Trump: Jemi afër marrëveshjes për armëpushim në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se janë afër një marrëveshjeje për Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në një aeroport, Trump shprehu shpresën lidhur me arritjen e një marrëveshje së shpejti në Gaza.

“Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën”, tha Trump duke theksuar vendosmërinë e tij për të arritur armëpushim në Gaza gjatë orëve kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po udhëtonte për në Washington.

Trump bëri vërejtjet e mëposhtme në fjalimin e tij, ku vlerësoi se një armëpushim në Gaza mund të jetë i mundur “këtë javë”.

“Mendoj se ka një shans të mirë të arrijmë marrëveshje me Hamasin për shumë nga pengjet javën e ardhshme. E dini, ne kemi liruar shumicën e pengjeve, por shumë nga pengjet e mbetura do të lirohen. Mendojmë se këtë do ta bëjmë këtë javë”, tha presidenti amerikan.

Duke folur me gazetarët të premten, Trump tha: “Mendojmë se do të arrijmë armëpushim në Gaza brenda javës së ardhshme”. Në të njëjtën ditë, Hamasi dërgoi përgjigjen e tij “pozitive” ndaj propozimit të fundit për armëpushim ndërmjetësve Katarit dhe Egjiptit.

Trump sot pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë në orën 18:00 sipas kohës lokale të SHBA-së, me Netanyahun mbi të cilin ka ushtruar presion për armëpushim në Rripin e Gazës./TOP Lajmet

Fundi i luftës në Gaza? Hamasi: Po intensifikohen përpjekjet për armëpushim me Izraelin!

Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë shtuar përpjekjet për të arritur një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, megjithatë bisedimet me Izraelin vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

Deklaratat vijnë ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu optimizëm për progres në negociata.

“Mendoj se po bëhet përparim i madh në Gaza”, tha ai nga Brukseli të mërkurën, duke shtuar se dërguari i tij Steve Witkoff besonte se “Gaza është shumë afër” një marrëveshjeje.

Ndërkohë, situata në terren është përkeqësuar. Sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë të paktën 45 palestinezë të mërkurën, sipas ministrisë së shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi, përfshirë edhe njerëz që po prisnin ndihma humanitare. Në të njëjtën kohë, shtatë ushtarë izraelitë u vranë në një sulm të Hamasit në Khan Younis.

Negociatat për armëpushim janë ngecur që nga fundi i majit, kur Hamasi refuzoi një propozim amerikan për një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve të gjallë dhe atyre të vdekur. Aktualisht, 50 pengje izraelite mbahen ende në Gaza, nga të cilët të paktën 20 besohet të jenë gjallë.

Izraeli ka rifilluar ofensivën ushtarake në Gaza dhe ka vendosur një bllokadë të plotë të ndihmës humanitare që nga marsi, duke e lehtësuar atë vetëm pjesërisht pas presionit ndërkombëtar. Në përpjekje për të shmangur abuzimin me ndihmat, Izraeli dhe SHBA kanë krijuar një sistem të ri shpërndarjeje përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), duke anashkaluar OKB-në.

Nga 26 maji e deri më sot, mbi 549 palestinezë janë vrarë dhe 4,000 janë plagosur gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma. Të mërkurën, në Gazën qendrore dhe jugore u raportuan të paktën 14 vdekje si pasojë e zjarrit izraelit dhe sulmeve ajrore. Në qytetin e Gazës, u mbajtën funeralet për disa nga 33 viktimat e një dite të mëparshme./Ballkanweb

Ministri izraelit i mbrojtjes urdhëron ushtrinë të bllokojë konvojin humanitar nga Afrika e Veriut

“Pres që autoritetet egjiptiane t’i parandalojnë ata të arrijnë kufirin Egjipt-Izrael dhe të mos i lejojnë të kryejnë provokime dhe të përpiqen të hyjnë në Gaza”, ka thënë Israel Katz

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë e tij të parandalojë hyrjen e konvojit humanitar nga Afrika e Veriut në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga zyra e tij thuhet se Katz ka udhëzuar ushtrinë të bllokojë hyrjen e atyre që ai i përshkroi si “protestues xhihadistë” që të hyjnë në Gaza nga Egjipti.

“Pres që autoritetet egjiptiane t’i parandalojnë ata të arrijnë kufirin Egjipt-Izrael dhe të mos i lejojnë të kryejnë provokime dhe të përpiqen të hyjnë në Gaza”, shtoi ai.

I përbërë nga 12 autobusë dhe 100 makina private, konvoji me më shumë se 1.000 aktivistë nga vendet e Afrikës së Veriut u nis nga Tunizia të hënën. Ai pritet të arrijë në Egjipt të enjten përpara se të arrijë në pikën kufitare Rafah pranë Gazës./aa.com

Çdo 20 minutë vritet ose plagoset një fëmijë në Gaza

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka deklaruar se mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose lënduar që nga tetori i vitit 2023, kur filloi një luftë mes Izraelit dhe Hamasit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, UNICEF tha se kjo është e barabartë me një fëmijë çdo 20 minutë.

“Ky është shkatërrim i fëmijërisë. Shkatërrim i vetë jetës. Këta janë fëmijë, jo numra. Asnjë fëmijë nuk duhet të kalojë nëpër këtë. Asnjë tjetër fëmijë”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Për të vënë në dukje realitetin e luftës për fëmijët, veçanërisht ata në Gaza, një instalacion artistik pushtoi një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës.

Lodra dhe rroba fëmijësh u vendosën në mes të rrugës Rua do Carmo, të premten, për të tërhequr vëmendjen ndaj mijëra fëmijëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.

Disa aktivitete të tjera u zhvilluan gjithashtu në mbarë Portugalinë për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm./Botasot

Kancelari gjerman Merz vë në pikëpyetje strategjinë e Izraelit në Gaza: Nuk e kuptoj më qëllimin e tyre

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur shqetësime të thella për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke deklaruar se “nuk e kupton më” qëllimin përfundimtar të kësaj ndërhyrjeje dhe duke e cilësuar situatën humanitare si të pajustifikueshme.

Në një deklaratë gjatë WDR Europaforum në Berlin, Merz kritikoi planet e Izraelit për të marrë kontrollin e deri në 75% të territorit të Gazës dhe paralajmëroi se “qeveria izraelite nuk duhet të bëjë asgjë që as miqtë e saj më të ngushtë nuk janë më të gatshëm ta pranojnë”.

“Ajo që ushtria izraelite po bën tani në Rripin e Gazës, sinqerisht nuk e kuptoj më me çfarë qëllimi”, u shpreh ai.

Merz theksoi gjithashtu vuajtjet e popullatës civile palestineze, e cila mbetet thellësisht e varur nga ndihmat ndërkombëtare – ndihma që Izraeli kishte bllokuar për javë të tëra duke pretenduar se përfitonte Hamasi.

“Shkaktimi i vuajtjeve të tilla popullsisë civile nuk mund të justifikohet më me luftën kundër terrorizmit të Hamasit”, shtoi kancelari.

Deklaratat e Merz vijnë në një kohë kur aleatë të tjerë të ngushtë të Izraelit, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë dënuar gjithashtu veprimet ushtarake izraelite si “të shëmtuara” dhe kanë paralajmëruar për “veprime konkrete” nëse Tel Avivi nuk ndryshon kursin, sidomos në lidhje me ndihmën humanitare.

Në një kundërpërgjigje të ashpër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi këta liderë perëndimorë se po qëndrojnë “në anën e gabuar të historisë”, duke mbrojtur në mënyrë të tërthortë Hamasin.

“Kur vrasësit masivë dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit”, tha ai, duke përmendur direkt Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Mark Carney.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një ofensivë të re të quajtur “Qerret e Gideonit”, me ndërhyrje tokësore në veri dhe jug të Gazës të mbështetur nga forcat ajrore.

Qëllimi i deklaruar është të zgjerohet kontrolli operacional mbi Rripin dhe të lirohen pengjet ende të mbetura në duart e Hamasit.

Pavarësisht lehtësimit të pjesshëm të bllokadës javën e kaluar, kur disa dhjetëra kamionë ndihma u lejuan të hyjnë në Gaza, OKB e ka quajtur ndihmën një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat urgjente të mbi dy milionë banorëve në krizë./Botasot

Izraeli sulmon një shkollë në Gaza, raportohet për shumë të vdekur

Avionët luftarakë izraelitë goditën një shkollë të lidhur me Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ku po qëndrojnë refugjatët në Kampin e Refugjatëve Al-Bureij.

Të paktën 9 persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit të dytë që ushtria izraelite krye brenda 24 orëve ndaj një shkolle në kampin e refugjatëve Al-Bureij në pjesët qendrore të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Sipas informacionit që Anadolu ka siguruar nga zyrtarët e shëndetësisë, avionët luftarakë izraelitë goditën një shkollë të lidhur me Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ku po qëndrojnë refugjatët në Kampin e Refugjatëve Al-Bureij në qendër të Rripit të Gazës, për herë të dytë brenda 24 orëve.

Nëntë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulm.

Në një deklaratë me shkrim të bërë dje nga qeveria në Gaza, u tha se 22 persona, kryesisht fëmijë, humbën jetën dhe 52 të tjerë u plagosën në sulmin që synonte shkollën e lidhur me UNRWA-n në kampin e refugjatëve Al-Bureij.

Franca e dënon ashpër planin e Izraelit për pushtimin e Gazës

Ministri i Jashtëm i Francës tha të martën se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ushtria izraelite tha se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj, pasi kabineti i sigurisë i vendit miratoi një plan që, sipas një zyrtari izraelit, do të përfshijë “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”.

“Është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është “në shkelje të ligjit humanitar”.

Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite.

Pothuajse të gjithë 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës, e cila nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit mbi Izraelin në tetor 2023 raporton AFP./RadioEvropaeLirë

Kriza humanitare në Gaza afër kolapsit total

Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se situata në Gaza është në prag të një kolapsi të plotë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ndihma është e pamjaftueshme dhe përballja me urinë është e pashmangshme nëse nuk ndryshon menjëherë qasja.

“Kjo situatë nuk duhet – dhe nuk mund të lejohet – të përshkallëzohet më tej,” u shpreh Pascal Hundt nga KNKK.

Ndërkohë, nuk ka përparim në negociatat për një marrëveshje të re armëpushimi, ndërsa kryeministri Netanyahu pritet të miratojë një ofensivë të re ushtarake dhe një plan të diskutueshëm për shpërndarjen e ndihmës në jug të Gazës, përmes kontraktorëve privatë – plan që zyrtarët palestinezë e kanë quajtur të “pazbatueshëm dhe joetik”.

Kriza zgjerohet: Izraeli godet edhe në Siri

Përveç Gazës, Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ajrore në Siri, duke goditur objektiva afër pallatit presidencial në Damask. Qeveria siriane ka dënuar këto veprime si “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Zyrtarë izraelitë thanë se ndërhyrja synon mbrojtjen e pakicës druze pas përplasjeve sektare në afërsi të Damaskut. Pesë qytetarë sirianë druzë u evakuuan natën për trajtim mjekësor në Izrael. Në të njëjtën kohë, Tel Avivi ka dislokuar trupa në zonën e dikurshme të demilitarizuar në Lartësitë e Golanit.

Rreziku i një përshkallëzimi rajonal

Sirenat e raketave janë dëgjuar për të dytën ditë radhazi në jug të Izraelit, pas një sulmi të pretenduar nga rebelët Huthi të Jemenit, që veprojnë me mbështetjen e Iranit dhe deklarojnë se veprojnë në solidaritet me popullin palestinez.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të bëjë presion ndaj Izraelit për të lehtësuar hyrjen e ndihmës humanitare përpara vizitës së tij të paralajmëruar në Lindjen e Mesme.GazetaShqip

Gaza nën flakë, të paktën 40 të vrarë në 24 orë nga bombardimet izraelite

Të paktën 40 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Të paktën 40 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa qeveria e Izraelit përgatitet të zgjerojë ofensivën ushtarake.

Sipas autoriteteve palestineze, goditjet kanë shënjestruar zona të banuara në kampet e refugjatëve dhe qytete të ndryshme të territorit.

Në mesin e viktimave janë edhe tre foshnje të vrara në kampin Khan Younis, ndërkohë që sulme të tjera kanë ndodhur në qytetin e Gazës, Beit Lahiya dhe kampin Bureij.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se po marrin masa për të “zbutur dëmet ndaj civilëve”, ndërsa akuzojnë Hamasin për përdorimin e popullsisë si mburojë njerëzore – një pretendim që grupi e mohon.

Nga rifillimi i bombardimeve më 18 mars, mbi 2,300 palestinezë janë vrarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve që nga tetori i vitit të kaluar në mbi 52,000.GazetaShqip