron ka deklaruar se mediat sociale janë një nga faktorët kryesorë për dhunën midis të rinjve dhe duhet mobilizim nga e gjithë Europa.

Komentet e kreut të Elizesë vijnë mes një vale masash në vende të ndryshme të botës që synojnë të frenojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Greqia, duke ndjekur Francën dhe Spanjën, po bën përpjekje për të kufizuar ndjeshëm kohën që adoleshentët mund të kalojnë në internet. Por në një reagim të fundit, BE thotë se nuk parashikohet një ndalim i plotë i rrjeteve për këtë grupmoshë, por duhet të jenë vendet europiane që përcaktojnë kufizimet.

Australia vitin e kaluar miratoi një ndalim të mediave sociale për personat nën 16 vjeç pas një debati publik, duke vendosur një nga rregulloret më të ashpra që synon kompanitë e mëdha të teknologjisë./Klan News

Franca e dënon ashpër planin e Izraelit për pushtimin e Gazës

Ministri i Jashtëm i Francës tha të martën se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ushtria izraelite tha se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj, pasi kabineti i sigurisë i vendit miratoi një plan që, sipas një zyrtari izraelit, do të përfshijë “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”.

“Është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është “në shkelje të ligjit humanitar”.

Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite.

Pothuajse të gjithë 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës, e cila nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit mbi Izraelin në tetor 2023 raporton AFP./RadioEvropaeLirë