E rëndë në Itali/ Shqiptari plagos me thikë një 23-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, shpallet në kërkim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Ravenës në Itali.

Mësohet se një 23-vjeçar është plagosur me thikë nga një shtetas shqiptar.

Ende nuk dihen shkaqet që çuan në plagosjen e të riut po dyshohet se mund të jenë motive të dobëta.

Shqiptari mbi të pesëdhjetat arriti të arratiset me një motoçikletë.

Ai është shpallur në kërkim po rezulton person i njohur për policinë.

23-vjeçari u transportua në spitalin Bufalini në Cesena, me një helikopter shpëtimi.

Karabinierët dhe policia ndërhynë në vendngjarje dhe po hetojnë për të hedhur dritë mbi incidentin./Oranews.tv

Operacion i përbashkët në Itali dhe Belgjikë/ Europol: Arrestohen 14 trafikantë kokaine

Një rrjet kriminal i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës është çmontuar pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve italiane dhe belge, me mbështetjen e Europol-it.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 14 persona të dyshuar si anëtarë të këtij rrjeti.

Hetimi, i cili ka zgjatur disa muaj, ka çuar në identifikimin dhe gjurmimin e një grupi kriminal që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke përdorur porte në Belgjikë dhe Itali.

Grupi përdorte metoda të sofistikuara për të fshehur drogën dhe për të shmangur zbulimin nga autoritetet doganore dhe policore.

Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve të kryera në disa lokacione, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine, para në para të gatshme, automjete luksoze, si dhe pajisje komunikimi të koduara./aktuale.mk

Ishte nisur për në punë, 39-vjeçari shqiptar aksidentohet për vdekje në Itali

Një aksident tragjik rrugor i ka marrë jetën Edmond Gjocit, 39 vjeç, me origjinë shqiptare, i cili jetonte në Tuoro sul Trasimeno, në rajonin e Umbrias, Itali.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në aksin rrugor SR71, pranë Riccio-s, një fshat i vogël në komunën e Cortonës, pranë kufirit me Castiglione del Lago.

Gjoci, i cili punonte si kopshtar, po shkonte drejt vendit të punës. Për shkak se nuk kishte leje drejtimi, ai priste një mik që ta merrte me makinë. Ndërsa qëndronte në anë të rrugës, ai u përplas me forcë nga një makinë Lancia Y, e cila doli nga korsia dhe i mori jetën në vend, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Automjeti drejtohej nga një 19-vjeçar, nxënës i shkollës së mesme, i cili po shkonte në shkollë në Cortona.

Për arsye ende të paqarta, ai humbi kontrollin e mjetit dhe rrëshqiti në drejtim të kundërt të rrugës, duke përplasur Edmondin në mënyrë fatale.

Edmond Gjoci ( Foto e publikuar nga mediat italiane )
Ekipet e ndihmës së shpejtë 118, përfshirë edhe helikopterin Pegaso, mbërritën menjëherë në vendngjarje, të gatshëm për ta transportuar viktimën drejt spitaleve të Scotte ose Careggi, por çdo përpjekje për ta shpëtuar rezultoi e kotë.

Edmond Gjoci ndërroi jetë në vend, për shkak të plagëve të rënda. Edhe masazhi kardiak u provua i pasuksesshëm.

Viktima ishte baba i një vajze të vogël dhe kishte vite që jetonte e punonte në Itali.

Sipas procedurës standarde, drejtuesi i mjetit iu nënshtrua testeve për konsum alkooli dhe lëndësh narkotike, por rezultatet ende nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, automjeti dhe telefoni i të riut janë sekuestruar nga karabinierët, të cilët po hetojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Rruga ku ndodhi ngjarja është e njohur për numrin e lartë të aksidenteve, shumë prej të cilëve me pasojë vdekjen./abcnews.al

Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Prato të Italisë më 8 Maj. Një 37-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë si pasojë e një konflikti që mbetet ende i paqartë.

Siç shkruan La Nazione, viktimë nga kjo ngjarje mbeti Vladimir Lleshi. Në lidhje me vrasjen janë arrestuar gjatë natës dy të rinj, po shqiptarë, njëri 17 dhe tjetri 19 vjeç.

Ata kanë treguar para oficerëve të policisë se do të takoheshin me Lleshin për shkak të disa mesazheve që i ishin dërguar një vajze.

Dy të rinjtë thanë se ndërkohë Lleshi kishte shkuar në shoqërinë e dy burrave të tjerë. Sipas tyre, nga ai moment ka nisur një sherr që ka pasuar me një tentativë sulmi nga 37-vjeçari Lleshi dhe shokët e tij.

Dyshohet se të rinjtë kanë ikur me vrap dhe më pas e kanë sulmuar 37-vjeçarin me një kaçavidë derisa e vranë. Një goditje thuhet se i preku zemrën.

Lleshi u dërgua në spital, por ndërroi jetë aty, pak kohë më vonë si pasojë e dëmtimeve të marra.

Autoritetet kanë urdhëruar që trupit të pajetë të 37-vjeçarit t’i kryhet autopsia për të kuptuar më qartë dinamikën e ngjarjes. Po ashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë me qëllim hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./tvklan.al