Kancelari Merz: Nëse Ukraina bie, BE-ja do të jetë në shënjestër të Rusisë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se “nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke përshkruar një “ndryshim të madh tektonik” të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit, dhe jo thjesht “luhatje” në marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve.

Ai e përshkroi Gjermaninë si “një rast që kërkon rinovim” duke iu referuar sfidave të brendshme të vendit të tij.

Duke folur në konferencën e Unionit Kristiansocial (CSU) në Mynih, Merz shtoi se epoka e “Pax Americana” ka përfunduar dhe se nostalgjia nuk do t’i ndihmojë gjermanët.

“Amerikanët tani promovojnë interesat e tyre me forcë të madhe, dhe për këtë duhet të bëjmë të njëjtën gjë për interesat tona,” tha ai.

Për sa i përket Ukrainës dhe rëndësisë së mbështetjes së saj të mëtejshme, kancelari theksoi: “Nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke kujtuar se kjo gjendje ka nisur që nga maji i vitit 2014 me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Ai paralajmëroi se nëse Putini do të pushtonte Ukrainën, ai nuk do të ndalej vetëm me kaq, por do të synonte Bashkimin Evropian. Merz nënvizoi katër prioritetet kryesore: mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa nevojitet, kohezion brenda BE-së dhe NATO-s, dhe investime masive në kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë.

Duke iu drejtuar të rinjve gjermanë dhe duke përmendur shërbimin ushtarak, Merz shprehu besimin se ata janë të gatshëm të shërbejnë për atdheun.

“Ky vend ofron shumë mundësi, më shumë se shumica e vendeve të tjera. Por ne duam një kontribut nga ju, që ky vend të udhëhiqet drejt së ardhmes me shpirt lirie,” tha ai, duke theksuar se fillimisht shërbimi do të jetë vullnetar, por mund të ndryshojë nëse do të jetë e nevojshme.Visionplus

Merz: Gjermania po përgatitet për ndryshim transatlantik, shpreson që SHBA-ja të mbetet partnere

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se strategjia e re e sigurisë e administratës amerikane pritet të ndryshojë marrëdhëniet transatlantike, ndërsa shprehu shpresën që Washingtoni të mbetet partner.

“Po përgatitemi për një ndryshim në marrëdhëniet transatlantike”, tha Merz në një konferencë për media në Berlin.

“Por unë do të doja që Amerika të mbetet partnere dhe shpresoj që SHBA-ja ta shohë Evropën dhe Gjermaninë në të njëjtën mënyrë”, shtoi ai.

Lideri konservator shprehu keqardhje për kritikat dhe akuzat e administratës amerikane ndaj qeverive evropiane në dokumentin strategjik, por shtoi se ato nuk ishin “surprizë e madhe”, pasi pasqyronin edhe mesazhin që nënpresidenti amerikan JD Vance u dha evropianëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih më herët këtë vit.

I pyetur për kritikat e ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave pro imigracionit të qeverive evropiane, Merz tha se ai dhe Trump e kanë diskutuar këtë çështje disa herë që nga takimi i tyre i parë në qershor.

“I thashë presidentit amerikan se ne në Gjermani po ndjekim një politikë të re në lidhje me emigracionin dhe ligjin e azilit. Do t’ia përsëris edhe herën tjetër kur të takohemi, se kemi arritur rezultate të mëdha”, tha Merz.

“Ne kemi arritur ta përgjysmojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani, dhe besoj se ai do ta vlerësojë faktin që kemi bërë një korrigjim kursi në këtë fushë, e cila realisht ka qenë një barrë e rëndë për Gjermaninë”, deklaroi kancelari Merz.

Strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare, e publikuar javën e kaluar, përshkruan prioritetet e administratës Trump në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Dokumenti fokusohet te rajoni i Indo-Paqësorit dhe kundërshton karakterizimin e Rusisë si “kërcënim ekzistencial” nga qeveritë evropiane.

Në dokumentin prej 33 faqesh bëhen edhe vlerësime të debatueshme për Evropën, duke paralajmëruar për rënie ekonomike dhe “rrezikun real dhe gjithnjë e më të theksuar të zhdukjes së civilizimit” brenda 20 viteve të ardhshme.

Po ashtu, kritikohet qëndrimi i qeverive evropiane ndaj lëvizjeve euroskeptike, të djathta ekstreme dhe kundër imigracionit.

Në një largim të fortë nga dokumentet e mëparshme strategjike, aty thuhet: “Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa lidhen me aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përçarje, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe të vetëbesimit”. /AA

Merz zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë në raundin e dytë

Kreu i CDU-së Friedrich Merz arriti në raundin e dytë të marrë në Bundestag 325 vota, nëntë më shumë se shumica e nevojshme prej 316 votash.

Lehtësim i përgjithshëm në parlamentin gjerman pas dështimit të zgjedhjes së kreut të CDU-së, Friedrich Merz, si kancelar në raundin e parë të votimit. 

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, arriti të merrte në raundin e dytë votat e nevojshme dhe është kancelari i dhjetë i Republikës Federale të Gjermanisë.

Merz mori në votimin e fshehtë 325 vota pro, 9 më shumë se shumica e nevojshme prej 316 votash. Grupet parlamentare që përbëjnë koalicionin CDU/CSU dhe SPD kanë së bashku 328 vende në parlament.

Shkurtim i afatit për zhvillimin e raundit të dytë

Bundestagu e rifilloi seancën e tij pasdite me miratimin fillimisht nga deputetët të një kërkese për shkurtimin e afatit për zhvillimin e raundit të dytë të votimit. Mocioni u paraqit bashkërisht nga CDU/CSU, SPD, të Gjelbrit dhe të Majtët.

Kreu i CDU-së Friedrich Merz arriti të merrte në raundin e parë të votimit parlamentar vetëm 310 vota – gjashtë më pak se sa nevojiten.

Pas kësaj presidentja e Bundestagut Julia Klöckner e ndërpreu sipas rrgullores seancën parlamentare.

Pas zgjedhjes nga parlamenti Merz do të marrë emërimin nga presidenti Steinmeier.

Betimi si kancelar

Më pas ai kthehet në Bundestag, për të bërë betimin. Betimi përmban këtë deklaratë: “Betohem se do t’i kushtoj forcën time mirëqenies së popullit gjerman, do të shtoj përfitimet e tij, do të shmang dëmin, do të respektoj dhe mbroj Ligjin Themelor Kushtetues dhe ligjet e federatës, do t’i përmbush me ndërgjegje detyrat e mia dhe do të veproj me drejtësi ndaj të gjithëve. Me ndihmën e Zotit.” Fjalia “me ndihmën e Zotit” nuk është e detyrueshme. Olaf Scholz nuk përfshiu atë kur bëri betimin në vitin 2021.

Pas kësaj ceremonie pason emërimi i ministrave. Merz-i kthehet sërish në Pallatin Bellevue tek presidenti Steinmeier – këtë herë së bashku me kabinetin e tij, për të marrë certifikatat e emërimit nga Presidenti federal./DW.com