📰 Gjermania hap vende të reja pune në gastronomi dhe mjekësi – rritet interesi i shqiptarëve

Gjermania vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të stafit në sektorë të rëndësishëm si gastronomia dhe mjekësia, duke hapur mundësi të reja punësimi edhe për shtetasit e huaj, përfshirë shqiptarët që jetojnë ose synojnë të vijnë në Gjermani.

Në sektorin e gastronomisë kërkohen kuzhinierë, ndihmës-kuzhinierë, kamarierë dhe staf shërbimi, ndërsa në mjekësi dhe kujdes shëndetësor nevoja është e madhe për infermierë, ndihmës-infermierë dhe staf mbështetës. Autoritetet gjermane dhe punëdhënësit po ofrojnë gjithnjë e më shumë kontrata të rregullta, Ausbildung dhe mundësi kualifikimi për ata që plotësojnë kushtet ligjore.

Ekspertët theksojnë se njohja bazë e gjuhës gjermane dhe dokumentacioni i rregullt janë elementë kyç për integrim të suksesshëm dhe stabilitet afatgjatë në tregun e punës.

📌 Njoftim për lexuesit

Nëse keni interes ose nevojë për aplikim në fushën e gastronomisë apo mjekësisë, për informacione rreth dokumenteve, procedurave apo vendeve të punës, mund të na kontaktoni direkt.

newsaldiaspor@gmail.com

Hëna e Re e 20 dhjetorit! Për këto 3 shenja të horoskopit do të nisë një kapitull i ri

Hëna e Re në shenjën e Shigjetarit, më 20 dhjetor, sjell një energji të fortë transformuese, e cila vepron si një busull e brendshme dhe ndihmon në qartësimin e drejtimit personal.

Kjo periudhë favorizon ripërtëritjen e mendimit, zgjerimin e horizonteve dhe rikthimin e besimit tek rruga që secili ka zgjedhur.

Është një moment ku ëndrrat e mëdha jo vetëm që lejohen, por marrin edhe mbështetje t’u kthyer në realitet.

Për disa shenja të zodiakut, kjo Hënë e Re shënon një pikë kthese të rëndësishme dhe hapjen e një kapitulli të ri.

Këto janë tre shenjat që favorizohen më shumë nga Hëna e Re e 20 dhjetorit 2025:

Dashi

Për dashin, kjo Hënë e Re vjen si një sinjal nisjeje. Energjia rikthehet fuqishëm, por këtë herë në mënyrë të qartë dhe të fokusuar. Ju ndjeni se është momenti i duhur për të lënë pas zakone dhe modele që nuk ju shërbejnë më dhe për të ndërmarrë një hap që e keni shtyrë prej kohësh. Rruga përpara bëhet më e dukshme dhe intuita ju udhëheq drejt zgjedhjeve të duhura.

Shigjetari

Si shenja që sundon këtë Hënë të Re, shigjetari ndodhet në qendër të ndryshimeve. Zëri i brendshëm bëhet më i fortë dhe më i qartë, duke ju shtyrë të lini pas pasiguritë dhe të përcaktoni një drejtim të ri për jetën tuaj. Një ide, dëshirë apo qëllim i ri mund të marrë formë konkrete, ndërsa planet që më parë dukeshin të paqarta fillojnë të strukturohen. Kjo ditë ju jep besimin për të menduar më madhështor dhe për të hedhur hapin e parë.

Bricjapi

Pak përpara nisjes së ciklit tuaj astrologjik, Hëna e Re ju fton të rishikoni kuptimin e suksesit. Kjo periudhë ju bën të reflektoni jo vetëm mbi arritjet, por edhe mbi rrugët që po ndiqni për t’i realizuar ato. Një kapitull i ri hapet, ku autenticiteti dhe ndershmëria me veten marrin përparësi ndaj detyrimeve. Ju kuptoni se qëllimi nuk është përsosmëria, por rritja dhe evoluimi i vazhdueshëm.Gazetashqip

Po punonte për rikonstruksionin e një shkolle, bie nga lartësia dhe humb jetën 57-vjeçari në Elbasan

Një 57-vjeçar ka humbur jetën ditën e djeshme, pasi ka rënë nga lartësia teksa punonte për rikonstruksionin e një shkolle.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Polis, ndërsa lidhur me ngjarjen policia njofton se ka arrestuar një 33-vjeçar, administrator dhe drejtues teknik i punimeve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 33 vjeç, administrator dhe drejtues teknik i punimeve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, gjatë kryerjes së punimeve për rikonstruksionin e një shkolle në fshatin Polis, dyshohet se ka rënë nga lartësia punonjësi, shtetasi Sh. M., 57 vjeç, i cili, si pasojë, ka humbur jetën”-njofton policia.Top Channel

Pengmarrja e shtetasit nga Kosova, dalin pamje ku të dyshuarit drekojnë me 39-vjeçarin

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e tre personave në Vlorë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së shtetasit nga Kosova, F.Xh, 39 vjeç.

Të arrestuarit janë V.A, O.Ç. dhe J.Z.

Sipas pamjeve të siguruara nga grupi hetimor, pengu shihet duke qëndruar qetësisht në një lokal, së bashku me një shokun e tij dhe një nga personat e arrestuar.

Këto pamje kanë ngritur pikëpyetje mbi versionin e pengmarrjes së pretenduar, pasi personat duken se komunikojnë lirshëm dhe njihen mes tyre, raporton Tch.

Mbajtën peng dhe e rrahën një shtetas të Kosovës për përfitimin e 70 mijë euro, arrestohen tre të dyshuar në Vlorë

Sipas palës mbrojtëse, 39-vjeçari nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe sende personale, me qëllim që të qëndronte aty për një periudhë kohe.

Denoncimi për pengmarrje, sipas avokatëve, është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se i riu u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se situata është keqinterpretuar si pengmarrje.

Në banesën ku dyshohet se qëndronte 39-vjeçari janë gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes përforcon pretendimin se ai kishte shkuar aty me vullnetin e tij.Ora.info

Kancelari Merz: Nëse Ukraina bie, BE-ja do të jetë në shënjestër të Rusisë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se “nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke përshkruar një “ndryshim të madh tektonik” të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit, dhe jo thjesht “luhatje” në marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve.

Ai e përshkroi Gjermaninë si “një rast që kërkon rinovim” duke iu referuar sfidave të brendshme të vendit të tij.

Duke folur në konferencën e Unionit Kristiansocial (CSU) në Mynih, Merz shtoi se epoka e “Pax Americana” ka përfunduar dhe se nostalgjia nuk do t’i ndihmojë gjermanët.

“Amerikanët tani promovojnë interesat e tyre me forcë të madhe, dhe për këtë duhet të bëjmë të njëjtën gjë për interesat tona,” tha ai.

Për sa i përket Ukrainës dhe rëndësisë së mbështetjes së saj të mëtejshme, kancelari theksoi: “Nuk jetojmë në luftë, por nuk jetojmë më as vetëm në paqe”, duke kujtuar se kjo gjendje ka nisur që nga maji i vitit 2014 me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Ai paralajmëroi se nëse Putini do të pushtonte Ukrainën, ai nuk do të ndalej vetëm me kaq, por do të synonte Bashkimin Evropian. Merz nënvizoi katër prioritetet kryesore: mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa nevojitet, kohezion brenda BE-së dhe NATO-s, dhe investime masive në kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë.

Duke iu drejtuar të rinjve gjermanë dhe duke përmendur shërbimin ushtarak, Merz shprehu besimin se ata janë të gatshëm të shërbejnë për atdheun.

“Ky vend ofron shumë mundësi, më shumë se shumica e vendeve të tjera. Por ne duam një kontribut nga ju, që ky vend të udhëhiqet drejt së ardhmes me shpirt lirie,” tha ai, duke theksuar se fillimisht shërbimi do të jetë vullnetar, por mund të ndryshojë nëse do të jetë e nevojshme.Visionplus

Vdes një grua në një aksident mes një veture dhe një kamioni në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një grua ka mbetur pa shenja jete sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Tutje bëhet e ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira mes një veture dhe një mjeti të rëndë transportues-kamion, me targa vendore.

“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë Kelani.

Kelani po ashtu ka thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante. Policia e Kosovës, apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka thënë Kelani. /Telegrafi/

Merz: Gjermania po përgatitet për ndryshim transatlantik, shpreson që SHBA-ja të mbetet partnere

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se strategjia e re e sigurisë e administratës amerikane pritet të ndryshojë marrëdhëniet transatlantike, ndërsa shprehu shpresën që Washingtoni të mbetet partner.

“Po përgatitemi për një ndryshim në marrëdhëniet transatlantike”, tha Merz në një konferencë për media në Berlin.

“Por unë do të doja që Amerika të mbetet partnere dhe shpresoj që SHBA-ja ta shohë Evropën dhe Gjermaninë në të njëjtën mënyrë”, shtoi ai.

Lideri konservator shprehu keqardhje për kritikat dhe akuzat e administratës amerikane ndaj qeverive evropiane në dokumentin strategjik, por shtoi se ato nuk ishin “surprizë e madhe”, pasi pasqyronin edhe mesazhin që nënpresidenti amerikan JD Vance u dha evropianëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih më herët këtë vit.

I pyetur për kritikat e ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave pro imigracionit të qeverive evropiane, Merz tha se ai dhe Trump e kanë diskutuar këtë çështje disa herë që nga takimi i tyre i parë në qershor.

“I thashë presidentit amerikan se ne në Gjermani po ndjekim një politikë të re në lidhje me emigracionin dhe ligjin e azilit. Do t’ia përsëris edhe herën tjetër kur të takohemi, se kemi arritur rezultate të mëdha”, tha Merz.

“Ne kemi arritur ta përgjysmojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani, dhe besoj se ai do ta vlerësojë faktin që kemi bërë një korrigjim kursi në këtë fushë, e cila realisht ka qenë një barrë e rëndë për Gjermaninë”, deklaroi kancelari Merz.

Strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare, e publikuar javën e kaluar, përshkruan prioritetet e administratës Trump në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Dokumenti fokusohet te rajoni i Indo-Paqësorit dhe kundërshton karakterizimin e Rusisë si “kërcënim ekzistencial” nga qeveritë evropiane.

Në dokumentin prej 33 faqesh bëhen edhe vlerësime të debatueshme për Evropën, duke paralajmëruar për rënie ekonomike dhe “rrezikun real dhe gjithnjë e më të theksuar të zhdukjes së civilizimit” brenda 20 viteve të ardhshme.

Po ashtu, kritikohet qëndrimi i qeverive evropiane ndaj lëvizjeve euroskeptike, të djathta ekstreme dhe kundër imigracionit.

Në një largim të fortë nga dokumentet e mëparshme strategjike, aty thuhet: “Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa lidhen me aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përçarje, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe të vetëbesimit”. /AA

Gjermani: Kontributet e sigurimeve deri në 50%?

Rreth 42 përqind e të ardhurave në Gjermani derdhen që sot në fondet e sigurimeve shoqërore. Barra tatimore ka të ngjarë të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, paralajmërojnë ekspertët e bëjnë thirrje për reforma.


Ekonomisti dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane, Martin Werding, ka thënë se punonjësit duhet të përgatiten për kontribute të sigurimeve shoqërore që arrijnë deri në 50 përqind të të ardhurave të tyre bruto. “Zhvillimi aktual është marramendës. Pyetja nuk është nëse normat e kontributeve do të arrijnë 50 përqind në një moment, por kur”, tha Werding për Rheinische Post.

Për shkak të popullsisë në plakje, tendenca drejt rritjes së kontributeve do të vazhdojë e pandryshuar në Gjermani,  nëse nuk bëhen reforma edhe në vitet 2030, parashikon Werding. Profesori i politikës sociale dhe financave publike në Universitetin e Ruhr-it në Bochum pret që rritja e ardhshme e kontributeve të ndodhë që në vitin 2026.

Aktualisht, kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit së bashku arrijnë në rreth 42 përqind të të ardhurave bruto. Werding pret që ato të rriten në 43 përqind gjatë vitit. Ai theksoi se disa kompani sigurimi shëndetësor kanë kaluar ndërkohë mesataren prej 17 përqind dhe tashmë i kanë rritur përsëri kontributet e tyre shtesë këtë vit. “Aktualisht, mesatarja ka të ngjarë të jetë 17.5 përqind.”

Edhe një rritje tjetër e sigurimit për kujdesin afatgjatë shëndetësor pritet me ndërrimin e viteve. Fondi i pensioneve pritet të preket më vonë: në vitin 2027 ose më së voni në vitin 2028, kontributet, të cilat kanë mbetur konstante në 18.6 përqind për një kohë të gjatë, do të rriten në pothuajse 20 përqind. “Kjo do të thotë arritja e një barre tatimore prej 45 përqind së shpejti deri në fund të kësaj periudhe legjislative”, tha ekonomisti, i cili bëri thirrje për reforma të thella.

Për ekspertin masat që po diskutohen aktualisht, të tilla si rritja e kufirit të vlerësimit të kontributeve shoqërore dhe përfshirja e nëpunësve civilë në sigurimet shoqërore, nuk janë të mjaftueshme. “Në disa raste, kjo thjesht krijon boshllëqe financiare diku tjetër – për shembull, në buxhetet e landeve që punësojnë shumicën e nëpunësve civilë”, thekson Werding. Nevojiten debate për zhvillimet e shpenzimeve shoqërore, efektivitetin e tyre, si për shembull, pensioni për nënat, që ka disa specifika e ka shkaktuar debat në Gjermani. Eksperti Martin Werding është anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane që merret nga ana studimore me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë./DW.com

Shumë njerëz në Gjermani nuk mund të jetojnë nga rroga

Politikanët gjermanë shpesh thonë se “puna duhet të shpërblehet”. Por gjithnjë e më shumë punonjës me orar të plotë varen nga ndihmat e shtetit. Rritja e re e pagës minimale nuk do të sjellë asnjë ndryshim.

Kur Kancelari  gjerman Friedrich Merz doli në sallën e Bundestagut  së fundmi për të paraqitur ai përdori stilin e tij tipik të drejtpërdrejtë, mbi atë që ai e quajti një nga prioritetet e ardhshme kryesore të qeverisë: reforma e “Bürgergeld” (ndihmat për qytetarët).

Ai theksoi edhe një frazë të njohur për punën që konservatorët shpesh e përdorin: Puna duhet të paguhet mirë. Merz dëshiron të sigurojë që qytetarët gjermanë të binden prapë se puna ia vlen dhe duhet të paguhet mirë.

“Bürgergeld” është miratuar nga qeveria e kaluar dhe që atëherë është kritikuar shpesh nga CDU/CSU. Në vitin 2024, rreth 826,000 punonjës vareshin nga përfitimet sociale ose “Bürgergeld”.

Kjo është rreth 30,000 punonjës më shumë se në vitin 2023 – hera e parë që numri i të punësuarve që marrin ndihmë shtesë është rritur që nga viti 2015, kur më shumë se një milion refugjatë nga Siria hynë në vend.

Ky ishte, ndoshta jo rastësisht, edhe viti kur Gjermania prezantoi pagën e saj të parë minimale bazë. Edhe atëherë, më shumë se një milion punëtorë vareshin nga ndihma shtetërore. Këto përfitime shtesë i kushtuan shtetit pothuajse shtatë miliardë euro në vitin 2024, dukshëm më shumë se 5.7 miliardë që shteti pagoi për këto qëllime në vitin 2022.

Qeveria publikoi të dhënat me kërkesë të deputetit të partisë e Majta Cem Ince, i cili i tha DW: “Është e papranueshme që qindra mijëra njerëz varen nga ndihmat, pavarësisht se janë të punësuar. Kjo do të thotë që ne po mbështesim pagat e ulëta me paratë e taksave.”

Rritja e pagës minimale

Ince thotë se paga minimale në Gjermani është thjesht shumë e ulët. Edhe pse qeveria e mëparshme e rriti pagesën minimale në 12,82 euro, ajo nuk mjafton.

Javën e kaluar, Komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Pagës Minimale, i cili përbëhet nga përfaqësues të shoqatave të punëdhënësve dhe sindikatave, njoftoi se paga minimale do të rritet në dy faza: në 13.90 euro më 1 janar 2026, dhe pastaj në 14.60 euro një vit më vonë.  SPD kërkonte rritjen në 15 euro, por nuk u pranua.

Helena Steinhaus, themeluese e grupit të fushatës “Sanktionsfrei” (Pa Sanksione), i cili mbështet njerëzit që marrin ndihma, thotë se këto rritje të vogla të pagesës minimale nuk mjaftojnë, kur shihen çmimet dhe qiratë në vitet e fundit. Për shembull, qiraja mesatare për një apartament në Gjermani u rrit me 4.7 përqind vitin e kaluar, ndërsa në Berlin u rrit mesatarisht me 8.5 përqind.

Problemi i punës me orar të shkurtuar

Megjithatë, disa ekonomistë argumentojnë se niveli i pagës minimale ka pak të bëjë me numrin e të punësuarve  që kanë nevojë për ndihma. “Duhet theksuar se shumica e këtyre njerëzve nuk punojnë me kohë të plotë. Shumë prej tyre janë në trajnime ose punojnë me orar të shkurtuar”, thotë Holger Schäfer, ekonomist në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike në Këln (IW).

“Pagesa minimale për një orë punë nuk ndihmon këtu. Arsyeja pse këta njerëz nuk mund të jetojnë me të ardhurat e tyre nuk është tarifa e ulët për orë pune, por numri i ulët i orëve të punës”.

Shifrat e konfirmojnë këtë: sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Federale e Punësimit, nga 826,000 punëtorë që marrin ndihma, vetëm rreth 81,000 punojnë me orar të plotë.

Edhe ministrja e Punës, Bärbel Bass, paralajmëroi së fundmi për problemin e mashtrimit masiv që lidhet me punën me kohë të shkurtër dhe përfitimet nga shteti. Ndërmjetësit po sjellin punëtorë masivisht nga vendet më të varfra të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria, duke i punësuar ata me kohë të pjesshme dhe pagë minimale. Më pas po mbledhin përfitime nga ndihmat e shtetit që paguhen nëse njerëzit nuk mund të mbulojnë minimumin jetik përmes rrogës.

Ky është një mashtrim, sepse qytetarët e BE-së nuk mund të vijnë thjesht në Gjermani dhe të kërkojnë ndihmë sociale, por në këtë rast ata janë të regjistruar si punonjës.

Megjithatë, kjo nuk është justifikim për pagat e ulëta, këmbëngul deputeti i opozitës Ince. “Fakti është: paga minimale aktuale është një pagë varfërie!”, thotë ai.

Varfëria në rritje

Sidoqoftë, siç thekson Steinhaus, arsyeja pse shumë njerëz punojnë vetëm me kohë të pjesshme është e thjeshtë: ata kanë fëmijë ose familjarë për të cilët duhet të kujdesen. Instituti IW llogariti vitin e kaluar se 306,000 fëmijë nën moshën tre vjeç në Gjermani nuk kanë vend në çerdhe ose kopsht, edhe pse ata kanë të drejtë ligjore për një të tillë.

Një studim i vitit 2021 nga Instituti për Kërkime në Punësim (IAB) tregoi se sa më shumë fëmijë të kenë punëtorët, aq më shumë ka gjasa që ata të kenë nevojë për ndihmë shtetërore. Ince, një deputet i së majtës, argumenton se investimi më i madh shtetëror në rritjen e numrit të vendeve në kopshte do t’u “mundësonte shumë njerëzve të shpëtojnë nga kurthi i punës me kohë të pjesshme”.

Kompanitë dhe fermerët kanë paralajmëruar për problemet që mund të sjellë paga e re minimale, duke thënë se nuk mund t’u paguajnë punëtorëve sezonalë pagën minimale.

Steinhaus nuk i beson këtyre argumenteve. “Shoqatat e punëdhënësve kanë folur për këtë argument për dhjetë vjet, por ai nuk është vërtetuar kurrë si i vërtetë”, tha ajo.

“Sigurisht, ka disa kompani që e kanë të vështirë kur rritet paga minimale, por shumë kompani përfitojnë nga fakti që mund të punësojnë njerëz me çmim të ulët.”

Kancelari dhe reforma e mirëqenies

Ekonomisti Schäfer po ashtu beson se rritja e fundit e numrit të qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar është relativisht i vogël dhe se tendenca e përgjithshme është në rënie që nga viti 2015. Rritja  vitit të kaluar, argumenton ai, ndoshta ka më shumë të bëjë me kushtet e përgjithshme ekonomike në tregun e punës.

Ndërkohë, kancelari Merz  ka të ngjarë të vazhdojë me planet e tij për të reformuar sistemin e përfitimeve nga ndihmat në mënyrë që më shumë njerëz të hyjnë në tregun e punës me orar të plotë.

“Për fat të keq, argumentet e Merz në lidhje me punën janë të gabuara”, thotë Steinhaus. “Kur ai thotë, ‘puna duhet të paguhet’, ai nënkupton uljen e përfitimeve të ndihmave. Por paga minimale e jetesës nuk varet nga sa fitojnë punëtorët e varfër. Ata duhet të fitojnë më shumë, nuk ka dyshim për këtë. Por thjesht ulja e përfitimeve është kundërproduktive dhe krijon konkurrencë midis më të varfërve.”/DW.com

Gjermania forcon kthimin e migrantëve të paligjshëm

Gjermania kthen pas më shumë migrantë ilegalë. Kancelari Merz thekson politikën e mikpritjes, por refuzon spostimin në Gjermani të problemeve të të tjerëve, shkruan Auron Dodi.

Shifrat që paraqiti ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandër Dobrindt janë konkrete. Dobrindti tha pak ditë më parë në një vizitë pranë Kiefersfelden, në kufirin e Gjermanisë me Austrinë, se numri i kthimeve pas të migrantëve të paligjshëm është rritur me 45 përqind. Kjo vetëm një javë pas fillimit të punës së qeverisë Merz.

Janë kthyer pas në kufi 739 persona, përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë nën qeverinë e vjetër. Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël.

Masat në kufi jo simbolike

Disa medie kanë shkruar se kthime masive bëri së fundi edhe qeveria e kaluar Scholz dhe se masat aktuale duken simbolike. Por hapat e qeverisë Scholz për të frenuar migrimin e paligjshëm drejt Gjermanisë i kanë regjistruar e përmendur në Bundestag edhe partitë konservatore unioniste.

Të premten (23.05.) u bë e ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, qeveria e kaluar Scholz ktheu pas në kufi 6151 migrantë të paligjshëm. Ata i kthyen pas kryesisht në Turqi, në Gjeorgji, në Francë, në Spanjë, në Serbi dhe në Irak.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt tha se masat aktuale nuk janë sa për sy e faqe, siç e akuzon qeverinë p.sh. partia ultra e djathtë, AfD. Këtë e konfirmon fakti se janë shtuar në kufi, ndër të tjera, mbi 3000 efektivë policie. Janë përdorur gjithashtu edhe helikopterë, dronë dhe kamera të imazheve termike, për të diktuar migrantët ilegalë.

Ministri i Brendshëm tha se jo në çdo pikëkalimi kufitar është vendosur një efektiv policie, por edhe mund të vendoset. Kjo bëhet për të çorientuar trafikantët e qenieve njerëzore.

Kontakte me fqinjët për kthimin e refugjatëve

Kancelari Friedrich Merz tha në një kongres të degës së partisë së tij CDU, në Shtutgart, të shtunën (17.05.) se kishte “folur me të gjithë” fqinjët. Ai shtoi se “të gjithë e dinë se çfarë synojmë ne”. Merz u tha të pranishmëve:”mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo është e drejtuar kundër fqinjëve tanë evropianë.”

Kancelari gjerman theksoi se “ne duam ta zgjidhim këtë problem së bashku (me fqinjët- shën. i red.), por nuk mund ta pranojmë, që një pjesë e madhe e problemit të pazgjidhur të mbërrijë në Republikën Federale të Gjermanisë.” Një shembull që sjellin mediat këtë javë janë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Azia. Këta refugjatë p.sh. Bjellorusia i dërgon në Poloni, prej ku shumë pastaj vijnë në Gjermani.

Kurse Kryetari i grupit parlamentar konservator, CDU/CSUnë Bundestag, Jens Spahn tha të martën (20.05.) se edhe po të ketë “zemërime” të fqinjëve: qytetarët në Gjermani duhet të kenë mundësi të shohin “të kënaqur, atë që ndodh në kufijtë tanë.”

Presioni për uljen e numrit të migrantëve drejt Gjermanisë

Sipas sondazheve të fundit, migrimi paraqet shqetësim për gjermanët, por edhe më shumë janë të preokupuar ata për ekonominë.

Është fakt se shumë komuna e qytete në Gjermani ankohen për mungesë kapacitetesh për të përballuar numrin e madh të migrantëve, që vijnë njëherësh në Gjermani.

Prandaj kancelari Merz deklaroi në Shtutgart se qeveria do të kujdeset, që qytetet dhe komunat të kenë sërish ajër për të marrë frymë, dhe që Gjermania të jetë përsëri një vend i hapur, tolerant dhe miqësor ndaj të huajve.

Njëkohësisht, drejtuar partisë ultra të djathtë AfD, Merzi tha: kushdo që dëshiron të “jetojë dhe punojë” në Gjermani është i mirëpritur dhe “në vendin e duhur”.

Është fakt edhe se migrimi si temë shfrytëzohet me sukses kundër qeverive gjermane nga AfD-ja. Ajo i akuzon vazhdimisht qeveritë gjermane se nuk e kanë nën kontroll ardhjen e refugjatëve në Gjermani. Kjo vazhdon, sidomos pas atentateve të kryera nga të huajt në Aschaffenburg dhe në Mynih, në janar dhe shkurt të këtij viti. Edhe të dielën e kaluar (18.05.) një doras me origjinë të huaj plagosi në Bielefeld disa të rinj. 

AfD-ja synon të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 2029-ës në Gjermani. Një fitore e AfD-së, deklaroi Merzi në fillim të këtij viti, do të thoshte “minim i bazave demokratike” të Gjermanisë. Ai kujtoi ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit dhe tha se për Gjermaninë është mjaft “një vit 1933”.

Reagime për kthimin e migrantëve

Fqinjë të Gjermanisë si Polonia apo Luksemburgu, edhe Zvicra kanë paraqitur rezerva për kthimet e refugjatëve në kufi nga Gjermania. Kryebashkiakët e qytetit kufitar gjerman të Kehlit dhe të qytetit francez Strasburg i dërguan të mërkurën (21.05.) madje një letër kancelarit Merz. Në të ata ankohen se kontrollet kufitare ndihen ekonomikisht dhe vështirësojnë qarkullimin reciprok vajtje-ardhje të punonjësve.

Por shtete të tjera, ndër ta Danimarka kanë treguar mirëkuptim për masat e Gjermanisë. Sidoqoftë, vendet fqinje me Gjermaninë i kanë ripranuar në përgjithësi personat që kanë hyrë jo ligjërisht në Gjermani, nga territori i tyre. 

Baza ligjore për kthimet e migrantëve të paligjshëm

Ministri Dobrindt tha së fundi në Bundestag se qeveria gjermane shfrytëzon për kthimet një bazë të kombinuar ligjore, mbi bazën e legjislacionit kombëtar: nenin 18.2 të Ligjit gjerman të Azilit; të kombinuar me nenin 72 të Traktatit për mënyrën e funksionimit të BE, mbi “ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e sigurisë së brendshme”. Neni 72 u lejon shteteve anëtare zhdërvjelltësi në zbatimin e disa rregullave të BE, për të ruajtur rendin publik kombëtar e mbrojtur sigurinë e brendshme.

Të tërheq vëmendjen fakti se neni evropian 72 zëvendëson, në zbatim, direktivën e njohur të Dublinit. Dihet se sipas Dublinit, azilkërkuesit duhen pranuar njëherë në vend, pastaj të konstatohet se cili vend është përgjegjës për ta. Mbi bazën e direktivës së Dublinit i ktheu pas qeveria e kaluar gjermane mijëra migrantët e paligjshëm, muajt e parë të këtij viti. Zgjidhja e problemit të migrantëve të paligjshëm mbetet një sfidë mbarëevropiane. Kancelari Merz tha në Shtutgart se këto probleme duhet të zgjidhen “hap pas hapi”./DW.com